Kapitulli 8
Ne Shohim te Krishti
“Ne besojmë në Krisht. Ne japim mësim për Krishtin. Ne shohim te Krishti. Ai është Shëlbuesi ynë, Zoti ynë dhe Shpëtimtari ynë.”
Nga Jeta e Gordon B. Hinklit
Në konferencën e përgjithshme të prillit 1975, Plaku Gordon B. Hinkli, në atë kohë anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi përvojën vijuese:
“Ne së fundi mbajtëm një shtëpi të hapur në Tempullin [e Mesas] në Arizonë. Në vijim të një rinovimi tërësor të asaj ndërtese, afro një çerek milion njerëz e panë brendësinë e tij të bukur. Ditën e parë të hapjes, u ftuan klerikë të feve të tjera si të ftuar të veçantë dhe qindra prej tyre iu përgjigjën ftesës. Qe privilegji im t’u flisja atyre dhe t’u përgjigjesha pyetjeve të tyre në përfundim të vizitës së tyre. Unë u thashë se do të ishim të kënaqur t’i përgjigjeshim çdo pyetjeje që ata mund të kishin. Shumë pyetje u bënë. Midis tyre ishte një pyetje që u bë nga një prift protestant.
Ai tha: ‘Kam qenë në gjithë këtë ndërtesë, në këtë tempull i cili mban në pamjen ballore të tij emrin e Jezu Krishtit, por askund nuk kam parë ndonjë simbol të kryqit, simboli i krishterimit. I kam vënë re ndërtesat tuaja tjetërkund dhe po ashtu gjej një mungesë të kryqit. Përse ndodh kjo kur ju thoni se besoni në Jezu Krisht?’
Iu përgjigja: ‘Nuk dëshiroj të fyej asnjë nga kolegët e mi të krishterë që përdorin kryqin në kambanaret e katedraleve dhe në altarët e kishave të tyre, që e veshin atë në veshjet dhe e shtypin në librat e tyre dhe literatura të tjera. Por për ne, kryqi është simboli i Krishtit që po vdes, ndërsa mesazhi ynë është një deklaratë e Krishtit të Gjallë.’
Atëherë ai pyeti: ‘Nëse ju nuk përdorni kryqin, cili është simboli i fesë suaj?’
Iu përgjigja se jetët e njerëzve tanë duhet të bëhen e vetmja shprehje kuptimplote e besimit tonë, në fakt, pra, simboli i adhurimit tonë. …
… Asnjë simbol, asnjë vepër arti, asnjë paraqitje e jashtme nuk është e përshtatshme për të shprehur lavdinë dhe mrekullinë e Krishtit të Gjallë. Ai na tregoi neve se çfarë duhet të ishte ai simbol kur Ai tha: ‘Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia’. (Gjoni 14:15.)
Si pasuesit e Tij, ne nuk mund të bëjmë asnjë gjë të keqe, ose vulgare, ose të pahijshme pa njollosur imazhin e Tij. As mund të bëjmë ndonjë vepër të mirë dhe të hijshme, dhe bujare pa bërë të shndritë më shumë simboli i atij, emrin e të cilit ne kemi marrë mbi vetet tona.
Dhe kështu jetët tona duhet të bëhen një shprehje plot kuptim, simboli i deklaratës së dëshmisë sonë për Krishtin e Gjallë, Biri i Përjetshëm i Perëndisë së Gjallë.
Ajo është aq e thjeshtë, vëllezërit dhe motrat e mia, dhe aq e thellë dhe bëjmë mirë të mos e harrojmë kurrë.”1
Mësime të Gordon B. Hinklit
1
Jezu Krishti është Biri i gjallë i Perëndisë së gjallë.
