Mësime të Presidentëve
Kapitulli 14: Humbja e Vetvetes në Shërbimin ndaj të Tjerëve


Kapitulli 14

Humbja e Vetvetes në Shërbimin ndaj të Tjerëve

“U përftoftë kuptimi i vërtetë i ungjillit në zemrat tona, që ne të mund të kuptojmë se jeta jonë, e dhënë nga Perëndia, Ati ynë, duhet të përdoret në shërbimin ndaj të tjerëve.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

Plaku i ri Gordon B. Hinkli, hasi vështirësi gjatë javëve të tij të para si misionar kohëplotë në Angli. Kur mbërriti, ai u sëmur dhe përpjekjet e tij për ta predikuar ungjillin vazhdimisht nuk u pranuan. Gjatë asaj kohe të vështirë, ai u bekua me atë që më vonë e quajti “dita e vendimit” të tij – një përvojë që ndikoi në shërbimin e tij për gjithë jetën.

“U shkurajova”, kujtoi ai. “Shkrova një letër për në shtëpi për atin tim të mirë dhe i thashë se e ndjeja se po humbisja kohën time dhe paratë e tij. Ai ishte im atë dhe presidenti im i kunjit, dhe ishte një burrë i mençur dhe i frymëzuar. Ai më shkroi një letër fare të shkurtër që thoshte: ‘I dashur Gordon, e kam letrën tënde të kohëve të fundit. Kam vetëm një sugjerim: Harroje vetveten dhe përvishju punës.’ Herët atë mëngjes, në orën tonë të shkrimeve të shenjta, shoku im i misionit dhe unë kishim lexuar këto fjalë të Zotit: ‘Sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë’. (Marku 8:35.)

Ato fjalë të Mësuesit, të ndjekura nga letra e babait tim me këshillën e tij për ta harruar vetveten dhe për t’iu përveshur punës, e përshkuan tërë qenien time. Me letrën e tim ati në dorë, shkova në dhomën tonë të gjumit në shtëpinë në 15 Wadham Road, ku jetuam, dhe rashë në gjunjë, dhe i bëra një zotim Zotit. Unë besëlidha se do të përpiqesha ta harroja vetveten dhe ta humbisja vetveten në shërbim të Tij.

Ajo ditë korriku në vitin 1933 ishte dita e vendimit tim. Një dritë e re hyri në jetën time dhe një gëzim i ri në zemrën time.”1

Ajo dritë nuk u largua asnjëherë nga jeta e Gordon B. Hinklit. Që nga ajo ditë, ai ia përkushtoi veten Zotit në shërbim ndaj të tjerëve. Në funeralin e Presidentit Hinkli, Presidenti Henri B. Ajring, renditi disa nga ndihmesat e Presidentit Hinkli: ndërtimin e tempujve nëpër botë, krijimin e tempujve të vegjël për të përshpejtuar punën në tempull, krijimin e Fondit të Qarkullueshëm Arsimor dhe ndërtimin e Qendrës së Konferencave. Pastaj ai tha:

“Trashëgimia e tij vetjake shkon përtej kësaj liste të shkurtër dhe fuqisë sime për ta përshkruar. Por arritjet e tij kanë të paktën një gjë të përbashkët. Përherë ato ishin për t’i bekuar individët me mundësi. Dhe ai përherë mendoi për njerëzit me mundësitë më të pakta, njeriun e zakonshëm që lufton për t’u bërë ballë vështirësive të jetës së përditshme dhe sfidës së të jetuarit të ungjillit të Jezu Krishtit. Më shumë se një herë ai e vendosi gishtin e tij në kraharorin tim kur unë bëja një sugjerim dhe thoshte: ‘Hal, a e ke sjellë ndërmend personin që po has vështirësi?’”2

“Dëshiroj të jem në këmbë dhe të veproj”, tha Presidenti Hinkli. “Dëshiroj që ta përballoj çdo ditë me vendosmëri dhe qëllim. Dëshiroj që ta përdor çdo orë që jam zgjuar për të dhënë zemër, për të bekuar ata njerëz barrët e të cilëve janë të rënda, për të ndërtuar besim dhe forcë të dëshmisë.”3

Krishti te pellgu i Betesdës

“Nëse ne do të pretendonim që e adhurojmë dhe e ndjekim Mësuesin, a nuk duhet të përpiqemi fort ta imitojmë jetën e tij të shërbimit?”

