Zoti e Udhëheq Kishën e Tij
Udhëheqja nga Zoti e Kishës së Tij kërkon besim të madh dhe të qëndrueshëm nga të gjithë ata që i shërbejnë Atij në tokë.
Vëllezërit e mi të dashur që mbani priftërinë e Perëndisë, sonte dëshiroj të flas për mënyrën e mrekullueshme në të cilën Zoti e udhëheq mbretërinë e Tij në tokë. Ju tanimë i dini gjërat themeltare. Lutem që Fryma e Shenjte do t’jua pohojë ato.
Së pari, Jezu Krishti është kreu i Kishës në të gjithë tokën.
Së dyti, Ai e udhëheq Kishën e Tij sot duke i folur burrave të thirrur si profetë, dhe Ai e bën atë nëpërmjet zbulesës.
Së treti, Ai i dha zbulesë profetëve të Tij shumë kohë më parë, ende u jep zbulesë dhe do të vazhdojë ta bëjë atë.
Së katërti, Ai u jep zbulesë pohuese atyre që shërbejnë nën udhëheqjen e profetëve të Tij.
Nga ato gjëra themeltare, ne dallojmë se udhëheqja nga Zoti e Kishës së Tij kërkon besim të madh dhe të qëndrueshëm nga të gjithë ata që i shërbejnë Atij në tokë.
Për shembull, do besim për të mirëbesuar se Zoti i ringjallur po kujdeset për hollësitë e përditshme të mbretërisë së Tij. Do besim për të mirëbesuar se Ai thërret njerëz të papërsosur në pozicione të besuara. Do besim për të mirëbesuar se Ai i njeh njerëzit që i thërret në mënyrë të përsosur, si aftësitë e tyre, edhe potencialin e tyre, dhe kështu që nuk bën gabime rreth atyre që thërret.
Kjo mund t’i shkaktojë një buzëqeshje apo tundje koke disave në këtë auditor – si atyre të cilët mendojnë se vetë thirrja e tyre për të shërbyer mund të ketë qenë një gabim, gjithashtu edhe atyre të cilëve u vijnë në mendje njerëz që njohin, të cilët u duken jo të përshtatshëm për pozicionin e tyre në mbretërinë e Zotit. Këshilla ime është që t’i shtyni gjykime të tilla derisa të mund ta shihni më mirë atë që sheh Zoti. Gjykimi që duhet të bëni, në vend të asaj, është se ju e keni aftësinë të merrni zbulesë dhe të veproni sipas saj pa frikë.
Do besim për ta bërë atë. Do besim edhe më të madh për të mirëbesuar se Zoti ka thirrur shërbëtorë njerëzorë të papërsosur për t’ju udhëhequr juve. Qëllimi im sonte është që ta forcoj besimin tuaj se Perëndia ju drejton në shërbimin tuaj ndaj Tij. Dhe madje më me rëndësi, shpresa ime është që ta forcoj besimin tuaj, se Zoti po i frymëzon individët e papërsosur të cilët Ai i ka thirrur si udhëheqësit tuaj.
Ju mund të mendoni, si fillim, se një besim i tillë nuk është i rëndësishëm për suksesin e Kishës dhe të mbretërisë së Zotit. Megjithatë, ju mund të zbuloni – pavarësisht se në çfarë pozicioni jeni në zinxhirin e shërbimit në priftëri, qoftë profeti i Zotit apo një mbajtës i ri i Priftërisë Aarone – se besimi është thelbësor.
Le të fillojmë me atë se çfarë do të thotë besim për një president të kuorumit të mësuesve apo dhjakëve. Është e rëndësishme për të që të ketë besim se Zoti e thirri atë personalisht, duke qenë në dijeni të pikave të dobëta dhe të forta të atij mësuesi. Ai gjithashtu duhet të ketë besim se burri që e dha thirrjen, mori zbulesë nga Shpirti i Perëndisë. Këshilltarët e tij dhe anëtarët e kuorumit e tij kanë nevojë për të njëjtin besim për ta ndjekur atë me siguri të patundur.
Unë e pashë një siguri të tillë kur një djalë u ul me presidencën e tij të dhjakëve një mëngjes të diele. Ai ishte sekretari i tyre i sapothirrur. Ajo presidencë e re u këshillua së bashku. Ata folën rreth disa mënyrave se si mund ta plotësonin kërkesën e peshkopit për ta rikthyer në kishë një djalë më pak aktiv. Pas lutjes dhe diskutimit, ata e caktuan sekretarin që të shkonte te shtëpia e djalit, i cili nuk kishte ardhur asnjëherë në një mbledhje, dhe ta ftonte atë.
