Kapitulli 6
Ç’Gjë e Fuqishme Është Lutja
“T’i thërrasësh Zotit për urtësi përtej urtësisë sonë, për fuqi për të bërë atë që duhet të bëjmë, për qetësi e ngushëllim dhe për shprehjen e mirënjohjes, është një gjë domethënëse dhe e mrekullueshme.”
Nga Jeta e Gordon B. Hinklit
“Asnjëri nga ne nuk mund t’ia dalë vërtet mbanë i vetëm”, tha Presidenti Gordon B. Hinkli. “Ne kemi nevojë për ndihmë, atë lloj ndihme që mund të vijë në përgjigje të lutjes.”1 Presidenti Hinkli e zbatoi këtë parim në vendimet me të cilat u përball si President i Kishës. Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha rreth tij: “Ai është një burrë i mprehtë me gjykim të jashtëzakonshëm, por, kur përballet me një problem të pazgjidhshëm, ai shkon e gjunjëzohet”2.
Presidenti Hinkli dhe gruaja e tij, Marxhëri, e zbatuan këtë parim edhe në shtëpinë e tyre. Djali i tyre, Riçardi, tha: “Nuk më kujtohet asnjë ditë kur nuk e bëmë lutjen familjare. Kur ishte radha e tij, Babi lutej me shumë sinqeritet, por kurrë në mënyrë tepër dramatike apo emocionale. Ne mësuam shumë rreth thellësisë së besimit të tij duke e dëgjuar atë të lutej. Ai i drejtohej Perëndisë me nderim të madh, siç do t’i drejtohej ndoshta një mësuesi apo udhëheqësi vetjak të urtë e të nderuar, dhe ai i referohej Shpëtimtarit me ndjenjë të thellë. Kur isha fëmijë e dija se ata ishin persona të vërtetë për të – që ai i donte e i nderonte ata.”3 Marxhëri vërejti: “Mendoj se lutja familjare pati të bënte shumë me mënyrën se si fëmijët tanë na përgjigjeshin neve. Ndonëse Gordoni nuk u predikonte atyre, ata dëgjonin gjithçka që ne donim që ata të dëgjonin, në lutjen familjare.”4
Gjatë shërbimit të tij si Autoritet i Përgjithshëm, Presidenti Hinkli i nxiti anëtarët e Kishës të “besonin në lutje dhe fuqinë e lutjes”5. Ai dëshmoi se “lutja i çel fuqitë e qiejve për ta”6. Ai premtoi: “Jini plot lutje dhe Perëndia i qiellit do të buzëqeshë për ju e do t’ju bekojë dhe do të shkaktojë lumturi në zemrën tuaj dhe një ndjenjë paqeje në jetën tuaj”7.
Mësime të Gordon B. Hinklit
1
Perëndia është Ati ynë dhe Ai na fton t’i lutemi Atij individualisht.
Nga të gjitha premtimet e mëdha dhe të mrekullueshme e frymëzuese që kam lexuar, më qetësueset për mua janë fjalët e Shpëtimtarit: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet”. (Mateu 7:7.)8
Kurrë mos harroni se kush jeni. … Ju jeni me të vërtetë fëmijë i Perëndisë. … Ai është Ati juaj i Përjetshëm. Ai ju do. Ju mund t’i drejtoheni Atij me lutje. Ai ju ka ftuar që ta bëni atë. … Ç’gjë e mrekullueshme që është kjo! Ai është më i Madhi i të Gjithëve. Ai është Krijuesi dhe Qeverisësi i gjithësisë. Dhe prapëseprapë Ai do ta dëgjojë lutjen tuaj!9
Ne mund t’i afrohemi Zotit në lutjet tona. Ato mund të bëhen biseda falënderimi. Unë nuk mund ta kuptoj kurrë plotësisht se si Perëndia i Madh i Gjithësisë, i Plotfuqishmi, na fton ne si fëmijët e Tij që të flasim me Të individualisht. Ç’mundësi e çmuar që është kjo! Sa e mrekullueshme që ajo ndodh me të vërtetë! Dëshmoj se lutjet tona, të dhëna me përulësi dhe sinqeritet, dëgjohen dhe marrin përgjigje. Është një gjë e mahnitshme, por është e vërtetë.10
Vëllezër dhe motra, unë e di se ju jeni njerëz që luteni. Ajo është një gjë e mrekullueshme në këtë periudhë e kohë kur zakoni i lutjes është larguar pa u ndier nga shumë jetë. T’i thërrasësh Zotit për urtësi përtej urtësisë sonë, për fuqi për të bërë atë që duhet të bëjmë, për qetësi e ngushëllim dhe për shprehjen e mirënjohjes është një gjë domethënëse dhe e mrekullueshme.11
Unë përgjërohem që secili nga ne do të mundohet të jetojë më pranë Zotit dhe të bisedojë me Të më shpesh dhe me besim më të madh.
