Kapitulli 15
Priftëria e Shenjtë
“E dua priftërinë e kësaj Kishe. Ajo është një gjë jetike, e gjallë. Është vetë zemra dhe forca e kësaj pune. Është fuqia dhe autoriteti me anë të të cilit Perëndia, Ati ynë i Amshuar, e kryen punën e Tij në tokë.”
Nga Jeta e Gordon B. Hinklit
Në vitin 1980, Plaku Gordon B. Hinkli dhe bashkëshortja e tij, Marxhëri, morën pjesë në një turne tre javor në Azi, duke folur në konferenca zone dhe duke marrë pjesë në përkushtimin e tempullit të Tokios në Japoni. Përpara se të ktheheshin në shtëpi, ata udhëtuan për në Misionin e Japonisë, Sendai, ku Plaku Hinkli kryesoi në krijimin e kunjit të parë të misionit. Pikërisht përpara mbledhjes me presidencën e kunjit të ri, Plaku Hinkli iu afrua presidentit të misionit, Kijoshi Sakait. “Ai e pyeti Presidentin Sakai, i cili u duk i habitur, nëse kishte pak vaj të shenjtëruar dhe më pas shtoi: ‘Jam i rraskapitur; a do të më jepni një bekim?’ Presidenti Sakai kujtoi: ‘Isha shumë i frikësuar dhe u ndjeva tepër i dobët për të bekuar një Apostull të Zotit. I thashë se nuk mund ta jepja bekimin në anglisht. Plaku Hinkli tha se do të ishte shumë mirë edhe në japonisht. Pra, unë dhe Plaku Hitoshi Kashikura, përfaqësuesi rajonal, vazhduam.’ Pasi bekimi u shqiptua, Plaku Hinkli thjesht tha: ‘Faleminderit, faleminderit. Tani unë mund të shkoj në shtëpi nesër.’
Të nesërmen, Plaku Hinkli dukej i fortë dhe i shëndetshëm dhe, kur Presidenti Sakai e pyeti se si ndihej, ai u përgjigj: ‘Dai Jobu, më shumë se mirë. Jam mirë.’ Disa ditë më vonë, Presidenti Sakai mori një letër falënderimi nga Plaku Hinkli, i cili shkroi: ‘… E vlerësoj shumë bekimin që më dhatë. Fillova të ndihesha menjëherë më mirë pas tij. Shërimi ishte i shpejtë dhe i plotë. Unë dhe motra Hinkli jemi thellësisht mirënjohës që patëm privilegjin të qëndronim në shtëpinë e misionit tuaj.’”1
Presidenti Hinkli dëshmoi shpesh për bekimet e priftërisë, që nga bekimet e mrekullueshme, por të përkohshme të shërimit fizik deri te bekimet e përjetshme, lidhëse nëpërmjet ordinancave të tempullit. Ai shpalli: “Unë besoj se në priftërinë e Tij qëndron autoriteti hyjnor – fuqia për të bekuar, fuqia për të shëruar, fuqia për të qeverisur në çështjet tokësore të Perëndisë, fuqia për të lidhur në qiej atë që është lidhur në tokë.”2
Mësime të Gordon B. Hinklit
1
Perëndia ka rivendosur priftërinë dhe çelësat e mbretërisë së qiellit.
Fuqia dhe autoriteti i priftërisë iu dha burrave në lashtësi. Autoriteti më i ulët iu dha bijve të Aaronit për të administruar në gjërat tokësore si edhe në disa ordinanca të shenjta fetare. Priftëria më e lartë iu dha nga Vetë Zoti, Apostujve të Tij, në përputhje me atë që Ai i shpalli Pjetrit: “Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej” (Mateu 16:19).
Rivendosja e plotë e priftërisë përfshinte ardhjen e Gjon Pagëzorit … dhe të Pjetrit, Jakobit e Gjonit. … Ajo përfshinte Moisiun, Eliasin dhe Elijan, çdonjëri prej të cilëve solli çelësa priftërie për të plotësuar punën e rivendosjes së të gjitha veprave dhe ordinancave të periudhave të mëparshme ungjillore në këtë periudhë të madhe e të fundit ungjillore të plotësisë së kohëve.
