Vlerë e Pamasë
Ne mund t’i shijojmë rregullisht pëshpëritjet e ëmbla të Frymës së Shenjtë, që na provon të vërtetën e vlerës sonë shpirtërore.
Ndërsa po vizitoja vendin e Sierra-Leones në Afrikën Perëndimore, mora pjesë në një mbledhje që drejtohej nga një udhëheqëse e Fillores në kunj. Mariama udhëhiqte me kaq dashuri, hir dhe vetëbesim saqë lehtësisht mund të supozoje se kishte qenë anëtare e Kishës për një kohë të gjatë. Megjithatë, Mariama ishte një e porsakthyer në besim.
Motra e saj më e vogël u bashkua me Kishën dhe e ftoi Mariamën që të merrte pjesë me të në një nga orët mësimore të Kishës. Mariamës i bëri përshtypje të thellë mesazhi. Mësimi ishte për ligjin e dëlirësisë. Ajo iu kërkoi misionarëve që t’i jepnin më shumë mësim dhe shpejt mori një dëshmi për Profetin Jozef Smith. Ajo u pagëzua në vitin 2014 dhe e bija u pagëzua muajin e kaluar. Përfytyroni, dy mësimet bazë që çuan në kthimin në besim të Mariamës ishin ligji i dëlirësisë dhe Profeti Jozef Smith, dy pika që bota shpesh i sheh si pavend, të dala mode ose të papërshtatshme. Por Mariama dëshmoi se ishte si një flutur nate që tërhiqej nga drita. Ajo tha: “Kur e gjeta ungjillin, gjeta vetveten”. Ajo e zbuloi vlerën e saj nëpërmjet parimeve hyjnore. Vlera e saj si bijë e Perëndisë iu zbulua asaj nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Tani le të njihemi me motrat Sink nga India. Renuja, në cep djathtas, e para ndër pesë motrat që u bashkua me Kishën, tregoi këto mendime:
“Përpara se të filloja të kërkoja për Kishën, në të vërtetë nuk e kuptoja se isha tepër e veçantë. Isha thjesht një ndër shumë njerëz dhe shoqëria e kultura ime nuk më mësuan siç duhej se kisha vlerë si individ. Kur e mësova ungjillin dhe mësova se isha një bijë e Atit tonë Qiellor, solli një ndryshim tek unë. Papritmas u ndjeva shumë e veçantë – në fakt Perëndia më kishte krijuar mua dhe e kishte krijuar shpirtin tim dhe jetën time me vlerë dhe qëllim.
Përpara se ta kisha ungjillin në jetën time, përpiqesha gjithmonë që t’u provoja të tjerëve se isha një njeri i veçantë. Por, kur mësova të vërtetën, se jam një bijë e Perëndisë, nuk më duhej t’i vërtetoja askujt asgjë. Unë e dija se isha e veçantë. … Kurrë mos mendoni se jeni një hiç.”
Presidenti Tomas S. Monson e tha në mënyrë të përsosur kur citoi këto fjalë: “Vlera e një shpirti është aftësia e tij për t’u bërë si Perëndia”.
Kohët e fundit u bekova [me mundësinë] që të takoja një tjetër të re e cila e kupton këtë të vërtetë të njëjtë. Ajo quhet Tajana. E takova atë te spitali i pediatrisë në Solt-Lejk-Siti. Tajana ishte në klasë të 11-të në shkollë të mesme kur u diagnostikua me kancer. Ajo luftoi një betejë të guximshme për 18 muaj përpara se të ndërronte jetë para disa javësh. Tajana ishte e mbushur plot me dritë dhe dashuri. Ajo njihej për buzëqeshjen e saj ngjitëse dhe shenjën e saj dalluese me “dy gishtat e mëdhenj lart”. Kur të tjerët e pyetnin: “Përse ti, Tajana?” përgjigjja e saj ishte: “Përse jo unë?” Tajana u përpoq të bëhej si Shpëtimtari, të cilin ajo e donte aq shumë. Gjatë vizitave tona, mësova se Tajana e kuptoi vlerën e saj hyjnore. Dijenia se ajo ishte një bijë e Perëndisë, i dha asaj paqe dhe kurajë që ta përballonte sprovën e saj të mundimshme në mënyrë pozitive, sikurse bëri.