Baballarë dhe nëna, lutuni për fëmijët tuaj. Lutuni që ata të mund të jenë të mbrojtur nga të ligat e botës. Lutuni që ata të mund të rriten në besim dhe njohuri. Lutuni që ata të mund të drejtohen drejt një jete që do të jetë frytdhënëse dhe e mirë. Bashkëshortë, lutuni për bashkëshortet tuaja. Shprehini Zotit mirënjohjen tuaj për to dhe përgjërojuni Atij për to. Bashkëshorte, lutuni për bashkëshortët tuaj. Shumë prej tyre ecin përgjatë një udhe shumë të vështirë ku ndeshen me probleme të panumërta dhe me pështjellime të mëdha. Përgjërojuni të Plotfuqishmit që ata të mund të udhëhiqen, të bekohen, të mbrohen dhe të frymëzohen në përpjekjet e tyre të drejta.
Lutuni për paqe në tokë, që i Plotfuqishmi që qeveris universin, të shtrijë dorën e Tij dhe të lejojë Shpirtin e Tij të qëndrojë mbi njerëzit që kombet të mos luftojnë me njëri-tjetrin. … Lutuni për urtësi dhe kuptueshmëri ndërsa ecni shtigjeve të vështira të jetës tuaj.12
Gjëja e mrekullueshme për lutjen është se ajo është personale, është vetjake, është diçka tek e cila askush nuk ndërhyn, në kuptimin e bisedimit tuaj me Atin tuaj në Qiell në emrin e Zotit Jezu Krisht. Jini plot lutje. Kërkojini Zotit që t’jua falë mëkatet tuaja. Kërkojini Zotit ndihmë. Kërkojini Zotit që t’ju bekojë. Kërkojini Zotit që t’ju ndihmojë t’i realizoni ambiciet tuaja të drejta. … Kërkojini Zotit për të gjitha gjërat e rëndësishme që kanë kaq shumë kuptim në jetën tuaj. Ai është gati të ndihmojë. Kurrë mos e harroni atë.13
2
Lutja familjare çon në mrekulli për individët, familjet dhe shoqëritë.
Duhet të ketë një theks të ri mbi ndershmërinë, karakterin dhe integritetin moral në kohën tonë. Vetëm kur t’i përvetësojmë përsëri në natyrën tonë virtytet që janë thelbi i civilizimit të vërtetë, stili i kohës sonë do të ndryshojë. Pyetja që na del përpara, është: Ku t’ia fillojmë?
Jam i kënaqur që ajo duhet të fillojë nga pranimi i Perëndisë si Ati ynë i Përjetshëm, i marrëdhënies sonë me Të si fëmijët e Tij, nga bisedimi me Të duke e njohur pozitën e Tij supreme dhe nga përgjërimi i përditshëm për udhëheqjen e Tij në punët tona.
Unë sugjeroj që një kthim te stili i vjetër i lutjes, lutjes familjare në shtëpitë e njerëzve, është një nga mjekimet bazë që do ta zmbrapste sëmundjen e frikshme e cila po e bren karakterin e shoqërisë sonë. Ne nuk mund të presim një mrekulli sa hap e mbyll sytë, por brenda një breznie ne do të kishim një mrekulli. …
Ka diçka në vetë pozicionin e gjunjëzimit që i kundërshton qëndrimet e përshkruara nga Pali: “krenarë … kokëshkretë, fodullë”.
Ka diçka te vetë zakoni i gjunjëzimit së bashku të atit e nënës dhe fëmijëve që i zhduk disa të tjera nga ato cilësi që përshkroi ai: “të pabindur ndaj prindërve, … të padhembshur”.
