Kapitulli 12
Bindja: Thjesht Jetojeni Ungjillin
“Udha e ungjillit është një udhë e thjeshtë. … Përuluni dhe ecni me bindje.”
Nga Jeta e Gordon B. Hinklit
Kur Gordon B. Hinkli ishte rreth 14 vjeç, ai pati një përvojë në Tabernakullin e Solt-Lejkut që e nxiti të merrte një vendim të rëndësishëm. Më vonë ai kujtoi:
“E [dëgjova] Presidentin Hiber J. Grant të tregonte përvojën e tij me leximin e Librit të Mormonit kur ishte djalosh. Ai foli për Nefin dhe për ndikimin e madh që ai kishte në jetën e tij. Dhe atëherë, me një zë, i cili kumbonte me një bindje që nuk do ta harroj kurrë, ai citoi ato fjalë të madhërishme të Nefit: ‘Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar, pasi e di se Zoti nuk u jep urdhërime fëmijëve të njerëzve pa përgatitur një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron’ (1 Nefi 3:7).
Në atë rast, në zemrën time djaloshare, erdhi një vendim që të përpiqesha të bëja atë që Zoti ka urdhëruar.”1
Gordon B. Hinkli e mbajti përherë atë vendim në zemrën e tij. Vite më vonë, kur ai ishte President i Kishës, mësimet e tij i bënë jehonë sërish mesazhit që ai kishte dëgjuar kur ishte djalosh. Duke i folur një grupi shenjtorësh të ditëve të mëvonshme në një konferencë zonale, ai tha:
“Më kanë intervistuar shumë gazetarë [lajmesh]. Gjëja e vetme që ata thonë, është: ‘Tani, cila do të jetë tema juaj gjatë kryesimit tuaj?’ Unë thjesht them: ‘E njëjta temë që kam dëgjuar të përsëritet në këtë Kishë nga presidentët e Kishës dhe apostujt për aq kohë sa mund të kujtoj: Thjesht jetojeni ungjillin dhe çdokush që e bën këtë, do të marrë në zemrën e vet bindjen për të vërtetën e asaj që ai jeton.’”2
Në konferencën e tij të parë të përgjithshme si President i Kishës, Presidenti Hinkli bëri thirrjen për të gjithë që të përpiqen më fort për ta jetuar ungjillin:
“Tani, vëllezërit dhe motrat e mia, ka ardhur koha për ne që të ngrihemi pak më lart, që t’i ngremë sytë tanë dhe t’i hapim mendjet tona drejt një kuptimi dhe të kuptuari më të madh të misionit të madhërishëm mijëvjeçar të kësaj Kishe të Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kjo është një periudhë për të qenë të fortë. Është koha për të ecur përpara pa ngurrim, duke e ditur mirë kuptimin, shtrirjen dhe rëndësinë e misionit tonë. Është koha për të bërë atë që është e drejtë pavarësisht nga rrethanat që mund të pasojnë. Është koha që të gjendemi duke i mbajtur urdhërimet. Është një periudhë për t’u afruar me mirësi dhe dashuri ndaj atyre në ankth dhe ndaj atyre që janë duke u endur në errësirë dhe dhembje. Është kohë për të qenë të kujdesshëm dhe të mirë, të përmbajtur dhe të sjellshëm kundrejt njëri-tjetrit në të gjitha marrëdhëniet tona. Me fjalë të tjera, të bëhemi më shumë si Krishti.”3
Presidenti Hinkli vazhdoi ta theksonte këtë mesazh. Dhjetë vjet më vonë ai i përsëriti këto fjalë në konferencën e përgjithshme dhe i përforcoi duke thënë: “Ju duhet të jeni gjykatësi i asaj se deri ku kemi arritur ta realizojmë përmbushjen e asaj ftese të dhënë 10 vjet më parë”4.
Mësime të Gordon B. Hinklit
1
Ne jemi një popull i besëlidhjes dhe të mëdha janë detyrimet që vijnë me atë besëlidhje.
