Kapitulli 5
Bija të Perëndisë
“E mahnitshme është fuqia e grave me besim.”
Nga Jeta e Gordon B. Hinklit
Gjatë gjithë jetës së tij, Gordon B. Hinkli shprehu vlerësim për aftësitë dhe kontributet e grave. Ai gjithashtu shprehu dëshminë e tij të fortë për rëndësinë e grave në planin e përjetshëm të Perëndisë. Ai gjente kënaqësi te mundësitë në rritje të grave, si edhe te besimi i tyre te Shpëtimtari dhe përkushtimi ndaj familjeve të tyre dhe Kishës.
Nëna e Gordon B. Hinklit, Ada, ishte e zgjuar dhe e arsimuar dhe kishte dashuri për letërsinë, muzikën dhe artin. Në moshën 29-vjeçare, ajo u martua me vejanin Brajënt Hinkli dhe mori mbi vete përgjegjësinë e tetë fëmijëve, të cilët ishin të pikëlluar për vdekjen e nënës së tyre. Ajo i ushqeu ata me dashuri, u dha atyre mbështetjen që u nevojitej, dhe mësoi të administronte një familje të madhe. Gordoni ishte i pari nga pesë fëmijët që u lindën Adës dhe Brajëntit. Edhe pse Ada vdiq kur Gordoni ishte 20 vjeç, mësimet dhe shembulli i saj mbetën një forcë për të mirë gjatë gjithë jetës së tij. Kur fliste për të, ai gjithmonë përmendte ndikimin e saj të pamasë tek ai.
Gruaja e Gordon B. Hinklit, Marxhëri Pei, pati gjithashtu një ndikim të thellë tek ai. Ajo ishte një grua e fortë, e cila ishte e përkushtuar ndaj ungjillit të Jezu Krishtit. Ajo kishte besim të jashtëzakonshëm, një prirje gazmore dhe një dashuri për jetën. Në një letër të dhembshur drejtuar asaj, Presidenti Hinkli shprehte dashurinë dhe respektin e tij:
“Ne kemi udhëtuar anekënd së bashku. Ne kemi vizituar çdo kontinent. Ne kemi zhvilluar takime në qytetet e mëdha të botës dhe në shumë më të vogla. … Ne kemi folur me miliona njerëz të cilët të kanë vlerësuar ty aq shumë. Me fjalët e tua të afrueshme ti ke fituar dashurinë e tërë atyre që të kanë dëgjuar. Arsyetimi yt i mirë e me këmbë në tokë, mprehtësia jote shkëlqyese e plot freski, urtësia jote e qetë dhe e pamunguar dhe besimi yt i jashtëzakonshëm e gjithnjë i qëndrueshëm kanë fituar zemrat e të gjithë atyre që të kanë dëgjuar. … Ëndja jote e zjarrtë për lexim dhe kërkimi yt i vazhdueshëm për dije të kanë mbajtur syçelë dhe plot freski gjatë një jete të gjatë dhe të frytshme.”1
Presidenti Hinkli foli shpesh rreth natyrës hyjnore të grave dhe i nxiti ato të shkonin përpara drejt arritjesh dhe një besimi më të madh. Për të rejat, ai shpalli: “Ju jeni vërtet një bijë e të Plotfuqishmit. Nuk ka kufij për potencialin tuaj. Nëse do ta merrni nën kontroll jetën tuaj, e ardhmja është e mbushur me mundësi dhe kënaqësi. Nuk mund t’ia lejoni vetes të harxhoni kot talentet ose kohën tuaj. Mundësi të mëdha gjenden para jush.”2 Për sa u përket grave të rritura, ai tha: “Bota ka nevojë për ndikimin e grave dhe dashurinë e tyre, ngushëllimin e tyre dhe forcën e tyre. Mjedisi ynë i ashpër ka nevojë për zërat e tyre inkurajues, bukurinë që duket se shoqëron natyrën e tyre, frymën e dashurisë hyjnore që ato e kanë trashëguar.”3
Në konferencën e përgjithshme pas vdekjes së shoqes së tij të dashur, Marxhërisë, Presidenti Hinkli e mbylli një prej bisedave të tij me këtë shprehje të përzemërt mirënjohjeje: “Sa mirënjohës jam, sa mirënjohës duhet të jemi të gjithë ne, për gratë në jetën tonë. Perëndia i bekoftë ato. Dashuria e Tij e madhe pikoftë si vesë mbi to dhe i kurorëzoftë me shkëlqim dhe bukuri, hir dhe besim.”4
Mësime të Gordon B. Hinklit
1
Gratë kanë një vend të lartë dhe të shenjtë në planin e përjetshëm të Perëndisë.
