Mësime të Presidentëve
Kapitulli 11: Shtëpia – Baza e një Jete të Drejtë


Kapitulli 11

Shtëpia – Baza e një Jete të Drejtë

“Me sa më shumë siguri t’i rritni fëmijët tuaj sipas mënyrave të ungjillit të Jezu Krishtit, me dashuri dhe pritshmëri të larta, aq më shumë gjasë ka që do të ketë paqe në jetën e tyre.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

Nga fundi i vitit 1973, Gordon dhe Marxhëri Hinkli me gjysmë zemre vendosën të shpërnguleshin nga shtëpia e tyre në Ist-Mill-Krik, Juta, që të mund të jetonin më afër zyrave qendrore të Kishës në Solt-Lejk-Siti. Presidenti Hinkli, i cili në atë kohë ishte anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, gjeti kohë në prag të Vitit të Ri të atij viti për të shkruar për shtëpinë e tyre. Fjalët e tij zbuluan ndjenjat e tij për vendin, por edhe më shumë, ato zbuluan ndjenjat e tij për një familje të dashur.

“Sa përmallshëm të trishtuar jemi që po largohemi”, shkroi ai. Ai kujtoi punën e familjes për të ndërtuar shtëpinë dhe për të zhvilluar pronën përreth saj. Më pas mendimet e tij u kthyen te marrëdhëniet – me njëri-tjetrin dhe me Perëndinë:

“Këtu luajtëm së bashku ndërsa fëmijët tanë u rritën dhe këtu u lutëm së bashku. Këtu ne dhe fëmijët tanë arritëm të njihnim Atin tonë Qiellor, se Ai jeton dhe dëgjon, dhe përgjigjet.

Mund të vazhdoj të shkruaj një libër … jo për botën, por për ata pesë fëmijë, bashkëshortët dhe bashkëshortet e tyre dhe pasardhësit e tyre. Dhe nëse mund ta përshkruaj me fjalë historinë e asaj shtëpie do të ketë lot dhe të qeshura, dhe një shpirt të madh, të qetë e pushtues të dashurisë që do t’i prekë zemrat e atyre që e lexojnë, pasi ata që jetuan dhe u rritën atje, e deshën njëri-tjetrin, ata i deshën fqinjët e tyre, ata e deshën Perëndinë e tyre dhe Zotin Jezu Krisht.”1

Gjatë gjithë shërbesës së tij, Presidenti Hinkli dëshmoi për rëndësinë e familjeve të dashura e besnike. Nën drejtimin e tij, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve nxorën deklaratën “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, që Plaku M. Rasëll Ballard, i Të Dymbëdhjetëve, e përshkroi si “një thirrje të mprehtë për të mbrojtur dhe forcuar familjet”2. Pasi lexoi proklamatën në mbledhjen e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës në shtator 1995, Presidenti Hinkli shpalli: “Forca e cilitdo komb i ka rrënjët brenda mureve të shtëpive të tij. Ne i nxitim njerëzit tanë kudo që t’i forcojnë familjet e tyre në përputhje me këto vlera të rrënjosura nga koha.”3

çift me fëmijë të vogël

“Ne u bëjmë thirrje prindërve që t’ua përkushtojnë përpjekjet e tyre më të mira mësimdhënies dhe rritjes së fëmijëve të tyre.”

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Marrëdhëniet familjare janë marrëdhëniet më të shenjta nga të gjitha marrëdhëniet.

Familja është hyjnore. Ajo u krijua nga Ati ynë Qiellor. Ajo përfshin marrëdhëniet më të shenjta nga të gjitha marrëdhëniet. Vetëm nëpërmjet organizimit të saj, qëllimet e Zotit mund të përmbushen.4

Ne jemi një kishë që jep dëshmi për rëndësinë e familjes – ati, nëna, fëmijët – dhe për të vërtetën se ne të gjithë jemi fëmijë të Perëndisë, Atit tonë të Amshuar. Prindërit që sjellin fëmijë në botë, kanë përgjegjësinë t’i duan ata fëmijë, t’i ushqejnë ata dhe të kujdesen për ta, t’u mësojnë atyre ato vlera të cilat do ta bekojnë jetën e tyre, kështu që ata të rriten për t’u bërë qytetarë të mirë. … Dua të theksoj atë që është tashmë e njohur për ju, dhe ajo është rëndësia e lidhjes së familjeve tona së bashku me dashuri e mirësi, me vlerësim e respekt dhe duke iu mësuar mënyrat e Zotit në mënyrë që fëmijët tuaj të rriten në drejtësi dhe t’i shmangin tragjeditë që po prekin kaq shumë familje anekënd botës.5

