Mësime të Presidentëve
Kapitulli 13: Paqe dhe Kënaqësi nëpërmjet Mbështetjes Materiale te Vetja


Kapitulli 13

Paqe dhe Kënaqësi nëpërmjet Mbështetjes Materiale te Vetja

“Ne e japim mësim mbështetjen te vetja si një parim jete, se ne duhet të sigurojmë të ardhura për veten tonë dhe të kujdesemi për vetë nevojat tona.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

Kur ishte fëmijë, Gordon B. Hinkli mësoi parimet e mbështetjes te vetja, ndërsa punoi me prindërit dhe motrat e vëllezërit e tij. Më vonë ai kujtoi:

“Ne jetonim në atë që mendoja se ishte një shtëpi e madhe. … Kishte një lëndinë të madhe me shumë pemë që lëshonin miliona gjethe, dhe një sasi të pafundme pune që duhej bërë vazhdimisht.

… Ne kishim një stufë në kuzhinë dhe një stufë në dhomën e ndenjjes. Më vonë u instalua një kaldajë dhe çfarë gjëje e mrekullueshme që ishte. Por kishte një oreks të pangopur për qymyr dhe nuk kishte një kaci automatike. Qymyri duhej të futej me lopatë në kaldajë dhe me kujdes të mblidhej çdo natë.

Mësova një mësim të madh nga ajo kaldajë e madhe: nëse dëshiroje të qëndroje i ngrohtë, ti duhej të punoje me lopatë.

Im atë pati idenë se djemtë e tij duhej të mësonin të punonin, në verë si dhe në dimër, dhe prandaj ai bleu një fermë rreth 20.000 metra katror, e cila përfundimisht u rrit në më shumë se 121.000 metra katror. Ne jetonim atje në verë dhe ktheheshim në qytet kur fillonte shkolla.

Ne kishim një kopsht të madh frutor dhe pemët duhej të krasiteshin çdo pranverë. Babai na mori në paraqitjet në praktikë për krasitjen të bëra nga profesionistë nga kolegji bujqësor. Ne mësuam një të vërtetë të madhe – se ti mund ta përcaktosh fare mirë llojin e frutës që do të mbledhësh në shtator nga mënyra se si e krasite në shkurt.”1

Me këto të vërteta si pjesë e themelit të tij vetjak, Presidenti Hinkli shpesh dha mësime praktike për ta jetuar ungjillin. Ai dëshmoi për bekimet që vijnë nëpërmjet të punuarit fort, dhe i nxiti shenjtorët e ditëve të mëvonshme që të jetojnë brenda mundësive të tyre financiare dhe ta përgatitin veten për fatkeqësitë që mund të vijnë në të ardhmen.

Përveçse dha mësim këto parime, Presidenti Hinkli ndihmoi që të siguroheshin mënyra se si shenjtorët t’i ndjekin ato. Për shembull, në prill të vitit 2001, ai paraqiti Fondin e Qarkullueshëm Arsimor, për të cilin tha se u frymëzua nga Zoti.2 Nëpërmjet këtij programi, njerëzit mund të dhuronin te një fond që do të jepte hua me afat të shkurtër për t’i ndihmuar anëtarët e përshtatshëm të Kishës, kryesisht misionarët e kthyer, të merrnin arsimim ose trajnim profesional që do të çonte në punësim kuptimplotë. Kur njerëzit i shlyenin ato hua, ato para do të përfshiheshin në fond për të ndihmuar pjesëmarrësit e ardhshëm. Fondi i Qarkullueshëm Arsimor ka ndihmuar dhjetëra mijëra njerëz që të bëhen të mbështetur te vetja. Ai solli, siç tha njëherë Presidenti Hinkli, një “rreze të ndritur shprese”3.

grua duke punuar kopshtin

“Nuk ka asnjë zëvendësues nën qiejt për punën frytdhënëse. Ai është procesi nëpërmjet të cilit ëndrrat bëhen realitet.”

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Ndërsa punojmë me integritet moral, jeta jonë bekohet përgjithmonë.