Ne jemi një popull i besëlidhjes dhe kjo është një çështje shumë serioze. Kur kjo punë u rivendos dhe Zoti përcaktoi qëllimet për atë rivendosje, Ai tha se një arsye për rivendosjen ishte që kjo besëlidhje e përjetshme e Tij të mund të rivendosej. Ajo besëlidhje … u bë midis Abrahamit dhe Jehovas kur Jehova i fuqishëm i bëri një premtim të madh dhe solemn Abrahamit. Ai tha se fara e tij duhet të bëhet si rëra në breg të detit, se të gjitha kombet do të bekoheshin nëpërmjet tij. Ai e bëri këtë besëlidhje me të, se Ai do të ishte Perëndia i tyre dhe se ata do të ishin populli i Tij. … Atëherë u krijua një marrëdhënie që ishte me pasoja të përjetshme në jetën e përjetshme të të gjithë atyre që do të hynin në të. Të mahnitshme janë rrjedhojat e saj: nëse ne do të veprojmë siç duhet të veprojnë fëmijët e Perëndisë, Ai do të jetë Perëndia ynë që të na bekojë, të na dojë, të na drejtojë, të na ndihmojë.
Tani, në këtë periudhë ungjillore, ajo besëlidhje e përjetshme është ripohuar. Ne, në fakt, e bëmë atë besëlidhje kur u pagëzuam. Ne u bëmë pjesë e familjes së Tij hyjnore, sikurse qe. Të gjithë fëmijët e Perëndisë janë të familjes së Tij, por në një mënyrë të veçantë dhe të mrekullueshme ka një marrëdhënie të veçantë midis Perëndisë dhe fëmijëve të besëlidhjes së Tij. Dhe, kur erdhëm në Kishë, … ne u bëmë pjesë e popullit të besëlidhjes, dhe çdo herë që e marrim sakramentin, nuk e bëjmë atë vetëm në kujtim të sakrificës së Birit të Perëndisë, i cili dha jetën e Vet për secilin prej nesh, por është elementi shtesë që ne marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe zotohemi që t’i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe Ai zotohet që do të na bekojë me Shpirtin e Tij të Shenjtë.
Ne jemi një popull i besëlidhjes dhe të mëdha janë detyrimet që vijnë me atë besëlidhje. Ne nuk mund të jemi njerëz të zakonshëm. Ne duhet të ngrihemi mbi turmën. Ne duhet të qëndrojmë pak më lart. Ne duhet të jemi pak më të mirë, pak më të sjellshëm, pak më bujarë, pak më të njerëzishëm, pak më të matur, pak më ndihmues ndaj të tjerëve.5
Ne jemi një popull, i cili ka marrë mbi vete një besëlidhje solemne dhe emrin e Zotit Jezu Krisht. Le të përpiqemi pak më shumë për t’i zbatuar urdhërimet, për të jetuar ashtu si Zoti na ka kërkuar të jetojmë.6
2
Zoti pret nga ne që ta jetojmë ungjillin në çdo aspekt.
Ne jetojmë në një epokë kompromisi dhe pranimi në heshtje. Në situatat me të cilat përballemi çdo ditë, ne e dimë se çfarë është e drejtë, por nën trysninë e bashkëmoshatarëve tanë dhe zërave mashtrues të atyre që do të na bindin, ne dorëzohemi. Ne biem në kompromis. Ne pranojmë në heshtje. Ne jepemi dhe kemi turp nga vetja. … Ne duhet të kultivojmë forcën për t’i ndjekur bindjet tona.7
Udha e ungjillit është një udhë e thjeshtë. Disa nga kërkesat mund t’ju duken kaq elementare dhe të panevojshme. Mos i refuzoni ato. Përuluni dhe ecni me bindje. Unë premtoj se rezultatet që pasojnë do të jenë të mrekullueshme për t’u parë dhe të kënaqshme për t’u përjetuar.8
Lutja ime e madhe është që ne të gjithë të përpiqemi pak më shumë për të jetuar në lartësinë e të hyjnueshmes që është brenda nesh. Ne mund të veprojmë më mirë sesa jemi duke vepruar. Ne mund të jemi më të mirë nga sa jemi. Nëse do ta mbanim përpara vetes vazhdimisht atë përfytyrim të trashëgimisë hyjnore, të Atësisë së Perëndisë dhe të vëllazërisë së njeriut si realitete, ne do të ishim pak më tolerantë, pak më të sjellshëm, pak më ndihmues për të ngritur, ndihmuar dhe mbështetur njerëzit mes nesh. Ne do të ishim më pak të prirur për t’u përkulur ndaj atyre gjërave të cilat qartësisht janë të pahijshme për ne.9
Feja, pjesë e së cilës jeni, është shtatë ditë në javë, nuk është vetëm e diela. … Është gjatë gjithë kohës – njëzet e katër orë në ditë, shtatë ditë në javë, 365 ditë në vit.10
Zoti pret që ne do ta mbajmë jetën tonë në rregull, se ne do ta jetojmë ungjillin në çdo aspekt.11
3
Perëndia do të derdhë bekime mbi ata të cilët ecin me bindje ndaj urdhërimeve të Tij.
