Zot, A do të m’i Hapësh Sytë?
Ne duhet t’i vështrojmë të tjerët nëpërmjet syve të Shpëtimtarit tonë.
Mbreti Luan është një film vizatimor klasik rreth savanës afrikane. Kur mbreti luan vdes duke shpëtuar birin e tij, princi i ri dëbohet në mërgim ndërsa një sundues despot shkatërron ekuilibrin e savanës. Princi luan e rifiton mbretërinë nëpërmjet ndihmës së një mësuesi. Sytë e tij u hapën ndaj nevojës për ekuilibër në rrethin e madh të jetës në savanë. Duke e marrë me të drejtë vendin e tij si mbret, luani i vogël ndoqi këshillën që të “vështronte përtej asaj që shihte”.
Teksa mësojmë të jemi trashëgimtarë të gjithçkaje që Ati ynë ka, ungjilli na mëson të vështrojmë përtej asaj që shihet. Për të vështruar përtej asaj që shohim, ne duhet t’i vështrojmë të tjerët nëpërmjet syve të Shpëtimtarit tonë. Rrjeta e ungjillit është e mbushur me njerëz të larmishëm. Ne nuk mund t’i kuptojmë plotësisht zgjedhjet dhe formimet psikologjike të njerëzve në botën tonë, të bashkësive të Kishës dhe madje edhe të familjeve tona sepse ne rrallëherë e kemi tablonë e plotë të asaj që ata janë. Ne duhet të vështrojmë përtej hamendësimeve të lehta dhe stereotipave dhe duhet t’i zgjerojmë lentet e vogla të vetë përvojës sonë.
Mua m’u hapën sytë “për të vështruar përtej asaj që mund të shihja” ndërsa shërbeja si president misioni. Një Plak [Elder] i ri erdhi plot druajtje në sytë e tij. Ndërsa u takuam në një intervistë, ai tha i brengosur: “Dua të shkoj në shtëpi”. Unë mendova me vete: “Epo, ne mund ta ndreqim këtë”. E këshillova që të punonte fort dhe të lutej rreth kësaj për një javë dhe pastaj të më merrte në telefon. Një javë më vonë, thuajse fiks në të njëjtën orë, ai më mori në telefon. Ai prapëseprapë donte të shkonte në shtëpi. Unë sërish e këshillova që të lutej, të punonte fort dhe të më merrte në telefon pas një jave. Në intervistën tonë të radhës, gjërat nuk kishin ndryshuar. Ai këmbëngulte që të shkonte në shtëpi.
Unë thjesht nuk kisha ndër mend ta lejoja që kjo të ndodhte. Fillova t’i jap mësim rreth natyrës së shenjtë të thirrjes së tij. E nxita që “ta harronte [vetveten] dhe të shkonte në punë.” Por pavarësisht nga formula që unë ofrova, mendja e tij nuk ndryshoi. Më në fund më shkoi ndër mend që mund të mos e kisha kuptuar të gjithë situatën. Pikërisht në atë kohë ndjeva një nxitje për t’i bërë pyetjen: “Plak [Elder], çfarë është e vështirë për ty?” Ajo që ai tha më theri në zemër: “President, unë nuk mund të lexoj”.
Këshilla e urtë që unë mendova se ishte kaq e rëndësishme që ai ta dëgjonte, nuk ishte fare me vend për nevojat e tij. Ajo për të cilën ai kishte më shumë nevojë ishte që unë të vështroja përtej vlerësimit tim të nxituar dhe ta lejoja Shpirtin që të më ndihmonte të kuptoja se çfarë ishte me të vërtetë në mendjen e këtij Plaku [Elderi]. Ai kishte nevojë që unë ta shihja atë saktësisht dhe t’i ofroja një arsye për të shpresuar. Në vend të kësaj, unë veprova si një sferë gjigante për shembje ndërtimesh. Ky Plak [Elder] i guximshëm mësoi vërtet të lexojë dhe u bë një dishepull shumë i dëlirë i Jezu Krishtit. Ai m’i hapi sytë ndaj fjalëve të Zotit: “Njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën” (1 Samuelit 16:7).