Mariama, Renuja dhe Tajana na mësojnë se Shpirti do t’ia pohojë secilit prej nesh individualisht vlerën tonë hyjnore. Dijenia se vërtet jeni bijë e Perëndisë, do të ketë ndikim në çdo aspekt të jetës suaj dhe do t’ju drejtojë në shërbimin që jepni çdo ditë. Presidenti Spenser W. Kimbëll e shpjegoi me këto fjalë të lavdishme:
“Perëndia është Ati juaj. Ai ju do. Ai dhe nëna juaj në qiell ju vlerësojnë pa masë. … Ju jeni të veçantë. Të pashoq, të krijuar nga inteligjenca e përjetshme e cila ju jep të drejtën të pretendoni jetën e përjetshme.
Mos pastë asnjë pyetje në mendjen tuaj lidhur me vlerën tuaj si individ. I gjithë synimi i planit të ungjillit është t’i japë një mundësi secilit prej jush që të arrijë potencialin e plotë, i cili është përparimi i përjetshëm dhe mundësia për t’u bërë të perëndishëm.”
Më lejoni të theksoj nevojën për të bërë dallimin midis dy fjalëve të rëndësishme: vlerë [shpirtërore] dhe denjësi. Ato nuk janë njësoj. Vlerë shpirtërore do të thotë ta vlerësosh veten sipas mënyrës që na vlerëson Ati Qiellor, jo siç na vlerëson bota. Vlera jonë u përcaktua përpara se të vinim në këtë tokë. “Dashuria e Perëndisë është e pafundme dhe ajo do të zgjatë përgjithmonë.”
Nga ana tjetër, denjësia arrihet nëpërmjet bindjes. Nëse ne mëkatojmë, ne jemi më pak të denjë, por nuk jemi kurrë pa vlerë! Ne vazhdojmë të pendohemi dhe të përpiqemi që të jemi si Jezusi pa na u cenuar vlera. Sikurse dha mësim Presidenti Brigam Jang: “Edhe shpirti më i mpakur, më i ulët tani mbi tokë … vlen sa botë të tëra”. Pavarësisht gjithçkaje, ne kemi gjithnjë vlerë në sytë e Atit tonë Qiellor.
Me gjithë këtë të vërtetë të mrekullueshme, sa prej nesh kanë mundime herë pas here, me mendime ose ndjenja negative për veten? Unë kam. Është një kurth ku bihet lehtësisht. Satani është ati i të gjitha gënjeshtrave, veçanërisht kur vjen puna te keqinterpretimet rreth natyrës dhe qëllimit tonë hyjnor. Të menduarit se vlejmë pak nuk sjell ndonjë dobi për ne. Përkundrazi na pengon. Siç na është mësuar shpesh: “Askush nuk mund t’ju bëjë të ndiheni të ulët pa pëlqimin tuaj”. Ne mund të ndalojmë së krahasuari më të këqijat tona me më të mirat e dikujt tjetër. “Krahasimi është vjedhësi i gëzimit.”
Në dallim, Zoti na siguron se, kur kemi mendime të virtytshme, Ai do të na bekojë me vetëbesim, madje me vetëbesimin për të ditur se kush jemi me të vërtetë. Nuk ka pasur kurrë kohë më vendimtare për t’ua vënë veshin fjalëve të Tij. “Virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim”, tha Ai. “Atëherë do të forcohet vetbesimi yt në prani të Perëndisë; dhe … Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi yt i vazhdueshëm”.
Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smith këtë të vërtetë të mëtejshme: “Ai që merr nga Perëndia, duhet të jetë i përgjegjshëm për të ndaj Perëndisë; dhe duhet të gëzohet që ai konsiderohet nga Perëndia si i denjë për të marrë”. Kur e ndiejmë Shpirtin, siç shpjegon ky varg, ne e dallojmë se ajo që ndiejmë vjen nga Ati ynë i dashur Qiellor. Ne e falënderojmë dhe i japim lavdi Atij për bekimet që na jep. Ne më pas gëzohemi që konsiderohemi si të denjë për të marrë.