Priftëria është këtu. … Ne e dimë, sepse e kemi parë, fuqinë e kësaj priftërie. Ne i kemi parë të sëmurët të shërohen, të çalët të ecin dhe kemi parë ardhjen e dritës dhe të njohurisë e kuptueshmërisë tek ata që kanë qenë në errësirë.3
Profeti Jozef Smith, në një rast, e përshkroi [priftërinë] me këto fjalë: “Priftëria është një parim i përjetshëm dhe ka ekzistuar me Perëndinë që nga përjetësia, dhe do të [ekzistojë] në përjetësi, pa fillim të ditëve ose fund të viteve”. (History of the Church, 3:386.)
Është me të vërtetë fuqia e të Plotfuqishmit dhënë njeriut për të vepruar në emër të Tij dhe në vend të Tij. Është një delegim i autoritetit hyjnor, i ndryshëm nga të gjitha fuqitë dhe autoritetet mbi faqen e dheut. Nuk është çudi që ajo iu rivendos njeriut me anë të qenieve të ringjallura, që e mbanin atë që në lashtësi, që të mos kishte asnjë dyshim lidhur me autoritetin dhe vlefshmërinë e saj. Pa të, kisha do të kishte vetëm emrin, duke i munguar autoriteti për të administruar në gjërat e Perëndisë. Me të, asgjë nuk është e pamundur për të çuar përpara punën e mbretërisë së Perëndisë. Ajo është hyjnore në natyrën e saj. Ajo është si e përkohshme edhe e përjetshme në autoritetin e saj. Është e vetmja fuqi në tokë që shtrihet përtej velit të vdekjes.4
2
Priftëria është fuqia dhe autoriteti me anë të të cilit Perëndia kryen punën e Tij.
E dua priftërinë e kësaj Kishe. Ajo është një gjë jetike, e gjallë. Është vetë zemra dhe forca e kësaj pune. Është fuqia dhe autoriteti me anë të të cilit Perëndia, Ati ynë i Amshuar, kryen punën e Tij në tokë.5
Priftëria e shenjtë mbart në vetvete autoritetin për të qeverisur në çështjet e mbretërisë së Perëndisë në tokë. Sipas zbulesave të Zotit, Kisha duhet të kryesohet nga tre priftërinj të lartë kryesues. Ata duhet të ndihmohen nga një këshill prej Dymbëdhjetë Apostujsh, të cilët, nga ana e tyre, duhet të ndihmohen nga … Të Shtatëdhjetët. Një Peshkopatë Kryesuese prej tre vetash është përgjegjëse për çështjet materiale nën drejtimin e Presidencës. Të gjithë këta janë drejtues të priftërisë. Ajo fuqi e dhënë në mënyrë hyjnore është autoriteti me anë të të cilit ata qeverisin. Ndodh kështu në kunjet dhe lagjet me presidenca dhe peshkopata. Ndodh kështu në kuorume. Drejtuesit e organizatave ndihmëse e çojnë përpara punën e tyre nën drejtimin dhe delegimin nga priftëria. Pa priftërinë mund të jetë forma e një kishe, por jo thelbi i vërtetë. Kjo është kisha e Jezu Krishtit dhe ajo qeveriset nga ai autoritet që është “sipas Urdhërit të Birit të Perëndisë”. (DeB 107:3.)6
3
Bekimet e priftërisë duhet të gëzohen nga të gjithë.
[Priftëria] … është një pjesë e planit të Perëndisë, Atit tonë të Amshuar, për të bekuar jetën e bijve dhe bijave të Tij të të gjithë brezave.7
Priftëria e shenjtë përfshin fuqinë për të bekuar. Për ata që e mbajnë Priftërinë Aarone, ajo mbart në vetvete autoritetin për t’i administruar bashkësisë emblemat e mishit dhe të gjakut të Zotit, i cili dha jetën e Tij si sakrificë për të gjithë. Sakramenti dhe marrja e këtyre emblemave është vetë thelbi i adhurimit tonë në shabat. Ai përfshin përtëritjen e besëlidhjeve me Perëndinë. Ai mbart në vetvete një premtim se Shpirti i Tij i Shenjtë do të jetë me ne. Është një bekim i pashoq që duhet të gëzohet nga të gjithë, dhe është bërë i mundur me anë të autoritetit që u është dhënë të rinjve të denjë. …
Priftëria Melkizedeke mbart në vetvete autoritetin për të dhënë Frymën e Shenjtë. Çfarë bekimi i madh është që të kesh ndikimin shërbyes të një anëtari të Kreut-Perëndi, duke e marrë atë dhuratë nga duart e atyre që vepruan me autoritet hyjnor. Nëse vazhdojmë të ecim me virtytshmëri, ne mund të gëzojmë përmbushjen e premtimeve të bëra nga Zoti kur Ai tha: “Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi yt i vazhdueshëm dhe skeptri yt një skeptër i pandryshueshëm i drejtësisë dhe së vërtetës; dhe sundimi yt do të jetë një sundim i përjetshëm dhe, pa mënyra detyruese, ai do të rrjedhë tek ty përherë e përgjithmonë”. (DeB 121:46.)