Është e domosdoshme që ju të mos i lini pas dore familjet tuaja. Asgjë nga ato që keni, nuk është më e çmuar.6

2

Etërit dhe nënat kanë privilegjin për t’u kujdesur për fëmijët e tyre dhe për t’ua mësuar atyre ungjillin e Jezu Krishtit.

Ne u bëjmë thirrje prindërve që t’ua përkushtojnë përpjekjet e tyre më të mira mësimdhënies dhe rritjes së fëmijëve të tyre me parimet e ungjillit, të cilat do t’i mbajnë ata afër Kishës. Shtëpia është baza e një jete të drejtë dhe asnjë mjet tjetër nuk mund ta zërë vendin e saj ose të përmbushë funksionet e saj thelbësore në çuarjen përpara të kësaj përgjegjësie të dhënë nga Perëndia.7

Jam i sigurt që asgjë nuk do të garantojë sukses më të madh në sipërmarrjen e rrezikshme të prindërimit sesa një program i jetës familjare që vjen nga mësimdhënia e mrekullueshme e ungjillit: që babai i shtëpisë të mund të vishet me priftërinë e Perëndisë; që është privilegji dhe detyrimi i tij si një kujdestar i fëmijëve të Atit tonë Qiellor që të sigurojë për nevojat e tyre; që është ai që qeveris në shtëpi me shpirtin e priftërisë “nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur” (DeB 121:41–42); që nëna në shtëpi është një bijë e Perëndisë, një shpirt inteligjence, përkushtimi dhe dashurie e cila mund të vishet me Shpirtin e Perëndisë; që është privilegji dhe detyrimi i saj si një kujdestare e fëmijëve të Atit tonë Qiellor që t’i ushqejë ata fëmijë në nevojat e tyre të përditshme; që ajo, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, gjithashtu duhet t’u mësojë fëmijëve të saj ta “kuptojnë doktrinën e pendimit, të besimit në Krishtin, Birin e Perëndisë së gjallë, dhe të pagëzimit e të dhuratës së Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve … [dhe] të luten dhe të ecin drejt përpara Zotit”. (DeB 68:25, 28.)

Në një shtëpi të tillë, ka dashuri për prindërit dhe jo druajtje; [fëmijët] i vlerësojnë ata dhe nuk ua kanë frikën. Dhe fëmijët konsiderohen si dhurata të Zotit, për të cilat duhet të kujdesesh, që duhet t’u japësh zemër e t’i drejtosh.

Mund të ketë mosmarrëveshje të rastit; mund të ketë grindje të vogla. Por, nëse ka lutje në familje dhe dashuri, dhe interesim, do të ketë një mbetje të dashurisë që do t’i lidhë përgjithmonë dhe një besnikëri që do t’i udhërrëfejë gjithmonë.8

Tani një fjalë për prindërit e vetëm. … [Ju] mbani barrë rraskapitëse nga luftimi në betejat e përditshme që vijnë bashkë me rritjen e fëmijëve dhe kujdesin që nevojat e tyre të plotësohen. Kjo është një detyrë që ju bën të ndiheni të vetmuar. Por ju nuk keni përse të jeni plotësisht të vetëm. Ka shumë njerëz, madje kaq shumë në këtë Kishë, që do t’ju ndihmojnë me ndjeshmëri dhe kuptueshmëri. Ata nuk dëshirojnë të ndërhyjnë atje ku nuk janë të dëshiruar. Por interesimi i tyre është i çiltër dhe i sinqertë dhe ata bekojnë vetë jetën e tyre ndërsa bekojnë jetën tuaj dhe atë të fëmijëve tuaj. Mirëpriteni ndihmën e tyre. Ata duhet ta japin atë për hirin e vet si dhe për hirin tuaj.