Çfarë bekimi i madh është kur Shpirti i Zotit zgjeron këndvështrimin tonë. A e mbani mend profetin Eliseu, i cili u zgjua dhe pa që ushtria siriane e kishte rrethuar qytetin e tij me kuajt dhe qerret e saj? Shërbëtori i tij u frikësua dhe e pyeti Eliseun se çfarë do të bënin ata në këto kushte. Eliseu i tha atij të mos shqetësohej me fjalët e paharrueshme: “Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta” (2 Mbretërve 6:16). Shërbëtori as që e kishte idenë se për çfarë po fliste profeti. Ai nuk mund të vështronte përtej asaj që mund të shihte. Megjithatë, Eliseu, pa batalione engjëjsh gati për të shkuar në betejë për popullin e profetit. Kështu, Eliseu iu lut Zotit që t’ia hapte sytë të riut, “dhe ai pa; dhe ja, mali ishte plot me kuaj dhe me qerre të zjarrta rreth e qark Eliseut” (2 Mbretërve 6:17).
Ne shpesh e veçojmë veten nga të tjerët sipas ndryshimeve në atë që ne shohim. Ne ndihemi rehat pranë atyre që mendojnë, flasin, vishen dhe veprojnë si ne dhe ndihemi në siklet me ata të cilët vijnë nga rrethana ose formime të ndryshme. Në të vërtetë, a nuk vijmë të gjithë ne nga vende të ndryshme dhe flasim gjuhë të ndryshme? A nuk e shohim të gjithë botën nëpërmjet kufizimeve të pamasa të vetë përvojës sonë në jetë? Sepse disa shohin dhe flasin me sy shpirtërorë, si profeti Eliseu, dhe disa shohin dhe komunikojnë me shikimin fizik, siç e përjetova unë me misionarin tim analfabet.
Ne jetojmë në një botë që ushqehet me krahasimet, etiketimet dhe kritikat. Në vend që të shikojmë nëpërmjet lenteve të medias shoqërore, ne duhet të shohim në brendësi për tiparet e perëndishme për të cilat të gjithë ne mund të pretendojmë. Këto cilësi dhe dëshira të perëndishme nuk mund të ruhen në Pinterest apo të publikohen në Instagram.
T’i pranojmë dhe t’i duamë të tjerët nuk do të thotë që ne duhet t’i përqafojmë idetë e tyre. Sigurisht, e vërteta kërkon besnikërinë tonë më të lartë, edhe pse ajo nuk duhet të jetë kurrë një pengesë për mirësinë. T’i duash më të vërtetë të tjerët kërkon ushtrimin e vazhdueshëm të pranimit të përpjekjeve më të mira të njerëzve, përvojën e jetës dhe kufizimet e të cilëve ne mund të mos i dimë kurrë plotësisht. Vështrimi përtej asaj që mund të shohim, kërkon përqendrim të vetëdijshëm te Shpëtimtari.
Më 28 maj 2016, 16-vjeçari Bju Riçi dhe miku i tij, Ostini, ishin në një fermë të familjes në Kolorado. Bjui dhe Ostini kërcyen në automjetet e tyre për çdo lloj terreni, duke pritur me padurim të madh një ditë aventure. Ata nuk ishin larguar shumë kur u ndeshën me rrethana të rrezikshme dhe në atë çast ndodhi tragjedia. Mjeti që po ngiste Bjui, u kthye befas përmbys, duke e bllokuar Bjunë poshtë 180 kilogramëve prej çeliku. Kur shoku i Bjusë, Ostini, arriti tek ai, ai e pa Bjunë që po luftonte për të mbijetuar. Me të gjithë forcën e tij, ai u mundua ta hiqte mjetin prej shokut të tij. Por mjeti nuk u tund. Ai u lut për Bjunë dhe pastaj vrapoi furishëm për ndihmë. Personeli i urgjencës erdhi më në fund, por disa orë më vonë Bjui vdiq. Ai u lirua nga kjo jetë e vdekshme.
Prindërit e tij zemërthyer mbërritën. Ndërsa ata po qëndronin në spitalin e vogël me mikun më të ngushtë të Bjusë dhe anëtarët e familjes, një oficer i policisë hyri në dhomë dhe ia zgjati telefonin celular të Bjusë nënës së tij. Ndërsa ajo e mori telefonin, ra një alarm zanor. Ajo e hapi telefonin dhe pa alarmin ditor të Bjusë. Ajo e lexoi me zë mesazhin që djali i saj adoleshent, argëtimdashës dhe tepër aventurier e kishte vendosur për ta lexuar çdo ditë. Aty thuhej: “Kujtohu që ta vësh Jezu Krishtin në qendër të jetës sate sot”.