Sekretari nuk e njihte djalin, por ai e dinte se një prej prindërve të djalit qe më pak aktiv dhe tjetri nuk ishte anëtar dhe as miqësor. Sekretari ndjeu ankth, por jo frikë. Ai e dinte se profeti i Perëndisë u kishte kërkuar mbajtësve të priftërisë që t’i rikthenin delet e humbura. Dhe ai e kishte dëgjuar lutjen e presidencës së tij. Ai i dëgjoi ata të binin dakord për emrin e djalit për t’u shpëtuar dhe për vetë emrin e tij.
Po e ndiqja me sy kur sekretari eci përpjetë rrugës drejt shtëpisë së djalit më pak aktiv. Ai ecte ngadalë sikur po shkonte drejt rrezikut të madh. Por, brenda gjysmë ore, ai u kthye sërish teposhtë rrugës bashkë me djalin, duke buzëqeshur i lumtur. Nuk jam i sigurt nëse e kuptoi atëherë, por ai kishte shkuar me besimin se ishte duke bërë punën e Zotit. Ai besim ka qëndruar me të dhe është rritur me kalimin e viteve të tij si misionar, baba, udhëheqës i të rinjve dhe peshkop.
Le të flasim për atë çfarë do të thotë një besim i tillë për një peshkop. Një peshkop ndonjëherë thirret për t’u shërbyer njerëzve që e njohin mirë atë. Anëtarë të lagjes kanë njëfarë dijenie për dobësitë e tij njerëzore dhe aftësitë e tij shpirtërore, dhe ata e dinë se të tjerë në lagje mund të ishin thirrur [në atë pozitë] – të tjerë që duken më të mirë-shkolluar, më me përvojë, më të këndshëm apo madje me pamje më të bukur.
Këta anëtarë duhet të dinë se thirrja për të shërbyer si peshkop erdhi nga Zoti, me anë të zbulesës. Pa besimin e tyre, peshkopi që qe thirrur nga Perëndia, do ta ketë më të vështirë të marrë zbulesën që i duhet, për t’i ndihmuar ata. Ai nuk do t’ia dalë mbanë pa besimin e anëtarëve për ta mbështetur atë.
Fatmirësisht, e kundërta është gjithashtu e vërtetë. Mendoni për shërbëtorin e Zotit, mbretin Beniamin, i cili e udhëhoqi popullin e tij drejt pendimit. Zemrat e njerëzve qenë zbutur prej besimit të tyre se ai qe thirrur nga Perëndia, pavarësisht nga dobësitë e tij njerëzore, dhe se fjalët e tij rridhnin nga Perëndia. Ju e mbani mend atë që thanë njerëzit: “Po, ne i besojmë të gjitha fjalët që ti na ke folur; … ne … dimë për sigurinë dhe vërtetësinë e tyre, për shkak të Shpirtit të Zotit të Plotfuqishëm, i cili ka bërë një ndryshim të madh te ne, ose në zemrat tona, që ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht” (Mosia 5:2).
Që një udhëheqës t’ia dalë mbanë në punën e Zotit, mirëbesimi i njerëzve se ai është thirrur nga Perëndia duhet ta tejkalojë pikëpamjen e tyre për kufizimet dhe dobësitë e tij si i vdekshëm. Ju e mbani mend mënyrën se si mbreti Beniamin e shpjegoi vetë rolin e tij udhëheqës:
“Unë nuk ju kam urdhëruar të vini deri këtu që të më keni frikë, ose që ju të mendoni se unë vetë jam më shumë se një njeri i vdekshëm.
Por, unë jam sikurse ju, mund të prekem nga të gjitha llojet e dobësive në trup dhe mendje; megjithëkëtë, unë jam zgjedhur nga ky popull dhe përkushtuar nga ati im dhe u lejua nga dora e Zotit, që unë duhej të isha një sundimtar dhe mbret mbi këtë popull; dhe jam mbajtur dhe ruajtur nga fuqia e tij e pakrahasueshme, për t’ju shërbyer juve me të gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën që Zoti më ka dhënë” (Mosia 2:10–11).
Udhëheqësi juaj në Kishën e Zotit mund t’ju duket i dobët dhe njerëzor, ose mund t’ju duket i fuqishëm dhe i frymëzuar. Realiteti është që çdo udhëheqës është një përzierje e atyre veçorive dhe ca më tepër. Ajo çfarë u vjen në ndihmë shërbëtorëve të Zotit të cilët janë thirrur të na udhëheqin, është kur ne arrijmë t’i shohim ata ashtu siç i pa Zoti kur i thirri.