Ne kemi mijëra peshkopë të mirë në këtë Kishë. Ne kemi mijëra drejtues të mirë të kuorumeve. Ne kemi mijëra gra të mrekullueshme të Shoqatës së Ndihmës. Ne kemi mësues shtëpie dhe mësuese vizitore. Ata janë miqtë tuaj, të vendosur në vendin e tyre nga Zoti që të japin nga forca e tyre për t’ju ndihmuar. Dhe mos e harroni kurrë se Vetë Zoti është një burim force më të madhe sesa cilado tjetër. U preka nga një përvojë e treguar nga … një nënë e vetme që po rriste shtatë fëmijë, kur ajo iu lut Atit të saj në Qiell që të mund të shkonte tek Ai, sikur vetëm për një natë, që të gjente ngushëllim dhe forcë për sprovat e së nesërmes. E ëmbël ishte përgjigjja që erdhi në mendjen e saj thuajse si një zbulesë: “Ti nuk mund të vish tek unë, por unë do të vij tek ty”9.

Me sa më shumë siguri t’i rritni fëmijët tuaj sipas mënyrave të ungjillit të Jezu Krishtit, me dashuri dhe pritshmëri të larta, aq më shumë gjasë ka që do të ketë paqe në jetën e tyre.10

3

Nëpërmjet lutjes familjare, fëmijët rriten me besim në Perëndinë e gjallë.

Vini re të vegjlit tuaj. Luani me ta. Lutuni për ta dhe bekojini ata. Bota në të cilën ata po lëvizin, është një botë e ndërlikuar dhe e vështirë. Ata do të përballen me detet e trazuara të kundërshtisë. Atyre do t’u nevojitet e gjithë forca dhe i gjithë besimi që mund t’u jepni atyre ndërsa janë ende pranë jush. Dhe atyre gjithashtu do t’u nevojitet një forcë më e madhe e cila vjen nga një fuqi më e lartë. Ata duhet të bëjnë më shumë sesa t’i marrin gjërat ashtu siç u vijnë. Ata duhet ta ngrenë botën dhe levat e vetme që ata do të kenë, janë shembulli i vetë jetës së tyre dhe fuqitë e bindjes që do të vijnë nga dëshmitë e tyre dhe njohuria e tyre për gjërat e Perëndisë. Ata do të kenë nevojë për ndihmën e Zotit. Ndërsa janë të vegjël, lutuni me ta që ata të mund të arrijnë ta njohin atë burim force i cili më pas do të jetë përherë në dispozicion në çdo orë nevoje.11

Nuk njoh ndonjë praktikë tjetër që do të ketë një ndikim kaq të dobishëm në jetën tuaj sa do të ketë praktika e gjunjëzimit së bashku në lutje. Pikërisht fjalët ‘Ati Ynë në Qiell’ kanë një ndikim të jashtëzakonshëm. Ju nuk mund t’u flisni atyre me sinqeritet dhe me njohuri pa pasur disa ndjenja përgjegjësie ndaj Perëndisë. …

Bisedat tuaja të përditshme me të do të sjellin paqe në zemrat tuaja dhe një gëzim në jetën tuaj që nuk mund të vijë nga ndonjë burim tjetër. … Dashuria juaj do të forcohet. Vlerësimi juaj për njëri-tjetrin do të rritet.

Fëmijët tuaj do të bekohen me një ndjenjë sigurie që vjen nga të jetuarit në një shtëpi ku banon Shpirti i Perëndisë. Ata do t’i njohin dhe duan prindërit që e respektojnë njëri-tjetrin, dhe një shpirt respekti do të rritet në vetë zemrat e tyre. Ata do të përjetojnë sigurinë e fjalëve të mira të thëna me qetësi. Ata do të strehohen nga një baba dhe nënë të cilët, duke jetuar në ndershmëri me Perëndinë, jetojnë në ndershmëri me njëri-tjetrin dhe me bashkëqeniet e tyre. Ata do të rriten deri në pjekuri me një ndjenjë vlerësimi, pasi i kanë dëgjuar prindërit e tyre në lutje tek shprehin mirënjohje për bekimet e mëdha dhe të vogla. Ata do të rriten me besim në Perëndinë e gjallë.12

4

Mbrëmja familjare mund t’i afrojë prindërit dhe fëmijët së bashku për të mësuar mënyrat e Zotit.