Secila prej jush është një bijë e Perëndisë. Mendoni thellë mbi tërë kuptimin e mrekullueshëm të atij fakti të vetëm suprem. …
Unë ju kujtoj fjalët e thëna nga Profeti Jozef grave të Shoqatës së Ndihmës në prill të vitit 1842. Tha ai: “Nëse shkoni baras me privilegjet tuaja, engjëjt nuk do të ngurrojnë të bëhen shoqëruesit tuaj” [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 484]. Çfarë potenciali i mahnitshëm gjendet brenda jush.5
Ju jeni shumë të çmuara, çdonjëra prej jush. … Ju zini një vend të lartë dhe të shenjtë në planin e përjetshëm të Perëndisë, Atit tonë në Qiell. Ju jeni bijat e Tij, të çmuara për Atë, të dashura për Atë dhe shumë të rëndësishme për Të. Plani i Tij i madh nuk mund të ketë sukses pa ju.6
Më lejoni t’ju them motra që ju nuk zini një vend dytësor në planin e Atit tonë për lumturinë dhe mirëqenien e përjetshme të fëmijëve të Tij. Ju jeni një pjesë absolutisht thelbësore e atij plani. Pa ju plani nuk do të mund të funksiononte. Pa ju i tërë programi do të pengohej.7
Ju është dhënë si trashëgimi e juaja diçka e bukur, e shenjtë dhe hyjnore. Kurrë mos e harroni atë. Ati juaj i Përjetshëm është Mjeshtri i madh i universit. Ai sundon mbi gjithçka, por Ai gjithashtu do të dëgjojë lutjet tuaja si bijat e Tij dhe do t’ju dëgjojë kur i flisni Atij. Ai do t’u përgjigjet lutjeve tuaja. Ai nuk do t’ju lërë vetëm.8
2
Këshilla e Zotit për Ema Smithin gjen zbatim për të gjithë.
Seksioni i njëzetepestë i Doktrinës e Besëlidhjeve … është një zbulesë dhënë nëpërmjet Profetit Jozef gruas së tij, Emës. … I tha ai Emës dhe secilit prej nesh:
“Një zbulesë unë të jap ty lidhur me vullnetin tim; dhe nëse ti je besnike dhe ecën në shtigjet e virtytit përpara meje, unë do ta ruaj jetën tënde dhe ti do të marrësh trashëgimi në Sion” [DeB 25:2; shih edhe vargun 16]. …
Në një masë shumë të madhe secili prej nesh mban çelësin për bekimet e të Plotfuqishmit për ne. Nëse e duam bekimin, ne duhet të paguajmë çmimin. Një pjesë e atij çmimi qëndron në të qenit besnik. Besnikë ndaj çfarë gjëje? Besnikë ndaj vetes, asaj që është më e mira brenda nesh. Asnjë grua nuk mund t’ia lejojë vetes që ta poshtërojë veten, ta nënvleftësojë veten, t’i ulë aftësitë e saj apo kapacitetet e saj. Le të jetë secila besnike ndaj cilësive të madhërishme, hyjnore që janë brenda saj. Jini besnike ndaj ungjillit. Jini besnike ndaj Kishës. Ne kemi gjithë ata njerëz rreth nesh që po përpiqen ta gërryejnë atë, të kërkojnë dobësi në udhëheqësit e saj të hershëm, të gjejnë faj në programet e saj, të flasin me kritika rreth saj. Unë ju jap dëshminë time se ajo është puna e Perëndisë dhe se ata që flasin kundër saj, po flasin kundër tij.