Zoti i tha Elijas të shkonte e të fshihej pranë përroit Kerith, se atje ai duhej të pinte nga përroi dhe se ai do të ushqehej nga korbat. Shkrimi i shenjtë shënon një deklarim të thjeshtë e të mrekullueshëm për Elijan: “Kështu ai u nis dhe veproi sipas fjalës të Zotit” (1 Mbretërve 17:5).
Nuk pati debatim. Nuk pati shfajësim. Nuk pati të folur me dy kuptime. Elija thjesht “u nis dhe veproi sipas fjalës të Zotit”. Dhe u shpëtua nga fatkeqësitë e tmerrshme që u ndodhën atyre që u tallën, debatuan dhe e vunë në dyshim.12
E tërë historia e Librit të Mormonit është një histori që flet për njerëz të cilët, kur ishin të drejtë, kur e adhuronin Jezu Krishtin, përparonin në tokë dhe ishin bekuar gjerësisht e me bollëk nga Zoti; dhe kur mëkatonin dhe largoheshin nga rruga, dhe e harronin Perëndinë e tyre, ata binin në mjerim dhe në luftë, dhe në telashe. Siguria juaj, paqja juaj, përparimi juaj qëndrojnë te bindja ndaj urdhërimeve të të Plotfuqishmit.13
“Zbato urdhërimet e mia vazhdimisht dhe një kurorë drejtësie do të marrësh.” [DeB 25:15.] Ky ishte premtimi i Zotit për Ema Hejl Smithin. Ky është premtimi i Zotit për secilin prej jush. Lumturia qëndron te zbatimi i urdhërimeve. Për një shenjtor të ditëve të mëvonshme … mund të ketë vetëm mjerim nga shkelja e atyre urdhërimeve. Dhe për çdokënd që i zbaton ato, ekziston premtimi i një kurore … të drejtësisë dhe të vërtetës së përjetshme.14
Liria e vërtetë qëndron te bindja ndaj këshillave të Perëndisë. Është thënë nga të vjetrit se “urdhërimi është një llambë, mësimi një dritë”. (Fjalët e Urta 6:23.)
Ungjilli nuk është një filozofi shtypjeje, siç e mendojnë shumë njerëz. Ai është një plan lirie, që i jep disiplinë oreksit dhe drejtim sjelljes. Frytet e tij janë të ëmbla dhe shpërblimet e tij janë të bollshme. …
“Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë.” (Galatasve 5:1.)
“Atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria.” (2 Korintasve 3:17.)15
Siguria jonë qëndron te pendimi. Forca jonë vjen nga bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë. … Le të qëndrojmë të vendosur kundër të ligës, si në atdhe edhe jashtë. Le të jetojmë të denjë për bekimet e qiellit, duke e ndrequr jetën tonë kur është e nevojshme dhe duke parë drejt Tij, Atit të ne të gjithëve.16
Nuk kemi asgjë për t’u frikësuar. Perëndia është në timon. Ai do të sundojë për të mirën e kësaj pune. Ai do të derdhë bekime mbi ata të cilët ecin me bindje ndaj urdhërimeve të Tij. I tillë ka qenë premtimi i Tij. Për aftësinë e Tij për ta mbajtur atë premtim, asnjëri nga ne nuk mund të dyshojë.17
4
Udhëheqësit e Kishës e tregojnë udhën dhe i ftojnë anëtarët ta jetojnë ungjillin.
Ka nga ata që thonë: “Kisha nuk do të më diktojë mua se si të mendoj për këtë, atë apo tjetrën, ose se si ta jetoj jetën time”.
Jo, përgjigjem unë, Kisha nuk do t’i diktojë asnjë njeriu se si ai duhet të mendojë ose se çfarë ai duhet të bëjë. Kisha do të tregojë rrugën dhe do ta ftojë çdo anëtar ta jetojë ungjillin dhe të gëzojë bekimet që vijnë nga një jetë e tillë. Kisha nuk do t’i diktojë asnjë njeriu, por do t’i këshillojë, do t’ua mbushë mendjen, do t’i nxitë dhe do të presë besnikëri nga ata që shpallin anëtarësinë në të.