Plotësisht themelore për besimin tonë është dëshmia jonë për Jezu Krishtin si Biri i Perëndisë. … Ai është guri kryesor i qoshes i kishës që mban emrin e Tij.2
Ne besojmë në Krisht. Ne japim mësim për Krishtin. Ne shohim te Krishti. Ai është Shëlbuesi ynë, Zoti ynë dhe Shpëtimtari ynë.3
Shërbesa tokësore
Ai që qe Biri i Perëndisë, Biri i Vetëmlindur, i la oborret çelestiale të Atit të Tij për të provuar vdekshmërinë. Në lindjen e Tij, engjëjt kënduan dhe Dijetarët erdhën që të jepnin dhurata. Ai u rrit siç u rritën djemtë e tjerë në Nazaret të Galilesë. Aty Ai “[u] rrit në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” (Lluka 2:52).
Me Marien dhe Jozefin, Ai vizitoi Jerusalemin kur ishte 12 vjeç. Në udhëtimin e tyre për në shtëpi, ata e humbën Atë. Ata u kthyen në Jerusalem dhe e gjetën Atë në tempull duke biseduar me dijetarët. Kur Maria e qortoi Atë ngaqë nuk qëndroi me ta, Ai u përgjigj: “A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?” (Lluka 2:49). Fjalët e Tij qenë një paralajmërim i shërbesës së Tij të ardhshme.
Ajo shërbesë filloi me pagëzimin e Tij në lumin Jordan nga kushëriri i Tij Gjoni. Kur doli nga uji, Fryma e Shenjtë zbriti mbi Të në formën e një pëllumbi dhe zëri i Atit të Tij u dëgjua, duke thënë: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur” (Mateu 3:17). Ajo deklaratë u bë pohimi i hyjnueshmërisë së Tij.
Ai agjëroi për 40 ditë dhe u tundua nga djalli, i cili u përpoq ta largonte nga misioni i Tij i caktuar hyjnisht. Ftesës së kundërshtarit, Ai iu përgjigj: “Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd” (Mateu 4:7), duke shpallur sërish birninë e Tij hyjnore.
Ai eci në udhët me pluhur të Palestinës. Ai nuk kishte as shtëpi që të mund ta quante të tijën, as vend ku të mbështeste kokën. Mesazhi i Tij qe ungjilli i paqes. Mësimet e Tij qenë ato të bujarisë e dashurisë. “Dhe në qoftë se dikush do të të nxjerrë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe mantelin” (Mateu 5:40).
Ai dha mësim me shëmbëlltyra. Ai kreu mrekulli, të një lloji që nuk ishin kryer kurrë më parë apo më pas. Ai shëroi ata sëmundja e të cilëve kishte qenë e gjatë. Ai e bëri të verbrin të shihte, të shurdhin të dëgjonte, të çalin të ecte. Ai ngriti të vdekurit dhe ata jetuan përsëri për t’i thurur lavde Atij. Pa dyshim asnjë njeri nuk kishte bërë diçka të tillë më parë.
Disa e ndoqën Atë, por shumica e urryen Atë. Ai foli për skribët dhe farisenjtë si hipokritë, si varre të zbardhura. Ata komplotuan kundër Tij. Ai i dëboi këmbyesit e monedhave nga shtëpia e Zotit. Ata pa dyshim iu bashkuan atyre që planifikonin ta shkatërronin Atë. Por Ai nuk u tërhoq. Ai “e përshkoi vendin duke bërë mirë” (Veprat e Apostujve 10:38).
A nuk ishte e gjitha kjo e mjaftueshme për ta bërë kujtimin e Tij të pavdekshëm? A nuk ishte ajo e mjaftueshme për ta vënë emrin e tij midis, dhe madje përmbi, emrave të burrave të shquar që kanë përshkuar tokën dhe që janë përkujtuar për atë që thanë apo bënë? Sigurisht Ai do të ishte radhitur mes profetëve të mëdhenj të të gjitha kohëve.