Përfytyroni sikur po lexoni shkrimet e shenjta një mëngjes dhe Shpirti iu pëshpërit butë se ajo që po lexoni, është e vërtetë. A mund ta dalloni Shpirtin dhe të jeni e lumtur që e ndiet dashurinë e Tij dhe se ishit e denjë për ta marrë?
Nëna, ju mund të gjunjëzoheni pranë birit tuaj katërvjeçar ndërsa bën lutjen e tij të mbrëmjes. Një ndjenjë iu përshkon teksa dëgjoni. Ju ndieni ngrohtësi dhe paqe. Ndjenja zgjat pak, por ju kuptoni se në atë çast jeni konsideruar si e denjë për të marrë. Ne rrallëherë mund të marrim, nëse do të marrim, shfaqje shpirtërore të bujshme në jetën tonë; por ne mund t’i shijojmë rregullisht pëshpëritjet e ëmbla të Frymës së Shenjtë, që na provon të vërtetën e vlerës sonë shpirtërore.
Zoti shpjegoi marrëdhënien midis vlerës sonë dhe flijimit të Tij të madh shlyes kur tha:
“Kujtoni që vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë;
Sepse, vini re, Zoti, Shëlbuesi juaj vuajti vdekjen në mish; prandaj ai vuajti dhembjen e gjithë njerëzve, që gjithë njerëzit të mund të pendohen e të vijnë tek ai”.
Motra, për shkak të asaj që Ai bëri për ne, “ne lidhemi me Të plot dashuri”. Ai tha: “Ati im më dërgoi që të mund të ngrihesha në kryq; dhe pasi u ngrita në kryq, që t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë”.
Mbreti Beniamin e shpjegoi gjithashtu këtë lidhje të ngushtë me Shpëtimtarin tonë: “Dhe vini re, ai do të durojë tundime dhe dhembje të trupit, uri, etje dhe lodhje, madje më shumë se sa njeriu mund të vuajë, përveçse në vdekje; pasi shikoni, gjaku del nga çdo por, kaq e madhe do të jetë dhembja e tij për ligësinë dhe neveritë e popullit të tij”. Ajo vuajtje dhe pasojat e asaj vuajtje e mbushin zemrën tonë me dashuri dhe mirënjohje. Plaku Pol E. Kolliker dha mësim: “Ndërsa largojmë hutimet që na tërheqin drejt botës dhe ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes për ta kërkuar Atë, ne hapim zemrat tona drejt një force çelestiale, që na afron drejt Atij”. Nëse dashuria që ndiejmë për Shpëtimtarin dhe për atë që Ai bëri për ne, është më e madhe se energjia që u japim dobësive, dyshimeve për veten, apo zakoneve të këqija, atëherë Ai do të na ndihmojë t’i mposhtim gjërat që shkaktojnë vuajtje në jetën tonë. Ai na shpëton nga vetvetja.
Më lejoni ta ritheksoj: nëse tërheqja e botës është më e fortë sesa besimi dhe mirëbesimi që kemi te Shpëtimtari, atëherë tërheqja e botës do të mbizotërojë kurdoherë. Nëse zgjedhim të përqendrohemi te mendimet tona negative dhe ta vëmë në mëdyshje vlerën tonë, në vend që të kapemi pas Shpëtimtarit, do të bëhet më e vështirë për të ndier përshtypjet e Frymës së Shenjtë.
Motra, le të mos pështjellohemi rreth faktit se cilat jemi! Ndërsa shpesh herë është më e lehtë që të jemi shpirtërisht jo vepruese sesa të bëjmë përpjekjen shpirtërore për të kujtuar dhe përqafuar identitetin tonë hyjnor, ne nuk mund t’ia lejojmë vetes atë lëshim në këto ditë të mëvonshme. Qofshim ne, si motra, “besnik[e] në Krisht; … Krishti të mund të [na] ngrejë dhe qëndrofshin në mendjen [tonë] përherë vuajtjet dhe vdekja e tij … dhe mëshira dhe durimi i tij, dhe shpresa e lavdisë së tij dhe e jetës së përjetshme”. Ndërsa Shpëtimtari na ngre në një nivel më të lartë, ne mund të kuptojmë më qartë jo vetëm se kush jemi, por që jemi më afër Tij nga se e kemi imagjinuar ndonjëherë. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.