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Jeta jonë është dhuratë nga Perëndia dhe duhet të përdoret në shërbimin ndaj të tjerëve.

Ka … shumë varfëri dhe nevojë të dukshme nëpër botë, kaq shumë rebelim dhe poshtërsi, kaq shumë ndyrësi dhe fëlliqësi, kaq shumë shtëpi të prishura dhe familje të shkatërruara, kaq shumë njerëz të vetmuar që jetojnë jetë të trishtuara e pa shpresë, kaq shumë ankth kudo.

Ndaj unë ju lutem juve. Unë ju lutem juve që me gjithë kërkimin tuaj për pasuri tokësore, ju gjithashtu do të jepni për ta bërë botën pak më të mirë.4

Nëse bota duhet të përmirësohet, procesi i dashurisë duhet të bëjë një ndryshim në zemrat e njerëzve. Ai mund ta bëjë këtë kur ne shohim përtej vetes për t’ia dhënë dashurinë tonë Perëndisë dhe të tjerëve dhe e bëjmë këtë me gjithë zemrën tonë, me gjithë shpirtin tonë dhe me gjithë mendjen tonë.

Zoti ka shpallur në zbulesën moderne: “Nëse syri juaj drejtohet te lavdia ime, tërë trupat tuaj do të mbushen me dritë dhe nuk do të ketë errësirë në ju”. (DeB 88:67.)

Kur shohim me dashuri dhe mirënjohje drejt Perëndisë, kur i shërbejmë atij me syrin të drejtuar te lavdia e tij, errësira e mëkatit, errësira e egoizmit, errësira e krenarisë largohen nga ne. Do të vijë një dashuri e shtuar për Atin tonë të Amshuar dhe për Birin e Tij të Dashur, Shpëtimtarin tonë dhe Shëlbuesin tonë. Do të vijë një kuptim më i madh për shërbimin kundrejt bashkëqenieve tona, më pak mendim për veten dhe më shumë për ndihmë ndaj të tjerëve.

Ky parim i dashurisë është esenca bazë e ungjillit të Jezu Krishtit.5

Nëse ne do të pretendonim se e adhurojmë dhe ndjekim Mësuesin, a nuk duhet të përpiqemi fort ta imitojmë jetën e tij të shërbimit? Asnjëri nga ne nuk mund të thotë me të drejtë se jeta e tij është e vetja. Jeta jonë është dhuratë nga Perëndia. Ne nuk erdhëm në këtë botë me vetë vullnetin tonë. Ne nuk largohemi sipas dëshirës sonë. Ditët tona nuk numërohen nga vetë ne, por sipas vullnetit të Perëndisë.

Kaq shumë prej nesh e përdorim jetën tonë si të ishte tërësisht jeta jonë. E jona është zgjedhja për ta humbur atë nëse dëshirojmë. Por ajo bëhet tradhti ndaj një mirëbesimi të madh dhe të shenjtë. Sikurse Mësuesi e bëri tepër të qartë: “Sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë”. (Marku 8:35.)6

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, sfida është e madhe. Mundësitë janë të gjitha për ne. Perëndia do të donte që ne të bëjmë punën e Tij – dhe ta bëjmë atë me energji dhe gazmend. Ajo punë, siç e ka përcaktuar Ai, është të “ndihmo[sh] të dobëtit, ngr[esh] duart që varen poshtë dhe forco[sh] gjunjët e këputur”. (DeB 81:5.)

Është t’u shërbesh njerëzve në nevojë. Është të ngushëllosh njerëzit në zi. Është të vizitosh të vejat dhe jetimët në pikëllimet e tyre. Është të ushqesh nevojtarin, të veshësh të zhveshurin, të strehosh ata të cilët nuk kanë një çati mbi kokë. Është të veprosh siç veproi Mësuesi, i cili “e përshkoi vendin duke bërë mirë”. (Veprat e Apostujve 10:38.)7

Mesazhi im për ju sot … është që ju të zgjidhni me vendosmëri t’ia përkushtoni një pjesë të kohës suaj, kur planifikoni punët e jetës suaj, njerëzve në ankth dhe nevojë, pa marrë parasysh shpërblimin. Nevojiten aftësitë tuaja, çfarëdo qofshin ato. Duart tuaja ndihmëtare do ta nxjerrin dikë nga bataku i ankthit. Zëri juaj i qëndrueshëm do t’i japë zemër dikujt që përndryshe thjesht mund të dorëzohej. Aftësitë tuaja mund t’ua ndryshojnë jetën, në një mënyrë të mrekullueshme dhe të jashtëzakonshme, atyre që janë në nevojë. Nëse jo tani, kur? Nëse jo ju, kush?8

U përftoftë kuptimi i vërtetë i ungjillit në zemrat tona, që ne të mund të kuptojmë se jeta jonë, e dhënë nga Perëndia, Ati ynë, duhet të përdoret në shërbimin ndaj të tjerëve.