Mund të kujtoj kohën kur isha një djalë i vogël, pesë vjeç, kur Presidenti Jozef F. Smith e njoftoi të gjithë Kishën se ata duhet t’i mbledhin familjet e tyre së bashku në mbrëmje familjare. Im atë tha: “Presidenti i Kishës ka kërkuar që ne ta bëjmë atë dhe ne do ta bëjmë atë”.

Ndaj ne të gjithë u mblodhëm në mbrëmje familjare. Ishte zbavitëse. Ai tha: “Ne do të këndojmë një këngë”. Epo, nuk ishim këngëtarë. … Thjesht u përpoqëm të këndonim dhe të qeshnim me njëri-tjetrin. Ndaj ashtu bëmë me shumë gjëra të tjera. Si pasojë e asaj përvoje gradualisht erdhi diçka që ishte e mrekullueshme – një praktikë që na ndihmoi, që na afroi së bashku si familje, që na forcoi dhe në zemrat tona u rrit bindja për vlerën e mbrëmjes familjare.13

Jam mirënjohës që ne si Kishë kemi si pjesë themelore të programit tonë praktikën e mbrëmjes familjare javore. Është një gjë domethënëse që në këto ditë të ngarkuara, mijëra familje nëpër botë po bëjnë një përpjekje të zellshme për t’i kushtuar një mbrëmje në javë të kënduarit së bashku, udhëzimit të njëri-tjetrit sipas mënyrave të Zotit, gjunjëzimit së bashku në lutje, për ta falënderuar atje Zotin për mëshirat e tij dhe për të kërkuar bekimet e tij në jetën tonë, shtëpitë tona, punët tona, tokën tonë. Mendoj se ne e vlerësojmë pak të mirën e madhe që do të vijë nga ky program.14

Nëse keni ndonjë dyshim për virtytin e mbrëmjes familjare, provojeni atë. Mblidhini fëmijët tuaj rreth vetes, mësojini ata, jepuni dëshmi atyre, lexojini së bashku shkrimet e shenjta dhe kaloni mirë së bashku.15

5

Prindërit duhet të fillojnë t’u japin mësim fëmijëve të tyre kur ata janë shumë të vegjël.

Jo shumë kohë pasi u martuam, ne ndërtuam shtëpinë tonë të parë. Ne kishim pak para dhe unë punova shumë. Mjedisi i jashtëm ishte plotësisht përgjegjësia ime. Pema e parë nga shumë pemë të tjera që mbolla, ishte një akacie pa gjemba dhe e përfytyrova ditën kur hija e saj do të ndihmonte në freskimin e shtëpisë në verë. E vendosa në një vend në qoshe ku era nga gryka e thellë në lindje frynte më fort. Bëra një gropë, vendosa rrënjët e njoma, vendosa dhe rreth saj, e ujita me ujë dhe për një kohë të gjatë e harrova atë. Ishte thjesht një pemë e vogël, ndoshta me një diametër 2 centimetra. Ishte aq delikate saqë mund ta përkulja me lehtësi në çfarëdo drejtimi. I kushtova pak vëmendje ndërsa vitet kaluan. Më pas një ditë dimri, kur pema nuk kishte gjethe, rastisa ta shihja atë nga dritarja. Vura re se ajo anonte nga perëndimi, e shtrembër dhe pa baraspeshë. Zor se mund ta besoja. Dola jashtë dhe u mbërtheva pas saj sa ta shtyja drejt. Por trungu tani kishte një diametër pothuaj 30 centimetra. Forca ime nuk llogaritej para saj. Mora nga veglat e mia një makara, e lidha njërin fund te pema dhe fundin tjetër në një vend të fortë. E tërhoqa litarin. Makaraja lëvizi fare pak dhe trungu i pemës u lëkund pak. Por kjo ishte e gjitha. Dukej sikur më thoshte: “S’mund të më drejtosh. Është tepër vonë. Jam rritur në këtë mënyrë për shkak të shpërfilljes tënde dhe nuk do të përkulem.”

Përfundimisht, me dëshpërim, mora sharrën dhe e preva degën e madhe dhe të rëndë nga ana e perëndimit. Bëra prapa dhe e studiova atë që kisha bërë. Kisha prerë një pjesë të madhe të pemës, duke lënë një shenjë të stërmadhe rreth 20 centimetra përmes dhe vetëm një degëz që rritej e drejtuar nga qielli.

