2010–2019
Ta Duam Njëri-Tjetrin sikurse Ai na Ka Dashur
Tetor 2017


2:3

Ta Duam Njëri-Tjetrin sikurse Ai na Ka Dashur

Duke u shërbyer e falur të tjerët me dashuri të vërtetë, ne mund të shërohemi e të marrim forcën për të kapërcyer vetë sfidat tona.

Gjatë Darkës së Fundit, Shpëtimtari u dha një urdhërim të ri dishepujve të Tij, duke u thënë:

“Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.

Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.”

Dishepujve të Shpëtimtarit iu dha një urdhërim i ri për të bërë diçka më shumë, diçka më të madhe dhe diçka më hyjnore. Ky urdhërim dhe ftesë e re është përmbledhur në frazën kyçe: “Sikurse unë ju kam dashur”.

Dashuria Është Veprim; Dashuria Është Shërbim

“Dashuria është një ndjenjë përkushtimi, interesimi dhe dhembshurie e thellë. Shembulli më i madh i dashurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij shprehet te Shlyerja e pafundme e Jezu Krishtit.” “Sepse Perëndia e deshi aq botën,” shënoi Gjoni, “sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” “Dashuria për Perëndinë dhe bashkënjerëzit është një veti e dishepujve të Jezu Krishtit.”

Disa vite më parë, kur nipi ynë më i madh, Hozeja, ishte katër vjeç, ai po luante me bashkëshorten time. Ndërkohë që po qeshnin dhe kalonin një kohë të mirë së bashku, nipi ynë e pyeti: “Gjyshe, a më do ti mua?”

Ajo iu përgjigj: “Po, Hoze, unë të dua”.

Pastaj ai i bëri një pyetje tjetër: “Si e di ti që më do mua?”

Ajo i shpjegoi ndjenjat e saj dhe gjithashtu i tregoi gjithçka që kishte bërë dhe donte të bënte për të.

Më vonë bashkëshortja ime i bëri Hozesë të njëjtat pyetje, përfshirë këtë pyetje depërtuese: “Si e di ti se më do mua?”

Me një përgjigje të pafajshme, por të sinqertë, ai tha: “Unë të dua sepse e ndiej brenda zemrës sime”. Sjellja e dashur e Hozesë ndaj gjyshes së vet atë ditë dhe gjithmonë tregon se dashuria është një ndërthurje e veprimeve si edhe e ndjenjave të thella.

Mbreti Beniamin dha mësim: “Dhe vini re, unë jua them këto gjëra që ju të mund të mësoni urtësi; që ju të mund të mësoni se kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj.”

Në botën e sotme të aq shumë vuajtjeve për shkak rrethanash të ndryshme, dërgimi i një mesazhi me tekst me një simbol argëtues ose postimi i një figure të këndshme me fjalët “unë të dua” është i mirë dhe me vlerë. Por ajo që shumë nga ne duhet të bëjnë është që t’i lëmë pas pajisjet telefonike dhe, me duart e këmbët tona, të ndihmojmë të tjerë që janë në nevojë të madhe. Dashuria pa shërbim është si besimi pa vepra; është vërtet e vdekur.

Dashuria Është Falje

Dashuria e pastër e Krishtit, që është dashuri hyjnore,na frymëzon jo vetëm për të vepruar e dhënë shërbim, por gjithashtu për të pasur forcën për të falur, pavarësisht nga situata. Me lejoni të ndaj me ju një përvojë që ka ndikuar dhe ndryshuar jetën time. Tedi dhe Sheroni, prindërit e Kuperit, që ndodhen sot këtu, më kanë dhënë leje për ta treguar atë që ndodhi në familjen e tyre më shumë se nëntë vite më parë. Unë do ta tregoj përvojën nga këndvështrimi i Tedit, babait të Kuperit:

21 gushti i 2008-s ishte dita e parë e shkollës dhe tre vëllezërit më të mëdhenj të Kuperit, Ivani, Gerrëti dhe Logani, ishin të gjithë te stacioni i autobusit duke pritur të hipnin në autobusët e shkollës. Kuperi, që ishte katër vjeç, ishte në biçikletën e vet; bashkëshortja ime, Sheroni, po ecte në këmbë.

Bashkëshortja ime ishte matanë rrugës dhe i bëri shenjë Kuperit që të kalonte rrugën. Në të njëjtën kohë, një makinë bëri shumë ngadalë një kthesë majtas dhe e shtypi Kuperin.

Mora një telefonatë nga një fqinj që më tregoi se Kuperi qe goditur nga një makinë. Me shpejtësi shkova me makinë te stacioni i autobusit për ta parë. Kuperi ishte shtrirë në bar, duke pasur vështirësi në frymëmarrje, por nuk kishte plagë të dukshme.