Nëse do të japim shërbim të tillë, ditët tona do të mbushen me gëzim dhe ngazëllim. Më e rëndësishmja, ato do t’i kushtohen Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, dhe bekimit të të gjithë atyre, jetët e të cilëve i prekim.9

2

Shërbimi është ilaçi më i mirë për keqardhjen për veten, egoizmin, dëshpërimin dhe vetminë.

Kujtoj që vizitova kompleksin e një kolegji ku dëgjova ankesat e zakonshme e të përhershme të rinisë: ankesat për presionet e shkollës – sikur të ishin një barrë më tepër sesa një mundësi për të marrë nga njohuria e tokës – ankesat për strehimin dhe për ushqimin. …

E këshillova këtë rini se, nëse presionet e shkollës ishin tepër të rënda, nëse mendonin të ankoheshin për strehimin e tyre dhe ushqimin e tyre, atëherë unë mund t’u sugjeroja një kurë për problemet e tyre. U sugjerova që t’i linin mënjanë librat e tyre për disa orë, të largoheshin nga dhomat e tyre dhe të shkonin të vizitonin dikë që është i moshuar dhe i vetmuar, ose dikë të sëmurë dhe të shkurajuar. Përgjithësisht, kam arritur të kuptoj se, nëse ne ankohemi për jetën, kjo ndodh ngaqë ne jemi duke menduar vetëm për veten tonë.

Për shumë vite ishte një mbishkrim në murin e dyqanit të këpucarit ku isha klient. Aty thuhej: “Unë ankohesha që nuk kisha këpucë, derisa pashë një njeri që nuk kishte këmbë”. Mjekimi më i efektshëm për sëmundjen e keqardhjes për veten, është ta humbasësh vetveten në shërbim ndaj të tjerëve.10

Besoj se, për shumicën prej nesh, mjekimi më i mirë për vetminë është puna dhe shërbimi në emër të të tjerëve. Unë nuk i zvogëloj problemet tuaja, por nuk ngurroj të them se ka shumë njerëz të tjerë problemet e të cilëve janë shumë më të rënda sesa tuajat. Zgjatuni për t’u shërbyer atyre, për t’i ndihmuar ata, për t’u dhënë zemër atyre. Ka kaq shumë djem dhe vajza që ngelin në shkollë për shkak se u mungon pak vëmendje dhe zemërdhënie vetjake. Ka kaq shumë njerëz të moshuar që jetojnë në mjerim dhe vetmi, dhe frikë për të cilët një bisedë e thjeshtë do të sillte pakëz shpresë dhe ndriçim. …

Ka kaq shumë njerëz që janë lënduar dhe që kanë nevojë për një Samaritan të mirë që t’ua lidhë plagët dhe t’i ndihmojë gjatë rrugës së tyre. Pak mirësi mund të sjellë një bekim të madh te një person në ankth dhe një ndjenjë të këndshme tek ai që e ndihmon atë.11

Janë aq shumë njerëz atje jashtë, barrët e të cilëve mund t’i ngrini. Janë të pastrehët, janë të uriturit, janë mjeranët kudo rreth nesh. Janë të moshuarit që janë të vetmuar në azile. Janë fëmijët me paaftësi dhe të rinjtë e droguar, dhe të sëmurët, dhe njerëzit që nuk mund të dalin nga shtëpia, të cilëve u qan shpirti për një fjalë të mirë. Nëse ti nuk e bën këtë, kush do ta bëjë?

Kundërhelmi më i mirë që di për shqetësimin, është puna. Mjekimi më i mirë për dëshpërimin është shërbimi. Kura më e mirë për lodhjen është sfida për të ndihmuar dikë që është edhe më i lodhur.12

Përse janë të lumtur misionarët? Sepse e humbasin vetveten në shërbim ndaj të tjerëve.