Zoti i sheh në mënyrë të përkryer shërbëtorët e Tij. Ai e sheh potencialin e tyre dhe të ardhmen e tyre. Dhe Ai e di se si vetë natyra e tyre mund të ndryshohet. Ai gjithashtu e di se si ata mund të ndryshohen nga përvojat e tyre me njerëzit që do të udhëheqin.
Ju mund të keni pasur përvojën kur jeni bërë më të fortë prej njerëzve të cilët u thirrët t’i shërbenit. Unë dikur u thirra si peshkop i të rinjve në moshë madhore beqarë. Nuk jam i sigurt nëse qëllimet e Zotit kishin të bënin më shumë me ndryshimet që mund ta ndihmoja Zotin të sillte tek ata, apo me ndryshimet që Ai e dinte se ata do të sillnin tek unë.
Në një shkallë që unë nuk e kuptoj, shumica e këtyre të rinjve në atë lagje vepronin si të isha thirrur nga Perëndia posaçërisht për ta. Ata i shikonin dobësitë e mia, por shihnin përtej tyre.
Më kujtohet një i ri, i cili kërkoi këshillë rreth zgjedhjeve të tija për arsimim. Ai qe student i vitit të parë në një universitet shumë të mirë. Një javë pasi i kisha dhënë këshillën, ai caktoi një takim me mua.
Kur erdhi në zyrë, ai më habiti kur më pyeti: “Peshkop, a mund të lutemi përpara se të flasim? Dhe a mund të ulemi në gjunjë? Dhe a mund të lutem unë?”
Kërkesat e tij më habitën. Por edhe më tepër më habiti lutja e tij. Ishte pak a shumë e tillë: “Ati Qiellor, Ti e di se Peshkopi Ajring më dha këshillë javën e kaluar dhe se ajo nuk funksionoi. Të lutem frymëzoje atë që të dijë se çfarë duhet të bëj unë tani.”
Tani ju mund të qeshni me këtë, por unë nuk qesha. Ai e dinte tanimë atë që Zoti donte që ai të bënte. Por, ai e nderonte detyrën e peshkopit në Kishën e Zotit dhe ndoshta dëshironte që unë të kisha mundësinë të fitoja siguri më të madhe për të marrë zbulesë në atë thirrje.
Funksionoi. Sapo u ngritëm dhe më pas u ulëm, zbulesa më erdhi. I thashë atë që ndjeva se Zoti donte që ai të bënte. Ai ishte vetëm 18 vjeç atëherë, por ai ishte i pjekur për nga mosha shpirtërore.
Ai e dinte tanimë se nuk i duhej të shkonte te peshkopi për një problem të tillë. Por ai kishte mësuar ta mbështeste shërbëtorin e Zotit edhe në dobësitë e tija si i vdekshëm. Ai më së fundi u bë president kunji. Ai e mbajti [përherë] me vete mësimin që morëm së bashku: nëse keni besim se Zoti e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës dhënë atyre shërbëtorëve të papërsosur që Ai thërret, Zoti do t’i hapë pragjet e qiellit për ata, si edhe për ju.
Nga ajo përvojë, unë mora mësimin se besimi i njerëzve të cilëve u shërbejmë, ndonjëherë më i madh se vetë besimi ynë, na sjell zbulesë në shërbim të Zotit.
Pati [dhe] një mësim tjetër për mua. Nëse ai djalë do të më kishte gjykuar për mossuksesin tim në dhënien e një këshille të mirë atij herën e parë, ai kurrë nuk do të ishte kthyer ta kërkonte përsëri. Dhe kështu, duke zgjedhur të mos më gjykonte, ai mori konfirmimin e dëshiruar.
Edhe një mësim tjetër nga ajo përvojë më ka shërbyer shumë. Me aq sa kam dijeni, ai kurrë nuk i tha ndokujt në lagje se nuk i kisha dhënë këshillë të mirë në fillim. Nëse do ta kishte bërë atë, ajo mund ta kishte ulur besimin e të tjerëve në lagje për të mirëbesuar te frymëzimi i peshkopit.