Jini besnike ndaj tij. Ai është burimi i vetëm i vërtetë i forcës suaj. Ai është Ati juaj në Qiell. Ai jeton. Ai i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve. Jini besnike ndaj Perëndisë.
Zoti vazhdoi, duke i thënë Emës: “Nëse ti … ecën në shtigjet e virtytit”.
Unë mendoj se çdo grua … e kupton domethënien e asaj. Ndiej se ato fjalë i ishin dhënë Ema Smithit, dhe për pasojë të gjithëve ne, si një kusht që duhej respektuar në qoftë se [duam] të marrim një trashëgimi në mbretërinë e Perëndisë. Mungesa e virtytit është plotësisht e papajtueshme me bindjen ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Nuk ka asgjë më të bukur sesa virtyti. Nuk ka asnjë forcë që është më e madhe sesa forca e virtytit. Nuk ka asnjë fisnikëri tjetër të barabartë me fisnikërinë e virtytit. Nuk ka asnjë cilësi më të hijshme, asnjë stoli më tërheqëse. …
Ema u thirr “zonjë e zgjedhur” [DeB 25:3]. Domethënë, duke përdorur një varg tjetër të shkrimit të shenjtë, ajo ishte një “shërbëtore e zgjedhur e Zotit”. (Shih Moroni 7:31.) Secila prej jush është një zonjë e zgjedhur. Ju jeni shkëputur nga bota si pjesëtare të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Ju e keni bërë zgjedhjen tuaj dhe, nëse po jetoni të denja për të, Zoti do t’ju nderojë ju në të dhe do t’ju lartësojë. …
Ema do të shugurohej9 nën dorën e Jozefit “për të sqaruar shkrimet e shenjta dhe për ta këshilluar kishën, ashtu siç do të të jepet me anë të Shpirtit tim” [DeB 25:7].
Ajo duhej të ishte një mësuese. Ajo duhej të ishte një mësuese e drejtësisë dhe e së vërtetës. Pasi Zoti i tha asaj lidhur me këtë thirrje: “Ti do të marrësh Frymën e Shenjtë dhe koha jote duhet t’u kushtohet të shkruarit dhe të lexuarit të shumtë” [DeB 25:8].
Ajo duhej të studionte ungjillin. Ajo duhej të studionte edhe gjërat e botës në të cilën jetonte. Kjo u bë e qartë në zbulesat e mëpasshme që gjejnë zbatim për të gjithë ne. Ajo duhej t’ia kushtonte kohën e saj “të lexuarit të shumtë”. Ajo duhej të shkruante, duke i shprehur mendimet e saj.
Juve, grave të sotme, qofshi të moshuara apo të reja, a mund t’ju sugjeroj që të shkruani, që të mbani ditarë, që t’i shprehni mendimet tuaja në letër. Të shkruarit është një disiplinë e fortë. Ajo është një përpjekje e jashtëzakonshme mësimore. Ajo do t’ju ndihmojë në mënyra të ndryshme dhe ju do të bekoni jetën e shumë njerëzve. …
Në gjuhën e zbulesës, [Ema] duhej të “sqar[onte] shkrimet e shenjta dhe … ta këshill[onte] kishën, ashtu siç do të të jepet me anë të Shpirtit tim”.
Çfarë porosie e jashtëzakonshme drejtuar asaj dhe të gjitha grave të kësaj Kishe. Duhet mësim, duhet përgatitje, duhet organizim i mendimit, duhet një sqarim i shkrimeve të shenjta, duhet një këshillim për vepra të mira siç drejtoheni nga Shpirti i Shenjtë.
Zoti vazhdoi: “Dhe në të vërtetë unë të them se ti duhet të lësh mënjanë gjërat e kësaj bote dhe të kërkosh gjërat e një më të mire” [DeB 25:10].