Unë besoj tek ungjilli i punës. Nuk ka asnjë zëvendësues nën qiejt për punën frytdhënëse. Ai është procesi nëpërmjet të cilit ëndrrat bëhen realitet. Ai është procesi nëpërmjet të cilit vegimet e plogëta bëhen arritje të gjalla.4

Pak lojëra dhe pak çlodhje janë të mira. Por është puna ajo që bën ndryshimin në jetën e një burri apo gruaje. Është puna ajo që siguron ushqimin që ne hamë, veshjet që ne veshim, shtëpitë në të cilat jetojmë. Ne nuk mund ta mohojmë nevojën për punë me duar të stërvitura dhe mendje të arsimuara, nëse duam të rritemi dhe përparojmë individualisht dhe bashkërisht.5

Kam zbuluar se jeta nuk është një seri veprash të mëdha heroike. Jeta, në më të mirën e saj, është çështje mirësie dhe njerëzie të vazhdueshme, duke e bërë pa bujë atë që duhej të ishte bërë kur ishte e nevojshme për t’u bërë. Kam vërejtur se nuk janë njerëzit gjenialë që e sjellin ndryshimin në këtë botë. Kam vërejtur se puna e botës bëhet masivisht nga burra dhe gra me talente të zakonshme, që kanë punuar në një mënyrë të jashtëzakonshme.6

Fëmijët duhet të punojnë me prindërit e tyre – të lajnë enët me ta, të lajnë dyshemetë me ta, të kositin lëndinat, të krasitin pemët dhe shkurrnajat, të lyejnë dhe të rregullojnë, dhe të pastrojnë, dhe të bëjnë qindra gjëra të tjera ku do të mësojnë se puna është çmimi i pastërtisë dhe i përparimit, dhe i mirëqenies.7

burrë dhe djem pranë një turre drush

“Fëmijët duhet të punojnë me prindërit e tyre. … Ata duhet të mësojnë se puna është çmimi i pastërtisë dhe i përparimit, dhe i mirëqenies.”

Aftësia gjeniale e kësaj Kishe është puna. Çdokush punon. Ju nuk rriteni nëse nuk punoni. Besimi, dëshmia për të vërtetën, është pikërisht si muskuli i krahut tim. Nëse e përdor atë, ai bëhet i fortë. Nëse e lidh me një fashë, ai bëhet i dobët dhe i squllur. Ne i vëmë njerëzit të punojnë. Ne presim gjëra të mëdha prej tyre dhe gjëja e mahnitshme dhe e mrekullueshme është përmbushja e detyrave të tyre. Ata krijojnë.8

Asgjë nuk ndodh në këtë Kishë po të mos punoni. Është tamam si një karrocë dore. Ajo nuk lëviz derisa t’i kapësh fort të dyja dorezat dhe ta shtysh. Të punuarit fort e çon përpara punën e Zotit dhe, nëse keni mësuar të punoni me integritet të vërtetë, ajo do ta bekojë jetën tuaj përgjithmonë. E them me gjithë zemër. Ajo do ta bekojë jetën tuaj përgjithmonë.9

2

Ne kemi përgjegjësi për t’i ndihmuar të tjerët ta ngrenë veten dhe të bëhen të mbështetur te vetja.

Ka një thënie të vjetër që, nëse i jep një njeriu një peshk, ai do të ketë një vakt për një ditë. Por, nëse e mëson të peshkojë, ai do të ketë ushqim për tërë jetën. …

Na dhëntë Zoti largpamësi dhe kuptueshmëri për të bërë ato gjëra që do t’i ndihmojnë anëtarët tanë jo vetëm shpirtërisht por edhe materialisht. Mbi ne qëndron një detyrim shumë serioz. Presidenti Jozef F. Smith tha … se një fe që nuk do ta ndihmojë një njeri në këtë jetë, nuk ka gjasë që të bëjë shumë për të në jetën që do të vijë (shih “The Truth about Mormonism”, revista Out West, shtator 1905, f. 242).

Atje ku ka varfëri të përhapur gjerësisht midis njerëzve tanë, ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi për t’i ndihmuar të ngrenë veten, ta krijojnë jetën e tyre mbi themelin e mbështetjes te vetja që mund të vijë prej përgatitjes. Arsimimi është çelësi për mundësinë. …

Është detyrimi ynë i shenjtë … të “ndihmo[jmë] të dobëtit, ngr[emë] duart që varen poshtë dhe forco[jmë] gjunjët e këputur” (DeB 81:5). Ne duhet t’i ndihmojmë ata të bëhen të mbështetur te vetja dhe të suksesshëm.

