Dëshirim për Shtëpinë
Kthejeni shpirtin tuaj nga drita. Fillojeni rrugëtimin tuaj vetjak e të mrekullueshëm për në shtëpi. Ndërsa bëni kështu, jeta juaj do të jetë më e mirë, më e lumtur dhe më qëllimplotë.
Kohët e fundit, kur u takuam me Presidentin Tomas S. Monson, ai shprehu me solemnitet dhe me një shprehi lumturie, sa shumë e do Zotin dhe se ai e di që Zoti e do atë. Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë e di që Presidenti Monson është shumë mirënjohës për dashurinë tuaj, lutjet tuaja dhe përkushtimin tuaj ndaj Zotit.
Bobi, Qeni i Mrekullisë
Përafërsisht një shekull më parë, një familje nga Oregoni ishte me pushime në Indiana – mbi 3200 km larg – kur humbi qenin e saj të dashur Bobin. Familja e dëshpëruar e kërkoi qenin gjithandej, por më kot. Bobi nuk gjendej.
Me zemër të vrarë, ata morën udhën e kthimit për në shtëpi, ku çdo kilometër i çonte më larg kafshës së tyre të dashur shtëpiake.
Gjashtë muaj më vonë, familja u shtang kur e gjeti Bobin në pragun e derës së saj në Oregon. “I pistë, thatanik, me këmbët kockë e lëkurë – dukej se ai e kishte përshkuar të gjithë distancën … vetë.” Ndodhia e Bobit rroku përfytyrimin e njerëzve anembanë Shteteve të Bashkuara dhe ai u bë i njohur si Bobi, Qeni i Mrekullisë.
Bobi nuk është e vetmja kafshë që i ka hutuar shkencëtarët me një ndjesi të hatashme drejtimi dhe instinkti për të shkuar në shtëpi. Disa popullata fluturash të llojit Monark migrojnë për 4800 km çdo vit drejt vendeve me klimë më të përshtatshme për mbijetesën e tyre. Breshkat detare kockëtrasha udhëtojnë nëpër të gjithë Oqeanin Paqësor nga Indonezia drejt brigjeve të Kalifornisë. Balenat me gungë notojnë nga ujërat e ftohta të Polit të Veriut e të Jugut drejt ekuatorit dhe në kthim. Ndoshta në mënyrë akoma më të pabesueshme, dallëndyshja arktike e detit fluturon nga Rrethi Arktik drejt Antarktidës dhe në kthim çdo vit, për afro 97000 km.
Kur shkencëtarët e studiojnë këtë sjellje magjepsëse, ata bëjnë pyetje të tilla si: “Nga e dinë ato se ku të shkojnë?” dhe “Si e mëson çdo brez pasardhës këtë sjellje?”
Kur lexoj për këtë instinkt të fuqishëm te kafshët, nuk mund ta lë pa pyetur veten: “A është e mundur që qeniet njerëzore të kenë një dëshirim të ngjashëm – një sistem të brendshëm udhërrëfimi, ta quajmë – që i tërheq ata për te shtëpia qiellore?”
Unë besoj se çdo burrë, grua dhe fëmijë e ka ndier thirrjen e qiellit në njëfarë pike të jetës së vet. Thellë brenda nesh ka një mall për ta kaluar disi velin dhe për t’i përqafuar Prindërit Qiellorë që dikur i njihnim dhe i çmonim.
Disa mund ta shtypin këtë dëshirim dhe t’i bëjnë shpirtrat e tyre të pandjeshëm ndaj thirrjes së atij dëshirimi. Por ata që nuk e shuajnë këtë dritë brenda vetvetes, mund të nisin një rrugëtim të pabesueshëm – një migrim të mrekullueshëm drejt klimës qiellore.
Perëndia Ju Thërret
Mesazhi madhështor i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është që Perëndia është Ati ynë, që Ai kujdeset për ne dhe që ka një mënyrë për t’u kthyer tek Ai.
Perëndia ju thërret.
Perëndia e njeh çdo mendim tuajin, keqardhjet tuaja dhe shpresat tuaja më të mëdha. Perëndia i di herët e shumta kur e keni kërkuar. Herët e shumta që keni ndier gëzim pakufi. Herët e shumta që keni qarë në vetmi. Herët e shumta që jeni ndier pa rrugëdalje, të pështjelluar ose të zemëruar.
Prapëseprapë, pavarësisht nga historia juaj – nëse jeni të ligështuar, të keni dështuar, të ndiheni të dërrmuar, të hidhëruar, të tradhtuar apo të mundur – dijeni se nuk jeni vetëm. Perëndia prapëseprapë ju thërret.
