Mësime të Presidentëve
Kapitulli 1: Rivendosja e Ungjillit – Agimi i një Dite më të Ndritur


Kapitulli 1

Rivendosja e Ungjillit – Agimi i një Dite më të Ndritur

“Ky ungjill i lavdishëm nisi me shfaqjen e Atit dhe Birit djaloshit Jozef.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

Gjatë gjithë jetës së tij, Presidenti Gordon B. Hinkli ushqeu një respekt të thellë për njerëzit dhe vendet e përfshira në rivendosjen e ungjillit. Ai ndjeu mirënjohje të veçantë për Jozef Smithin dhe rolin e tij në Rivendosje dhe ai foli për “një dëshirë gjithnjë në rritje për të dhënë dëshmi për hyjnueshmërinë e Zotit dhe për misionin e Profetit Jozef Smith”1.

Në vitin 1935, kur Gordoni po udhëtonte për në shtëpi nga misioni i tij në Angli, ai dhe misionarë të tjerë që po ktheheshin, vizituan Korijen e Shenjtë dhe kodrën Kumorah. Ata gjithashtu ndaluan në burgun e Karthixhit, ku u martirizua Profeti Jozef dhe Hajrëm Smithi. Ata ecën nëpër rrugët me pluhur të Navusë, ku shenjtorët e dëbuar e kishin kthyer një moçalishte në një qytet të bukur. Pa dyshim, reflektimet mbi sprovat dhe ngadhënjimet e shenjtorëve të hershëm lanë mbresë në mendjen e Gordonit ndërsa ai ishte në këto vende dhe ndërsa ai vazhdoi për në perëndim përgjatë rrugës së pionierëve drejt Solt-Lejk-Sitit.

Gordon B. Hinkli u kthye në vendet e shenjta të Rivendosjes shumë herë të tjera në dekadat në vijim. Në takimin shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë më 3 dhjetor 2000, ai tregoi këtë përvojë vetjake nga një vizitë në Korijen e Shenjtë:

“Disa vite më parë unë u caktova me detyrë në konferencën e Kunjit të Roçesterit, Nju-Jork. Të shtunën u thashë vëllezërve që ishin me mua: ‘Le të zgjohemi herët në mëngjes, herët të dielën në mëngjes dhe të shkojmë në Korijen e Shenjtë përpara konferencës’. Ata të gjithë ranë dakord. Si rrjedhim, shumë herët atë Shabat pranvere, unë, presidenti i misionit, presidenti i kunjit dhe përfaqësuesi rajonal dolëm jashtë në Palmira dhe ecëm drejt korijes. Askush tjetër nuk ishte aty. Ishte qetë dhe bukur. Kishte rënë shi gjatë natës. Gjethe të njoma e të vogla ishin mbi drurë.

Ne folëm qetësisht me njëri-tjetrin. U gjunjëzuam në tokën e lagur dhe u lutëm. Ne nuk dëgjuam një zë të dëgjueshëm. Ne nuk pamë një vegim. Por në një mënyrë të papërcaktueshme neve na u tha në mendjet tona, secilit prej nesh, se po, ajo ndodhi këtu ashtu siç Jozefi tha se ndodhi. Qe këtu që Perëndia, Ati ynë i Amshuar, dhe Biri i Tij i Dashur, Zoti i ringjallur Jezu Krisht, iu shfaqën djalit 14-vjeçar dhe folën me të. Drita e tyre e pakrahasueshme qëndroi mbi të dhe ai u udhëzua për atë që ai duhej të bënte.

Ajo ngjarje qiellore, Vegimi i Parë, hapi perdet përmes të cilave në tokë erdhi rivendosja e Kishës së Krishtit. Ajo erdhi nga shkretëtira e errësirës, nga zymtësia e epokave të kaluara në agimin e lavdishëm të një dite të re. Libri i Mormonit pasoi si një dëshmi tjetër e Zotit Jezu Krisht. Priftëria e Tij e shenjtë hyjnore u rivendos nga duart e atyre që e mbajtën atë në lashtësi. Çelësat dhe fuqitë iu dhuruan Profetit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Kisha e lashtë ishte përsëri mbi tokë me të gjitha bekimet, fuqitë, doktrinat, çelësat dhe parimet e periudhave të mëparshme ungjillore. Ajo është Kisha [e Krishtit]. Ajo mban emrin e Tij. Ajo qeveriset nga priftëria e Tij. Nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell me të cilin njerëzit duhet të shpëtohen. Jozef Smithi … u bë dëshmuesi i Tij i madh.”2

Vegimi i Parë

Vegimi i Parë hapi “kapitulli[n] përfundimtar [të] kronikës së gjatë të marrëdhënies së Perëndisë me burrat dhe gratë mbi tokë”.