Besoj se Zoti nuk dëshiron që ta shohë popullin e Tij të dënuar të jetojë në varfëri. Besoj se Ai do të donte që besniku t’i gëzonte gjërat e mira të tokës. Ai do të donte që ne t’i bëjmë këto gjëra për t’i ndihmuar ata.10

Individi, teksa e mësojmë, duhet të bëjë për veten gjithçka që mundet. Kur ai t’i ketë shteruar burimet, ai duhet të kthehet nga familja e vet për të marrë ndihmë. Kur familja nuk mund ta bëjë atë, e merr përsipër Kisha. Dhe, kur e merr përsipër Kisha, dëshira jonë e madhe është që së pari të kujdesemi për nevojat e tij të ngutshme dhe më pas ta ndihmojmë atë për sa kohë që ka nevojë të ndihmohet, por në atë proces ta ndihmojmë atë në përgatitje, në sigurimin e punësimit, në gjetjen e disa mënyrave për t’u ngritur në këmbë sërish. Ky është i gjithë synimi i programit të mrekullueshëm [të Kishës] të mirëqenies.11

Ata, të cilët kanë marrë pjesë si përfitues të këtij programi, kanë shpëtuar nga “mallkimi i përtacisë dhe ligësitë e lëmoshës”. Dinjiteti dhe respekti i tyre për veten është ruajtur. Dhe ata mijëra e mijëra burra dhe gra që nuk kanë qenë përfitues të drejtpërdrejtë, por që kanë marrë pjesë në rritjen dhe përpunimin e ushqimit dhe në shumë sipërmarrje të lidhura, japin dëshmi për gëzimin që gjendet në shërbimin bujar ndaj të tjerëve.

Askush [nga ata] që është dëshmitar i këtij programi me zbatimet e tij të gjera dhe me pasojat e tij të jashtëzakonshme, nuk mund ta vërë në dyshim në mënyrë të arsyeshme shpirtin e zbulesës që e solli atë dhe që ka zgjeruar fuqinë e tij praktike për mirë.12

Ne duhet të vazhdojmë në këtë punë. Përherë do të ketë një nevojë. Uria dhe nevoja, dhe katastrofat do të jenë përherë me ne. Dhe do të ketë përherë nga ata, zemrat e të cilëve janë prekur nga drita e ungjillit, të cilët do të jenë të gatshëm të shërbejnë dhe punojnë, dhe ngrenë nevojtarin e tokës.

Si një përpjekje të ngjashme ne kemi krijuar Fondin e Qarkullueshëm Arsimor. Ai është krijuar nëpërmjet kontributeve tuaja bujare. … Huatë u jepen për arsimim të rinjve dhe të rejave të denja. Përndryshe, ata do të ziheshin në grackë nga varfëria e amullt që prindërit dhe stërgjyshërit e tyre e kanë njohur për breza. …

Shpirti i Zotit e udhërrëfen këtë punë. Kjo veprimtari mirëqenieje është veprimtari laike, që shprehet në termat e orizit dhe fasuleve, batanijeve dhe çadrave, veshjeve dhe mjekimeve, punësimit dhe arsimimit për punësim më të mirë. Por kjo e ashtuquajtura punë laike është veçse një shprehje e jashtme e një shpirti të brendshëm – Shpirtit të Zotit, për të cilin është thënë: Ai “e përshkoi vendin duke bërë mirë” (Veprat e Apostujve 10:38).13

3

Profetët na kanë nxitur ta përgatitim veten shpirtërisht dhe materialisht për katastrofat që do të vijnë.

