Mësime të Presidentëve
Kapitulli 20: Shoqërimi me Ata, të Cilët Nuk Janë të Besimit Tonë


Kapitulli 20

Shoqërimi me Ata, të Cilët Nuk Janë të Besimit Tonë

“Le të afrohemi për të ndihmuar burra e gra me vullnet të mirë, cilatdo qofshin bindjet e tyre fetare dhe kudo që ata të jetojnë.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

Duke folur në një konferencë të udhëheqësve fetarë në nëntor të vitit 1994, Presidenti Gordon B. Hinkli tha:

“Ne jemi të bindjeve të ndryshme doktrinore. Teksa i dallojmë ndryshimet tona teologjike, unë mendoj se ne jemi të një mendjeje në ndërgjegjësimin tonë ndaj ligësive e problemeve të botës dhe të shoqërisë në të cilën jetojmë, dhe ndaj përgjegjësisë e mundësisë sonë të madhe për të qëndruar të bashkuar për ato cilësi në jetën publike dhe private, të cilat flasin për virtytin dhe moralin, për respektin ndaj të gjithë burrave e grave si fëmijë të Perëndisë, ndaj nevojës për qytetari e mirësjellje në marrëdhëniet tona dhe për ruajtjen e familjes si njësia bazë e shoqërisë, e shuguruar në mënyrë hyjnore.

… Ne të gjithë e mbartim në zemrat tona një dëshirë për t’i ndihmuar të varfrit, për t’i ngritur moralisht të shqetësuarit, për t’u dhënë ngushëllim, shpresë e ndihmë atyre që janë në vështirësi e dhembje pavarësisht nga shkaku.

Ne e dallojmë nevojën për t’i shëruar plagët e shoqërisë dhe për ta zëvendësuar me optimizëm e besim pesimizmin e kohëve tona. Duhet të dallojmë se nuk ka nevojë për fajësim të ndërsjellë apo kritikë kundrejt njëri-tjetrit. Ne duhet ta përdorim ndikimin tonë për t’i qetësuar zërat e grindjes së zemëruar dhe hakmarrëse.

… Forca jonë qëndron te liria jonë për të zgjedhur. Ka forcë madje në vetë larminë tonë. Por ka forcë më të madhe në urdhrin e dhënë nga Perëndia secilit prej nesh që të punojmë për lartësimin dhe bekimin e të gjithë bijve dhe bijave të Tij, pavarësisht nga origjina e tyre etnike ose kombëtare apo nga ndryshime të tjera. …

Zoti na bekoftë për të punuar së bashku që t’i heqim nga zemrat tona dhe t’i largojmë nga shoqëria jonë tërë elementet e urrejtjes, fanatizmit, racizmit dhe fjalë e veprime të tjera përçarëse. Vërejtja lënduese, fyerja raciale, epitetet urryese, thashethemet plot ligësi dhe shpërndarja e shpifjeve dashakeqëse dhe të ashpra nuk duhet të kenë vend mes nesh.

Perëndia na bekoftë të gjithëve me paqen që vjen prej Tij! Na bekoftë Ai me zemra falënderuese dhe me vullnetin që të shoqërohemi së bashku me respekt njëri për tjetrin, duke i bashkuar përpjekjet tona për bekimin e komuniteteve ku jemi me fat të jetojmë.”1

Një vit pas dhënies së këtij mesazhi, Presidenti Hinkli i foli një grupi udhëheqësish laikë. Ishte një grup i vogël – vetëm rreth 30 veta – por ishte një grup me ndikim shumë të zgjeruar: presidentë, kryeredaktorë, producentë dhe reporterë që përfaqësonin stacionet më kryesore të lajmeve në Shtetet e Bashkuara. Me një “bashkëbisedim të këndshëm dhe nganjëherë me humor”, ai dha “një përmbledhje të synimit ndërkombëtar të Kishës, bëri komente mbi përpjekjet e saj misionare, humanitare dhe arsimore e më pas u ofrua t’u përgjigjej pyetjeve. … Ai iu përgjigj secilës pyetjeje çiltërsisht dhe pa ngurrim apo ndonjë grimë ngathtësie.” Pjesëmarrësit shprehën njëfarë habie me çiltërsinë e tij, të cilës ai iu përgjigj se e vetmja gjë që nuk do ta diskutonte, ishin hollësitë e ordinancave të shenjta të tempullit. “Dera është gjerësisht e hapur për çdo gjë tjetër”, tha ai.