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Pas vdekjes së Shpëtimtarit, Kisha që Ai kishte krijuar, shkoi drejt braktisjes.

[Jezu Krishti] ishte dhe është figura e madhe qendrore e historisë njerëzore, kulmi i kohëve dhe stinëve të të gjithë njerëzve.

Përpara vdekjes së Tij, Ai kishte shuguruar Apostujt e Tij. Ata vazhduan me ngulm për një periudhë kohe. Kisha e Tij ishte vendosur siç duhet.3

Pas vdekjes së Shpëtimtarit, Kisha që Ai kishte krijuar, shkoi drejt braktisjes. U plotësuan fjalët e Isaias, i cili tha: “Toka është përdhosur nga banorët e saj, sepse këta kanë shkelur ligjet, kanë ndryshuar statutin, kanë marrë nëpër këmbë besëlidhjen e përjetshme” (Isaia 24:5).4

Letrat e Palit bënë thirrje për forcë mes pasuesve të Krishtit, që të mos binin në rrugët e të ligut. Por një frymë braktisjeje në fund të fundit mbizotëroi.5

Shekujt rrodhën. Një re e errësirës qëndroi mbi tokë. Isaia e përshkroi atë: “Sepse ja, terri mbulon tokën dhe një errësirë e dëndur mbulon popujt” (Isaia 60:2).

Ajo ishte një stinë plaçkitjeje dhe vuajtjeje, e shënuar nga konflikti i gjatë dhe i përgjakshëm. … Ajo ishte një epokë e humbjes së shpresës, një kohë pronarësh dhe bujkrobërish.

Një mijë vitet e para kaluan dhe mijëvjeçari i dytë agoi. Shekujt e tij të parë ishin një vazhdimësi e të parit. Ajo ishte një kohë e mbushur me frikë dhe vuajtje.6

2

Rilindja dhe Reformimi ndihmuan në përgatitjen e udhës për rivendosjen e ungjillit.

Në njëfarë mënyre, në atë kohë të gjatë të errësirës, një qiri u ndez. Epoka e Rilindjes solli me vete një lulëzim të të mësuarit, të artit dhe të shkencës. Ndodhi një lëvizje burrash e grash sypatrembur dhe të guximshëm që shikonin nga qielli në shenjë pranimi të Perëndisë dhe Birit të Tij hyjnor. Ne flasim për atë si Reformimi.7

Reformatorët punuan për ta ndryshuar kishën e [krishterë], veçanërisht njerëz të tillë si Luteri, Melanktoni, Husi, Cvingli dhe Tindeli. Këta ishin burra me guxim të madh, disa prej të cilëve pësuan vdekje mizore për shkak të bindjeve të tyre. Lëvizja protestante lindi me thirrjen e saj për reformim. Kur reformimi nuk u realizua, reformatorët organizuan kishat e tyre. Ata e bënë atë pa autoritetin e priftërisë. Dëshira e tyre e vetme ishte të gjenin një kënd të ngrohtë në të cilin ata të mund ta adhuronin Perëndinë në mënyrën se si ata e ndienin se Ai duhet të adhurohet.

Ndërsa kjo trazirë e madhe po nxitej në të gjithë botën e krishterë, edhe forcat politike i ishin futur punës. Pastaj erdhi Lufta Revolucionare Amerikane, që rezultoi në lindjen e një kombi, Kushtetuta e të cilit shpalli se qeveria nuk duhej ta shtrinte dorën e saj shtrënguese në çështjet e fesë. Një ditë e re kishte aguar, një ditë e lavdishme. Tani nuk kishte më një kishë shtetërore. As edhe një besim fetar nuk ishte favorizuar mbi një tjetër.