Përqendrimi i Bjusë te Shëlbuesi i tij nuk e pakëson pikëllimin e të dashurve të tij për mungesën e tij. Sidoqoftë i jep shpresë dhe kuptim të madh jetës së Bjusë dhe zgjedhjeve të tij për jetën. Ai e lejon familjen dhe miqtë e tij të vështrojnë përtej mjerimit prej vdekjes së tij të hershme dhe drejt realiteteve të gëzueshme të jetës tjetër. Çfarë mëshirë e dhembshur ishte që prindërit e Bjusë të shihnin nëpërmjet syve të birit të tyre atë gjë që ai e çmonte më shumë.
Si anëtarë të Kishës, neve na janë dhuruar alarme shpirtërore të cilat na paralajmërojnë kur jemi duke parë vetëm me sytë tanë të vdekshëm larg prej shpëtimit. Sakramenti është kujtuesi ynë i përjavshëm që të përqendrohemi vazhdimisht te Jezu Krishti, që gjithmonë të mund ta kujtojmë Atë që të mund ta kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne (shih DeB 20:77). Gjithsesi, ne nganjëherë i shpërfillim këto ndjenja kujtese dhe alarmi. Kur kemi Jezu Krishtin në qendër të jetës sonë, Ai do të bëjë që sytë tanë të mund të hapen ndaj mundësive më të mëdha të cilat vetëm ne mund t’i kuptojmë.
Mora një letër me të vërtetë interesante rreth një alarmi mbrojtës të përjetuar nga një motër besnike. Ajo më tha se, në një përpjekje për ta ndihmuar bashkëshortin që të kuptonte se si ndihej, ajo filloi të mbante një listë elektronike në telefonin e saj me gjëra që ai bënte apo thoshte, të cilat e zemëronin atë. Ajo mendoi se, kur të ishte koha e duhur, ajo do të kishte hartuar prova me shkrim për t’ia treguar atij, gjë që sigurisht do të bënte që ai të dëshironte të ndryshonte sjellje. Sidoqoftë, një të diel duke marrë sakramentin dhe duke u përqendruar te Shlyerja e Shpëtimtarit, ajo e kuptoi se dokumentimi i ndjenjave të saj negative për bashkëshortin me të vërtetë po e largonte Shpirtin prej saj dhe kurrë nuk do ta ndryshonte bashkëshortin.
Një alarm shpirtëror tingëlloi në zemrën e saj dhe tha: “Lëre, lëre fare. Fshiji ato shënime. Nuk janë të dobishme.” Ajo më pas shkroi dhe po citoj: “M’u desh ca kohë për të shtypur butonin ‘zgjidhi të gjitha’ dhe akoma më gjatë për të shtypur butonin ‘fshij’. Por teksa e bëra, të gjithë ato ndjenja negative u tretën në hapësirë. Zemra ime u mbush me dashuri – dashuri për bashkëshortin tim dhe dashuri për Zotin.” Ashtu si Sauli në rrugën për Damask, shikimi i saj u ndryshua. Luspat e shtrembërimit ranë prej syve të saj.
Shpëtimtari ynë shpesh u hapi sytë të verbërve fizikë dhe shpirtërorë. Hapja e syve tanë ndaj së vërtetës hyjnore, në mënyrë konkrete dhe të figurshme, na përgatit për t’u shëruar nga dritëshkurtësia e vdekshmërisë. Kur u kushtojmë vëmendje “alarmeve” shpirtërore që na sinjalizojnë për një nevojë për korrigjim drejtimi ose për këndvështrim më të lartë të përjetshëm, ne jemi duke marrë premtimin e sakramentit që të kemi Shpirtin e Tij me ne. Kjo iu ndodhi Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në Tempullin e Kirtlandit kur të vërteta detyruese u dhanë mësim nga Jezu Krishti, i cili premtoi se “veli” i kufizimeve të vdekshmërisë do të “h[iqej] nga mendjet [e tyre] dhe sytë e të kuptuarit [të tyre do të] hap[eshin]”(DeB 110:1).
Unë dëshmoj se, nëpërmjet fuqisë së Jezu Krishtit, ne bëhemi të aftë të vështrojmë shpirtërisht përtej asaj që shohim fizikisht. Teksa e kujtojmë Atë dhe e kemi shpirtin e Tij me ne, sytë e të kuptuarit tonë do të hapen. Më pas realiteti i madh i hyjnisë brenda secilit prej nesh do të ngulitet më fuqishëm në zemrat tona. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.