Unë ndiej se ai nuk po i thoshte Emës se ajo nuk duhej të ndihej e shqetësuar rreth një vendi për të banuar, rreth ushqimit në tavolinën e saj dhe rreth veshjes. Ai po i thoshte asaj se ajo nuk duhej të fiksohej pas këtyre gjërave, ashtu siç shumë prej nesh priren të jenë. Ai po i thoshte asaj t’i përqendronte mendimet e saj te gjërat më të larta të jetës, te gjërat e drejtësisë dhe mirësisë, çështjet e bamirësisë dhe dashurisë për të tjerët, gjërat e përjetësisë. …
Duke vazhduar, Zoti tha: “Prandaj, gëzohu në zemrën tënde e ngazëllehu dhe kapu pas besëlidhjeve që ke bërë” [DeB 25:13].
Unë besoj se ai po i thotë secilit prej nesh të jetë i lumtur. Ungjilli është një çështje gëzimi. Ai na jep një arsye për gëzim. Sigurisht ka periudha pikëllimi. Sigurisht ka çaste meraku dhe ankthi. Ne të gjithë shqetësohemi. Por Zoti na ka thënë të gëzohemi në zemrën tonë dhe të ngazëllehemi.10
3
Nënat kanë një thirrje të shenjtë për t’i rritur fëmijët e tyre në drejtësi dhe të vërtetë.
Forca e vërtetë e çdo kombi, shoqërie ose familjeje qëndron në ato cilësi të karakterit që janë fituar në pjesën më të madhe nga fëmijët të cilët kanë marrë mësim në mënyrën e përditshme, të qetë e të thjeshtë të nënave.11
Është shtëpia ajo që prodhon fidanët për brezat e ardhshëm. Unë shpresoj që ju nëna do ta kuptoni se, në fund të fundit, ju nuk keni përgjegjësi më detyruese, as ndonjë detyrë me shpërblime më të mëdha sesa edukimi që u jepni fëmijëve tuaj në një mjedis sigurie, paqeje, shoqërimi, dashurie dhe shtyse për t’u rritur e vepruar mirë.12
Unë ju kujtoj juve nëna kudo shenjtërinë e thirrjes suaj. Askush tjetër nuk mund ta zërë vendin tuaj në mënyrë të përshtatshme. Asnjë përgjegjësi nuk është më e madhe, asnjë detyrim nuk është më shtrëngues sesa që t’i rritni me dashuri dhe paqe, dhe integritet moral ata që keni sjellë në botë.13
Rritini fëmijët tuaj në dritë e të vërtetë. Mësojini të luten ndërsa janë të njomë. Lexojuni atyre nga shkrimet e shenjta ndonëse ata mund të mos e kuptojnë gjithçka që lexoni. Mësojuni atyre të paguajnë të dhjetat dhe ofertat e tyre që nga paratë e para fare që do të marrin. Lëreni këtë praktikë të bëhet zakon në jetën e tyre. Mësojuni bijve tuaj ta nderojnë grarinë. Mësojuni bijave tuaja të ecin me virtyt. Pranoni përgjegjësi në Kishë dhe mirëbesoni se Zoti do t’ju bëjë të afta për çdo thirrje që mund të merrni. Shembulli juaj do të vendosë një model për fëmijët tuaj.14
Perëndia ju bekoftë ju, nëna! Kur të gjitha fitoret dhe disfatat e përpjekjeve njerëzore të jenë mbajtur shënim, kur pluhuri i betejave të jetës të fillojë të bjerë, kur gjithçka për të cilën punojmë kaq fort në këtë botë zaptimi, të shuhet para syve tanë, ju do të jeni të pranishme, ju duhet të jeni të pranishme, si forca për një brez të ri, lëvizja përparuese përherë-përmirësuese e racës njerëzore. Cilësia e brezit të ri do të varet nga ju.15
4
Gratë kanë përgjegjësi të mëdha në punën e shpëtimit.