Pas shekujsh errësire dhe dhembjeje, dhe lufte, koha kishte ardhur për rivendosjen e ungjillit. Profetët e lashtë kishin folur për këtë ditë të shumëpritur.

E gjithë historia e së kaluarës e kishte theksuar këtë epokë. Shekujt, me të gjitha vuajtjet e tyre dhe të gjithë shpresën e tyre, kishin ardhur e shkuar. Gjyqtari i Plotfuqishëm i kombeve, Perëndia i gjallë, vendosi se koha, për të cilën profetët kishin folur, kishte ardhur. Danieli kishte profetizuar për një gur i cili ishte prerë nga mali pa duar dhe i cili u bë një mal i madh dhe mbushi tërë tokën [shih Daniel 2:35, 44].8

3

Rivendosja nisi me shfaqjen e Atit dhe Birit ndaj Jozef Smithit.

Pasi shumë breza kishin jetuar në tokë – shumë prej tyre në konflikt, urrejtje, errësirë dhe ligësi – kishte ardhur dita e madhe, e re e Rivendosjes. Ky ungjill i lavdishëm kishte nisur me shfaqjen e Atit dhe Birit djaloshit Jozef.9

Sa i shquar që ishte vërtet ai vegim në vitin 1820, kur Jozefi u lut në korije dhe atje iu shfaqën përpara të dy, Ati dhe Biri. Njëri prej tyre i foli, duke e thirrur në emër dhe, duke treguar nga tjetri, tha: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” (Joseph Smith – Historia 1:17).

Asgjë e tillë nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë. Dikush mund të pyesë veten për arsyen përse kishte aq rëndësi të shfaqeshin të dy, edhe Ati, edhe Biri. Mendoj se ishte ngaqë Ata po nisnin periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve, periudhën e fundit dhe përmbyllëse të ungjillit, kur do të mblidheshin në një pjesët përbërëse të të gjitha periudhave të mëparshme. Ky duhet të ishte kapitulli përfundimtar i kronikës së gjatë të marrëdhënies së Perëndisë me burrat dhe gratë mbi tokë.10

Çdo pretendim që ne bëjmë në lidhje me autoritetin hyjnor, çdo e vërtetë që ne ofrojmë në lidhje me vlefshmërinë e kësaj pune, e gjitha i gjen rrënjët e saj te Vegimi i Parë i profetit djalosh. Pa të ne nuk do të kishim ndonjë gjë më shumë për të thënë. Kjo ishte hapja e madhe e perdes për periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve, kur Perëndia premtoi se Ai do ta rivendoste të gjithë pushtetin, dhuratat, bekimet e të gjitha periudhave ungjillore të mëparshme.11

4

Autoriteti dhe çelësat e priftërisë u rivendosën.

statuja e rivendosjes së priftërisë

Autoriteti dhe çelësat e Priftërisë Melkizedeke u rivendosën në tokë, si pjesë e Rivendosjes.

Kur rivendosi priftërinë Aarone, Gjon Pagëzori i ringjallur vuri duart e tij në kokën e Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit e tha: “MBI ju, bashkëshërbëtorët e mi, në emër të Mesias, unë jap Priftërinë e Aaronit, e cila mban çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit të pendimit e të pagëzimit me zhytje për heqjen e mëkateve” (DeB 13:1).12

Kjo u pasua nga vizita e Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit, Apostujt e Zotit Jezu Krisht, që i dhanë Jozefit dhe Oliver Kaudërit priftërinë Melkizedeke, të cilën këta Apostuj e kishin marrë nga duart e Vetë Zotit.13

Tre nga Apostujt [e Shpëtimtarit] – Pjetri, Jakobi dhe Gjoni – iu shfaqën Jozefit dhe Oliverit diku “në shkretëtir[ë]” përgjatë lumit Suskuehana (shih DeB 128:20). Ata vunë duart mbi kokat e tyre dhe u dhanë atyre këtë autoritet të shenjtë. …

Unë mund ta gjurmoj priftërinë time në një linjë të drejtpërdrejtë deri te kjo ngjarje. Ajo shkon si vijon: Unë u shugurova nga Dejvid O. Mek-Kei; i cili u shugurua nga Jozef F. Smithi; i cili u shugurua nga Brigam Jangu; i cili u shugurua nga Tre Dëshmitarët; të cilët u shuguruan nga Jozef Smith i Riu dhe Oliver Kaudëri; të cilët u shuguruan nga Pjetri, Jakobi dhe Gjoni; të cilët u shuguruan nga Zoti Jezu Krisht.