Unë u gjunjëzova pranë Kuperit dhe i thashë gjëra inkurajuese si: “Çdo gjë do të shkojë mirë. Mbahu.” Në atë çast, udhëheqësi i grupit tim të priftërinjve të lartë, Neithëni, u duk me bashkëshorten e tij. Ajo sugjeroi që t’i jepnim Kuperit një bekim priftërie. Ne vumë duart mbi kokën e Kuperit. Nuk më kujtohet çfarë thashë te bekimi, por kujtoj qartë praninë e të tjerëve përreth nesh, dhe ishte në atë çast që unë e dija se Kuperi do të ndërronte jetë.

Kuperi u mor me helikopter për në spital, por, në fakt, vërtet ndërroi jetë. Ndjeva se Ati Qiellor po më thoshte se kujdestaria ime tokësore kishte mbaruar dhe se Kuperi tani ishte nën kujdesin e Tij.

Ne qemë në gjendje të kalonim pak kohë me Kuperin në spital. Punonjësit atje e përgatitën që të mund ta mbanim në krahë dhe t’i thoshim lamtumirat tona dhe na lanë të kalonim aq kohë me të, duke e mbajtur, sa të dëshironim.

Rrugës për në shtëpi, unë dhe bashkëshortja ime e mposhtur nga hidhërimi pamë njëri-tjetrin dhe filluam të bisedonim rreth djalit që ngiste makinën. Ne nuk e njihnim, edhe pse ai jetonte vetëm një rrugë larg nesh dhe ishte brenda kufijve të lagjes sonë.

Dita tjetër ishte shumë vështirë për ne ngaqë ishim të gjithë plotësisht të pushtuar nga hidhërimi. Rashë në gjunjë dhe bëra lutjen më të sinqertë që pata bërë ndonjëherë. I kërkova Atit Qiellor në emrin e Shpëtimtarit tim që të ma hiqte hidhërimin dërrmues. Ai e bëri atë.

Më vonë atë ditë, një nga këshilltarët në presidencën e kunjit tonë e rregulloi që ne të takoheshim me të riun – drejtuesin e makinës – dhe prindërit e tij në shtëpinë e këshilltarit. Sheroni dhe unë pritëm për djalin dhe prindërit e tij që të arrinin. Kur u hap dera, ne u takuam me ta për herë të parë. Peshkopi im më pëshpëriti në vesh: “Shko te [djali]”. Sheroni dhe unë e përqafuam në një përqafim të madh në grup. Ne qamë së bashku për një periudhë kohe që na u duk e gjatë. Ne i thamë se e dinim që ajo që pati ndodhur ishte thjesht aksident.

Për mua dhe Sheronin ishte mrekulli edhe mënyra se si u ndiem, edhe se ende ndihemi po ashtu. Me hirin e Perëndisë, ne qemë në gjendje të merrnim shtegun e madh, shtegun e dukshëm, të vetmin shteg dhe ta duam këtë të ri të mirë.

Ne jemi bërë shumë të afërt me të dhe familjen e tij ndër vite. Ai ka ndarë me ne çastet domethënëse më të çmueshme të jetës së vet. Ne madje shkuam në tempull me të kur përgatitej për misionin e vet.

Vëllezër dhe motra, Tedi e di pa asnjë dyshim se Ati ynë Qiellor na do. Ai e di se të jesh në gjendje të falësh dhe të çlirosh veten nga barra në atë mënyrë, është po aq e kënaqshme sa të jesh i falur. Kjo kënaqësi vjen nga ndjekja e modelit të Shembullit tonë më të madh. Në Librin e Mormonit, Alma shpalli për Shpëtimtarin: “Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; dhe kjo, që të plotësohet fjala që thotë se ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij”.

Vëllezër e motra, çfarë histori e mrekullueshme e dashurisë dhe faljes së vërtetë. Ne, po ashtu, mund të kemi gëzim dhe lumturi kur u shërbejmë të tjerëve dhe i falim ata. Xhorxhi, një tjetër nga nipërit tanë, shpesh thotë: “Çfarë lloj familje jemi ne?” Dhe ai përgjigjet: “Ne jemi një familje e lumtur!”

Presidenti Tomas S. Monson na ka këshilluar duke thënë: “Le ta shqyrtojmë jetën tonë dhe të vendosim ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke qenë të mirë, të dashur dhe me dashuri hyjnore”.

Unë e di se Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, na duan dhe janë të gatshëm të na ndihmojnë për të vepruar kur ne e duam njëri-tjetrin sikurse Ata na kanë dashur ne. Dhe unë e di se duke u shërbyer e falur të tjerët me dashuri të vërtetë, ne mund të shërohemi e të marrim forcën për të kapërcyer sfidat tona vetjake. Dhe unë i deklaroj këto në emrin e Jezu Krishtit, amen.