Ne e japim mësim mbështetjen te vetja si një parim jete, se ne duhet të sigurojmë të ardhura për veten tonë dhe të kujdesemi për vetë nevojat tona. Dhe kështu ne i nxitim njerëzit tanë të kenë diçka, të planifikojnë që më përpara, të mbajnë … ushqim të ruajtur, të krijojnë një llogari kursimesh, nëse është e mundur, për një periudhë nevoje. Katastrofat u vijnë njerëzve ndonjëherë kur nuk e presin fare – papunësi, sëmundje, gjëra të atij lloji.14

Kjo botë e vjetër nuk është e panjohur me fatkeqësitë dhe katastrofat. Ata prej nesh që i lexojnë dhe i besojnë shkrimet e shenjta, janë në dijeni për paralajmërimet e profetëve lidhur me katastrofat që kanë ndodhur dhe ende do të ndodhin. …

Sa profetike janë fjalët e zbulesës që gjendet te seksioni 88 i Doktrinës e Besëlidhjeve lidhur me fatkeqësitë që duhet të ndodhin pas dëshmive të pleqve. Zoti thotë:

“Sepse pas dëshmisë suaj vjen dëshmia e tërmeteve, që do të shkaktojnë rënkime mes saj dhe njerëzit do të bien përtokë e nuk do të jenë në gjendje të qëndrojnë më këmbë.

Dhe gjithashtu vjen dëshmia e zërit të bubullimave dhe e zërit të vetëtimave, dhe e zërit të stuhive, dhe e zërit të valëve të detit të fryra përtej kufijve të tyre.

Dhe gjithë gjërat do të jenë në rrëmujë; dhe, sigurisht, zemrat e njerëzve do të mpaken; sepse frikë do të vijë mbi gjithë njerëzit” (DeB 88:89–91). …

… Ashtu siç ka pasur fatkeqësi në të kaluarën, ne presim më tepër në të ardhmen. Çfarë bëjmë ne?

Dikush tha që nuk po binte shi kur Noeu ndërtoi arkën. Por ai e ndërtoi atë dhe shirat erdhën.

Zoti ka thënë: “Nëse jeni të përgatitur, ju s’do të frikësoheni” (DeB 38:30).

Përgatitja fillestare është përcaktuar edhe te Doktrina e Besëlidhjet, ku thuhet: “Prandaj, qëndroni në vende të shenjta dhe mos lëvizni, derisa dita e Zotit të vijë” (DeB 87:8). …

Ne mund të jetojmë në mënyrë të tillë që të mund ta kërkojmë Zotin për mbrojtjen dhe udhërrëfimin e Tij. Kjo është përparësia e parë. Ne nuk mund të presim ndihmën e Tij nëse nuk jemi të gatshëm t’i zbatojmë urdhërimet e Tij. Ne në këtë Kishë kemi mjaft prova të ndëshkimeve nga mosbindja në shembujt si të kombeve jaredite ashtu edhe të atyre nefite. Secili kaloi nga lavdia te shkatërrimi i plotë për shkak të ligësisë.

Ne e dimë, sigurisht, se shiu bie mbi të drejtët si dhe të padrejtët (shih Mateu 5:45). Por edhe pse të drejtët vdesin, ata nuk humbasin, por shpëtohen nëpërmjet Shlyerjes së Shëlbuesit. Pali u shkroi romakëve: “Sepse, edhe nëse rrojmë, rrojmë për Zotin; edhe nëse vdesim, vdesim për Zotin” (Romakëve 14:8). …

Njerëzit tanë … janë këshilluar dhe nxitur të bëjnë përgatitje të tilla që do të sigurojnë mbijetesë nëse do të vijë një fatkeqësi.

Ne mund të heqim mënjanë pak ujë, ushqime bazë, mjekime dhe veshje që të na mbajnë ngrohtë. Ne duhet të kemi pak para të lëna mënjanë në rast të një periudhe nevoje.15

Ne kemi një program të mrekullueshëm mirëqenieje me pajisje për të tilla gjëra si ruajtja e drithit në zona të ndryshme. Është e rëndësishme që ne ta bëjmë këtë. Por vendi më i mirë për të hequr ca ushqime mënjanë është brenda shtëpive tona, së bashku me pak para në kursime. Programi më i mirë i mirëqenies është vetë programi ynë i mirëqenies. Pesë ose gjashtë okë gruri në një shtëpi janë më mirë sesa një shinik në hambarin e mirëqenies. …

Ne mund të fillojmë në çfarëdo kohe në mënyrë fare të thjeshtë. Mund të fillojmë me një rezervë ushqimore për një javë dhe gradualisht ta rritim atë deri për një muaj dhe pastaj për tre muaj. Po flas tani për ushqim për të plotësuar nevojat bazë. Siç ju të gjithë e dini, kjo këshillë nuk është e re. Por kam frikë se shumë veta mendojnë se një rezervë ushqimore afatgjatë është përtej mundësive të tyre saqë ata nuk bëjnë fare përpjekje.