… Kohët e fundit e pashë sërish pemën. Është e madhe, forma e saj është më e mirë dhe është një pasuri e madhe për shtëpinë. Por sa e rëndë ishte tronditja e rinisë së saj dhe sa i dhembshëm trajtimi që kisha përdorur për ta drejtuar atë. Kur pema u mboll fillimisht, një copë spangoje do ta kishte mbajtur në vend kundrejt forcave të erës. Unë mund ta kisha vendosur dhe duhej ta kisha pajisur me atë spango me shumë pak përpjekje, por nuk e bëra. Dhe ajo u përkul nga forcat që erdhën kundër saj.

Fëmijët janë si pemët. Kur janë të rinj, jeta e tyre mund të marrë formë dhe drejtim, zakonisht me fare pak përpjekje. Tha shkruesi i Fjalëve të Urta: “Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket” [Fjalët e Urta 22:6]. Ajo përgatitje i gjen rrënjët e saj në shtëpi.16

familje duke lexuar shkrimet e shenjta

“Mblidhini fëmijët tuaj rreth vetes, mësojini ata, jepuni dëshmi atyre, lexojini së bashku shkrimet e shenjta dhe kaloni kohë të mirë së bashku.”

Isaia tha: “Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Zoti dhe e madhe ka për të qenë paqja e bijve të tu” (Isaia 54:13).

Ndaj udhëhiqini bijtë dhe bija tuaja, ndaj udhërrëfejini dhe drejtojini ata që nga koha kur janë shumë të vegjël, ndaj mësojini ata sipas mënyrave të Zotit, që paqja të jetë shoqëruesi i tyre gjatë gjithë jetës.17

6

Nëse fëmijët ngrenë krye, prindërit duhet të vazhdojnë të luten për ta, t’i duan ata dhe t’i ndihmojnë ata.

E pranoj që ka prindër të cilët, pavarësisht nga derdhja e dashurisë dhe nga zelli, dhe përpjekja besnike për t’i mësuar ata, i shohin fëmijët e tyre të rriten në një mënyrë të kundërt dhe vajtojnë ndërsa bijtë dhe bijat e tyre të pabindura me paramendim ndjekin drejtime me pasoja tragjike. Për të tillë njerëz kam simpati të madhe dhe atyre kam zakon t’u citoj fjalët e Ezekielit: “I biri nuk do të mbartë paudhësinë e atit dhe ati nuk do të mbartë paudhësinë e birit” (Ezekiel 18:20).18

Nganjëherë, pavarësisht nga të gjitha gjërat që përpiqeni të bëni, keni një fëmijë të pabindur. Por vazhdoni të punoni me të. Mos u dorëzoni kurrë. Ju nuk keni humbur kurrë për sa kohë që përpiqeni. Vazhdoni të punoni.19

Nëse ndonjëri nga ju ka një fëmijë ose një njeri të dashur në atë gjendje [mosbindjeje], mos u dorëzoni. Lutuni për ta dhe duajini ata, dhe zgjatuni tek ta, dhe ndihmojini ata.20

Ndonjëherë mund të duket tepër vonë. … Prapëseprapë, kujtojeni akacien time pa gjemba [shih faqet 176–177]. Ndërhyrja dhe vuajtja sollën diçka të bukur, jeta e së cilës më vonë e dha mbrojtjen e mirëpritur nga nxehtësia e ditës.21

7

Ne i forcojmë familjet tona ndërsa kërkojmë ndihmë nga qielli dhe ushqejmë një shpirt dashurie dhe respekti për njëri-tjetrin.

[Rritja e një familjeje] mund të mos jetë e lehtë. Mund të jetë e mbushur me zhgënjim dhe sfidë. Do të kërkojë guxim dhe durim. … Dashuria mund ta sjellë ndryshimin – dashuria e dhënë bujarisht në fëmijëri dhe e shtrirë gjatë viteve të vështira të rinisë. Ajo do të bëjë atë që paratë e shpenzuara me tepri për fëmijët nuk do ta bëjnë kurrë.

– Dhe durim, me fre në gjuhë dhe zotërim të zemërimit. …

– Dhe zemërdhënie që të përgëzon me shpejtësi dhe të kritikon ngadalë.