Ka forcë dhe zotësi të madhe në gratë e kësaj Kishe. Ka udhëheqje dhe udhërrëfim, njëfarë shpirti pavarësie dhe prapëseprapë ndjenjë të madhe përmbushjeje në të qenit pjesë e kësaj, mbretërisë së Zotit, dhe në të punuarit dorë për dore me [mbajtësit e] priftëri[së] për ta çuar atë përpara.16
Perëndia u ka dhënë grave të kësaj kishe një punë për të bërë në ndërtimin e mbretërisë së tij. Ajo përfshin të gjitha aspektet e treshes sonë të madhe të përgjegjësisë – që është, e para, t’i mësojmë ungjillin botës; e dyta, të forcojmë besimin dhe të ndërtojmë lumturinë e anëtarësisë së Kishës; dhe, e treta, ta çojmë përpara punën e madhe të shpëtimit për të vdekurit.17
Gratë në Kishë janë bashkëpunëtore me vëllezërit e tyre në çuarjen përpara të kësaj pune të fuqishme të Zotit. … Gratë mbajnë përgjegjësi të jashtëzakonshme dhe ato janë përgjegjëse për përmbushjen e atyre përgjegjësive. Ato drejtojnë vetë organizatat e tyre dhe ato organizata janë të fuqishme e të gjalla dhe janë forca me rëndësi për mirë në botë. Ato qëndrojnë në një rol bashkëpunimi me priftërinë, të gjithë duke u përpjekur së bashku për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë në tokë. Ne ju nderojmë dhe ju respektojmë për zotësinë tuaj. Ne presim udhëheqje e forcë dhe rezultate mbresëlënëse nga administrimi prej jush i organizatave për të cilat ju jeni përgjegjëse. Ne ju mbështetim e përkrahim ju si bija të Perëndisë që punoni në një bashkëpjesëmarrje të madhe për ta ndihmuar atë që të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e të gjithë bijve dhe bijave të Perëndisë.18
5
Shoqata e Ndihmës është një burim bekimesh të pamatshme.
Gratë e Shoqatës së Ndihmës janë me të vërtetë të rrethuara përjetësisht në krahët e Zotit tonë. Sipas gjykimit tim, kjo është organizata më e madhe e grave në mbarë botën. Është një krijim i dhënë nga Perëndia. Jozef Smithi foli dhe veproi si profet kur organizoi Shoqatën e Ndihmës në vitin 1842.19
Është me rëndësi kaq të jashtëzakonshme që gratë e Kishës të qëndrojnë të forta dhe të patundura për atë çka është e drejtë dhe e përshtatshme në planin e Zotit. Jam i bindur se nuk ka askund ndonjë organizatë që të barazohet me Shoqatën e Ndihmës së kësaj Kishe. … Nëse [anëtaret e saj] do të jenë të bashkuara e të flasin me një zë, forca e tyre do të jetë e pallogaritshme.20
Mora pjesë në një konferencë kunji ku një e re, presidente e Shoqatës së Ndihmës së një lagjeje të beqarëve, foli rreth shërbimit dhe mundësisë së madhe që i jepnin vetes të rejat në lagjen e saj. Ju e keni të gjithë këtë. Ju keni vetë organizatën tuaj. Ju keni udhëheqëse të zonja që t’ju këshillojnë. Ju keni ato që do të shtrijnë dorën për ju për t’ju ndihmuar në periudhat tuaja të shqetësimit dhe fatkeqësisë.21
Kush mund t’i njehsojë ndikimet mrekullibërëse në jetën e miliona grave njohuria e të cilave është rritur, largpamësia e të cilave është zmadhuar, jetët e të cilave janë zgjeruar dhe kuptueshmëria e të cilave për gjërat e Perëndisë është pasuruar për shkak të mësimeve të panumërta të dhëna mësim e të mësuara në mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës?
Kush mund ta matë gëzimin që ka ardhur në jetën e këtyre grave teksa janë mbledhur së bashku, duke u shoqëruar në atmosferën e lagjes ose degës, duke pasuruar jetën e njëra-tjetrës përmes shoqërimeve që kanë qenë të ëmbla dhe janë ruajtur si thesar?
