2010–2019
Banimi në Perëndinë dhe Riparimi i të Çarës
Tetor 2017


2:3

Banimi në Perëndinë dhe Riparimi i të Çarës

Krishti ka fuqinë të na sjellë në një shoqërim të dashur me Atin dhe me njëri-tjetrin.

Ne kemi nevojë ta thellojmë vazhdimisht njohurinë tonë për Atin Qiellor dhe bindjen tonë ndaj Tij. Marrëdhënia jonë me Të është e përjetshme. Ne jemi fëmijët e Tij të dashur dhe kjo nuk do të ndryshojë. Si do ta pranojmë ne me gjithë zemër ftesën e Tij për t’iu afruar pranë Atij dhe si rrjedhim të gëzojmë bekimet që Ai dëshiron fort të na i japë në këtë jetë dhe në botën e ardhshme?

Zoti i tha Izraelit të lashtë dhe Ai na thotë neve: “Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi”. Duke folur në mënyrën si flet Ati, Ai gjithashtu na thotë: “Ti do të banosh në mua dhe unë në ty; prandaj ec me mua”. A i mirëbesojmë ne Atij mjaftueshëm sa të banojmë në Të dhe të ecim me Të?

Ne jemi këtu në këtë tokë që të mësojmë e të rritemi dhe mësimi e rritja më e rëndësishme do të rrjedhin nga lidhja jonë e besëlidhjes me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Nga marrëdhënia jonë besnike me Ta rrjedh njohuri e perëndishme, dashuri, fuqi dhe aftësi për të shërbyer.

“Ne e kemi për detyrë të mësojmë gjithçka që Perëndia ka zbuluar për veten e Tij.” Ne duhet të kuptojmë se Perëndia, Ati, e udhëzoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, që ta krijonte tokën për rritjen tonë, se Ati Qiellor e dha Birin e Tij që t’i shlyente kërkesat e drejtësisë për shpëtimin tonë, dhe se fuqia e priftërisë e Atit dhe Kisha e vërtetë e Birit me ordinancat e domosdoshme u rivendosën për bekimet tona. A mund ta ndieni thellësinë e dashurisë që i përshkoi përgatitjet e Tyre për gëzimin dhe rritjen tonë? Na nevojitet të dimë se plani i Atit Qiellor për shpëtimin është që ne t’u bindemi ligjeve dhe ordinancave të ungjillit e të fitojmë jetë të përjetshme dhe kështu të bëhemi siç është Perëndia. Kjo është lumturia e vërtetë dhe e përhershme që na ofron Ati Qiellor. Nuk ka asnjë lumturi tjetër të vërtetë e të përhershme.

Sfidat tona mund të na nxjerrin nga ky shteg i lumturisë. Ne mund ta humbasim lidhjen tonë mirëbesuese me Perëndinë nëse sprovat na bëjnë që të shpërqendrohemi në vend që të gjunjëzohemi [në lutje].

Ky dyvargësh i thjeshtë na kërkon që të bëjmë njëfarë shoshitjeje të përparësive tona:

Disa gjëra kanë rëndësi; disa gjëra nuk kanë.

Disa gjëra janë të përhershme, por shumica e gjërave nuk janë.

Motra, çfarë ka rëndësi për ju? Çfarë është e përhershme për ju? Një çështje me vlerë të përhershme për Atin është që ne të mësojmë për Të, ta përulim veten dhe të rritemi duke iu bindur Atij nëpërmjet përvojave tokësore. Ai dëshiron prej nesh që ta shndërrojmë egoizmin tonë në shërbim, frikën tonë në besim. Këto çështje të përhershme mund të na sprovojnë deri në palcë.

Është tani, me kufizimet tona të vdekshmërisë, që Ati na kërkon të duam kur dashuria është gjëja më e vështirë, të shërbejmë kur shërbimi është jo i volitshëm, të falim kur falja duket përtej aftësive tona shpirtërore. Si? Si do ta përmbushim këtë? Ne zgjatemi me zell për të marrë ndihmën e Atit Qiellor, në emrin e Birit të Tij, dhe i bëjmë gjërat sipas mënyrës së Tij në vend që të veprojmë krenarisht sipas mendjes sonë.