Përse janë të lumtur ata që punojnë në tempuj? Sepse puna e tyre e dashurisë është në çdo akt në harmoni me punën e mrekullueshme mëkëmbëse të Shpëtimtarit të njerëzimit. Ata as nuk kërkojnë dhe as nuk presin falënderime për atë që bëjnë. Në pjesën më të madhe, ata nuk dinë asgjë më tepër sesa emrin e atij ose asaj për të cilin apo të cilën punojnë.13

Shprehini dëshirat fisnike që shtrihen brenda zemrave tuaja, që të lëvizni për të ngushëlluar, mbështetur dhe forcuar të tjerët. Ndërsa e bëni këtë, helmi kalbëzues i egoizmit do të largohet nga ju dhe do të zëvendësohet nga një ndjenjë e ëmbël dhe e mrekullueshme që duket se nuk vjen në ndonjë mënyrë tjetër.14

grua duke ndihmuar një person të sëmurë

“Ka kaq shumë njerëz atje jashtë, barrët e të cilëve mund t’i ngrini.”

3

Kur ne shkojmë për t’i ndihmuar të tjerët, ne gjejmë veten tonë të vërtetë.

Një mëngjes të diele, disa vite më parë, unë isha në shtëpinë e një presidenti kunji në një qytezë të Ajdahos. Përpara lutjes së mëngjesit, familja lexoi së bashku disa vargje nga shkrimet e shenjta. Midis tyre ishin fjalët e Jezusit siç shënohen te Gjoni 12:24: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt”.

Pa dyshim që Mësuesi e kishte fjalën për vetë vdekjen e tij të ardhshme, duke shpallur se po të mos vdiste, misioni i tij në jetë do të ishte kryesisht i kotë. Por në këto vargje unë shoh edhe një kuptim tjetër. Më duket sikur Zoti po i thotë secilit prej nesh se, po të mos humbasim vetveten në shërbim ndaj të tjerëve, jeta jonë po jetohet kryesisht pa qëllim të vërtetë, sepse ai vijoi duke thënë: “Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme”. (Gjoni 12:25.) Ose siç shënohet te Lluka: “Ai që do të kërkojë të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë, do ta shpëtojë”. (Lluka 17:33.) Me fjalë të tjera, ai që jeton vetëm për vete, vyshket dhe vdes, ndërsa ai që e harron veten në shërbim ndaj të tjerëve, rritet dhe lulëzon në këtë jetë dhe në përjetësi.

Atë mëngjes në konferencën e kunjit, presidenti me të cilin kisha qëndruar, u lirua nga thirrja pas trembëdhjetë vitesh shërbimi besnik. Pati një derdhje të madhe të dashurisë dhe vlerësimit, jo për shkak të pasurisë së tij, jo për shkak të arritjeve të larta të tij në komunitetin e biznesit, por për shkak të shërbimit të madh që ai pati dhënë pa egoizëm. Pa menduar për interesin vetjak, ai kishte udhëtuar dhjetëra mijëra kilometra në të gjitha llojet e motit. Ai kishte shpenzuar mirëfilli mijëra orë në interes të të tjerëve. Ai i kishte lënë pas dore çështjet e tij personale për t’iu ardhur në ndihmë atyre që kishin nevojë për ndihmën e tij. Dhe duke bërë këtë ai ishte gjallëruar dhe ishte bërë i madh në sytë e atyre të cilëve u kishte shërbyer.15

Vite më parë lexova historinë e një vajze të re e cila shkoi në një zonë rurale si mësuese. Midis pjesëmarrësve në klasën e saj ishte një vajzë e cila kishte ngelur më parë dhe po ngelte përsëri. Nxënësja nuk mund të lexonte. Ajo vinte nga një familje pa mjete financiare për ta çuar atë në një qytet më të madh për kontroll, për të përcaktuar nëse ajo kishte ndonjë problem që mund të ndreqej. Duke ndier se vështirësia mund të qëndronte te sytë e vajzës, mësuesja e re planifikoi që ta çonte nxënësen, me vetë shpenzimet e mësueses, që të kontrollonte sytë. Një mangësi u zbulua që mund të rregullohej me syze. Shpejt një botë krejtësisht e re u hap për nxënësen. Për herë të parë në jetën e saj, ajo pa qartësisht fjalët përpara vetes. Paga e asaj mësueseje në fshat ishte e pakët, por me aq pak sa kishte, ajo bëri një investim që e ndryshoi tërësisht jetën e një nxënëseje që po ngelte, dhe duke bërë këtë ajo zbuloi një përmasë të re në vetë jetën e saj.16