Filloni në një mënyrë të vogël … dhe gradualisht shtojeni drejt një objektivi të arsyeshëm. Kurseni rregullisht pak para dhe do të habiteni se si mblidhen ato.16

4

Neve na pëlqen pavarësia dhe liria ndërsa e shmangim borxhin sa më shumë të jetë e mundur dhe heqim mënjanë para për kohë nevoje.

Kemi marrë këshillë sërish e sërish në lidhje me mbështetjen te vetja, në lidhje me borxhin, në lidhje me kursimin. Kaq shumë prej njerëzve tanë janë zhytur në borxhe për gjëra që nuk janë tërësisht të domosdoshme. … Unë ju nxit si anëtarë të kësaj Kishe të liroheni nga borxhi atje ku është e mundur dhe të keni lënë pak mënjanë për një periudhë nevoje.17

Ka ardhur koha që t’i vëmë në rregull shtëpitë tona. …

Presidenti J. Ruben Klark i Riu, në mbledhjen e priftërisë të konferencës në 1938-ën, [tha]: “Sapo të hyni në borxh, interesi është shoqëruesi juaj çdo minutë të ditës dhe natës; ju nuk mund ta shmangni apo të largoheni pa u vënë re prej tij; ju nuk mund të liroheni prej tij; ai nuk ia vë veshin asnjë lutjeje, kërkese ose urdhri; dhe sa herë që hyni në rrugën e tij ose kryqëzoheni me drejtimin e tij, apo nuk arrini t’i përmbushni kërkesat e tij, ai ju dërrmon” (në Conference Report, prill 1938, f. 103).

E pranoj se mund të jetë e nevojshme të marrësh hua për të blerë një shtëpi, sigurisht. Por le të blejmë një shtëpi që mund ta përballojmë dhe kështu të lirohemi nga pagesat që vazhdimisht do të qëndrojnë mbi kokat tona pa mëshirë ose ndërprerje. …

Që nga fillimet e Kishës, Zoti ka folur për këtë çështje të borxhit. Martin Herrisit, nëpërmjet zbulesës, Ai i tha: “Paguaj borxhin që ke lidhur kontratë me tipografin dhe çliroje veten nga robëria” (DeB 19:35).

Presidenti Hiber J. Grant foli vazhdimisht për këtë çështje. … Ai tha: “Nëse ka ndonjë gjë që do të sjellë paqe dhe kënaqësi në zemrën njerëzore, dhe në familje, ajo është të jetojmë brenda mundësive tona. Nëse ka ndonjë gjë që është gërryese dhe shkurajuese, dhe dëshpëruese, ajo është të kemi borxhe dhe detyrime që nuk mund t’i paguajmë” (Gospel Standards, përmb. G. Homer Durham [1941], f. 111).

Ne po përçojmë një mesazh për mbështetjen te vetja në mbarë Kishën. Mbështetja te vetja nuk mund të arrihet kur ka borxh të rëndë që rri varur mbi një familje. Një njeri nuk ka as pavarësi as liri nga skllavëria kur u ka detyrim të tjerëve.

Gjatë administrimit të çështjeve të Kishës, ne jemi përpjekur të japim një shembull. Ne, me rregullore, kemi ndjekur rreptësisht praktikën e heqjes mënjanë çdo vit të një përqindjeje të të ardhurave të Kishës për një periudhë të mundshme nevoje.

Jam mirënjohës që jam në gjendje të them se Kisha në të gjitha veprimet e saj, në të gjitha sipërmarrjet e saj, në të gjithë sektorët e saj, është në gjendje të funksionojë pa para të marra hua. Nëse nuk mund t’ia dalim, ne do t’i zvogëlojmë programet tona. Ne do t’i shkurtojmë shpenzimet për t’iu përshtatur të ardhurave. Ne nuk do të marrim hua. …

Çfarë ndjenje e mrekullueshme është të jesh i lirë nga borxhi, të kesh pak para të lëna mënjanë për një ditë kritike, ku ato mund të rimerren kur është e nevojshme. …

Unë ju nxit … të shihni gjendjen e financave tuaja. Unë ju nxit të jeni modestë me shpenzimet tuaja; ta disiplinoni veten në blerjet tuaja që ta shmangni borxhin sa më shumë të jetë e mundur. Shlyejeni borxhin sa më shpejt që mundeni dhe çlirohuni nga skllavëria.