Ajo i ka ardhur në mënyrë të ngjashme [secilit mbajtës të Priftërisë Melkizedeke]. Secili nga ju vëllezër që e mbani këtë priftëri, e ka marrë atë gjithashtu në një linjë të drejtpërdrejtë nga dhurimi i bërë nga Pjetri, Jakobi dhe Gjoni.14

5

Nëpërmjet Jozef Smithit, Zoti zbuloi të vërteta që na dallojnë ne nga kishat e tjera.

Më lejoni të përmend pak nga shumë doktrinat dhe praktikat që na dallojnë ne nga të gjitha kishat e tjera dhe që kanë ardhur si rezultat i zbulesës që iu dha Profetit të ri. Ju i njihni ato, por ia vlen t’i përsërisim dhe të reflektojmë mbi to.

Kreu-Perëndi

E para nga … këto … është shfaqja e Vetë Perëndisë dhe Birit të Tij të Dashur, Zotit të ringjallur Jezu Krisht. Kjo shfaqje e madhe hyjnore është, sipas gjykimit tim, ngjarja më e madhërishme që nga lindja, jeta, vdekja dhe Ringjallja e Zotit tonë në kulmin e kohëve.

Nuk kemi asnjë anal të ndonjë ngjarjeje tjetër që të krahasohet me të.

Për shekuj me radhë njerëzit u mblodhën dhe debatuan në lidhje me natyrën e Hyjnisë. Konstandini mblodhi studiuesit e fraksioneve të ndryshme në Nikea në vitin 325. Pas dy muajsh debati të ashpër, ata ranë në kompromis për një përkufizim, i cili për breza me radhë, ka përbërë shprehjen doktrinore midis të krishterëve në lidhje me Kreun-Perëndi.

Ju ftoj ta lexoni atë përkufizim dhe ta krahasoni atë me shpalljen e djaloshit Jozef. Ai thjesht thotë se Perëndia qëndroi para tij dhe i foli. Jozefi mund ta shikonte dhe ta dëgjonte Atë. Ai kishte formën e njeriut, një qenie me një trup prej mishi e kockash. Pranë Tij ishte Zoti i ringjallur, një qenie më vete, të cilin Ai e prezantoi si Birin e Tij të Dashur dhe me të cilin Jozefi foli gjithashtu.

Unë mendoj se brenda asaj kohe të shkurtër të atij vegimi të pashoq, Jozefi mësoi më shumë në lidhje me Hyjninë sesa të gjithë studiuesit dhe klerikët e së kaluarës.

Në këtë zbulesë hyjnore u ripohua pa asnjë dyshim realiteti i Ringjalljes së Zotit Jezu Krisht në kuptimin më të vërtetë të fjalës.

Kjo dije për Hyjninë, që i qe fshehur botës për shekuj me radhë, ishte gjëja e parë dhe e madhe që Perëndia i zbuloi shërbëtorit të Tij të zgjedhur.15

Libri i Mormonit si një dëshmitar shoqërues me Biblën

pikturë, Një Bari

“Libri i Mormonit … flet si një zë nga pluhuri për të dëshmuar për Birin e Perëndisë.”

Do të flas më tej për një tjetër gjë shumë të rëndësishme që Perëndia ka zbuluar.

Bota e krishterë e pranon Biblën si fjalën e Perëndisë. Shumë prej tyre nuk e kanë idenë se si ajo na ka ardhur në dorë.