Por e gjitha kjo nuk ishte e mjaftueshme për Birin e të Plotfuqishmit. Ajo ishte veçse preludi i gjërave më të mëdha që do të pasonin. Ato erdhën në një mënyrë të çuditshme dhe të tmerrshme.4
Arrestimi, kryqëzimi dhe vdekja
Ai u tradhtua, u arrestua, u dënua me vdekje, për të vdekur në agoninë e jashtëzakonshme të kryqëzimit. Trupi i Tij i gjallë u gozhdua në një kryq druri. Në dhembje të papërshkrueshme, jeta e Tij u shua ngadalë. Ndërkohë që ende merrte frymë, ai thirri: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë” (Lluka 23:34).
Toka u tund ndërsa i dilte shpirti. Centurioni që e pa të gjithë atë, shpalli me solemnitet: “Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë” (Mateu 27:54).
Ata që e deshën, e morën trupin e Tij nga kryqi. E veshën dhe e vunë në një varr të ri. …
Miqtë e Tij duhet të kenë vajtuar. Apostujt që Ai i deshi dhe të cilët i kishte thirrur si dëshmitarë të hyjnueshmërisë së Tij, vajtuan. Gratë që e deshën Atë, vajtuan. Asnjë nuk e kishte kuptuar atë që Ai kishte thënë për ringjalljen ditën e tretë. Si mund ta kuptonin? Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Ajo ishte tërësisht e pashembullt. Ishte e pabesueshme, edhe për ata.
Duhet të ketë pasur një ndjesi të tmerrshme hidhërimi dhe dëshpërimi e brenge, ndërsa mendonin për Zotin e tyre që iu mor nga vdekja.5
Ringjallja
Por ky nuk ishte fundi. Mëngjesin e ditës së tretë, Maria Magdalena dhe Maria tjetër u kthyen te varri. Për habinë e tyre të plotë, guri qe rrokullisur tej dhe varri qe hapur. Ato shikuan brenda. Dy qenie me të bardha ishin ulur në secilën anë të vendit të varrimit. Një engjëll iu shfaq atyre dhe tha: “Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?
Ai nuk është këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile,
duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë” (Lluka 24:5–7).
Këto fjalë të thjeshta – “Ai nuk është këtu, por është ringjallur” – janë bërë më të thellat në të gjithë literaturën. Ato përbëjnë deklaratën e varrit të zbrazët. Ato janë përmbushja e gjithçkaje që Ai kishte thënë lidhur me ringjalljen përsëri. Ato janë përgjigjja ngadhënjimtare e pyetjes që has çdo burrë, grua e fëmijë që ka lindur ndonjëherë në tokë.
Zoti i ringjallur i foli Maries dhe ajo u përgjigj. Ai nuk qe një frymë. Ky nuk ishte një përfytyrim. Ai qe i vërtetë, po aq i vërtetë sa kishte qenë në jetën e vdekshme. Ai nuk e lejoi atë që ta prekte. Ai nuk ishte ngjitur ende tek Ati i Tij në Qiell. Ajo do të ndodhte së shpejti. Çfarë ribashkimi duhet të ketë qenë, të përqafoheshe nga Ati, që e donte Atë dhe i cili duhet të ketë vajtuar gjithashtu për Të gjatë orëve të Tij të agonisë.
Ai do t’u shfaqej dy burrave në rrugën për në Emaus. Ai do të bisedonte me ta dhe do të hante me ta. Ai do të takohej me Apostujt e Tij pas dyersh të mbyllura dhe do t’u jepte mësim atyre. Thomai nuk qe i pranishëm herën e parë. Herën e dytë, Zoti e ftoi atë që të prekte duart e Tij dhe brinjën e Tij. Me habitje të plotë ai thirri: “Zoti im dhe Perëndia im!” (Gjoni 20:28). Ai foli me 500 vetë në një rast [tjetër]. …
Dhe ka një dëshmi tjetër. Shoqëruesi biblik, Libri i Mormonit, dëshmon se Ai iu shfaq jo vetëm njerëzve në Botën e Vjetër, por edhe atyre në Botën e Re. Pasi a nuk kishte shpallur Ai në një rast: “Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm”? (Gjoni 10:16).