Kur isha student në universitet, unë i thashë një herë babait tim se ndieja se Autoritetet e Përgjithshme i kishin tejkaluar të drejtat e tyre kur ata përkrahën një gjë të caktuar. Ai ishte një burrë shumë i mençur dhe i mirë. Ai tha: “Presidenti i Kishës na ka udhëzuar dhe unë e mbështet atë si profet, shikues dhe zbulues dhe kam ndërmend ta ndjek këshillën e tij”.
Unë kam … shërbyer në këshilla të përgjithshme të kësaj Kishe për [shumë] vite. … Unë dëshiroj t’ju jap dëshminë time se, edhe pse unë vërtet kam marrë pjesë në mijëra mbledhje ku janë diskutuar rregulloret dhe programet e Kishës, unë kurrë nuk kam qenë në një [mbledhje] ku nuk u kërkua udhërrëfimi i Zotit apo ku pati ndonjë dëshirë nga ana e ndonjërit prej të pranishmëve për të përkrahur apo për të bërë diçka që do të ishte dëmtuese apo detyruese për dikë.18
Unë i them secilit dhe të gjithëve se ne [që ulemi në këshillat e përgjithshme të Kishës] nuk kemi rend dite vetjak. Ne kemi vetëm rendin e ditës të Zotit. Ka nga ata që kritikojnë kur ne lëshojmë një deklaratë këshille ose paralajmërimi. Ju lutemi ta dini se përgjërimet tona nuk nxiten nga asnjë dëshirë egoiste. Ju lutemi ta dini se paralajmërimet tona nuk janë pa thelb dhe arsye. Ju lutemi ta dini se vendimet për të folur hapur mbi çështje të ndryshme nuk arrihen pa shqyrtim, diskutim dhe lutje. Ju lutemi ta dini se qëllimi ynë i vetëm është ta ndihmojmë secilin prej jush në problemet tuaja, vështirësitë tuaja, familjet tuaja, jetën tuaj. … Nuk ka asnjë dëshirë për të dhënë mësim ndonjë gjë tjetër veç asaj që Zoti do të kishte dhënë mësim. …
E jona është përgjegjësia e përvijuar nga Ezekieli: “Bir njeriu, të kam caktuar si roje për shtëpinë e Izraelit; kur të dëgjosh ndonjë fjalë nga goja ime, do t’i lajmërosh nga ana ime”. (Ezekiel 3:17.)
Ne nuk kemi asnjë dëshirë egoiste për ndonjërën nga këto, përveç dëshirës që vëllezërit dhe motrat tona të jenë të lumtura, që paqja dhe dashuria të gjendet në shtëpitë e tyre, që ata të bekohen nga fuqia e të Plotfuqishmit në sipërmarrjet e tyre të ndryshme në drejtësi.19
Perëndia po e bën vazhdimisht të njohur, në mënyrën e tij, vullnetin e tij lidhur me popullin e tij. Ju jap dëshminë time se udhëheqësit e kësaj kishe nuk do të na kërkojnë asnjëherë që të bëjmë ndonjë gjë që ne nuk mund ta kryejmë me ndihmën e Zotit. Mund të ndihemi të papërshtatshëm. Që ajo që po na kërkohet të bëjmë, mund të mos jetë dëshira jonë ose mund të mos përshtatet me idetë tona. Por, nëse do të përpiqemi me besim dhe lutje, dhe vendosmëri, ne mund ta përmbushim atë.
Ju jap dëshminë time se lumturia e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, paqja e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, përparimi i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, begatia e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, si dhe shpëtimi dhe ekzaltimi i përjetshëm i këtij populli, qëndrojnë tek ecja me bindje ndaj këshillave të priftërisë së Perëndisë.20
5
Vendimet e vogla mund të çojnë në pasoja të jashtëzakonshme.