Kush, edhe në kufijtë më të papërmbajtur të përfytyrimit, mund t’i matë veprat e panumërueshme të bamirësisë që janë bërë, ushqimin që është vendosur mbi tryezat e zbrazëta, besimin që është ushqyer në çastet e dëshpëruara të sëmundjes, plagët që janë lidhur, dhembjet që janë lehtësuar nga duar të dashura dhe fjalë të qeta e siguruese, ngushëllimin që është shprehur në kohë vdekjeje dhe vetmie pasuese? …
Askush nuk do të mund t’i llogariste kurrsesi projektet që janë ndërmarrë dhe përmbushur nga Shoqatat e Ndihmës vendore. Askush nuk do të mund ta vlerësonte kurrsesi të mirën që ka ardhur në jetën e grave që u përkasin këtyre organizatave dhe atyre që kanë përfituar nga punët e tyre të mira. …
Perëndia e bekoftë Shoqatën e Ndihmës të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme! Shpirti i dashurisë që ka shtyrë anëtaret e saj, … u vazhdoftë të rritet dhe të ndjehet nëpër botë! Veprat e tyre të bamirësisë prekshin për mirë jetën e një numri të pallogaritshëm njerëzish kudo që këto vepra gjejnë vend! Dhe e hijeshoftë drita dhe kuptueshmëria, të mësuarit e njohuria dhe e vërteta e përjetshme, jetën e brezave të grave që ende do të vijnë në jetë, nëpër kombet e tokës, për shkak të këtij institucioni të pashoq dhe të vendosur hyjnisht.22
6
Ngrihuni në nivelin e hyjnueshmërisë që është brenda jush.
Ju jeni një mori e madhe grash të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. … Askush nuk mund ta llogaritë se ç’forcë e jashtëzakonshme për mirë mund të bëheni ju. … Unë ju porosis të qëndroni me besim në vetvete dhe të jini të forta në mbrojtjen e atyre virtyteve të madhërishme që kanë qenë forca e përparimit tonë shoqëror. Kur ju jeni të bashkuara, fuqia juaj është e pakufishme. Ju mund të përmbushni çfarëdo që dëshironi të përmbushni. Dhe oh, tepër e madhe është nevoja për ju në një botë me vlera që po thërrmohen, të cilën kundërshtari duket se e ka kaq shumë nën kontroll.23
Ndiej t’i ftoj gratë kudo që të ngriheni në [lartësinë e] potencialit të madh që keni brenda jush. Unë nuk kërkoj që të shkoni përtej kapacitetit tuaj. Shpresoj që nuk do ta mërzitni veten me mendime dështimi. Shpresoj që nuk do të përpiqeni të vini qëllime tepër larg kapacitetit tuaj për t’i arritur. Shpresoj që ju thjesht do të bëni atë që ju mund të bëni në mënyrën më të mirë që dini. Nëse e bëni atë, ju do të dëshmoni se si mrekulli do të ndodhin.24
Unë ju shpreh mirënjohjen time ju grave besnike shenjtore të ditëve të mëvonshme, që tanimë jeni bërë miliona dhe që gjendeni kudo nëpër tokë. E madhe është fuqia juaj për mirë. Të mahnitshme janë talentet dhe përkushtimi juaj. I jashtëzakonshëm është besimi juaj dhe dashuria juaj për Zotin, për punën e Tij dhe për bijtë e bijat e Tij. Vazhdoni ta jetoni ungjillin. Lëreni atë të duket përpara të gjithë atyre me të cilët shoqëroheni. Veprat tuaja të mira do të kenë më shumë peshë sesa çfarëdo fjalësh që mund të thoni. Ecni në virtyt dhe të vërtetë, me besim e besnikëri. Ju jeni pjesë e një plani të përjetshëm, një plani të hartuar nga Perëndia, Ati ynë i Amshuar. Çdo ditë është pjesë e asaj përjetësie.
Unë e di se shumë prej jush mbajnë barrë jashtëzakonisht të rënda. Ju ndihmofshin shokët e shoqet tuaja në Kishë, vëllezërit e motrat tuaja, për ato barrë! U ngritshin lutjet tuaja tek Ai që është i plotpushtetshëm, i cili ju do dhe i cili mund të bëjë të shfaqen forca e faktorë që mund t’ju ndihmojnë ju! Kjo është një punë mrekullish. Ju e dini atë dhe unë e di atë. Është e lehtë t’ju them juve që të mos shkurajoheni, por prapëseprapë unë do ta them atë, teksa ju nxit të shkoni përpara me besim.25
E mahnitshme është fuqia e grave me besim. Ajo është shfaqur sërish e sërish në historinë e kësaj kishe. Ajo vazhdon mes nesh sot. Unë mendoj se është pjesë e hyjnueshmërisë brenda jush.