Njerëzve të kësaj hemisfere Ai iu shfaq në vijim të Ringjalljes së Tij. Në zbritjen e Tij përmes reve të qiellit, zëri i Perëndisë, Atit të Amshuar, u dëgjua përsëri në shpallje solemne: “Vini re Birin tim të Dashur, në të cilin unë jam shumë i kënaqur, në të cilin unë kam lartësuar emrin tim – dëgjojeni atë” (3 Nefi 11:7). …
Dhe nëse e gjithë kjo nuk është e mjaftueshme, është dëshmia, e padyshimtë dhe e sigurt, dhe e qartë, e profetit të madh të kësaj periudhe ungjillore, Jozef Smithit. Kur ishte djalosh, ai shkoi në pyll që të lutej duke kërkuar dritë dhe kuptueshmëri. Dhe aty iu shfaqën përpara dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcenin të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi të në ajër. Një prej tyre i foli atij, duke e thirrur “në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” [Joseph Smith—Historia 1:17].
Po ky Jozef shpalli në një rast tjetër: “Dhe ne vumë re lavdinë e Birit, në të djathtë të Atit, dhe morëm nga plotësia e tij; …
Dhe tani, pas shumë dëshmive që janë dhënë për të, kjo është dëshmia, e fundit e të gjithave, që ne japim për të: Se ai jeton!” (DeB 76:20, 22).6
Të gjithë atyre që mund të kenë dyshime, unë u përsëris fjalët thënë Thomait kur preku duart e plagosura të Zotit: “Mos ji mosbesues, por besues” [Gjoni 20:27]. Besoni në Jezu Krisht, Birin e Perëndisë, figura më e madhërishme për kohën dhe përjetësinë. Besoni që jeta e tij e pashoqe filloi shumë kohë para se bota të krijohej. Besoni që ai qe Krijuesi i tokës në të cilën jetojmë. Besoni që ai ishte Jehova i Dhiatës së Vjetër, që ai ishte Mesia i Dhiatës së Re, që ai vdiq dhe u ringjall, që ai vizitoi kontinentet perëndimore dhe u dha mësim njerëzve këtu, që ai shpalli këtë periudhë të fundit ungjillore dhe që ai jeton, Biri i gjallë i Perëndisë së gjallë, Shpëtimtari ynë dhe Shëlbuesi ynë.7
2
Secili prej nesh mund ta dijë që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shëlbuesi i botës, i ringjallur nga varri.
Ka një … betejë që po zhvillohet për besimin e njerëzve, por radhët nuk janë përherë … të përcaktuara qartë, pasi edhe mes forcave të krishterimit ka nga ata që do ta shkatërronin hyjnueshmërinë e Krishtit në emrin e të cilit flasin. Ata mund të shpërfilleshin nëse zërat e tyre nuk do të ishin kaq joshës, nëse ndikimi i tyre nuk do të ishte kaq i gjerë, nëse arsyetimi i tyre nuk do të ishte kaq i hollë.
… Turma do të mblidhen në mijëra kodra për të mirëpritur agimin e ditës së Pashkës dhe për t’i kujtuar vetes historinë e Krishtit, ringjalljen e të cilit do të përkujtojnë. Në një gjuhë sa të bukur dhe shpresëdhënëse, predikuesit e shumë feve do të ritregojnë historinë e varrit të zbrazët. Për ata – dhe për ju – unë ngre këtë pyetje: “A e besoni me të vërtetë atë?”
A e besoni me të vërtetë se Jezusi ishte Biri i Perëndisë, pasardhësi i drejtpërdrejtë i Atit?
A besoni që zëri i Perëndisë, Atit të Amshuar, u dëgjua përmbi ujërat e Jordanit të shpallte: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur”? (Mateu 3:17.)