Priftëria përfshin fuqinë për të bekuar të sëmurët. A ka ndonjë njeri që po më dëgjon, i cili nuk e ka ushtruar ose ndier atë fuqi hyjnore? A mund të ketë ndonjëri prej nesh dyshime lidhur me efektshmërinë e saj? Ne mund të tregojmë për mrekulli, të shenjta dhe të mahnitshme, që i kemi dëshmuar nga vetë përvoja jonë. …
Kjo Priftëri e shenjtë Melkizedeke mbart në vetvete fuqinë për të bekuar me profeci, për të ngushëlluar, për të mbështetur, për të udhëhequr. Ne kemi patriarkë në mesin tonë të cilët, sipas autoritetit që mbajnë, shpallin prejardhjen dhe shqiptojnë bekime si udhëzues për ne. Këto bekime mund të bëhen një spirancë tek e cila ne mund të kapemi, për të na mbajtur të sigurt përmes stuhive të jetës.
Në shprehjen e saj më të lartë, priftëria e shenjtë ka në vetvete autoritetin për të vulosur në tokë dhe për ta bërë atë vulosje të efektshme në qiell. Ajo është e pashoqe dhe e mrekullueshme. Është autoriteti i ushtruar në tempujt e Perëndisë. Ajo ka të bëjë si me të gjallët dhe me të vdekurit. Është vetë thelbi i përjetësisë. Është fuqia hyjnore e dhuruar nga i Plotfuqishmi si një pjesë e planit të Tij të madhërishëm për pavdekësinë dhe jetën e përjetshme të njeriut.
Sa e çmuar është dhurata e Perëndisë që na ka ardhur ne!8
4
Bijtë e Perëndisë që e mbajnë autoritetin e Tij hyjnor, duhet të jenë të vërtetë ndaj më të mirës që kanë brenda vetes së tyre.
Çdo burrë i denjë, pavarësisht nga kombësia, sfondi etnik, apo çfarëdo faktor tjetër, ka të drejtën ta marrë atë priftëri. Bindja e tij ndaj urdhërimeve të Perëndisë bëhet faktori përcaktues. Dhënia e saj bazohet vetëm mbi denjësinë përpara Zotit. …
E tillë është mrekullia e kësaj priftërie. Pasuria nuk është një faktor. Arsimimi nuk është një faktor. Nderimet e njerëzve nuk janë një faktor. Faktori kontrollues është pranueshmëria nga Zoti.9
Ka ardhur koha për të gjithë ne që jemi shuguruar ose në Priftërinë Aarone ose atë Melkizedeke, dhe në çfarëdo detyre atje, që të reflektojmë mbi jetën tonë, t’i vlerësojmë dobësitë tona dhe të pendohemi për ato raste sjelljeje që janë në mospërputhje me autorizimin e lartë dhe të shenjtë që kemi marrë. …
Asnjë burrë, i ri apo i vjetër, … që ka qenë … shuguruar, nuk mund ta trajtojë me lehtësi atë që ai mban. Ai është në një bashkëpjesëmarrje me Perëndinë dhe mbi të qëndron një detyrë e plotë dhe e shenjtë, që të jetojë si një njeri që është i denjë për të folur dhe vepruar në emër të Perëndisë, si përfaqësuesi i tij i kualifikuar.10
Edhe pse ata që kanë autoritet, i vendosin duart mbi kokat tona dhe ne shugurohemi, nëpërmjet sjelljes sonë, ne mund të shfuqizojmë dhe humbasim çfarëdo të drejte për ta ushtruar këtë autoritet hyjnor.
… “Asnjë fuqi apo ndikim nuk mund ose nuk duhet të mbahet me anë të priftërisë, veçse nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur;
Nëpërmjet mirësisë dhe diturisë së pastër, të cilat do ta zgjerojnë shumë shpirtin, pa hipokrizi dhe pa mashtrim” (DeB 121:41–42).