Ka diçka te veprimi i të drejtuarit Hyjnisë që i kundërvihet prirjes për blasfemi dhe bërjes dëfrimdashës më fort se perëndidashës. [Shih 2 Timoteut 3:1–4.]
Prirja për të qenë të paudhë, siç e përshkroi Pali, për të qenë mosmirënjohës, shuhet teksa bashkërisht pjesëtarët e familjes e falënderojnë Zotin për jetën e paqen dhe gjithçka që ata kanë. Dhe, teksa e falënderojnë Zotin për njëri-tjetrin, zhvillohet brenda familjes një vlerësim i ri, një respekt i ri, një dhembshuri e re për njëri-tjetrin. …
Në të kujtuarit së bashku para Zotit të të varfërve, të nevojtarëve dhe të shtypurve, zhvillohet, në mënyrë të pandërgjegjshme, por reale, një dashuri për të tjerët përpara vetes, një respekt për të tjerët, një dëshirë për t’u shërbyer nevojave të të tjerëve. Një individ nuk mund t’i kërkojë Perëndisë që ta ndihmojë një fqinj në vuajtje pa u ndier i shtyrë që të bëjë vetë diçka për ta ndihmuar atë fqinj. Çfarë mrekullish do të ndodhnin në jetën e fëmijëve të botës nëse ata do ta linin mënjanë egoizmin e tyre vetjak dhe ta humbnin veten në shërbim të të tjerëve! Fara nga e cila mund të rritet kjo pemë strehuese dhe e frytshme, mbillet dhe ushqehet më së miri në lutjet e përditshme të familjes. …
Unë nuk njoh ndonjë gjë që do të ndihmojë kaq shumë në zbutjen e tensioneve familjare, që në një mënyrë delikate do të sjellë respektin për prindërit i cili çon në bindje, që do të prekë shpirtin e pendimit i cili do të mbyllë në masë të madhe plagën e shtëpive të shkatërruara, sesa do të [arrijë] të luturit së bashku para Zotit, rrëfimi i dobësive së bashku përpara Zotit dhe të kërkuarit e bekimeve të Zotit për shtëpinë dhe ata që banojnë atje. …
Familja është njësia qendrore e shoqërisë. Familja që lutet, është shpresa për një shoqëri më të mirë. “Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër.” (Isaia 55:6.)14
Unë u preka … nga thënia që të copëtonte shpirtin e një [misionari] të ri. Ai tha: “Unë kam qenë këtu për muaj [të tërë]. Nuk mund ta mësoj gjuhën. Nuk më pëlqejnë njerëzit. Jam i dëshpëruar ditën dhe vajtoj natën. Doja të vdisja. I shkrova mamasë sime dhe iu përgjërova për një shfajësim për t’u kthyer në shtëpi. Unë mora përgjigjen e saj. Ajo thotë: ‘Ne lutemi për ty. Nuk ka ditë që ne të gjithë të mos gjunjëzohemi së bashku në mëngjes përpara se të hamë dhe në mbrëmje përpara se të flemë e t’i përgjërohemi Zotit për bekimin e tij për ty. I kemi shtuar agjërimin lutjes sonë dhe, kur vëllezërit e motrat më të vogla luten, ata thonë: “At’ Qiellor, bekoje Xhonin … dhe ndihmoje që të mësojë gjuhën dhe të bëjë punën që është thirrur të bëjë”.’”
Ky i ri pastaj vazhdoi të thoshte mes lotëve të tij: “Do të përpiqem përsëri. Do t’u shtoj lutjet e mia lutjeve të tyre dhe agjërimin tim agjërimit të tyre.”
Tani, katër muaj më vonë, mora një letër nga ai në të cilën thotë: “Një mrekulli ka ndodhur. Gjuha më ka ardhur si një dhuratë nga Zoti. Kam mësuar t’i dua njerëzit në këtë tokë të bukur. I qofsha falë Perëndisë për lutjet e familjes sime.”15
A mund t’i bëjmë shtëpitë tona më të bukura? Po, duke iu drejtuar si familje Burimit të të gjithë bukurisë së vërtetë. A mund ta forcojmë shoqërinë dhe ta bëjmë atë një vend më të mirë për të jetuar? Po, duke forcuar virtytin e jetës sonë familjare përmes gjunjëzimit së bashku dhe përgjërimit ndaj të Plotfuqishmit në emrin e Birit të tij të Dashur.