A besoni që po ky Jezus qe realizuesi i mrekullive, shëruesi i të sëmurëve, përtëritësi i të lënguarve, dhënësi i jetës së vdekurve?
A besoni se në vijim të vdekjes së tij në kodrën e Kalvarit dhe varrimit të tij në varrin e Jozefit, ai doli që andej i gjallë ditën e tretë?
A e besoni me të vërtetë se ai jeton ende – i vërtetë, i gjallë e individual – dhe se ai do të vijë përsëri siç u premtua nga engjëjt në ngjitjen e tij në qiell?
A i besoni me të vërtetë këto gjëra? Nëse i besoni, atëherë ju jeni pjesë e një grupi në tkurrje të atyre që e besojnë fjalë për fjalë Biblën [dhe] që përherë e më tepër po qesëndisen nga filozofët, që përherë e më tepër po tallen nga disa akademikë dhe të cilët përherë e më tepër po quhen “të dalë mode” nga një rreth në rritje shërbestarësh fetarë dhe teologësh me ndikim të madh.
… Në sytë e këtyre intelektualëve, këto janë mite – lindja e Jezusit si Biri i Perëndisë për të cilin engjëjt kënduan në fushat e Judesë, realizuesi i mrekullive që shëroi të sëmurët dhe ngriti të vdekurit, Krishti i ringjallur nga varri, ngjitja në qiell dhe kthimi i premtuar.
Këta teologë modernë e zhveshin atë nga hyjnueshmëria e tij dhe pastaj pyesin veten përse njerëzit nuk e adhurojnë atë.
Këta shkollarë të mençur i kanë hequr Jezusit mantelin e perëndishmërisë dhe kanë lanë veçse një burrë. Ata janë përpjekur ta përshtatin atë me të menduarin e tyre vetjak të ngushtë. Ata i kanë vjedhur atij birninë hyjnore dhe i kanë marrë botës Mbretin e ligjshëm. …
… Unë jap dëshminë tonë solemne që Perëndia nuk ka vdekur, përveçse kur shihet me një interpretim të pajetë. …
… Ka dalë nevoja për diçka më shumë se një besim i arsyetuar. Ka dalë nevoja për një kuptueshmëri të pozitës së tij të pashembullt dhe të pakrahasueshme si Shëlbuesi hyjnor dhe për një entuziazëm për të dhe mesazhin e tij si Biri i Perëndisë.
Ajo kuptueshmëri dhe ai entuziazëm janë të mundshme për të gjithë që duan ta paguajnë çmimin. Ato nuk janë të papajtueshme me arsimimin më të lartë, por ato nuk do të vijnë vetëm nga leximi i filozofisë. Jo, ato vijnë nga një proces më i thjeshtë. Gjërat e Perëndisë kuptohen nëpërmjet Frymës së Perëndisë. (1 Korintasve 2:11.) Kështu shpall fjala e zbulesës.
Fitimi i kuptueshmërisë dhe i entuziazmit për Zotin vjen nga zbatimi i rregullave të thjeshta. … Do të doja të sugjeroja tri rregulla, të thjeshta për nga koncepti i tyre, pothuaj të rëndomta në përsëritshmërinë e tyre, por thelbësore në zbatimin e tyre dhe të frytshme në rezultatin e tyre. …
E para është të lexoni – të lexoni fjalën e Zotit. … Lexojeni, për shembull, Ungjillin e Gjonit nga fillimi në fund. Lëreni Zotin t’ju flasë vetë dhe fjalët e tij do të vijnë me një bindje të qetë që do t’i bëjnë boshe fjalët e kritikëve të tij. Lexojeni edhe dëshminë e Botës së Re, Librin e Mormonit, i sjellë si një dëshmi “se Jezusi është Krishti, Perëndia i Amshuar, që ua shfaqi veten të gjitha kombeve”. (Faqja e titullit të Librit të Mormonit.)