Brokë uji

Unë dallova krenarinë time kur Presidenti Ezra Taft Benson foli lidhur me pastrimin e brendësisë së enës. E përfytyrova veten si një brokë. Si do ta nxirrja mbetjen e krenarisë nga broka ime? Sforcimi i vetes në mënyrë të pavarur për të pasur përulësi dhe përpjekja e pavarur për ta bërë veten që t’i duam të tjerët është e shtirë dhe boshe dhe thjesht nuk funksionon. Mëkatet tona dhe krenaria jonë krijojnë një të çarë – apo një hendek – mes nesh dhe burimit të të gjithë dashurisë, Atit tonë Qiellor.

Vetëm Shlyerja e Shpëtimtarit mund të na pastrojë nga mëkatet tona dhe ta mbyllë atë hendek apo të çarë.

Ne duam të rrethohemi nga krahët e dashurisë dhe udhërrëfimit të Atit tonë Qiellor dhe në këtë mënyrë e vendosim vullnetin e Tij të parin dhe me zemër të thyer përgjërohemi që Krishti do të derdhë rrëke uji pastrues në brokën tonë. Në fillim ai ujë mund të rrjedhë pikë-pikë, por, ndërsa përpiqemi, kërkojmë dhe bindemi, ai do të rrjedhë me bollëk. Ky ujë i gjallë do të fillojë të na ngopë dhe, të mbushur plot e përplot me dashurinë e Tij, ne mund ta anojmë brokën e shpirtit tonë e t’u japim nga përmbajtja e saj të tjerëve, të cilët kanë etje për shërim, shpresë dhe përkatësi. Kur brendësia e brokës sonë bëhet e pastër, marrëdhëniet tona tokësore fillojnë të shërohen.

Sakrifikimi i dëshirave tona vetjake kërkohet në mënyrë që të bëjmë vend për planet e përjetshme të Perëndisë. Shpëtimtari, i cili flet në emër të Atit, na përgjërohet: “M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush”. Afrimi pranë Atit mund të nënkuptojë mësimin e të vërtetës së Tij nëpërmjet shkrimeve të shenjta, ndjekjes së këshillës profetike dhe përpjekjes për ta kryer më plotësisht vullnetin e Tij.

A e kuptojmë ne që Krishti ka fuqinë të na sjellë në një shoqërim të dashur me Atin dhe me njëri-tjetrin? Ai, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, mund të na japë idenë e nevojshme për marrëdhëniet.

Një mësues i Fillores më tregoi rreth një përvoje të fuqishme me klasën e tij të djemve 11-vjeçarë. Njëri prej tyre, të cilin do ta quaj Xhimi, ishte djalë i tërhequr që nuk merrte pjesë në klasë. Një të diel, mësuesi u frymëzua ta linte mënjanë mësimin e tij të përgatitur dhe të tregonte se përse e donte Xhimin. Ai foli rreth mirënjohjes së tij për këtë të ri dhe rreth besimit të tij tek ai. Më pas, mësuesi u kërkoi anëtarëve të klasës t’i thoshin Xhimit diçka që ata e çmonin tek ai. Ndërsa anëtarë të klasës, një e nga një, i treguan Xhimit se përse ai qe i veçantë për ta, djaloshi uli kokën dhe lot filluan t’i rridhnin nëpër faqe. Ky mësues dhe kjo klasë ngritën një urë për te zemra e vetmuar e Xhimit. Dashuria e thjeshtë, e shprehur me ndershmëri, u jep shpresë dhe vlerë të tjerëve. Unë e quaj këtë “riparimi i të çarës apo hendekut”.

Mbase, jeta jonë në një botë të dashur paratokësore është në themel të dëshirës sonë për dashuri të vërtetë, të përhershme këtu në tokë. Ne jemi krijuar në mënyrë hyjnore që të japim dashuri e të marrim dashuri dhe dashuria më e thellë vjen kur ne jemi një me Perëndinë. Libri i Mormonit na fton që të “pajtoh[emi] me [Perëndinë], nëpërmjet shlyerjes së Krishtit”.

Isaia foli për ata që e jetojnë me besnikëri ligjin e agjërimit, dhe në këtë mënyrë bëhen për pasardhësit e tyre një riparues i të çarave. Këta janë ata të cilët do të “rindërtojnë rrënojat e lashta”, premton Isaia. Në mënyrë të ngjashme, Shpëtimtari riparoi të çarën, apo distancën, ndërmjet nesh dhe Atit Qiellor. Ai, nëpërmjet sakrificës së Tij të madhërishme shlyese, hap udhën për ne që të marrim nga fuqia e dashurisë së Perëndisë dhe paskëtaj ne aftësohemi për t’i riparuar “rrënojat e lashta” në jetën tonë vetjake. Shërimi i ftohtësisë emocionale ndërmjet njëri-tjetrit do të kërkojë pranimin nga ne të dashurisë së Perëndisë, të gërshetuar me një sakrifikim të prirjeve tona të natyrshme të egoizmit dhe frikës.