Në një pikë të pjesës pyetje-dhe-përgjigje, Majk Uollasi, një gazetar me përvojë i emisionit televiziv 60 Minutes [60 Minuta], tha se donte të bënte një reportazh të posaçëm mbi Presidentin Hinkli. Presidenti Hinkli u ndal dhe më pas u përgjigj: “Faleminderit. Do ta provoj.”2

Presidenti Hinkli më vonë e pranoi se kishte njëfarë ngurrimi për intervistimin nga Majk Uollasi, i cili kishte një famë si një gazetar i sertë. Ai shpjegoi përse kishte rënë dakord për intervistën pavarësisht nga ngurrimi i tij:

“Ndjeva se ajo ofroi mundësinë për t’ua paraqitur disa aspekte pohuese të kulturës dhe mesazhit tonë milionave të shumta të njerëzve. Arrita në përfundimin se ishte më mirë që të përkulesha drejt erës së ashpër të mundësisë sesa thjesht të strukesha dhe të mos bëja asgjë.”3

Intervista me pyetje të një tematike të gjerë përfshiu bashkëbisedimin vijues:

Z. Uollas: “Çfarë ndieni për jomormonët?”

Presidenti Hinkli: “Dashuri dhe respekt. Kam shumë miq jomormonë. Kam respekt për ta. Kam admirimin më të madh për ta.”

Z. Uollas: “Pavarësisht nga fakti që ata ende nuk e kanë parë me të vërtetë dritën?”

Presidenti Hinkli: “Po. Çdonjërit që nuk është i kësaj Kishe, unë i them se ne i dallojmë të gjitha virtytet dhe mirësinë që ju e keni. Silleni me vete dhe shihni nëse mund t’i shtojmë asaj.”4

Deri në kohën kur mbaroi procesi i intervistës, Presidenti Hinkli dhe Majk Uollasi ishin bërë miq. Z. Uollas foli për Presidentin Hinkli si një “udhëheqës miqësor, plot mendim, i hijshëm dhe optimist”, i cili “tërësisht e meriton admirimin pothuajse mbarëbotëror që ai merr”5.

misionarë duke shërbyer

Presidenti Hinkli na nxiti të bashkohemi me ata që nuk janë të besimit tonë, “për kauza të mira të komunitetit”.

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Kur e sjellim ndërmend që të gjithë njerëzit janë fëmijë të Perëndisë, ne përfshihemi më shumë për t’i lartësuar e ndihmuar njerëzit që janë mes nesh.

Ne nuk duhet të harrojmë kurrë se jetojmë në një botë me larmi të madhe. Njerëzit e tokës janë të gjithë fëmijët e Atit tonë dhe vijnë nga bindje fetare të shumta e të ndryshme. Ne duhet të kultivojmë tolerancë e vlerësim dhe ta respektojmë njëri-tjetrin.6

Nuk ka nevojë në asnjë vend për konflikt midis grupeve të ndryshme të çfarëdo lloji. Le të jepet mësim në shtëpitë e njerëzve që ne jemi të gjithë fëmijë të Perëndisë, Atit tonë të Amshuar, dhe që me aq siguri sa ka atësi, mund të ketë dhe duhet të ketë vëllazëri.7

Nëse do t’i mbanim përpara vetes vazhdimisht ato pamje të trashëgimisë hyjnore, të atësisë së Perëndisë dhe të vëllazërisë së njerëzve si realitete, ne do të ishim pak më tolerantë, pak më të mirësjellshëm, pak më të afruar për t’i lartësuar, ndihmuar e përkrahur njerëzit mes nesh. Ne do të ishim më pak të prirur që të binim në ato gjëra të cilat janë krejtësisht të papërshtatshme për ne. Ne jemi fëmijë të Perëndisë dhe e duam Atë. Veproni pak më shumë në atë mënyrë.8

2

Ne duhet të jetojmë me respekt, vlerësim e miqësi ndaj njerëzve që nuk janë të besimit tonë.

“Ne shpallim privilegjin e adhurimit të Perëndisë së Plotfuqishëm në përputhje me zërin e ndërgjegjes sonë dhe u lejojmë të gjithë njerëzve të njëjtin privilegj, që ata duhet të adhurojnë si, ku dhe çfarë të zgjedhin” (Nenet e Besimit 1:11).