Ndërsa shërbeni në mënyrë të tillë, një përmasë e re do t’i shtohet jetës suaj. Ju do të gjeni shoqëri të reja dhe nxitëse. Ju do të gjeni miqësi dhe shoqërim. Ju do të rriteni në njohuri dhe kuptueshmëri, dhe urtësi, dhe në aftësinë tuaj për të vepruar.17

Unë dëshmoj se, ndërsa secili prej jush drejtohet për të ndihmuar të tjerët, ju do të gjeni veten tuaj të vërtetë dhe do ta bekoni jashtë mase botën në të cilën jetoni.18

4

Kisha siguron shumë mundësi për shërbim bujar.

Vëllezër dhe motra, ju nuk do të jeni kurrë të lumtur nëse e kaloni jetën duke menduar vetëm për vete. Humbeni vetveten në kauzën më të mirë në botë – kauzën e Zotit. Në punën e kuorumeve dhe atë të organizatave ndihmëse, punën në tempull, punën e shërbimit për mirëqenien, punën misionare. Ju do të bekoni vetë jetën tuaj ndërsa bekoni jetën e të tjerëve.19

Nuk ka asnjë punë tjetër në të gjithë botën kaq të mbushur me dashuri aq sa është kjo punë. Ajo lumturi është e pazakontë. Ajo vjen nga shërbimi ndaj të tjerëve. Ajo është e vërtetë. Ajo është e pashoqe. Ajo është e mrekullueshme.20

misionarë me shërbim në Kishë duke qepur

“Ndërsa shërbeni …, një përmasë e re do t’i shtohet jetës suaj.”

Lejojeni Kishën të jetë mikja juaj e dashur. Lejojeni atë të jetë shoqja juaj e shkëlqyer. Shërbeni kudo që thirreni për të shërbyer. Bëni çka ju kërkohet të bëni. Çdo pozicion që mbani, do t’i rritë aftësitë tuaja. Unë kam shërbyer në shumë përgjegjësi në këtë organizatë të madhe. Çdo shërbim solli vetë shpërblimin e tij.

Kjo … do të kërkojë përkushtimin tuaj bujar, besnikërinë dhe besimin tuaj të palëkundur. Ju do të shërbeni në shumë thirrje përpara se jeta juaj të plotësohet. Disa prej tyre mund të duken të vogla, por nuk ka thirrje të vogla ose të parëndësishme në këtë Kishë. Çdo thirrje është e rëndësishme. Çdo thirrje është e nevojshme për përparimin e punës. Mos ia ulni vlerën një përgjegjësie në Kishë. …

Bëni vend për Kishën në jetën tuaj. Lëreni njohurinë tuaj për doktrinën e saj të rritet. Lëreni kuptueshmërinë tuaj për organizimin e saj të shtohet. Lëreni dashurinë tuaj për të vërtetat e saj të përjetshme të bëhet përherë e më e fortë.

Kisha mund të kërkojë prej jush që të bëni sakrifica. Mund të kërkojë prej jush që të jepni më të mirën që keni për të dhënë. Nuk do të ketë çmim për këtë, pasi ju do të zbuloni se ai do të bëhet një investim që do t’ju japë pjesën e fitimit për sa kohë që jetoni. Kisha është rezervuari i madh i të vërtetës së përjetshme. Përqafojeni atë dhe mbahuni fort tek ajo.21

A dëshironi të jeni të lumtur? Harrojeni vetveten dhe humbisni në këtë kauzë të madhe. Falini përpjekjet tuaja për t’i ndihmuar njerëzit. Krijoni një shpirt faljeje në zemrën tuaj kundrejt cilitdo që mund t’ju ketë fyer. Shikoni te Zoti dhe jetoni e punoni për t’i lartësuar e për t’u shërbyer bijve dhe bijave të Tij. Ju do të arrini të njihni një lumturi që nuk e keni njohur kurrë më parë nëse do ta bëni këtë. Nuk më intereson se sa të moshuar jeni, sa të rinj jeni, çfarëdo moshe. Ju mund t’i lartësoni njerëzit dhe t’i ndihmoni. Qielli e di se ka kaq shumë e shumë njerëz në këtë botë që kanë nevojë për ndihmë. Oh, kaq, kaq shumë. Le ta largojmë nga jeta jonë qëndrimin kalbëzues, egoist, vëllezërit dhe motrat e mia, dhe të ngrihemi pak më lart dhe të zgjatemi pak më shumë në shërbim ndaj të tjerëve. … Ngrihuni më lart, qëndroni më lart, ngrijini ata me gjunjë të dobët, ngrijini duart e atyre që varen. Jetojeni ungjillin e Jezu Krishtit. Harrojeni vetveten.22