Shpëtimtari jua zgjat dorën. Dhe, ashtu siç bëri me ata peshkatarë që qëndruan kohë më parë buzë Detit të Galilesë, me dashuri të pafundme Ai ju flet: “Eja, më ndiq”.
Nëse e dëgjoni, Ai do t’ju flasë që sot.
Kur ecni në shtegun e dishepullimit – kur lëvizni drejt Atit Qiellor – ka diçka brenda jush që do t’jua pohojë se e keni dëgjuar thirrjen e Shpëtimtarit dhe e keni drejtuar zemrën tuaj nga drita. Ajo do t’ju thotë që jeni në shtegun e duhur dhe se po ktheheni në shtëpi.
Që nga fillimi i kohës, profetët e Perëndisë i kanë nxitur njerëzit e kohës së vet që t’i “binde[n] zërit të Zotit, Perëndisë [së tyre], duke respektuar urdhërimet dhe statutet e tij … [dhe të] rikth[ehen] tek [Ai], me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt”.
Shkrimet e shenjta na mësojnë një mijë arsye përse duhet ta bëjmë këtë.
Sot, më lini t’ju ofroj dy arsye përse duhet të kthehemi te Zoti.
E para: Jeta juaj do të jetë më e mirë.
E dyta: Perëndia do t’ju përdorë për t’ua përmirësuar jetën të tjerëve.
Jeta Juaj do të Jetë më e Mirë
Unë dëshmoj se, kur nisemi ose e vazhdojmë rrugëtimin e jashtëzakonshëm që na çon te Perëndia, jeta jonë do të jetë më e mirë.
Kjo nuk nënkupton që jeta jonë do të jetë e paprekur nga hidhërimet. Ne të gjithë njohim ndjekës besnikë të Krishtit që vuajnë tragjedi dhe padrejtësi – Vetë Jezu Krishti vuajti më shumë se kushdo. Ashtu sikurse Ati e bën “të lindë diellin … mbi të mirët dhe mbi të këqijtë”, Ai gjithashtu lejon që fatkeqësia të vërë në provë të drejtët dhe të padrejtët. Në fakt, nganjëherë duket sikur jeta jonë është më e vështirë për arsye se po përpiqemi ta jetojmë besimin tonë.
Jo, ndjekja e Shpëtimtarit nuk do t’jua heqë të gjitha sprovat. Sidoqoftë, ajo do t’i heqë pengesat midis jush dhe ndihmës që Ati Qiellor dëshiron t’jua japë. Perëndia do të jetë me ju. Ai do t’i drejtojë hapat tuaj. Ai do të ecë përkrah jush dhe madje do t’ju mbartë kur të keni më shumë nevojë.
Ju do të përjetoni frytin madhështor të Frymës [që është]: “dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia [dhe] besimi”.
Këto fryte shpirtërore nuk janë rezultat i begatisë materiale, suksesit apo fatit të mirë. Ato vijnë nga ndjekja e Shpëtimtarit dhe mund të jenë ndihmësit tanë besnikë edhe në mes të stuhive më të errëta.
Zjarret dhe trazirat e jetës në vdekshmëri mund të na kërcënojnë dhe trembin, por ata që ia përulin zemrën Perëndisë, do të rrethohen nga paqja e Tij. Gëzimi i tyre nuk do të pakësohet. Ata nuk do të braktisen apo harrohen.
“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër”, na mësojnë shkrimet e shenjta, “dhe mos u mbështet në gjykimin tënd. pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.”
Ata që ia vënë veshin thirrjes së brendshme dhe e kërkojnë Perëndinë, ata që luten, besojnë dhe ecin në shtegun që Shpëtimtari ka përgatitur – edhe nëse nganjëherë pengohen përgjatë shtegut – marrin sigurinë ngushëlluese që “gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën [e tyre]”.
Sepse Perëndia “i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit”.
“Sepse i drejti bie shtatë herë dhe ngrihet, kurse të pabesët përmbysen në fatkeqësi.”
Dhe Zoti me mirësinë e Tij pyet:
A dëshironi të përjetoni gëzim të qëndrueshëm?
A nuk keni dëshirim për ta ndier brenda zemrës suaj paqen që ia tejkalon çdo zgjuarsie?
Atëherë, kthejeni shpirtin tuaj nga drita.