Sa shumë e rëndësishme është ajo – që, teksa besojmë në adhurimin e Perëndisë sipas doktrinës sonë, ne nuk bëhemi arrogantë ose të vetëkënaqur apo krenarë, por që u shtrijmë të tjerëve privilegjin e adhurimit sipas dëshirave të tyre. Shumë shqetësim në botë vjen nga konflikti midis feve. Jam i lumtur që jam në gjendje të them se unë mund të ulem me miqtë e mi katolikë dhe të flas me ta, që mund të ulem me miqtë e mi protestantë dhe të flas me ta. Unë do të qëndroj në mbrojtjen e tyre, sikurse ka bërë dhe do të vazhdojë të bëjë kjo Kishë, në mbrojtjen e tyre në këtë botë.9

Iu lutem njerëzve tanë kudo që të jetojnë me respekt e vlerësim për ata që nuk janë të besimit tonë. Ka një nevojë kaq të madhe për qytetari dhe respekt të ndërsjellë mes njerëzve të besimeve dhe filozofive të ndryshme. Nuk duhet të jemi përkrahës të çfarëdo doktrine të epërsisë etnike. Ne jetojmë në një botë larmie. Mund dhe duhet të jemi plot respekt ndaj atyre me mësimet e të cilëve mund të mos jemi dakord. Duhet të jemi të gatshëm t’i mbrojmë të drejtat e atyre që mund të bëhen viktimat e fanatizmit.

Jua tërheq vëmendjen te këto fjalë të fuqishme të Jozef Smithit, të thëna në vitin 1843:

“Nëse është treguar se unë kam qenë i gatshëm të vdes për një ‘mormon’, nuk trembem të deklaroj përpara Qiellit se jam po aq i gatshëm që të vdes në mbrojtje të të drejtave të një presbiteriani, baptisti, ose një njeriu të mirë të cilësdo feje tjetër; sepse i njëjti parim që do të nëpërkëmbte të drejtat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme do të nëpërkëmbte të drejtat e katolikëve romanë, ose të çfarëdo feje tjetër” (History of the Church, 5:498).10

Nuk duhet të jemi të veçuar. Nuk duhet të përvetësojmë kurrë një sjellje sikur të jemi më të shenjtë se të tjerët. Nuk duhet të jemi të vetëkënaqur. Duhet të jemi shpirtmëdhenj, të çiltër dhe miqësorë. Mund ta ruajmë besimin tonë. Mund ta ushtrojmë fenë tonë. Mund të gëzohemi me metodën tonë të adhurimit pa qenë fyes ndaj të tjerëve. Po e përdor këtë rast që të lutem për një shpirt tolerance e fqinjësie, miqësie e dashurie ndaj njerëzve të besimeve të tjera.11

Nuk duhet të grindemi teksa flasim për ndryshime doktrinore. Nuk ka vend për ashpërsi. Por ne kurrë nuk mund të heqim dorë apo të bëjmë kompromis me atë dituri që na ka ardhur nëpërmjet zbulesës dhe dhënies së drejtpërdrejtë të çelësave dhe autoritetit nga duart e atyre që i mbajtën ato në lashtësi. Kurrë mos harrofshim që kjo është një rivendosje e asaj që u krijua nga Shpëtimtari i botës. …

Ne mund t’i respektojmë fetë e tjera dhe duhet të bëjmë kështu. Duhet ta dallojmë të mirën e madhe që e kryejnë ato. Duhet t’i mësojmë fëmijët tanë të jenë tolerantë dhe miqësorë ndaj atyre që nuk janë të besimit tonë.12

Nuk duhet të përpiqemi t’i dëmtojmë kishat e tjera. Nuk duhet të përpiqemi t’i lëndojmë kishat e tjera. Nuk grindemi me kishat e tjera. Nuk bëjmë debate me kishat e tjera. Ne thjesht u themi atyre që mund t’u përkasin besimeve të tjera fetare apo që nuk i përkasin asnjë besimi: “Silleni me vete të vërtetën të tillë siç e keni dhe le të shohim nëse mund t’i shtojmë asaj”.13

3

Pa bërë kompromis me doktrinën tonë, ne mund të veprojmë me të tjerët në kauza të mira.

