Hyrje
Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kanë krijuar serinë Mësime të Presidentëve të Kishës për t’ju ndihmuar t’i afroheni Atit tuaj Qiellor dhe të thelloni kuptimin tuaj mbi ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Ndërkohë që Kisha i shton vëllime të reja kësaj serie, ju do të krijoni një koleksion librash me referime të ungjillit për shtëpinë tuaj. Këta libra janë hartuar që të përdoren për studim vetjak dhe si burime për mësimdhënien. Ato mund t’ju ndihmojnë gjithashtu për të përgatitur mësime për mbrëmje familjare, për të përgatitur mësime ose biseda të tjera dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi doktrinën e Kishës.
Ky libër paraqet mësime të Presidentit Gordon B. Hinkli, i cili shërbeu si President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nga 12 marsi 1995 deri më 27 janar 2008.
Studimi Vetjak
Ndërsa i studioni mësimet e Presidentit Gordon B. Hinkli, kërkoni plot lutje frymëzimin e Frymës së Shenjtë. Pyetjet në fund të çdo kapitulli do t’ju ndihmojnë të përsiatni mbi mësimet e Presidentit Hinkli, t’i kuptoni dhe t’i zbatoni ato. Idetë vijuese mund të jenë gjithashtu të dobishme:
Shkruajini mendimet dhe ndjenjat që ju vijnë nga Fryma e Shenjtë ndërsa studioni.
Nënvizoni fragmente që dëshironi t’i mbani mend. Merreni parasysh t’i mësoni përmendsh këto fragmente ose t’i shënoni në shkrimet tuaja të shenjta pranë vargjeve me të cilët lidhen.
Lexojeni mbi një herë një kapitull ose fragment, në mënyrë që të mund ta kuptoni më thellësisht.
Bëjini vetes pyetje si këto: “Si e rritin mësimet e Presidentit Hinkli të kuptuarin e parimeve të ungjillit prej meje?” ose “Çfarë dëshiron Zoti që unë të mësoj nga këto mësime? Çfarë do Ai që unë të bëj?”
Pyeteni veten se si mund t’ju ndihmojnë mësimet në këtë libër lidhur me sfidat dhe shqetësimet vetjake.
Ndajeni atë çfarë mësoni me anëtarë të familjes dhe miq.
Mësimdhënia nga Ky Libër
Orientimet e mëposhtme do t’ju ndihmojnë të jepni mësim nga ky libër qoftë në shtëpi apo në kishë.
Përgatituni të Jepni Mësim
Kërkoni udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim. Studiojeni kapitullin që të bëheni të sigurt për kuptueshmërinë tuaj për mësimet e Presidentit Hinkli dhe me lutje përzgjidhni mësimet që mendoni se do të jenë më ndihmueset.
Ju mund të dëshironi t’i nxitni ata të cilëve u jepni mësim, që ta studiojnë vetë kapitullin dhe t’i kushtojnë vëmendje të veçantë pjesës “Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie” në fund të kapitullit.
Nxiteni Diskutimin mbi Mësimet e Presidentit Hinkli
Ndërsa jepni mësim nga ky libër, ftojini të tjerët të shprehin mendimet e tyre, të bëjnë pyetje, të dëshmojnë dhe të mësojnë njëri-tjetrin. Kur marrin pjesë aktivisht, ata do të jenë më të përgatitur të mësojnë dhe të marrin zbulesë vetjake.
Lejoni të vazhdojnë diskutime të mira në vend që të përpiqeni t’i trajtoni të gjitha mësimet. Drejtojini diskutimet në atë mënyrë që t’i ndihmoni pjesëmarrësit t’i lexojnë mësimet e Presidentit Hinkli dhe të zbulojnë mënyra se si t’i zbatojnë ato mësime në jetën e tyre.
Pyetjet në fund të çdo kapitulli janë një burim i çmuar për të nxitur diskutimin. Ju gjithashtu mund të hartoni vetë pyetjet tuaja veçanërisht për ata që po u jepni mësim. Disa ide të tjera për të nxitur diskutim jepen më poshtë:
Kërkojuni pjesëmarrësve të tregojnë se çfarë kanë mësuar nga studimi i tyre vetjak i kapitullit.
Caktojuni pyetje të përzgjedhura nga fundi i kapitullit individëve ose grupeve të vogla. Thuajuni pjesëmarrësve të kërkojnë në kapitull mësime që lidhen me pyetjet. Pastaj ftojini të japin mendimet dhe pikëpamjet e tyre.
Lexojini së bashku disa nga mësimet e Presidentit Hinkli në kapitull. Kërkojuni pjesëmarrësve të tregojnë shembuj nga shkrimet e shenjta dhe nga vetë përvojat e tyre që lidhen me ato mësime.
Kërkojuni pjesëmarrësve të zgjedhin një pjesë dhe ta lexojnë në heshtje. Ftojini ata të mblidhen në grupe prej dy ose tri vetash që zgjedhin të njëjtën pjesë, dhe të diskutojnë për atë që kanë mësuar.
Nxiteni Zbatimin dhe Tregimin
Mësimet e Presidentit Hinkli do të jenë shumë kuptimplote kur individët i zbatojnë ato në jetën e tyre dhe ua tregojnë ato të tjerëve. Ju mund të dëshironi të përdorni njërën ose më shumë nga idetë vijuese:
Pyetini pjesëmarrësit se si ata mund t’i zbatojnë mësimet e Presidentit Hinkli në përgjegjësitë e tyre në shtëpi, në Kishë dhe në mjedise të tjera.
Ftojini pjesëmarrësit të tregojnë përvojat që kanë pasur ndërsa kanë ndjekur këshillën e Presidentit Hinkli.
Nxitini pjesëmarrësit t’ua tregojnë disa nga mësimet e Presidentit Hinkli anëtarëve të familjes dhe miqve.
Përmbylleni Diskutimin
Përmblidheni shkurtimisht mësimin ose kërkojuni një apo dy pjesëmarrësve ta bëjnë këtë. Dëshmoni për mësimet që keni diskutuar, dhe nxitini pjesëmarrësit që t’i zbatojnë ato që kanë mësuar. Gjithashtu mund të dëshironi të ftoni të tjerë të japin dëshmitë e tyre.
Informacion mbi Materialet Burimore
Mësimet në këtë libër janë citime të drejtpërdrejta nga predikimet, shkrimet dhe intervistat e Presidentit Gordon B. Hinkli. Citimet nga burime të botuara kanë ruajtur shenjat e pikësimit, drejtshkrimin, përdorimin e germës së madhe dhe ndarjen në paragrafë të burimeve origjinale, përveç nëse kanë qenë të nevojshme ndryshime redaktuese ose tipografike për të përmirësuar lexueshmërinë. Ngaqë citimet e ruajnë besnikërinë ndaj burimeve të publikuara, mund të vëreni mospërputhje të vogla stilistike në tekst. Për shembull, përemra që lidhen me Hyjni fillojnë me germë të vogël në disa citate dhe me të madhe në të tjera.
Presidenti Hinkli i përdorte shpesh termat burra, burrë dhe njerëzim për të përmendur të gjithë njerëzit, si meshkujt ashtu edhe femrat. Ai shpesh i përdorte përemrat ai, i/e tij dhe atë për të përmendur të dy gjinitë. Këto konvencione gjuhësore qenë të zakonshme në kohën e tij.