Ky zakon, një kthim tek adhurimi familjar, i përhapur përmes vendit dhe nëpër tokë, do ta hiqte në masë të madhe, brenda një breznie, plagën që po na shkatërron. Do ta përtërinte integritetin moral, respektin e ndërsjellë dhe një shpirt falënderimi në zemrat e njerëzve.16
A mos është lutja një gjë kaq e vështirë? A mos do të ishte kaq e vështirë t’i nxitje etërit dhe nënat të binin në gjunjë me fëmijët e tyre të vegjël dhe t’i drejtoheshin fronit të Hyjnisë për të shprehur mirënjohje për bekimet, të luteshin për njerëzit në vuajtje si edhe për veten dhe pastaj ta kërkonin atë në emër të Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit të botës? Ç’gjë e fuqishme është lutja! Për atë unë mund të dëshmoj dhe për atë ju mund të dëshmoni. Sa tragjik dëmi [që pëson] çdo familje që nuk arrin të përfitojë nga ky zakon i çmuar dhe i thjeshtë!17
Nëse ka ndonjë mes jush që nuk po bën lutje familjare, lëreni atë zakon të fillojë tani, të uleni në gjunjë së bashku, nëse është e mundur që ta bëni atë, çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, dhe të bisedoni me Zotin dhe t’i shprehni falënderimet tuaja, të kërkoni bekimet e Tij për nevojtarët e tokës dhe t’i flisni Atij për mirëqenien tuaj vetjake.18
Unë ju jap dëshminë time që, nëse e zbatoni me sinqeritet lutjen familjare, ju nuk do të dilni të pashpërblyer. Ndryshimet mund të mos jenë sakaq të dukshme. Ato mund të jenë jashtëzakonisht të holla. Por ato do të jenë reale, pasi Perëndia “është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë”. (Hebrenjve 11:6.)
Qofshim besnikë ndaj dhënies së një shembulli përpara botës në këtë praktikë dhe ndaj nxitjes së të tjerëve për të vepruar në të njëjtën mënyrë!19
3
Ne duhet të jemi plot lutje dhe të mbajmë vesh, pasi lutjet tona do të marrin përgjigje.
Asnjëherë mos hamendësoni se mund t’ia dilni mbanë vetëm. Ju keni nevojë për ndihmën e Zotit. Asnjëherë mos ngurroni të gjunjëzoheni në një vend tuajin personal dhe të flisni me Të. Ç’gjë e mrekullueshme dhe e habitshme është lutja! Mendoni për të. Ne mund të flasim me të vërtetë me Atin tonë në Qiell. Ai do të dëgjojë dhe do të përgjigjet, por ne duhet ta dëgjojmë atë përgjigje. Asgjë nuk është tepër e rëndë dhe asgjë nuk është tepër e parëndësishme për ta ndarë me Të.20
Lutjuni Zotit duke pritur përgjigje. … Problemi në shumicën e lutjeve tona është se ne i bëjmë ato sikur po ngremë receptorin e telefonit dhe po porositim ushqime – ne japim porosinë tonë dhe e mbyllim. Ne duhet të meditojmë, të përsiatim, të mendojmë për atë që po lutemi dhe rreth asaj që po lutemi, dhe pastaj t’i flasim Zotit sikur një njeri i flet një tjetri. “Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti” (Isaia 1:18).21
Asgjë nuk ndihmon kaq shumë sa vënia e problemit në duart e Zotit. … Nuk ngurroj të them se për lutjet kam marrë përgjigje. Unë e di atë. Unë nuk mund ta mohoj atë. Ne duhet të lutemi për udhëheqje në këtë epokë të vështirë. … Gjëja e mrekullueshme është se nuk ju duhet të jeni gjeni që të luteni. Ai do ta dëgjojë zërin e njeriut më të përulur. … Thirrini Zotit. Ai e ka bërë ftesën dhe Ai do të përgjigjet.22
Besoni në fuqinë dhe madhështinë e lutjes. Zoti u përgjigjet lutjeve tona. Unë e di atë. E kam parë atë të ndodhë në mënyrë të pandërprerë. Lutja na përfshin në një bashkëpjesëmarrje me Perëndinë. Ajo na jep një mundësi që të flasim me Të, ta falënderojmë Atë për bekimet e Tij të mrekullueshme dhe t’i kërkojmë Atij udhëheqje dhe mbrojtje teksa ecim në shtigjet e jetës. Kjo vepër e mrekullueshme që po përhapet nëpër tokë, i pati rrënjët në lutjen e një djali. Ai kishte lexuar në Biblën e familjes: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet. Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era” (Jakob [Bibël] 1:5–6). Ky është premtimi. A ka ndonjë premtim më të madh ndokund në botë sesa ai premtim?23
Jini plot lutje, miqtë e mi dhe mbani vesh. Ju mund të mos dëgjoni kurrë një zë. Ka të ngjarë që nuk do të ndodhë. Por, në një mënyrë që ju nuk mund ta shpjegoni, juve do t’ju jepen mbresa e do të bekoheni. Pasi Zoti ka premtuar: “Unë do të të them në … zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë, që do të vijë mbi ty …”. (DeB 8:2.)