Ne mund të bashkëveprojmë dhe vërtet bashkëveprojmë me njerëz të feve të tjera në veprimtaritë e larmishme në betejën e përhershme kundër ligësive shoqërore, të cilat i kërcënojnë vlerat e çmuara që janë kaq të rëndësishme për ne të gjithë. Këta njerëz nuk janë të besimit tonë, por ata janë miqtë, fqinjët dhe bashkëpunëtorët tanë në një larmi çështjesh. Jemi të kënaqur që t’ua shtojmë forcën tonë përpjekjeve të tyre.

Por në të gjithë këtë nuk ka kompromis doktrinor. Nuk është e nevojshme të ketë dhe as nuk duhet të ketë [kompromis] nga ana jonë. Por ka një shkallë shoqërie teksa punojmë së bashku.14

Nuk duhet të harrojmë që ne besojmë në të qenit mirëdashës dhe në bërjen mirë të gjithë njerëzve. Jam i bindur që ne mund t’u japim mësim fëmijëve tanë me mjaftueshëm efektshmëri se nuk duhet të kemi frikë se do ta humbasin besimin e tyre ndërkohë që janë miqësorë dhe të vëmendshëm me ata që nuk e besojnë doktrinën e kësaj Kishe. … Le të përfshihemi në kauza të mira të komunitetit. Mund të ketë situata ku, me çështjet morale serioze që përfshihen, ne nuk mund të bëjmë kompromis për çështje parimi. Por në raste të tilla, ne me mirësjellje mund të mos biem dakord, pa qenë të pakëndshëm. Ne mund ta dallojmë sinqeritetin e atyre, pikëpamjet e të cilëve nuk mund t’i pranojmë. Mund të flasim për parime në vend që të flasim për personalitete.

Në ato kauza që e përmirësojnë mjedisin e komunitetit dhe që janë krijuar për bekimin e gjithë qytetarëve të tij, le të dalim përpara dhe të jemi të dobishëm. …

… Mësojuni atyre për të cilët jeni përgjegjës, rëndësinë e mënyrave të mira shoqërore. Nxitini të përfshihen, duke mbajtur mend në diskutimet publike se zëri i qetë i arsyetimit logjik është më bindës sesa zëri i zhurmshëm, bërtitës i kundërshtimit. Nëpërmjet pranimit të përgjegjësive të tilla njerëzit tanë do t’i bekojnë komunitetet e tyre, familjet e tyre dhe Kishën.15

gra duke u përqafuar

“Mirësia jonë mund të jetë argumenti më bindës për atë që besojmë.”

Kurrë nuk duhet t’u dorëzohemi forcave të ligësisë. Ne mund dhe duhet t’i mbajmë standardet, të cilat kjo Kishë i ka mbrojtur që kur u organizua. Ka një mënyrë më të mirë sesa mënyra e botës. Nëse nënkupton që të qëndrojmë të vetëm, ne duhet ta bëjmë atë.

Por nuk do të jemi të vetëm. Kam besim se gjenden miliona njerëz anembanë botës, të cilët hidhërohen prej ligësisë që e shohin përreth tyre. Ata i duan gjërat e virtytshme, të mira dhe lartësuese. Ata gjithashtu do t’i ngrenë zërat e tyre dhe do të japin nga forca e tyre për ruajtjen e atyre vlerave, të cilat janë të denja për ruajtje dhe kultivim.16

Le të lutemi për forcat e së mirës. Le të përfshihemi për të ndihmuar burra e gra me vullnet të mirë, cilatdo qofshin bindjet e tyre fetare dhe kudo që ata jetojnë. Le të qëndrojmë të palëkundur kundrejt ligësisë, si në shtëpi ashtu edhe jashtë saj. … Ne mund të jemi një ndikim për mirë në këtë botë, secili prej nesh.17

4

Kur i trajtojmë të tjerët me dashuri, respekt e mirësi, ne tregojmë se jemi dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit.

Kur e çojmë përpara misionin tonë dallues, ne punojmë nën urdhrin e dhënë nga Zoti i ringjallur, i cili ka folur në këtë periudhë të fundit dhe përfundimtare të kujdestarisë ungjillore. Kjo është kauza e Tij e pashoqe dhe e mrekullueshme. Ne japim dëshmi dhe dëshmim për Të. Por nuk është e nevojshme ta bëjmë këtë me arrogancë dhe vetëkënaqësi.