Fillojeni rrugëtimin tuaj vetjak e të mrekullueshëm për në shtëpi.
Ndërsa bëni kështu, jeta juaj do të jetë më e mirë, më e lumtur dhe më qëllimplotë.
Perëndia do t’Ju Përdorë
Nëpër shtegun e kthimit tek Ati Qiellor do ta kuptoni shpejt se ky rrugëtim nuk është vetëm për t’u përqendruar te jeta tuaj vetjake. Jo, ky shteg ju shtyn në mënyrë të pashmangshme që të bëheni një bekim në jetën e fëmijëve të tjerë të Perëndisë – vëllezërve dhe motrave tuaja. Dhe gjëja interesante në këtë rrugëtim është që, teksa i shërbeni Perëndisë dhe teksa kujdeseni dhe i ndihmoni bashkëqeniet tuaja, ju do të shihni përparim të madh në vetë jetën tuaj, në mënyra nuk mund t’i përfytyroni kurrë.
Ndoshta nuk e konsideroni veten edhe aq të dobishëm, ndoshta nuk e konsideroni veten një bekim në jetën e dikujt. Shpesh, kur vështrojmë veten, ne shohim vetëm kufizimet dhe mangësitë tona. Mund të mendojmë se duhet të jemi diçka “më shumë” që Perëndia të na përdorë – më inteligjentë, më të pasur, më frymëzues, më të talentuar, më shpirtërorë. Bekimet nuk do të vijnë edhe aq prej aftësive tuaja, por për shkak të zgjedhjeve tuaja. Dhe Perëndia i universit do të punojë brenda jush dhe nëpërmjet jush, duke i lartësuar përpjekjet tuaja të përulura për qëllimet e Tij.
Vepra e Tij ka përparuar gjithnjë mbi bazën e këtij parimi të rëndësishëm: “Nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe”.
Kur po u shkruante shenjtorëve në Korint, Apostulli Pal vëzhgoi se jo shumë prej tyre do të konsideroheshin të urtë sipas standardeve të botës. Por kjo nuk kishte rëndësi, sepse “Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët”.
Historia e veprës së Perëndisë është e mbushur me njerëz që e konsideronin veten të papërshtatshëm. Por ata shërbyen përulësisht, duke u mbështetur në hirin e Perëndisë dhe në premtimin e Tij: “Dhe krahu i tyre do të jetë krahu im, dhe unë do të jem mburoja … e tyre dhe ata do të luftojnë burrërisht për mua; dhe … do t’i ruaj ata”.
Këtë verë që shkoi, familja jonë pati mundësinë e mrekullueshme që të vizitonte disa nga vendet e historisë së hershme të Kishës në lindje të Shteteve të Bashkuara. Në një mënyrë të veçantë, ne e jetuam sërish historinë e asaj kohe. Njerëzit për të cilët kisha lexuar aq shumë, – njerëz si Martin Harrisi, Oliver Kaudëri dhe Tomas B. Marshi – u bënë më të vërtetë për mua teksa ecnim atje ku ata ecën dhe i përsiatnim sakrificat që ata bënë për ta ndërtuar mbretërinë e Perëndisë.
Ata kishin shumë tipare të shkëlqyera që u lejuan të jepnin ndihmesa domethënëse për Rivendosjen e Kishës së Jezu Krishtit. Por ata ishin gjithashtu njerëzorë, të dobët dhe të gabueshëm – njësoj siç jemi ju dhe unë. Disa e gjetën veten në mospërputhje me Profetin Jozef Smith dhe u larguan nga Kisha. Më vonë, shumë prej po atyre njerëzve patën një ndryshim zemre, u përulën, e kërkuan dhe e gjetën sërish shoqërimin me shenjtorët.
Ne mund të kemi një prirje për t’i gjykuar këta vëllezër dhe anëtarë të tjerë si ata. Ne mund të themi: “Unë nuk do ta kisha braktisur kurrë Profetin Jozef”.
Ndërkohë që kjo mund të jetë e vërtetë, ne nuk e dimë vërtet se si ishte të jetoje në atë kohë, në ato rrethana. Jo, ata nuk qenë të përkryer, por sa zemërdhënëse është ta dimë se Perëndia mundi t’i përdorte ata gjithsesi. Ai i dinte pikat e tyre të forta e të dobëta dhe u dha atyre mundësinë e jashtëzakonshme për të ndihmuar me një varg apo melodi në himnin e lavdishëm të Rivendosjes.