Motra, ngrihuni në lartësinë e asaj hyjnueshmërie. Në atë përpjekje bëjeni botën në të cilën jetoni, një vend më të mirë për veten dhe për të gjithë ata që do të vijnë pas jush në këtë jetë.26
I qofshim falë Perëndisë për gratë e mrekullueshme të kësaj Kishe. Mbjelltë ai në zemrat tuaja një ndjenjë krenarie për aftësitë tuaja dhe një bindje për të vërtetën, e cila do të jetë si një timon për t’ju ruajtur në siguri përmes çdo stuhie!27
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Çfarë mësojmë nga Presidenti Hinkli rreth mënyrës se si ndihet Ati Qiellor për bijat e Tij? (Shih pjesën 1.) Përse është e rëndësishme për ne që të kuptojmë “vend[in e] lartë dhe të shenjtë” të grave në planin e përjetshëm të Perëndisë?
Cilat aspekte të këshillës së Zotit drejtuar Ema Smithit janë veçanërisht të dobishme për ju? (Shih pjesën 2.) Çfarë mund të mësojmë nga pjesa 2 rreth të qenit besnik? Çfarë mund të mësojmë rreth të qenit një “zonjë e zgjedhur”? Çfarë mund të mësojmë rreth mënyrës se si t’i zbatojmë shkrimet e shenjta për veten tonë?
Cilat janë përshtypjet tuaja teksa e lexoni këshillën e Presidentit Hinkli drejtuar nënave? (Shih pjesën 3.) Si jeni bekuar nga ndikimi i një nëne? Për prindërit, përse “asnjë detyrim nuk është më shtrëngues” sesa t’i rritin fëmijët e tyre “me dashuri dhe paqe, dhe integritet moral”?
Çfarë shembujsh keni parë ju të “forcë[s] dhe zotësi[së së] madhe” të grave në Kishë? (Shih pjesën 4.) Cilat janë disa mënyra se si gratë mund të ndihmojnë që të bëjnë të ndodhë “pavdekësia dhe jeta e përjetshme e të gjithë bijve dhe bijave të Perëndisë”? Përse është e rëndësishme që burrat dhe gratë të punojnë së bashku për ta çuar përpara punën e Zotit? Cilët janë disa shembuj që keni parë të kësaj gjëje?
Përsëritini bekimet që vijnë nga Shoqata e Ndihmës, siç i përvijon Presidenti Hinkli në pjesën 5. Çfarë bekimesh ju kanë ardhur nga përpjekjet e motrave të Shoqatës së Ndihmës, përfshirë ato që po shërbejnë tek Të Rejat dhe te Fillorja? Si mund ta forconi Shoqatën e Ndihmës në lagjen tuaj? Si mund t’i ndihmojë gratë Shoqata e Ndihmës që ta rritin ndikimin e tyre për mirë?
Merreni parasysh nxitjen e Presidentit Hinkli që të “ngriheni në [lartësinë e] potencialit të madh që keni brenda jush” (pjesa 6). Si mund të fitojmë një largpamësi më të mirë rreth asaj që Perëndia e sheh se është potenciali ynë? Si mund të përparojmë drejt arritjes së potencialit tonë? Kur e keni parë të “mahnitshme[n] … fuqi [të] grave me besim”?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Fjalët e Urta 31:10–31; Lluka 10:38–42; Veprat e Apostujve 9:36–40; Romakëve 16:1–2; 2 Timoteut 1:1–5; Alma 56:41–48
Ndihmë për Mësimdhënien
“Ndërsa përgatiteni të jepni secilin mësim, lutuni për Shpirtin që t’ju ndihmojë të dini kur të shprehni ndjenjat tuaja më të shenjta. Ju mund të nxiteni të jepni dëshmi disa herë gjatë një mësimi, jo thjesht në mbyllje të tij” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 44).