Kjo është pjesë e ungjillit material në të cilin ne besojmë. Zoti ju bekoftë … që t’i vini shtëpitë tuaja në rregull. Nëse i keni paguar borxhet tuaja, nëse ju keni një rezervë, ndonëse është e vogël, atëherë, nëse stuhitë ulërijnë mbi kokën tuaj, ju do të keni strehë për [familjen] tuaj dhe paqe në zemrat tuaja.18

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Hinkli dha mësim se “nuk ka asnjë zëvendësues … për punën frytdhënëse” (pjesa 1). Në ç’mënyrë puna ka qenë një bekim në jetën tuaj? Çfarë keni mësuar nga të punuarit fort? Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre që të mësojnë të punojnë?

  • Cilat janë përgjegjësitë tona kundrejt atyre që kanë nevoja materiale? (Shih pjesën 2.) Si mund t’i ndihmojmë të tjerët të bëhen të mbështetur te vetja? Si është ndikuar jeta juaj nga shërbimi që keni dhënë dhe keni marrë?

  • Shqyrtoni përgatitjet që Presidenti Hinkli na këshilloi që të bëjmë për kohët e nevojës (shih pjesën 3). Kur e keni parë rëndësinë e përgatitjes për kohët e nevojës? Cilat janë disa gjëra të vogla, graduale që mund të bëjmë për t’u përgatitur?

  • Shqyrtoni këshillën e Presidentit Hinkli për borxhin dhe kursimin (shih pjesën 4). Përse është e rëndësishme të jemi të disiplinuar në mënyrën se si i shpenzojmë paratë? Si mund të ndikojë borxhi te ne materialisht dhe shpirtërisht? Si mund t’i mësojnë prindërit fëmijët e tyre që t’i përdorin paratë me mençuri?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

1 Thesalonikasve 4:11–12; DeB 1:11–13; 78:13–14; 104:13–18; Moisiu 5:1

Ndihmë për Mësimdhënien

“Kini kujdes të mos u jepni fund diskutimeve të mira tepër shpejt në përpjekje për të paraqitur të gjithë materialin që keni përgatitur. Edhe pse është e rëndësishme ta pasqyroni materialin, është më e rëndësishme t’i ndihmoni nxënësit të ndiejnë ndikimin e Shpirtit, t’i zbërthejnë pyetjet e tyre, ta rritin kuptueshmërinë e tyre për ungjillin dhe ta forcojnë zotimin e tyre për t’i zbatuar urdhërimet” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 64).

Shënime

  1. “Some Lessons I Learned as a Boy”, Ensign, maj 1993, f. 52.

  2. Shih “The Perpetual Education Fund”, Ensign, maj 2001, f. 52.

  3. “Reaching Down to Lift Another”, Ensign, nëntor 2001, f. 54.

  4. “I Believe”, New Era, shtator 1996, f. 6.

  5. “I Believe”, f. 6.

  6. One Bright Shining Hope: Messages for Women from Gordon B. Hinckley (2006), f. 24.

  7. Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), f. 707.

  8. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 2: 2000–2004 (2005), f. 532.

  9. “Inspirational Thoughts”, Ensign, gusht 2000, f. 5.

  10. “The Perpetual Education Fund”, f. 52–53.

  11. “This Thing Was Not Done in a Corner”, Ensign, nëntor 1996, f. 50.

  12. “President Harold B. Lee: An Appreciation”, Ensign, nëntor 1972, f. 8; shih edhe Heber J. Grant, në Conference Report, tetor 1936, f. 3.

  13. “I Was an Hungred, and Ye Gave Me Meat”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 61.

  14. “This Thing Was Not Done in a Corner”, f. 50.

  15. “If Ye Are Prepared Ye Shall Not Fear”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 61–62.

  16. “To Men of the Priesthood”, Ensign ose Liahona, nëntor 2002, f. 58.

  17. “The Times in Which We Live”, Ensign, nëntor 2001, f. 73.

  18. “To the Boys and to the Men”, Ensign, nëntor 1998, f. 53–54.