Tani vëllezërit e mi, këta janë parametrat brenda të cilëve duhet të ushtrohet kjo priftëri. Ajo nuk është si një mantel që ju mund ta vishni e ta hiqni sipas dëshirës. Ajo, kur ushtrohet në drejtësi, është si vetë indet e trupit tonë, një pjesë e jona në të gjitha kohët dhe në të gjitha rrethanat.11
Ne duhet të jemi të vërtetë ndaj më të mirës që kemi brenda vetes sonë. Ne jemi bij të Perëndisë të nderuar për të mbajtur autoritetin e Tij hyjnor. Por ne jetojmë në një botë të ligë. Ka një fuqi të qëndrueshme, që na tërheq poshtë, duke na ftuar të marrim pjesë në ato gjëra që janë plotësisht të papajtueshme me priftërinë hyjnore që ne mbajmë. …
Ju burrave unë ju jap një sfidë. Mbathjani nga vala e fëlliqësisë që do t’ju mposhtte. Largohuni nga ligësitë e botës. Jini besnikë ndaj vetes suaj më të mirë. Jini besnikë ndaj më të mirës që keni brenda vetes suaj. Jini besnikë dhe të vërtetë ndaj besëlidhjeve që kanë lidhje me priftërinë e Perëndisë.12
Çdo mbajtësi detyre, çdo mësuesi në këtë Kishë që vepron në detyrën e priftërisë, i vjen përgjegjësia e shenjtë e lartësimit të asaj thirrjeje priftërie. Çdonjëri prej nesh është përgjegjës për mirëqenien dhe rritjen, dhe zhvillimin e të tjerëve. Ne nuk jetojmë vetëm për veten tonë. Nëse duam që t’i lartësojmë thirrjet tona, ne nuk mund të jetojmë vetëm për veten tonë.13
Shumë njerëz duket se mendojnë që, për shkak se janë shuguruar, priftëria është e tyrja në pafundësi, për ta ushtruar sipas zgjedhjes së tyre. Ata mendojnë se mund ta thyejnë aty-këtu një besëlidhje dhe një urdhërim dhe të mëkatojnë në këtë apo në atë mënyrë, dhe ende të kenë brenda vetes së tyre fuqinë e priftërisë, dhe se Perëndia do ta ratifikojë atë që ata thonë në emrin e Tij të shenjtë dhe në emrin e Shëlbuesit. Kjo shndërrohet në tallje dhe unë besoj se, duke u sjellë në këtë mënyrë, ata e marrin më kot emrin e Perëndisë. Ata e përdhosin emrin e Birit të Tij të Dashur. Ata e përlyejnë dhuratën e shenjtë që erdhi nëpërmjet shugurimit, dhe autoritetin, të cilin e kanë humbur për shkak të shkeljes. …
… Unë ngre një zë paralajmërues për të gjithë, djemtë dhe burrat, që t’i largohen mëkatit. Shkelja nuk përputhet me autoritetin hyjnor. Shmangeni pornografinë ashtu siç do të shmangnit murtajën. Shmangeni mëkatin seksual të çfarëdo niveli. Largohuni nga pandershmëria dhe mashtrimi. Unë ju përgjërohem që të frenoni çfarëdo elementi të krenarisë apo të ambicies së kotë. Ju kërkoj që ta shqyrtoni veten tuaj, për t’u siguruar që të mos mbani asnjë lloj qëndrimi sundues apo detyrues ndaj grave tuaja ose fëmijëve tuaj. …
… Kam bindjen se Ati ynë në Qiell nuk është i kënaqur me asnjë burrë ose djalë që e pranon shugurimin dhe më pas shkon pas së ligës. Në vetë procesin e pranimit të shugurimit, ai hyn në një betim e besëlidhje midis vetvetes dhe Perëndisë së tij.14
Asnjë njeri, qoftë i ri apo i moshuar, nuk po jeton në lartësinë e standardeve të priftërisë kur e poshtëron apo e ul natyrën femërore, kur nuk ia del të pajtohet me atë masë të respektit ndaj bijave të Perëndisë, me të cilën Ati ynë në qiell do të donte që ai të pajtohej.15
