Dhiata e Vjetër 2022
2–8 Maj. Eksodi 35–40; Levitiku 1; 16; 19: “Shenjtëri Zotit”


“2–8 Maj. Eksodi 35–40; Levitiku 1; 16; 19: ‘Shenjtëri Zotit’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“2–8 Maj. Eksodi 35–40; Levitiku 1; 16; 19”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Tempulli i San-Paolos, Brazil

2–8 Maj

Eksodi 35–40; Levitiku 1; 16; 19

“Shenjtëri Zotit”

Ndërsa i studioni shkrimet e shenjta plot lutje këtë javë, mendoni për fëmijët të cilëve u jepni mësim. Fryma e Shenjtë mund t’ju ndihmojë të dini se çfarë të vërtetash kanë nevojë të mësojnë dhe si mund t’ua mësoni ato të vërteta.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Vendoseni emrin e secilit fëmijë në një enë. Kërkojini një fëmije të marrë një nga emrat dhe ftojeni fëmijën emri i të cilit u tërhoq, të tregojë diçka që ai ose ajo ka mësuar së fundmi nga Dhiata e Vjetër. Flisni me fëmijët rreth mënyrës se si gjërat që po mësojnë, i ndihmojnë të vijnë më pranë Jezu Krishtit. Vazhdoni derisa çdokush të ketë pasur mundësinë të shprehet.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Eksodi 36:1

Unë mund të ndihmoj në veprën e Zotit.

Fëmijët e vegjël kanë dhunti që mund t’i përdorin për të dhënë ndihmesë në veprën e Zotit në tokë. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të ndiejnë një dëshirë për të treguar se çfarë u ka dhënë Zoti atyre?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve vargun tek Eksodi 36:1 dhe kërkojuni të mbajnë vesh për atë që Zoti i dha Betsaleelit dhe Oholiabit për t’i ndihmuar që të ndërtonin “shenjtërore[n]” (tabernakullin). Tregojini secilit fëmijë një dhunti që ka ai ose ajo (mund të jetë e dobishme të pyesni prindërit e tyre). Dëshmoni se Perëndia e ka “pajisur” me dhunti secilin prej fëmijëve të Tij.

  • U thoni fëmijëve se përse dëshironi të ndihmoni në veprën e Zotit. Ndihmojini të mendojnë për mënyrat se si edhe ata mund të marrin pjesë (të tilla si: të mësojnë rreth një paraardhësi, t’i tregojnë dikujt rreth Jezusit ose t’i shërbejnë një pjesëtari të familjes). Shkruajini në shirita letre idetë e tyre, vendosini në një enë dhe ftojeni secilin fëmijë të zgjedhë një dhe të interpretojë me gjeste veprimin që është në shiritin e letrës.

Eksodi 40:17–34

Unë mund ta ndiej praninë e Perëndisë në vende të shenjta.

Zoti i urdhëroi bijtë e Izraelit ta ndërtonin tabernakullin që Ai të mund të “bano[nte] në mes tyre” (Eksodi 25:8). Ju mund t’i ndihmoni fëmijët të mësojnë rreth vendeve të shenjta që Perëndia na ka dhënë sot për të na ndihmuar që ta ndiejmë praninë e Tij.

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqitni një figurë të tabernakullit në lashtësi (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Kërkojuni fëmijëve të gjejnë pjesë të ndryshme të tabernakullit në figurë, të tilla si shandanin ose altarët, dhe shpjegoni se këto gjëra kishin për qëllim t’i ndihmonin izraelitët të mendonin rreth Zotit (për më shumë informacion rreth tabernakullit, shihni Eksodi 40:17–34). Çfarë vendesh të shenjta kemi sot që na ndihmojnë të mendojmë për Zotin?

  • Tregoni një figurë të tempullit dhe lexojuni fëmijëve vargun tek Eksodi 25:8. Shpjegoni se në kohën tonë, Perëndia na ka dhënë vende të shenjta ku ne mund të jemi pranë Tij. Ndihmojini fëmijët të renditin disa nga këto vende. Pyetini fëmijët se si ndihen kur mendojnë rreth këtyre vendeve të shenjta. U thoni atyre se edhe ne mund ta ndiejmë pranë Perëndinë kur lutemi, pavarësisht se ku jemi.

  • Plotësojeni faqen e veprimtarisë me fëmijët. Ndërsa e bëni këtë, këndoni me ta një këngë për tempullin, të tillë si “Tempullin Shum’ Dua t’Shoh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 99).

    Tempulli i Romës, Itali

    Ashtu si tabernakulli në lashtësi, tempulli na drejton te Shpëtimtari.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Eksodi 35:20–29; 36:1

Perëndia më ka dhënë dhunti që të ndihmoj në veprën e Tij.