Sikurse e shprehu Pjetri, ne jemi një “fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar”. Përse? Që ne të mund “të shpall[im] mrekullitë e atij që [na] thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme” (1 Pjetër 2:9). …

… Qofshim dishepuj të vërtetë të Krishtit, duke e zbatuar Rregullën e Artë, duke u bërë të tjerëve atë që do të donim të na bënin ata. E forcofshim vetë besimin tonë dhe atë të fëmijëve tanë, ndërkohë që jemi të hirshëm ndaj atyre që nuk janë të besimit tonë. Dashuria dhe respekti do ta mposhtin çdo element të armiqësisë. Mirësia jonë mund të jetë argumenti më bindës për atë që besojmë.18

Dua të sugjeroj që ne të zhvillojmë një sjellje afërsie për t’i ndihmuar ata që nuk janë si ne, që t’i nxitim ata, t’i udhëheqim ata në një mënyrë të hirshme dhe të mirësjellshme drejt atyre lidhjeve që mund t’ua paraqitin programet e mrekullueshme të Kishës.

Mendoj për poemën e Eduin Markamit:

Bëri një rreth që jashtë më la –

Heretik, rebel, gjë e përçmuar.

Por Dashuria dhe unë kishim urtësinë të fitonim:

Bëmë një rreth dhe atë e përfshim’!19

Sigurisht nuk nevojitet të jemi mburracakë rreth [fesë sonë] apo të jemi arrogantë në çfarëdo mënyre. Një gjë e tillë bëhet një mohim i Shpirtit të Krishtit, të cilin ne duhet të përpiqemi ta nxitim. Ai Shpirt gjen shprehje brenda zemrës e qenies, në mënyrën e qetë dhe pa mburrje të jetës sonë.

Ne të gjithë i kemi parë ata, të cilët pothuajse i kemi zili ngaqë e kanë kultivuar atë mënyrë që, madje pa e përmendur, flet për bukurinë e ungjillit, të cilin e kanë ndërthurur në sjelljen e tyre.

Mund t’i ulim zërat tanë pak më shumë decibelë. Mund t’i përgjigjemi ligësisë me mirësi. Mund të buzëqeshim kur zemërimi mund të jetë shumë më i lehtë. Mund të ushtrojmë vetëkontroll e vetëdisiplinë dhe ta lëmë mënjanë çdo tallje që mund të drejtohet ndaj nesh.20

A e dallojmë me të vërtetë, a e kuptojmë domethënien e jashtëzakonshme të asaj që kemi? Ky është kulmi përmbledhës i brezave të njerëzve, kapitulli përfundues i të gjithë panoramës së përvojës njerëzore.

Por kjo nuk na vendos në një pozitë epërsie. Përkundrazi, duhet të na bëjë të përulur. Ajo vendos mbi ne një përgjegjësi të pafalshme për t’iu afruar me shqetësim të gjithë të tjerëve sipas Shpirtit të Mësuesit, i cili na mësoi: “Duaje të afërmin tënd si veten tënde” (Mateu 19:19). Ne duhet ta flakim vetëkënaqësinë dhe të ngrihemi mbi interesin e ngushtë vetjak. …

Ne të këtij brezi jemi korrja përfundimtare e gjithçkaje që ka ndodhur më përpara. Nuk mjafton që thjesht të njihesh si anëtar i kësaj Kishe. Një detyrim solemn qëndron mbi ne. Le ta pranojmë atë dhe të punojmë për të.

Ne duhet të jetojmë si pasues të vërtetë të Krishtit, me dashuri hyjnore kundrejt gjithë njerëzve, duke iu përgjigjur ligësisë me mirësi, duke i dhënë mësim me anë të shembullit mënyrat e Zotit dhe duke kryer shërbimin e madh që Ai e ka përvijuar për ne.21

Nga lutja përkushtuese për Qendrën e Konferencave në Solt-Lejk-Siti të Jutës: Qofshim ne të Kishës Tënde mikpritës dhe të hirshëm! Ruajtshim standardet dhe praktikat për të cilat jemi të njohur, dhe iu dhënshim të tjerëve privilegjin e adhurimit cilët, “ku dhe çfarë të zgjedhin” [Nenet e Besimit 1:11]! Na beko që t’i përshijmë si fqinjë të mirë dhe të jemi ndihmues ndaj të gjithë njerëzve. I ngritshim lart duart dhe i forcofshim gjunjët e këputur të cilitdo në shqetësim [shih DeB 81:5]! Jetofshim të gjithë së bashku në paqe, me vlerësim e respekt njëri për tjetrin!22

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Në marrëdhëniet tona me të tjerët, përse është e dobishme të kujtojmë se jemi të gjithë fëmijë të Perëndisë? (Shih pjesën 1.) Si mund të kultivojmë vlerësim dhe respekt më të madh për të tjerët? Si munden të rriturit t’u japin mësim fëmijëve që t’i vlerësojnë e respektojnë të tjerët?