Le të jemi bashkëshortë dhe baballarë të mirë. Çdo burrë që është tiran në vetë shtëpinë e tij, është i padenjë për priftërinë. Ai nuk mund të jetë një mjet i përshtatshëm në duart e Zotit kur nuk tregon respekt dhe dashamirësi e dashuri ndaj shoqes që ka zgjedhur. Po ashtu, cilido burrë që është një shembull i keq për fëmijët e tij, që nuk mund ta kontrollojë temperamentin e tij ose që përfshihet në praktika të pandershme apo të pamoralshme, do të zbulojë se fuqia e priftërisë së tij është shfuqizuar.16
Bashkëshortja që ju zgjidhni, do të jetë e barabartë me ju. … Ajo nuk është shërbëtorja juaj, prona juaj, as asgjë tjetër e këtij lloji. Sa tragjik dhe plotësisht i neveritshëm është fenomeni i dhunimit të bashkëshortes. Cilido burrë në Kishë që e dhunon bashkëshorten e tij, që e poshtëron atë, që e fyen atë, që ushtron sundim të padrejtë mbi të, është i padenjë për ta mbajtur priftërinë. Edhe pse ai mund të jetë shuguruar, qiejt do të tërhiqen, Shpirti i Zotit do të hidhërohet dhe amen autoritetit të priftërisë së atij njeriu. Cilido burrë që përfshihet në këtë praktikë, është i padenjë për të mbajtur një rekomandim tempulli. …
… Nëse ka ndonjë njeri … që është fajtor për një sjellje të tillë, ju bëj thirrje të pendoheni. Uluni në gjunjë dhe kërkojini Zotit që t’ju falë. Lutjuni Atij që të keni fuqinë për ta kontrolluar gjuhën dhe dorën tuaj të rëndë. Kërkojini falje bashkëshortes suaj dhe fëmijëve tuaj. …
Kam besimin se, kur të qëndrojmë përpara shufrës së Perëndisë, do të përmendet pak se sa pasuri kemi grumbulluar në jetë apo ndonjë nderim që mund të kemi marrë. Por do të ketë pyetje të hollësishme lidhur me marrëdhëniet tona familjare. Jam i bindur se vetëm ata që kanë ecur në jetë me dashuri dhe respekt e vlerësim për bashkëshortet dhe fëmijët e tyre, do të marrin nga gjykatësi ynë i përjetshëm fjalët: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; … hyr në gëzimin e zotit tënd” (Mateu 25:21).17
5
Një kuorum priftërie mund të jetë një spirancë force për anëtarët e tij.
Kam besimin se Zoti kishte për qëllim që një kuorum priftërie duhet të ishte shumë më tepër se një orë mësimore teologjie në mëngjeset e së dielës. Natyrisht, ndërtimi i shpirtshmërisë dhe forcimi i dëshmisë nëpërmjet mësimdhënies së efektshme të ungjillit është një përgjegjësi e rëndësishme e priftërisë. Por ky është vetëm një segment i funksionit të kuorumit. Çdo kuorum duhet të jetë një vëllazëri aktive për çdo anëtar nëse duhet që të realizohet qëllimi i tij. …
… Kuorumi i priftërisë është organizata e Zotit për burrat e Kishës, pikërisht si Shoqata e Ndihmës është organizata e Zotit për gratë e Kishës. Çdo organizatë, midis përgjegjësive të saj, si arsye themelore për ekzistencën e saj, ka ndihmën ndaj atyre në nevojë.
Kur u organizua Shoqata e Ndihmës, Profeti Jozef Smith tha për gratë e Shoqatës: “Ato do të fluturojnë në ndihmë të të huajit; ato do t’ia lajnë me vaj dhe me verë zemrën e plagosur të pikëlluarit; ato do të thajnë lotët e jetimit dhe do ta bëjnë të gëzojë zemrën e së vesë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 482]. Do të shpresoja që e njëjta gjë të mund të thuhej për burrat e priftërisë.