Këto, me lutje, do të bëjnë mrekullira. Ju nuk mund të prisni ta bëni atë të vetëm. Ju keni nevojë për ndihmën e qiellit për të rritur fëmijë të qiellit – fëmijën tuaj, i cili është gjithashtu fëmija i Atit të tij apo të saj Qiellor.22

Çdo fëmijë, me pak përjashtime të mundshme, është produkt i një shtëpie, qoftë e mirë, e keqe ose mospërfillëse. Ndërsa fëmijët rriten ndër vite, jeta e tyre, në masë të madhe, bëhet një vazhdim dhe një pasqyrim i mësimdhënies në familje. Nëse ka ashpërsi, keqtrajtim, zemërim të pakontrolluar, pabesi, frytet do të jenë të sigurta e të dallueshme dhe me të gjitha gjasat do të përsëriten në brezat që pasojnë. Nëse, nga ana tjetër, ka vetëpërmbajtje, falje, respekt, vëmendje, mirësi, mëshirë dhe dhembshuri, frytet sërish do të jenë të dallueshme dhe do të shpërblehen përjetësisht. Ato do të jenë pozitive, të ëmbla dhe të mrekullueshme. Dhe ndërsa mëshira jepet dhe mësohet nga prindërit, ajo do të përsëritet në jetën dhe veprimet e brezit të ardhshëm.

U flas baballarëve dhe nënave kudo me një lutje, për ta lënë ashpërsinë pas vetes, t’i vëmë fre zemërimit tonë, t’i ulim zërat tanë dhe të merremi vesh me mëshirë dhe dashuri, dhe respekt kundrejt njëri-tjetrit në shtëpitë tona.23

Është thënë nga të vjetrit se “përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin”. (Fjalët e Urta 15:1.) Ne rrallë hyjmë në telashe kur flasim butësisht. Ajo ndodh vetëm kur e ngremë zërin derisa shpërthejnë shkëndijat dhe pirgjet e vogla bëhen male të mëdha grindjesh. … Zëri i qiellit është një zë i vogël e i qetë [shih 1 Mbretërve 19:11–12]; gjithashtu, zëri i paqes shtëpiake është një zë i qetë.24

Sigurisht, nevojitet disiplinim në familje. Por disiplinimi me ashpërsi, disiplinimi me mizori pashmangshmërisht nuk çon në korrigjim por përkundrazi në fyerje dhe hidhërim. Ai nuk shëron asgjë dhe vetëm e përkeqëson problemin. Është vetëshkatërrues.25

Nuk ka asnjë disiplinim në të gjithë botën si disiplinimi i dashurisë. Ai ka një magji më vete.26

Le të punojmë vazhdimisht për t’i forcuar familjet tona. Bashkëshortët dhe bashkëshortet le të kultivojnë një shpirt të besnikërisë tërësore ndaj njëri-tjetrit. Le të mos e marrim njëri-tjetrin si të mirëqenë, por le të punojmë vazhdimisht për të ushqyer një shpirt dashurie dhe respekti për njëri-tjetrin.27

O Perëndi, Ati ynë i Amshuar, bekoji prindërit që t’u japin mësim me dashuri dhe durim, dhe zemërdhënie atyre që janë më të çmuarit, fëmijëve që kanë ardhur nga Ty, që së bashku të mund të mbrohen dhe drejtohen për mirë dhe, në procesin e rritjes, t’i sjellin bekime botës në të cilën do të jenë pjesë.28

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Hinkli dha mësim se familja “përfshin marrëdhëniet më të shenjta nga të gjitha marrëdhëniet” (pjesa 1). Si mund të ndikojë kjo e vërtetë në marrëdhëniet me pjesëtarët e familjes? Si mund të ndikojë ajo në mënyrën se si ne u japim përparësi kohës dhe veprimtarive tona?

  • Përse prindërit duhet “t’ua përkushtojnë përpjekjet e tyre më të mira mësimdhënies dhe rritjes së fëmijëve të tyre me parimet e ungjillit”? (Shih pjesën 2.) Si e ka bekuar familjen tuaj mësimdhënia e ungjillit në shtëpinë tuaj? Si mund të përmirësohen prindërit në përpjekjet e tyre për t’i ndihmuar fëmijët e tyre ta jetojnë ungjillin?