Tjetra është të shërbeni – të shërbeni në punën e Zotit. … Çështjes së Krishtit nuk i duhen dyshimet tuaja; asaj i duhen forca dhe koha e talentet tuaja; dhe teksa i ushtroni këto në shërbim, besimi juaj do të rritet dhe dyshimet tuaja do të veniten. …
E treta është të luteni. Flitni me Atin tuaj të Amshuar në emrin e Birit të tij të Dashur. “Ja”, thotë ai, “unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua.” (Zbulesa 3:20.)
Kjo është ftesa e tij dhe premtimi është i sigurt. Ka pak të ngjarë që ju do të dëgjoni zëra nga qielli, por do të vijë një siguri e dërguar nga qielli, paqësore dhe e patundur. …
… Duke ndriçuar mes gjithë pështjellimit të filozofisë, të të ashtuquajturës kritikë më të lartë dhe teologjisë negative, do të vijë dëshmia e Shpirtit të Shenjtë që Jezusi është me të vërtetë Biri i Perëndisë, i lindur në mish, Shëlbuesi i botës i ringjallur nga varri, Zoti që do të vijë të mbretërojë si Mbreti i mbretërve. Është mundësia juaj ta dini atë. Është detyrimi juaj ta mësoni atë.8
3
Ne duhet ta pyesim vazhdimisht veten: “Ç’të bëjmë me Jezusin i cili quhet Krisht?”
Unë e bëj sërish pyetjen e bërë nga Pilati dy mijë vite më parë: “Ç’të bëj, pra, me Jezusin, që quhet Krisht?” (Mateu 27:22.) Me të vërtetë, ne duhet ta pyesim vazhdimisht veten: Ç’të bëjmë ne me Jezusin i cili quhet Krisht? Çfarë duhet të bëjmë me mësimet e tij dhe si mund t’i bëjmë ato një pjesë të pandashme të jetës sonë? …
… “Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!” (Gjoni 1:29.) Sa e varfër me të vërtetë do të ishte jeta jonë pa ndikimin e mësimeve të tij dhe shembullin e tij të pashoq. Mësimet për kthimin e faqes tjetër, bërjes dhe të një miljeje të dytë, kthimin e birit plangprishës dhe shumë mësime të tjera të pakrahasueshme kanë depërtuar nëpër epoka për t’u bërë katalizatori për të nxjerrë në pah mirësi dhe mëshirë nga shumë prej mizorisë së njeriut ndaj njeriut.
Vrazhdësia mbretëron aty ku Krishti dëbohet. Mirësia dhe vetëpërmbajtja sundojnë aty ku Krishti pranohet dhe mësimet e tij zbatohen.
Ç’të bëjmë, pra, me Jezusin i cili quhet Krisht? “O njeri, ai të ka bërë të njohur atë që është e mirë; dhe çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?” (Mikea 6:8.)
“Prandaj, unë ju them se ju duhet ta falni njëri-tjetrin; sepse ai që nuk ia fal shkeljet vëllait të tij, mbetet i dënuar përpara Zotit; sepse atij i ngelet mëkati më i madh.” (DeB 64:9.) …
Ç’të bëjmë, pra, me Jezusin që quhet Krisht? “Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët, isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë.” (Mateu 25:35–36) …
Ç’të bëjmë me Jezusin i cili quhet Krisht?
Mësoni rreth tij. Hetojini shkrimet e shenjta; sepse ato janë këto që dëshmojnë për të. Përsiateni mrekullinë e jetës dhe të misionit të tij. Përpiquni pak më me zell të ndiqni shembullin e tij dhe të zbatoni mësimet e tij.9
4
Ne shohim te Jezu Krishti si shkëmbi i shpëtimit tonë, forca jonë, ngushëllimi ynë dhe qendra e besimit tonë.