Sapo kam përfunduar së lexuari një libër të porsabotuar nga një studiues i njohur. Duket qartë nga informacioni që ai jep, se libra të ndryshëm të Biblës u përpiluan sipas një mënyre që duket se nuk ka qenë sistematike. Në disa raste, shkrimet u shkruan pasi kishte kaluar një kohë e gjatë nga ngjarjet që ato përshkruajnë. Dikush mund të ngrejë pyetjen: “A është e vërtetë Bibla? A është ajo me të vërtetë fjala e Perëndisë?”

Ne i përgjigjemi se është [fjala e Perëndisë], për aq sa është përkthyer me korrektësi. Zoti pati dorë në hartimin e saj. Por tashmë ajo nuk qëndron e vetme. Ekziston një dëshmitar tjetër për të vërtetat domethënëse dhe të rëndësishme që gjenden brenda saj.

Shkrimi i shenjtë shpall se “çdo gjë do të qëndrojë me gojën e dy a tre dëshmitarëve” (2 Korintasve 13:1).

Libri i Mormonit ka ardhur nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. Ai flet si një zë nga pluhuri për të dëshmuar për Birin e Perëndisë. Ai flet për lindjen e Tij, për shërbesën, Kryqëzimin dhe Ringjalljen si dhe për shfaqjen e Tij midis të drejtëve në tokën Begati në kontinentin amerikan.

Libri i Mormonit është diçka e prekshme që mund të mbahet në dorë, që mund të lexohet, që mund të vihet në provë. Ai mbart brenda kapakëve të tij premtimin e origjinës së tij hyjnore. Miliona njerëz tashmë e kanë vënë në provë dhe kanë zbuluar se ai është një anal i vërtetë dhe i shenjtë. …

Ashtu si Bibla është dëshmia e Botës së Vjetër, Libri i Mormonit është dëshmia e Botës së Re. Të dy së bashku ata e shpallin Jezusin si Birin e Atit. …

Ky libër i shenjtë që erdhi nëpërmjet zbulesës nga i Plotfuqishmi, është me të vërtetë një dëshmi tjetër e hyjnisë së Zotit tonë.16

Autoriteti i priftërisë dhe organizimi i Kishës

Priftëria është autoriteti për të vepruar në emër të Perëndisë. … Kohët e fundit kam lexuar [një] libër [që] bën fjalë për Braktisjen e Kishës primitive. Në qoftë se autoriteti i asaj Kishe humbi, si do të zëvendësohej ai?

Autoriteti i priftërisë erdhi nga i vetmi vend nga mund të vijë, domethënë nga qielli. Ai u dhurua nën duart e atyre që e mbanin atë kur Shpëtimtari ndodhej në tokë. …

Sa e bukur është shpalosja e planit të rivendosjes që çoi në organizimin e Kishës në vitin 1830. … Vetë emri i Kishës erdhi me anë të zbulesës. Kisha e kujt ishte kjo? Ishte e Jozef Smithit? Ishte e Oliver Kaudërit? Jo, ajo ishte Kisha e Jezu Krishtit, e rivendosur në tokë në këto ditë të mëvonshme.17

Familja

Një tjetër zbulesë e madhe dhe e veçantë që iu dha Profetit, ishte plani për jetën e përjetshme të familjes.

Familja është një krijim i të Plotfuqishmit. Ajo përfaqëson marrëdhënien më të shenjtë ndër të gjitha marrëdhëniet e tjera. Ajo përfaqëson marrjen përsipër më serioze ndër gjithë të tjerat. Ajo përbën organizimin themelor të shoqërisë.

Nëpërmjet zbulesave të Perëndisë dhënë Profetit të Tij erdhi doktrina dhe autoriteti nën të cilin familjet janë vulosur së bashku jo vetëm për këtë jetë, por për gjithë përjetësinë.18

Pafajësia e fëmijëve të vegjël

Pafajësia e fëmijëve të vegjël është një tjetër zbulesë që Perëndia na e ka dhënë nëpërmjet Profetit Jozef. Praktika e përgjithshme është ajo e pagëzimit të foshnjave për të fshirë efektet e asaj që përshkruhet si mëkati i Adamit dhe Evës. Sipas doktrinës së Rivendosjes, pagëzimi është për heqjen e mëkateve individuale dhe vetjake të personit. Pagëzimi bëhet një besëlidhje midis Perëndisë dhe njeriut. Ai kryhet në moshën e përgjegjshmërisë, kur njerëzit janë mjaft të rritur për ta dalluar të drejtën nga e gabuara. Ai kryhet nëpërmjet zhytjes, si simbol i vdekjes dhe varrosjes së Jezu Krishtit dhe ngritjes së Tij në Ringjallje.19