  • Rishikojeni këshillën e Presidentit Hinkli rreth marrëdhënieve tona me njerëzit që nuk janë të besimit tonë (shih pjesën 2). Si mund ta dallojmë nëse po shfaqim arrogancë ose vetëkënaqësi në këto marrëdhënie? Si mund të tregojmë miqësi e dashuri më të madhe kundrejt atyre që kanë bindje të ndryshme fetare?

  • Përse është e rëndësishme që anëtarët e Kishës të punojnë së bashku me njerëz të tjerë për kauza të mira? (Shih pjesën 3.) Cilët janë disa shembuj të përpjekjeve të tilla? Si mund të bëhemi një ndikim më i madh për mirë në komunitetin tonë?

  • Çfarë mund të mësojmë rreth dishepullimit nga mësimet e Presidentit Hinkli në pjesën 4? Si i keni parë dashurinë dhe respektin t’i mposhtin ndjenjat e armiqësisë? Përse është sjellja jonë ndaj të tjerëve “argumenti më bindës për atë që besojmë”? Merrni parasysh mënyra të veçanta se si mund t’i përfshini të tjerët.

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 7:12; Lluka 9:49–50; Gjoni 13:34–35; 1 Gjon 4:7–8; DeB 1:30; 123:12–14; Nenet e Besimit 1:13

Ndihmë për Studimin

“Ndërsa ndieni gëzimin që vjen nga kuptueshmëria e ungjillit, ju do të ndieni dëshirën për ta zbatuar atë që mësoni. Përpiquni të jetoni në harmoni me botëkuptimin tuaj. Duke e bërë këtë do të forconi besimin, njohurinë dhe dëshminë tuaj” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 19).

Shënime

  1. Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), f. 663–664.

  2. Në Sheri L. Dew, Go Forward with Faith: The Biography of Gordon B. Hinckley (1996), f. 537–538.

  3. “Remember … Thy Church, O Lord”, Ensign, maj 1996, f. 83.

  4. “This Thing Was Not Done in a Corner”, Ensign, nëntor 1996, f. 51.

  5. Mike Wallace, në Gordon B. Hinckley, Standing for Something: Ten Neglected Virtues That Will Heal Our Hearts and Homes (2000), f. viii.

  6. “The Work Moves Forward”, Ensign, maj 1999, f. 5.

  7. “Four Simple Things to Help Our Families and Our Nations”, Ensign, shtator 1996, f. 7.

  8. “Messages of Inspiration from President Hinckley”, Church News, 5 tetor 1996, f. 2.

  9. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 2: 2000–2004 (2005), f. 417.

  10. “This Is the Work of the Master”, Ensign, maj 1995, f. 71; shih edhe Mësimet e Presidentëve të Kishës: Joseph Smith (2009), f. 368.

  11. “Remarks at Pioneer Day Commemoration Concert”, Ensign, nëntor 2001, f. 70.

  12. “We Bear Witness of Him”, Ensign, maj 1998, f. 4.

  13. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 2, f. 350.

  14. “We Bear Witness of Him”, f. 4–5.

  15. Teachings of Gordon B. Hinckley, f. 131.

  16. “Standing Strong and Immovable”, Mbledhje Mbarëbotërore për Trajnimin e Udhëheqjes, 10 janar 2004, f. 20.

  17. “The Times in Which We Live”, Ensign, nëntor 2001, f. 74.

  18. “We Bear Witness of Him”, f. 5.

  19. “Four B’s for Boys”, Ensign, nëntor 1981, f. 41; duke cituar Edwin Markham-in, “Outwitted”, në The Best Loved Poems of the American People, përz. Hazel Felleman (1936), f. 67.

  20. “Each a Better Person”, Ensign ose Liahona, nëntor 2002, f. 100.

  21. “The Dawning of a Brighter Day”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 83–84.

  22. Lutja përkushtuese për Qendrën e Konferencave, në “This Great Millennial Year”, Ensign, nëntor 2000, f. 71.