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Hinkli dha mësim se jeta jonë është dhuratë nga Perëndia, që të përdoret në shërbim ndaj të tjerëve (shih pjesën 1). Si mund ta bëjmë shërbimin ndaj të tjerëve një mënyrë jetese? Çfarë mendoni se do të thotë të shërbesh me syrin drejtuar vetëm te lavdia e Perëndisë? Si ju ka bekuar shërbimi ndaj dikujt tjetër?

  • Përse na ndihmon shërbimi për të mposhtur keqardhjen për veten, egoizmin dhe vetminë? (Shih pjesën 2.) Si ju ka sjellë shërbimi lumturi? Ndërsa lexoni përshkrimet e Presidentit Hinkli për njerëzit që janë në nevojë, përcaktoni se si ju dhe familja juaj mund të drejtoheni për të shërbyer.

  • Përse humbja e vetvetes në shërbimin ndaj të tjerëve na ndihmon të “gje[jmë] veten [tonë] të vërtetë”? (Shih pjesën 3.) Çfarë mund të mësojmë nga historitë në pjesën 3?

  • Presidenti Hinkli këshilloi: “Humbeni vetveten në kauzën më të mirë në botë – kauzën e Zotit” (pjesa 4). Çfarë bekimesh ka sjellë në jetën tuaj shërbimi në Kishë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 20:25–28; 25:34–40; Gjoni 13:35; Mosia 2:16–18; 18:8–9; DeB 64:33

Ndihmë për Studimin

“Ndërsa studioni, kushtojini vëmendje të kujdesshme ideve që ju vijnë në mendje dhe ndjenjave që ju vijnë në zemër” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 18). Merreni parasysh mbajtjen e shënimeve për mbresat që merrni, edhe nëse duken sikur nuk kanë lidhje me fjalët që po lexoni. Ato mund të jenë pikërisht gjërat që Zoti dëshiron që të mësoni.

Shënime

  1. “Taking the Gospel to Britain: A Declaration of Vision, Faith, Courage, and Truth”, Ensign, korrik 1987, f. 7.

  2. Henry B. Eyring, “Things Will Work Out”, In Memoriam: President Gordon B. Hinckley, 1910–2008 (shtojcë te Ensign, mars 2008), f. 27; shih edhe faqen 26.

  3. “Testimony”, Ensign, maj 1998, f. 69.

  4. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 1: 1995–1999 (2005), f. 543.

  5. “And the Greatest of These Is Love”, Ensign, mars 1984, f. 5.

  6. “The Gift of Self”, Tambuli, dhjetor 1986, f. 3; shih edhe lds.org/liahona/1986/12/the-gift-of-self.

  7. “To Single Adults”, Ensign, qershor 1989, f. 75.

  8. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 1, f. 544–545.

  9. “Giving Ourselves to the Service of the Lord”, Ensign, mars 1987, f. 5.

  10. “Whosoever Will Save His Life”, Ensign, gusht 1982, f. 5.

  11. “A Conversation with Single Adults”, Ensign, mars 1997, f. 61.

  12. “To Single Adults”, f. 73–74.

  13. “Giving Ourselves to the Service of the Lord”, f. 5.

  14. “To a Man Who Has Done What This Church Expects of Each of Us” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 17 tetor 1995), f. 6, speeches.byu.edu.

  15. “Whosoever Will Save His Life”, f. 3–4.

  16. “And the Greatest of These Is Love”, f. 4.

  17. “Women of the Church”, Ensign, nëntor 1996, f. 69.

  18. “Whosoever Will Save His Life”, f. 6.

  19. “Pillars of Truth”, Ensign, janar 1994, f. 7.

  20. “Rejoicing in the Privilege to Serve”, Worldwide Leadership Training Meeting, 21 qershor 2003, f. 23.

  21. “Life’s Obligations”, Ensign, shkurt 1999, f. 4.

  22. Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), f. 597.