Ne nuk e dimë çfarë ndodhet para nesh. Ne nuk e dimë çfarë do të na sjellin ditët që vijnë. Ne jetojmë në një botë pasigurie. Për disa njerëz do të ketë arritje të mëdha. Për të tjerë, zhgënjim. Për disa, shumë gëzim e ngazëllim, shëndet të mirë dhe të jetuar të hirshëm. Për të tjerë, ndoshta sëmundje dhe një masë pikëllimi. Ne nuk e dimë. Por një gjë e dimë vërtet. Ashtu si ylli polar në qiej, pavarësisht se çfarë rezervon e ardhmja, aty qëndron Shëlbuesi i botës, Biri i Perëndisë, i sigurt dhe i patundur si spiranca e jetëve tona të pavdekshme. Ai është shkëmbi i shpëtimit tonë, forca jonë, ngushëllimi ynë dhe vetë qendra e besimit tonë.
Si në diell dhe në shi ne shohim tek Ai dhe Ai është atje për të na siguruar dhe buzëqeshur.10
E di se rron Shëlbuesi im,
Triumfues, Bir’ i Per’ndis’,
Fitimtar mbi dhembjen, vdekjen,
Mbreti, Prij’si dhe Zoti im.
Jeton, shkëmbi i besimit,
Shpresa e ndritshme e njer’zve,
Fari drejt një udhe më t’mir’,
Drita përtej velit t’vdekjes.
O, më jep Shpirtin tënd t’ëmbël,
Paqen që vetëm nga Ti vjen,
Besim që t’vetmuar rrug’ t’ndjek
Që m’çon në përjet’sin’ Tënde.11
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Përsëritini fjalët e dëshmisë së Presidentit Hinkli në pjesën 1 dhe gjeni kohë për të përsiatur për dëshminë tuaj vetjake për Jezu Krishtin. Përse jeni mirënjohës për shërbesën dhe Shlyerjen e Shpëtimtarit? Cilat rrëfime dhe mësime nga jeta e Shpëtimtarit kanë kuptim të veçantë për ju?
Bëjini vetes secilën prej pyetjeve në pjesën 2. Si ndikojnë përgjigjet tuaja në të jetuarin tuaj nga dita në ditë? Në të njëjtën pjesë, përsëritini tri “rregulla[t] [e] thjeshta” të Presidentit Hinkli për fitimin e një kuptueshmërie për “gjërat e Perëndisë”. Si ju kanë ndihmuar këto parime që ta thelloni kuptueshmërinë tuaj shpirtërore?
Presidenti Hinkli vazhdimisht pyeti: “Ç’të bëjmë me Jezusin i cili quhet Krisht?” (pjesa 3). Çfarë mund të mësojmë nga përgjigjet e tij? Merreni parasysh se si do t’i përgjigjeshit kësaj pyetjeje. Si do të ishte jeta juaj ndryshe nëse nuk do të dinit për mësimet dhe shembullin e Shpëtimtarit?
Presidenti Hinkli theksoi se Jezu Krishti është spiranca jonë në një botë pasigurie (shih pjesën 4). Kur e keni ndier forcën dhe ngushëllimin e Shpëtimtarit në një periudhë nevoje? Përsiateni secilin varg të himnit të Presidentit Hinkli në pjesën 4. Në çfarë mënyrash është Krishti “shpresa [jonë] e ndritshme”? Si është Ai “fari [ynë] drejt një udhe më t’mir’”?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Lluka 24:36–39; Gjoni 1:1–14; Veprat e Apostujve 4:10–12; 2 Nefi 2:8; 25:26; Alma 5:48; DeB 110:3–4
Ndihmë për Studimin
“Planifikoni aktivitete studimi që do të ndërtojnë besimin tuaj te Shpëtimtari” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 22). Për shembull, teksa studioni, ju mund t’i bëni vetes pyetje si këto që vijojnë: Si mund të më ndihmojnë këto mësime ta rrit kuptueshmërinë time për Shlyerjen e Jezu Krishtit? Si mund të më ndihmojnë këto mësime që të bëhem më i ngjashëm me Shpëtimtarin?