Në një mbrëmje të paharrueshme, unë dhe një e afërme u grindëm për një çështje politike. Nga një distancë që pjesëtarët e familjes e dëgjuan, ajo në mënyrë të shpejtë e tërësore u kap pas komenteve të mia dhe i kritikoi duke vërtetuar se e kisha gabim. U ndjeva si e pamend dhe e painformuar – dhe ndofta ashtu isha. Atë natë, kur u gjunjëzova për t’u lutur, nxitova t’i shpjegoja Atit Qiellor se sa e vështirë ishte kjo e afërme! Fola e fola. Mbase e ndala një çast të ankuarin tim dhe Fryma e Shenjtë pati mundësi të më tërhiqte vëmendjen, pasi më pas, për habinë time, e dëgjova veten të thosha: “Ti ndoshta dëshiron prej meje që ta dua atë”. Ta dua atë? Vazhdova të lutesha, duke thënë pak a shumë: “Si mund ta dua atë? As nuk mendoj që e pëlqej atë. Zemra më është ashpërsuar; ndjenjat më janë lënduar. Nuk mund ta dua atë.”

Pastaj, sigurisht me ndihmë nga Shpirti, pata një mendim të ri ndërsa thashë: “Por Ti e do atë, Ati Qiellor. A do të më japësh një pjesë të dashurisë Tënde për të – në mënyrë që edhe unë të mund ta dua atë?” Ndjenjat e mia të ashpërsuara u zbutën, zemra ime filloi të ndryshonte dhe unë fillova ta shoh këtë person në një mënyrë të ndryshme. Unë fillova ta perceptoja vlerën e saj të vërtetë që Ati Qiellor shihte [tek ajo]. Isaia shkruan: “Zoti do të lidhë plagën e popullit të tij dhe do të shërojë plagën e shkaktuar nga goditjet e tij”.

Me kalimin e kohës, hendeku mes ne të dyjave u mbyll këndshëm. Por, edhe nëse ajo nuk do ta kishte pranuar zemrën time të ndryshuar, unë mësova se Ati Qiellor do të na ndihmojë t’i duam edhe ata që ne mund të mendojmë se nuk mund t’i duam, nëse përgjërohemi për ndihmën e Tij. Shlyerja e Shpëtimtarit është një udhëkalim për rrjedhjen e vazhdueshme të dashurisë hyjnore nga Ati ynë në Qiell. Ne duhet të zgjedhim që të banojmë në këtë dashuri me qëllim që të kemi dashuri hyjnore për të gjithë.

Kur ia japim zemrën tonë Atit dhe Birit, ne e ndryshojmë botën tonë – edhe nëse rrethanat përqark nesh nuk ndryshojnë. Ne i afrohemi më pranë Atit Qiellor dhe e ndiejmë pranimin e dhembshur prej Tij të përpjekjeve tona për të qenë dishepuj të vërtetë të Krishtit. Aftësia jonë për të dalluar, mirëbesimi dhe besimi ynë rriten.

Mormoni na thotë që të lutemi me të gjithë fuqinë e zemrës për këtë dashuri dhe ajo do të na jepet nga burimi i saj – Ati Qiellor. Vetëm atëherë ne mund të bëhemi riparues të të çarave në marrëdhëniet tokësore.

Dashuria e pafundme e Atit tonë zgjatet drejt nesh, për të na kthyer përsëri në lavdinë dhe gëzimin e Tij. Ai dha Birin e Tij të Vetëmlindur, Jezu Krishtin, për të riparuar të çarën që hapet gjerë e gjatë mes nesh dhe Tij. Ribashkimi me Atin në Qiell është thelbi i dashurisë së përhershme dhe i qëllimit të përjetshëm. Ne duhet ta krijojmë lidhjen me Të tani, që të mësojmë atë që ka me të vërtetë rëndësi, që të duam ashtu si do Ai dhe të rritemi që të jemi si Ai. Dëshmoj se marrëdhënia jonë besnike me Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin ka rëndësi të përjetshme për Ta dhe për ne. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.