Shpëtimi për të vdekurit

Po vazhdoj të përmend një tjetër të vërtetë që na është zbuluar. Na është thënë se Perëndia nuk bën dallime mes njerëzve e megjithatë, në asnjë kishë tjetër, me sa di unë, nuk jepet mundësia që ata që janë përtej velit të vdekjes, të marrin të gjitha bekimet që mund të marrin të gjallët. Doktrina e madhe e shpëtimit të të vdekurve është unike për këtë Kishë. … Të vdekurve u jepet e njëjta mundësi si të gjallëve. E përsëris edhe një herë, ç’gjëra të lavdishme e të mrekullueshme na ka dhënë i Plotfuqishmi nëpërmjet zbulesës së Tij që ia dha Profetit të Tij.20

Natyra, qëllimi dhe potenciali i fëmijëve të Perëndisë

Natyra e përjetshme e njeriut na është zbuluar. Ne jemi bij e bija të Perëndisë. Perëndia është Ati i shpirtrave tanë. Ne jetuam para se të vinim këtu. Ne kishim një personalitet. Lindëm në këtë jetë sipas një plani hyjnor. Ne jemi këtu për të provuar denjësinë tonë, duke vepruar sipas lirisë së zgjedhjes që na ka dhënë Perëndia. Pasi të vdesim ne do të vazhdojmë të jetojmë. Jeta jonë e përjetshme përbëhet nga tri faza: një, ekzistenca para lindjes; dy, ekzistenca në vdekshmëri; dhe tre, ekzistenca pas vdekshmërisë. Në vdekje ne vdesim për sa i përket kësaj bote dhe kalojmë përmes velit në atë sferë ku jemi të denjë për të hyrë. Edhe kjo është përsëri një doktrinë unike, e veçantë dhe e çmuar e kësaj Kishe që ka ardhur me anë të zbulesës.21

Zbulesa moderne

Unë jap këtë përmbledhje të shkurtër të derdhjes së jashtëzakonshme të njohurisë dhe autoritetit nga Perëndia mbi kokën e Profetit të Tij. … Është edhe një tjetër që duhet ta përmend. Ai është parimi i zbulesës moderne. Neni i besimit që shkroi Profeti, deklaron:

“Ne besojmë gjithçka që Perëndia ka zbuluar, gjithçka që Ai zbulon tani dhe ne besojmë se Ai përsëri do të zbulojë shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme lidhur me Mbretërinë e Perëndisë” (Nenet e Besimit 1:9).

Një kishë që po rritet, një kishë që po përhapet anembanë tokës në këto kohë të vështira, ka nevojë për zbulesë të vazhdueshme nga froni i qiellit për ta udhëhequr dhe për ta çuar përpara atë.

Me anë të lutjes dhe duke e kërkuar me zell vullnetin e Zotit, ne dëshmojmë se drejtimi prej qiellit merret, se zbulesa vjen dhe se Zoti e bekon Kishën e Tij ndërsa ajo ecën në udhën e fatit të saj.

Ne shkojmë përpara të mbështetur mbi themelin solid të thirrjes hyjnore të Profetit Jozef dhe zbulesave nga Perëndia, që erdhën përmes tij.22

Duke qëndruar i 15-ti në radhë që nga Jozef Smithi dhe duke mbajtur mantelin e profetit që ra mbi të, unë solemnisht shpall dëshminë time se tregimi i Profetit Jozef për [ngjarjet e Rivendosjes] është i vërtetë, se … Ati dëshmoi për hyjninë e Birit të Tij, se Biri e udhëzoi profetin e ri dhe se që këtej pasuan një varg ngjarjesh që çuan në organizimin e “të vetme[s] kishë të vërtetë dhe të gjallë mbi faqen e tërë dheut” [DeB 1:30].23

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Përse njerëzit e botës kishin nevojë që të rivendosej Kisha dhe ungjilli i Jezu Krishtit? (Shih pjesën 1.) Cilat janë disa mënyra në të cilat Zoti e përgatiti udhën për rivendosjen e ungjillit? (Shih pjesën 2.)