Do të jetë një ditë e mrekullueshme … kur kuorumet tona të priftërisë të bëhen një spirancë force për çdo burrë që bën pjesë në to, kur çdo burrë i tillë të mund të jetë në gjendje të thotë me vend: “Unë jam anëtar i një kuorumi priftërie të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Unë qëndroj gati për t’i ndihmuar vëllezërit e mi në të gjitha nevojat e tyre, siç jam i sigurt se ata janë gati të më ndihmojnë në të miat. Duke punuar së bashku, ne do të rritemi shpirtërisht si bij besëlidhës të Perëndisë. Duke punuar së bashku, ne mund t’i bëjmë ballë, pa siklet dhe pa frikë, çdo ere mbrapshtie që mund të fryjë, qoftë ajo ekonomike, shoqërore apo shpirtërore.”18
6
Në shtëpi dhe Kishë, burrat dhe gratë punojnë së bashku për ta çuar përpara mbretërinë e Zotit.
Burrat mbajnë priftërinë, po. Por bashkëshortja ime është shoqja ime. Në këtë Kishë burri nuk ecën as përpara bashkëshortes së tij, as pas bashkëshortes së tij, por në krah të saj. Ata janë të barabartë së bashku në këtë jetë në një sipërmarrje madhështore.19
Te gratë e kësaj Kishe ka forcë dhe zotësi të madhe. Ka udhëheqje dhe drejtim, një lloj fryme të pavarur dhe prapëseprapë kënaqësi të madhe në të qenit pjesë e kësaj, e mbretërisë së Zotit, dhe në të punuarin krah për krah me [mbajtësit e] priftërisë për ta çuar atë përpara.20
E falënderoj Atin tim të Amshuar për rivendosjen e priftërisë së shenjtë, që “çdo njeri të mund të flasë në emër të Perëndisë, Zotit, madje Shpëtimtarit të botës” (DeB 1:20). E kam parë bukurinë dhe mrekullinë e asaj priftërie në qeverisjen e kësaj kishe të shquar. E kam ndier fuqinë e saj të buronte nëpërmjet meje për bekimin dhe shërimin e të sëmurëve. E kam parë fisnikërimin që u ka dhënë burrave të përulur, të cilët ishin thirrur në përgjegjësi të mëdha e serioze. E kam parë këtë kur ata kanë folur me fuqi e autoritet nga lart sikur zëri i Perëndisë të ishte duke folur nëpërmjet tyre.
E falënderoj Zotin për dëshminë që më ka dhënë për plotësinë e ungjillit, për gjerësinë dhe shtrirjen, dhe thellësinë e tij. Ai është hartuar që t’i bekojë bijtë dhe bijat e të gjithë brezave të kohës – si të gjallët edhe të vdekurit.21
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Rishikojini mësimet e Presidentit Hinkli në pjesën 1 rreth rivendosjes së priftërisë. Cilat përvoja ju kanë ndihmuar të merrni një dëshmi të këtyre të vërtetave?
Presidenti Hinkli dha mësim: “Priftëria e shenjtë mbart në vetvete autoritetin për të qeverisur në çështjet e mbretërisë së Perëndisë në tokë” (pjesa 2). Si zbatohet kjo e vërtetë në kunjet dhe lagjet? në kuorumet? në Shoqatën e Ndihmës? Si e forcon autoriteti i priftërisë shërbimin tuaj në mbretërinë e Perëndisë?
Në pjesën 3, rishikojini bekimet që të gjithë ne mund të marrim nëpërmjet priftërisë. Si i keni përjetuar fuqinë dhe bekimet e priftërisë?
Çfarë mund të mësojmë nga mësimet e Presidentit Hinkli rreth dallimit midis autoritetit të priftërisë dhe fuqisë së priftërisë? (Shih pjesën 4.) Si mendoni ju, çfarë do të thotë për një udhëheqës priftërie të jetë “[i] vërtetë ndaj më të mirës që [ka] brenda vetes së [tij]”? Përse mbajtësit e priftërisë “nuk [duhet] të jetoj[n]ë vetëm për veten e [tyre]”?
Në pjesën 5, çfarë ju bën përshtypje në përshkrimet e Presidentit Hinkli për kuorumet e priftërisë dhe për Shoqatën e Ndihmës? Çfarë mund të bëjmë në lagjen ose degën tonë për ta ndjekur këshillën e tij?
Përse burrat dhe gratë duhet të punojnë së bashku si “të barabartë” për ta kryer punën e Zotit? (Shih pjesën 6.)
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Hebrenjve 5:1–4; 1 Nefi 14:12–14; Alma 13:1–9; DeB 84:33–44; 88:133; 112:30–32
Ndihmë për Mësimdhënien
“Bëni pyetje të cilat kërkojnë që nxënësit t’i gjejnë përgjigjet te shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 62).