Unë përpiqem të mos i gjykoj shërbëtorët e Zotit apo të flas rreth dobësive të tyre të jashtme. Dhe unë përpiqem t’ua mësoj atë fëmijëve të mi nëpërmjet shembullit. Presidenti Xhejms E. Faust ndau një parim bazë që unë po përpiqem ta përvetësoj. Unë jua paraqes atë:
“Nevojitet … të mbështetim dhe të përkrahim udhëheqësit tanë vendorë, pasi … ata janë të ‘thirrur dhe [të] zgjedhur’. Çdo anëtar i kësaj Kishe mund të këshillohet nga një peshkop apo president dege, nga një president kunji ose misioni dhe nga Presidenti i Kishës dhe shokët e tij. Asnjëri prej këtyre vëllezërve nuk e kërkoi thirrjen e tij. Asnjëri nuk është i përsosur. E megjithatë, ata janë shërbëtorët e Zotit, të thirrur prej Tij nëpërmjet atyre që kanë të drejtën e frymëzimit. Ata që janë thirrur, mbështetur dhe veçuar kanë të drejtën e përkrahjes sonë mbështetëse.
… Mosrespektimi i udhëheqësve kishtarë ka bërë që shumë të vuajnë dobësi shpirtërore dhe rënie. Nuk duhet të vëmë re ndonjë papërsosmëri të dukshme, gabime apo të meta të njerëzve që janë thirrur për të na kryesuar dhe për të mbajtur pozicionin që mbajnë” (“Called and Chosen”, Liahona, nëntor 2005, f. 54–55; [Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, “Të Thirrur dhe të Zgjedhur”, f. 76]).
Ajo këshillë i bekon shërbëtorët e Perëndisë në të gjitha rrethanat.
Në ditët e hershme të Kishës së Zotit, udhëheqës që ishin pranë Profetit Jozef Smith filluan të flisnin rreth gabimeve të tij. Me gjithë atë që kishin parë dhe që dinin për pozitën e tij në raport me Zotin, fryma e tyre e kritikës dhe e xhelozisë u përhap si murtajë. Njëri prej Të Dymbëdhjetëve dha për të gjithë ne standardin e besimit dhe besnikërisë që ne duhet ta kemi nëse do të shërbejmë në mbretërinë e Zotit.
Ja ku është parashtresa: “Disa pleq i thirrën në një mbledhje në tempull të gjithë ata që e quanin Jozef Smithin një Profet të rënë. Ata kishin qëllim ta caktonin Dejvid Uitmerin si udhëheqësin e ri të Kishës. … Pasi i dëgjoi argumentet kundër Profetit, Brigam [Jangu] u ngrit e dëshmoi: ‘Jozefi ishte një Profet dhe unë e dija atë, dhe se ata mund ta shanin e përgojonin atë sa të donin, [porse] ata nuk mund ta shkatërronin caktimin e Profetit nga Perëndia; ata vetëm mund të shkatërronin vetë autoritetin e tyre, ta prisnin fillin lidhës që i mbante ata të lidhur me Profetin dhe me Perëndinë dhe të fundoseshin për vete në ferr’” (Church History in the Fulness of Times Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], bot. i 2-të, f. 174; shih edhe Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 79).
Ka një fill lidhës i cili na lidh me Zotin në shërbimin tonë. Ai zgjatet prej kudo qofshim thirrur ne për të shërbyer në mbretëri, deri lart përmes atyre që janë thirrur për të na kryesuar në priftëri e deri te profeti, i cili është i lidhur me Zotin. Do besim e përulësi që të shërbejmë në pozitën në të cilin jemi thirrur, që të mirëbesojmë se Zoti na thirri ne dhe ata që na kryesojnë ne, dhe që t’i mbështetim ata me besim të plotë.
Do të ketë periudha kohe, siç pati në ditët e Kirtlandit, kur ne do të na duhet të kemi besimin dhe integritetin e një Brigam Jangu për të qëndruar në pozitën në të cilin na ka thirrur Zoti, besnikë ndaj profetit të Tij dhe udhëheqësve që Ai ka thirrur.
Unë ju jap dëshminë time solemne dhe prapëseprapë të gëzuar se Zoti Jezu Krisht është në timon. Ai e udhëheq Kishën e Tij dhe shërbëtorët e Tij. Unë jap dëshmi se Tomas S. Monsoni është i vetmi njeri i cili i mban dhe i ushtron të gjitha çelësat e priftërisë së shenjtë në tokë në këtë kohë. Dhe unë lutem për bekime për të gjithë shërbëtorët e përulur, të cilët shërbejnë me kaq gatishmëri dhe mirë në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit, të cilën Ai vetë e udhëheq. Unë dëshmoj se Jozef Smithi e pa Perëndinë, Atin dhe Jezu Krishtin. Ata i folën atij. Çelësat e priftërisë u rivendosën për bekimin e të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor. Është misioni ynë dhe na është mirëbesuar ne që të shërbejmë në pozicionin tonë në kauzën e Zotit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.