Jini plot lutje dhe ju do ta dini që Perëndia dëgjon e përgjigjet. Jo përherë siç mund të duam ne të na përgjigjet por, me kalimin e viteve, do të arrini te një kuptim po aq i sigurt sa edhe lindja e diellit që ai ka dëgjuar e është përgjigjur.24
Vazhdoni me atë përulësi që do t’ju bëjë të uleni në gjunjë në lutje, në pranim të fuqisë dhe mirësisë së Tij. Ai nuk do t’ju zhgënjejë. Ai do t’i dëgjojë lutjet tuaja. Ai do t’u përgjigjet lutjeve tuaja. Në qetinë e natës, ju do të dëgjoni pëshpëritjet e Shpirtit të Tij t’ju drejtojnë në periudhat tuaja të vuajtjes dhe nevojës. Ato periudha do t’ju vijnë juve siç u vijnë të gjithëve. Ruajeni besimin te Perëndia dhe Ai kurrë nuk do t’ju lërë pa ju bekuar. Ai kurrë nuk do t’ju kthejë krahët.25
Përherë lëreni Atin tuaj në Qiell të jetë miku juaj, tek i cili mund të shkoni në lutje.26
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Si ju ka ndihmuar lutja të afroheni më shumë me Atin tuaj Qiellor? Përsëritni këshillën e Presidentit Hinkli për atë që të përfshijmë në lutje (shih pjesën 1). Kur ju ka ndihmuar lutja të gjeni “urtësi përtej urtësisë” suaj? Kur ju ka sjellë lutja “qetësi e ngushëllim”? Përse disa lutje duhet të jenë “biseda falënderimi”?
Përsiateni secilin prej bekimeve që Presidenti Hinkli tha që mund të vijnë nëpërmjet lutjes familjare (shih pjesën 2). Cilat janë disa mënyra se si familja juaj është bekuar nga të luturit së bashku? Cilat janë disa pengesa për lutjen e rregullt familjare? Si mund të punojnë së bashku pjesëtarët e familjes për t’i mposhtur këto pengesa?
Si mund të na ndihmojë zbatimi i mësimeve të Presidentit Hinkli në pjesën 3 që t’i bëjmë lutjet tona më kuptimplote? Çfarë keni mësuar për mënyrat se si Ati Qiellor u përgjigjet lutjeve? Përse lutja ka fuqinë për të na përfshirë “në një bashkëpjesëmarrje me Perëndinë”?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Mateu 6:5–15; Lluka 18:9–18; 2 Nefi 32:8–9; Alma 34:17–28; 37:36–37; 3 Nefi 18:15–25; DeB 19:28
Ndihmë për Studimin
“Krijoni një ide të përgjithshme, ose duke i hedhur një sy të shpejtë librit, kapitullit, ose fragmentit ose duke rishikuar krerët e kapitujve. Mundohuni të kuptoni kontekstin ose sfondin e ngjarjes” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 23). Merrni parasysh ta lexoni mbi një herë një kapitull ose fragment, në mënyrë që të mund ta kuptoni më thellësisht. Ndërsa e bëni këtë, ju mund të zbuloni ide të thella.