  • Përsiatini mësimet e Presidentit Hinkli rreth Vegimit të Parë (shih pjesën 3). Në çfarë mënyrash ka ndikuar te ju dëshmia juaj për Vegimin e Parë?

  • Përse ishte e nevojshme që priftëria të rivendosej nga lajmëtarë qiellorë? (Shih pjesën 4.) Përse është e rëndësishme që mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke kanë mundësi ta gjurmojnë autoritetin e tyre të priftërisë deri te Jezu Krishtit?

  • Në pjesën 5, shqyrtojeni përmbledhjen e disa prej të vërtetave që i erdhën Profetit Jozef Smith me anë të zbulesës. Si e kanë bekuar jetën tuaj këto të vërteta? Si mund t’i ndihmojmë fëmijët t’i kuptojnë dhe t’i vlerësojnë këto të vërteta?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Isaia 2:1–3; Veprat e Apostujve 3:19–21; Zbulesa 14:6–7; 2 Nefi 25:17–18; DeB 128:19–21

Ndihmë për Studimin

“Studimi i ungjillit është më efektiv kur ju mësoheni nga Fryma e Shenjtë. Gjithmonë, fillojeni studimin e ungjillit duke u lutur që Fryma e Shenjtë t’ju ndihmojë të mësoni” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 18).

Shënime

  1. Në Sheri L. Dew, Go Forward with Faith: The Biography of Gordon B. Hinckley (1996), f. 326.

  2. “My Redeemer Lives”, Ensign, shkurt 2001, f. 72.

  3. “At the Summit of the Ages”, Ensign, nëntor 1999, f. 73.

  4. “Guri që Shkëputet nga Mali”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 84.

  5. “The Dawning of a Brighter Day”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 82.

  6. “At the Summit of the Ages”, f. 73.

  7. “The Dawning of a Brighter Day”, f. 82–83.

  8. “At the Summit of the Ages”, f. 73.

  9. “The Dawning of a Brighter Day”, f. 83.

  10. “Guri që Shkëputet nga Mali”, f. 84.

  11. Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), f. 226.

  12. “The Things of Which I Know”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 84; [“Ato Për të Cilat Di”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2007 (nr. i artikullit 02368 101), f. 102].

  13. “The Great Things Which God Has Revealed”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 82; [“Gjërat e Mëdha që Ka Zbuluar Perëndia”, Konferenca e Përgjithshme prill 2005 (nr. i artikullit 00074 101), f. 95].

  14. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 2: 2000–2004 (2005), f. 411.

  15. “The Great Things Which God Has Revealed”, f. 80–81; [“Gjërat e Mëdha që Ka Zbuluar Perëndia”, f. 94].

  16. “The Great Things Which God Has Revealed”, f. 81–82; [“Gjërat e Mëdha që Ka Zbuluar Perëndia”, f. 94–95].

  17. “The Great Things Which God Has Revealed”, f. 82; [“Gjërat e Mëdha që Ka Zbuluar Perëndia”, f. 95].

  18. “The Great Things Which God Has Revealed”, f. 82; [“Gjërat e Mëdha që Ka Zbuluar Perëndia”, f. 95].

  19. “The Great Things Which God Has Revealed”, f. 82; [“Gjërat e Mëdha që Ka Zbuluar Perëndia”, f. 95].

  20. “The Great Things Which God Has Revealed”, f. 82; [“Gjërat e Mëdha që Ka Zbuluar Perëndia”, f. 95].

  21. “The Great Things Which God Has Revealed”, f. 83; [“Gjërat e Mëdha që Ka Zbuluar Perëndia”, f. 96].

  22. “The Great Things Which God Has Revealed”, f. 83; [“Gjërat e Mëdha që Ka Zbuluar Perëndia”, f. 96].

  23. “Dëshmitarë të Veçantë të Krishtit”, Ensign ose Liahona, prill 2001, f. 24.