  • Rishikojini mësimet e Presidentit Hinkli rreth bekimeve të lutjes familjare (shih pjesën 3). Si mendoni ju, përse lutja familjare sjell bekime? Çfarë bekimesh keni përjetuar nga bërja e lutjes së rregullt familjare? Çfarë humbasim nëse e lëmë pas dore lutjen familjare?

  • Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Gordon B. Hinklit me mbrëmjen familjare kur ishte i vogël? (Shih pjesën 4.) Çfarë bekimesh i kanë ardhur familjes suaj nëpërmjet mbrëmjes familjare?

  • Rishikojeni historinë e Presidentit Hinkli rreth akacies (shih pjesën 5). Çfarë zbatimesh mund të ketë kjo histori për ju?

  • Si mund t’i ndihmojnë mësimet e Presidentit Hinkli në pjesën 6 prindërit e një fëmije që është i pabindur? Cilat janë disa mënyra se si prindërit dhe të tjerët mund të japin ndihmë me dashuri?

  • Përse është e rëndësishme që prindërit t’i disiplinojnë fëmijët e tyre me dashuri dhe jo me zemërim? Cilat janë disa gjëra që mund të bëjnë prindërit për të disiplinuar me dashuri? Si munden pjesëtarët e familjes të ushqejnë një shpirt dashurie dhe respekti për njëri-tjetrin? (Shih pjesën 7.)

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Ligji i Përtërirë 11:19; Enos 1:1–5; Mosia 4:14–15; Alma 56:45–48; 3 Nefi 18:21; shih edhe “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129.

Ndihmë për Mësimdhënien

“Ju mund të ndieni se ju mungon kuptimi për një parim të caktuar që po përgatiteni ta jepni mësim. Gjithsesi, kur ju e studioni atë plot lutje, përpiqeni ta jetoni atë, përgatiteni për ta dhënë mësim dhe pastaj e ndani me të tjerët, vetë dëshmia juaj do të forcohet dhe thellohet” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 19).

Shënime

  1. Në Sheri L. Dew, Go Forward with Faith: The Biography of Gordon B. Hinckley (1996), f. 333.

  2. M. Russell Ballard, në “Today’s Family: Proclamation Still a Clarion Call”, lds.org/prophets-and-apostles/unto-all-the-world/proclamation-on-family-is-still-a-clarion-call; kontrolluar më 12 maj 2015.

  3. “Stand Strong against the Wiles of the World”, Ensign, nëntor 1995, f. 101.

  4. “Pillars of Truth”, Ensign, janar 1994, f. 5.

  5. Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), f. 208.

  6. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 2: 2000–2004 (2005), f. 387.

  7. Letër e Presidencës së Parë, 11 shkurt 1999, në “Policies, Announcements, and Appointments”, Ensign, qershor 1999, f. 80.

  8. “Pillars of Truth”, f. 5.

  9. “To Single Adults”, Ensign, qershor 1989, f. 74.

  10. “Stand Strong against the Wiles of the World”, f. 99.

  11. “Behold Your Little Ones”, Ensign, qershor 2001, f. 5.

  12. Cornerstones of a Happy Home (broshurë, 1984), f. 10–11.

  13. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 2, f. 402.

  14. Në Conference Report, tetor 1965, f. 51.

  15. Teachings of Gordon B. Hinckley, f. 212.

  16. “Four Simple Things to Help Our Families and Our Nations”, Ensign, shtator 1996, f. 6–7.

  17. “Great Shall Be the Peace of Thy Children”, Ensign, nëntor 2000, f. 52.

  18. “These, Our Little Ones”, Ensign, dhjetor 2007, f. 8.

  19. “Inspirational Thoughts”, Ensign, gusht 1997, f. 4.

  20. Teachings of Gordon B. Hinckley, f. 54.

  21. “Four Simple Things to Help Our Families and Our Nations”, f. 8.

  22. “Bring Up a Child in the Way He Should Go”, Ensign, nëntor 1993, f. 60.

  23. “Blessed Are the Merciful”, Ensign, maj 1990, f. 70.

  24. “Except the Lord Build the House …”, Ensign, qershor 1971, f. 72.

  25. “Behold Your Little Ones”, f. 4.

  26. “The Environment of Our Homes”, Ensign, qershor 1985, f. 6.

  27. “Thanks to the Lord for His Blessings”, Ensign, maj 1999, f. 88–89.

  28. “Bring Up a Child in the Way He Should Go”, f. 60.