Gjithsecili nga fëmijët e Atit Qiellor ka diçka me anë të së cilës të japë ndihmesë në veprën e Tij. Fëmijët të cilëve u jepni mësim, mund të kenë nevojë për ndihmën tuaj, për të dalluar se si mund t’i përdorin dhuntitë e tyre që të ndihmojnë në veprën e Perëndisë.

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqitni një figurë të tabernakullit (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Pyetini fëmijët se çfarë materialesh mund të kenë qenë të nevojshme për të ndërtuar tabernakullin. Lexoni me fëmijët tek Eksodi 35:20–29 dhe kërkojuni të shohin mënyrën se si u siguruan materialet e nevojshme. Dëshmoni që secili nga fëmijët ka diçka për të dhënë ndihmesë në veprën e Zotit.

  • Kërkojuni fëmijëve të lexojnë tek Eksodi 36:1 për të gjetur se çfarë u dha Zoti atyre që u thirrën për të ndihmuar në ndërtimin e tabernakullit. Ftojini fëmijët të tregojnë se çfarë mendojnë se u ka dhënë Zoti atyre për të ndihmuar në ndërtimin e mbretërisë së Tij (jepni sugjerime nëse nevojitet). Si mund t’i përdorim këto gjëra për të bekuar të tjerët?

Eksodi 40:17–33

Unë mund të bëhem më shumë si Jezu Krishti dhe Ati Qiellor.

Tabernakulli jo vetëm që i lejoi bijtë e Izraelit ta kishin praninë e Perëndisë me vete, por ai gjithashtu u mësoi atyre gjëra që mund të bënin për t’u bërë më shumë si Perëndia.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të përdorin vargjet tek Eksodi 40:17–33 për të përcaktuar gjërat që ishin pjesë e tabernakullit dhe t’i gjejnë disa prej tyre në një figurë të tabernakullit në lashtësi (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Ftojini fëmijët që të bëjnë vizatimet e veta për tabernakullin. Flisni rreth asaj se si çdo pjesë e tabernakullit mund të na mësojë për Shpëtimtarin ose Atin Qiellor. Për shembull, arka e dëshmisë mund të na kujtojë për urdhërimet e Perëndisë, altari mund të na kujtojë për flijimin e Jezu Krishtit, shandani mund të na kujtojë se Shpëtimtari është Drita e Botës e kështu me radhë.

  • Kërkojuni fëmijëve të lexojnë tek Eksodi 25:8 për të gjetur se përse Zoti donte që bijtë e Izraelit të ndërtonin një “shenjtërore” (ose tabernakullin). Ndihmojini fëmijët të renditin vende dhe situata ku ne mund ta ndiejmë praninë e Zotit. Si na ndihmojnë këto vende të bëhemi më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?

Levitiku 1:1–4

Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, unë mund të marr falje.

Sakrifikimet e kafshëve të kryera në Dhiatën e Vjetër kishin për qëllim t’u mësonin bijve të Izraelit rreth faljes që u bë e mundur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregoni figurat e Jezu Krishtit në Gjetseman dhe në kryq (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr 5657). Shpjegoni se Zoti i urdhëroi bijtë e Izraelit të bënin sakrifica për t’u mësuar atyre se ata mund të faleshin për mëkatet e tyre nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Lexojuni fëmijëve te Levitiku 1:1–4 dhe ftojini të kërkojnë fjalë ose fraza që iu kujtojnë atyre flijimin e Jezu Krishtit.

  • Tregoni një figurë të Jezu Krishtit duke vizituar njerëzit në kontinentin amerikan (të tillë si Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 82). Shpjegoni se pasi Jezu Krishti u kryqëzua dhe u ringjall, Ai u mësoi njerëzve në kontinentin amerikan se përse nuk u duhej më të bënin sakrifikime të kafshëve. Lexoni së bashku te 3 Nefi 9:19–20 dhe pyetini fëmijët se çfarë jemi urdhëruar të sakrifikojmë në vend të kësaj. Si mendoni ju, çfarë do të thotë të ofrosh si sakrificë një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar? Sugjeroni që të kërkojnë termin “Zemër e Thyer” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org), që t’i ndihmojë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Ftojini ata të përsiatin se si mund t’i ofrojnë Zotit një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët që ta pyesin Atin Qiellor këtë javë se si Ai do të donte që ata të jepnin ndihmesë për veprën e Tij në familjen e tyre.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Drejtojini fëmijët tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Objektivi juaj kryesor duhet të jetë që t’i ndihmoni fëmijët, të cilëve u jepni mësim, që ta forcojnë besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar që ta kuptojnë se si të jetuarit e të vërtetave të ungjillit do t’i ndihmojë ata të bëhen më shumë si Ati dhe Biri?