Sa zemërdhënëse është ta dimë që, ndonëse ne jemi të papërsosur, nëse zemrat tona janë të kthyera drejt Perëndisë, Ai do të jetë bujar dhe dashamirës e do të na përdorë për qëllimet e Tij.
Ata që i duan dhe iu shërbejnë Perëndisë dhe bashkëqenieve të tyre dhe marrin pjesë përulësisht dhe aktivisht në veprën e Tij, do të shohin gjëra mrekullibërëse të ndodhin në jetën e tyre dhe në jetën e atyre që duan.
Dyer që dukeshin të mbyllura, do të hapen.
Engjëjt do të shkojnë përpara tyre dhe do të përgatitin udhën.
Pavarësisht nga pozicioni juaj në komunitetin tuaj ose në Kishë, Perëndia do t’ju përdorë, nëse jeni të gatshëm. Ai do t’i lartësojë dëshirat tuaja të drejta dhe do t’i kthejë veprimet e dhembshura që mbillni, në të korra të bollshme mirësie.
Ne Nuk Mund të Arrijmë Atje me Pilot Automatik
Ne jemi, secili prej nesh, “të huaj dhe shtegtarë” në këtë botë. Në shumë mënyra, ne jemi larg shtëpisë. Por kjo nuk do të thotë se duhet të ndihemi se kemi humbur apo jemi vetëm.
Ati ynë i dashur në Qiell na ka dhënë Dritën e Krishtit. Dhe thellë brenda çdonjërit prej nesh, një shtytje hyjnore na nxit t’i kthejmë sytë dhe zemrat tek Ai teksa bëjmë shtegtimin e kthimit për te shtëpia jonë çelestiale.
Kjo kërkon përpjekje. Nuk mund të arrish atje pa u munduar të mësosh prej Tij, t’i kuptosh udhëzimet e Tij, t’i zbatosh ato me zell dhe t’i hedhësh hapat një e nga një.
Jo, jeta nuk është një makinë që lëviz vetë. Nuk është një aeroplan me pilot automatik.
Nuk mundeni thjesht të pluskoni në ujërat e jetës dhe të mirëbesoni se rryma do t’ju çojë kudoqoftë që shpresoni të jeni një ditë. Dishepullimi kërkon gatishmëri nga ana jonë për të notuar kundër rrymës kur nevojitet.
Askush tjetër nuk është përgjegjës për rrugëtimin tuaj vetjak. Shpëtimtari do t’ju ndihmojë e do t’jua përgatitë udhën që keni përpara, por zotimi për ta ndjekur Atë dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij duhet të vijë nga ju. Ajo është barrë vetëm e juaja, privilegj vetëm i juaji.
Kjo është aventura juaj e madhe.
Ju lutem, vërjani veshin thirrjes së Shpëtimtarit tuaj.
Ndiqeni Atë.
Zoti e ka themeluar Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për t’ju ndihmuar për këtë zotim që t’iu shërbeni Perëndisë dhe bashkëqenieve. Qëllimi i saj është që të japë zemër, të japë mësim, të ngrejë moralisht e të frymëzojë. Kjo Kishë e mrekullueshme siguron mundësi që ju të ushtroni dhembshuri, t’u shkoni në ndihmë të tjerëve dhe që t’i përtërini e t’i mbani besëlidhjet e shenjta. Ajo është projektuar për ta bekuar jetën tuaj dhe për ta përmirësuar shtëpinë, komunitetin dhe kombin tuaj.
Ejani, bashkohuni me ne dhe mirëbesojini Zotit. Jepjani hua talentet tuaja veprës së Tij të mrekullueshme. Ndihmojini, jepuni zemër, shërojini dhe përkrahini të gjithë ata që dëshirojnë ta ndiejnë e t’ia vënë veshin dëshirimit për shtëpinë tonë hyjnore. Le të bashkohemi në këtë shtegtim të lavdishëm drejt klimës qiellore.
Ungjilli është një mesazh i mahnitshëm shprese, lumturie dhe gëzimi. Ai është shtegu që na çon në shtëpi.
Teksa e përqafojmë ungjillin me besim dhe vepra, çdo ditë dhe çdo orë, ne do t’i afrohemi pak më tepër Perëndisë tonë. Jeta jonë do të jetë më e mirë dhe Zoti do të na përdorë në mënyra mbresëlënëse për t’i bekuar ata që janë përreth nesh, dhe për të bërë të ndodhin qëllimet e Tij të përjetshme. Për këtë unë dëshmoj dhe ju lë bekimin tim, në emrin e Jezu Krishtit, amen.