Mund të përshkruaj një parim … i cili, nëse zbatohet, do ta rritë së tepërmi mundësinë që vendimet tona do të jenë të drejta dhe si pasojë përparimi dhe lumturia jonë në jetë do të rriten pamasë. Ky parim i madh është mbajeni besimin. …
Nuk mund t’jua them me hollësi se si të vendosni për çdo gjë. Por mund t’ju premtoj se, nëse do t’i merrni vendimet tuaja sipas standardeve të ungjillit dhe mësimeve të Kishës dhe nëse do ta mbani besimin, jeta juaj do të japë frytin e të mirës së madhe dhe ju do të njihni shumë lumturi dhe përmbushje.21
Shumë vite më parë, unë punoja për një hekurudhë. … Kjo ishte në kohën kur pothuajse të gjithë njerëzit përdornin trena pasagjerësh. Një mëngjes, më bëri një telefonatë kolegu im në Njuark, Nju-Xhërsi. Ai tha: “Treni numër kaq-e-aq ka arritur, por nuk e ka vagonin e bagazheve. Diku, 300 pasagjerë i kanë humbur bagazhet e tyre dhe ata janë të inatosur.”
Iu futa menjëherë punës për të gjetur se ku mund të kishte shkuar ai [vagon]. Gjeta se ishte ngarkuar siç duhej dhe ishte lidhur te treni i duhur në Okland, Kaliforni. Kishte lëvizur në hekurudhën tonë në Solt-Lejk-Siti [dhe përfundimisht kishte mbërritur në] Seint-Luis. Atje duhej të përdorej nga një hekurudhë tjetër, e cila do ta çonte atë drejt Njuarkut, Nju-Xhërsi. Por njëfarë manovruesi i pakujdesshëm binarësh në vendin e ruajtjes së vagonëve në Seint-Luis lëvizi një pjesë të vogël çeliku vetëm 7.5 centimetra, një nyje ndërrimi, pastaj e hoqi levën që lidhte vagonin. Ne zbuluam që një vagon bagazhesh, i cili duhej të ishte në Njuark, Nju-Xhërsi, ishte në të vërtetë në Nju-Orlins, Luiziana – 2.400 km larg vendmbërritjes së tij. Thjesht një lëvizje shtatë centimetra e gjysmë e nyjes së ndërrimit në vendin e ruajtjes në Seint-Luis prej një punonjësi të pakujdesshëm, e kishte nisur atë në binarin e gabuar dhe largësia nga vendmbërritja e tij e vërtetë u rrit në mënyrë dramatike. Kjo është mënyra se si ndodh me jetën tonë. Në vend që të ndjekim një drejtim lëvizjeje të qëndrueshëm, ne tërhiqemi nga disa ide të gabuara në ndonjë drejtim tjetër. Lëvizja e largimit nga vendmbërritja jonë fillestare mund të jetë gjithmonë shumë e vogël, por, nëse vazhdohet, ajo lëvizje shumë e vogël bëhet një hendek i madh dhe ne e gjejmë veten shumë më larg nga ku kishim ndërmend të shkonim. … Janë gjërat e vogla prej të cilave merr kthesë jeta, që sjellin ndryshimin e madh në jetën tonë.22
Iu qasa portës së madhe të një ferme një ditë. E ngrita shulin dhe e hapa portën. Lëvizja te menteshat ishte kaq e vockël sa mezi dallohej. Por ana tjetër e portës përshkoi një hark të madh, në një rreze prej pesë metrash. Duke parë vetëm lëvizjen e menteshave, një njeri nuk do të mund ta kishte përfytyruar asnjëherë veprimin e zmadhuar që erdhi si pasojë e asaj lëvizjeje të vogël.
E njëjta gjë ndodh me vendimet në jetën tonë. Disa mendime të vogla, disa fjalë të vogla, disa veprime të vogla mund të çojnë në pasoja të jashtëzakonshme.23
6
Duke e jetuar ungjillin, ne e forcojmë Kishën dhe e ndihmojmë punën e Perëndisë të rritet nëpër botë.
Ju mund ta bëni [Kishën] më të fortë nga mënyra se si jetoni. Lëreni ungjillin të jetë shpata juaj dhe mburoja juaj. …
… Sa e madhërishme do të jetë e ardhmja ndërsa i Plotfuqishmi e shpalos punën e Tij të lavdishme, duke i prekur për mirë të gjithë ata që do ta pranojnë dhe jetojnë ungjillin e Tij.24
Unë shoh një të ardhme të mrekullueshme në një botë shumë të pasigurt. Nëse do të kapemi pas vlerave tona, nëse do të ndërtojmë mbi trashëgiminë tonë, nëse do të ecim me bindje përpara Zotit, nëse thjesht do ta jetojmë ungjillin, ne do të bekohemi në një mënyrë të mahnitshme dhe të mrekullueshme. Ne do të shihemi si një popull i veçantë i cili e ka gjetur çelësin drejt një lumturie të pashoqe.25
Le të vendosë çdo burrë dhe grua, dhe fëmijë që ta bëjë punën e Zotit më të mirë dhe më të fortë, dhe më të madhe sesa ka qenë ndonjëherë më parë. Është cilësia e jetës sonë që e sjell ndryshimin. Është vendimi ynë për ta jetuar ungjillin e Jezu Krishtit që e sjell ndryshimin. Kjo është një çështje individuale. Nëse të gjithë lutemi, Kisha është shumë më e fortë. Dhe kështu është me çdo parim të ungjillit. Le të jemi pjesë e kësaj kauze të shkëlqyer të çuarjes përpara, që po rritet nëpër të gjithë botën. Ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq; ne duhet të ecim përpara. Është e domosdoshme që të bëjmë kështu. Bindja vetjake që banon në secilën prej zemrave tona, është forca e vërtetë e Kishës. Pa të, ne kemi shumë pak nga çfarëdolloj gjëje; me të, ne kemi gjithçka.26
E ftoj secilin prej jush, kudo që mund të jeni si anëtarë të kësaj kishe, që të qëndroni në këmbë dhe, me një këngë në zemrën tuaj, të shkoni përpara, duke e jetuar ungjillin, duke e dashur Zotin dhe duke e ndërtuar mbretërinë. Së bashku ne do të ruajmë drejtimin e lëvizjes dhe do ta mbajmë besimin, duke qenë i Plotfuqishmi forca jonë.27
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Cila është arsyeja përse ne, si populli i besëlidhjes së Zotit, “nuk mund të jemi njerëz të zakonshëm”? (Shih pjesën 1.) Cilat janë disa mënyra se si besëlidhjet që keni bërë me Perëndinë, ndikojnë në jetën tuaj të përditshme?
Presidenti Hinkli dha mësim se “ne duhet të kultivojmë forcën për t’i ndjekur bindjet tona” (pjesa 2). Në çfarë mënyre ne ndonjëherë bëjmë kompromis me bindjet tona? Si mund ta forcojmë veten për t’i bërë ballë tundimit?
Çfarë zbatimesh gjen për ne tregimi i Presidentit Hinkli për historinë e Elijas? (Shih pjesën 3.) Si do t’i përgjigjeshit dikujt që ndien se urdhërimet janë tepër kufizuese? Si e keni parë ju që bindja ndaj urdhërimeve sjell liri, siguri dhe paqe?
Rishikojeni shpjegimin e Presidentit Hinkli për mënyrën se si udhëheqësit e Kishës japin këshillë dhe paralajmërime (shih pjesën 4). Si jeni bekuar nga ndjekja e këshillës së udhëheqësve të Kishës?
Çfarë mund të mësojmë nga historia e Presidentit Hinkli për vagonin e humbur të bagazheve? (Shih pjesën 5.) Përse vendimet ose veprimet e vogla sjellin një ndryshim kaq të madh në jetën tonë? Cili është një vendim i vogël që ka sjellë një ndryshim të madh në jetën tuaj? Si mund t’i dallojmë më mirë shmangiet e vogla që mund të na largojnë nga shtegu i Perëndisë?
Si mund të na ndihmojë të jetuarit e ungjillit që të përballemi me pasiguritë në botë? (Shih pjesën 6.) Si mund ta thjeshtojë jetën tonë të jetuarit e ungjillit? Merreni parasysh se si ju mund ta forconi më aktivisht Kishën dhe ta ndihmoni punën e Perëndisë të rritet nëpër botë.
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Ligji i Përtërirë 4:39–40; Hebrenjve 5:8–9; DeB 64:33–34; 93:26–28; 98:22; Abraham 3:24–26; Nenet e Besimit 1:3
Ndihmë për Studimin
“Leximi, studimi dhe përsiatja nuk janë e njëjta gjë. Ne lexojmë fjalë dhe mund të marrim ide. Ne studiojmë dhe mund të zbulojmë modele dhe lidhje në shkrimin e shenjtë. Por kur përsiatemi, ne ftojmë zbulesë nga Shpirti. Përsiatja, për mua, është mendimi dhe lutja që bëj, pasi i lexoj e i studioj me kujdes shkrimet shenjta” (Henri B. Ajring, “Shërbeni me Shpirtin”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 60).