Mësime të Presidentëve
Kapitulli 21 Mrekullia e Ditëve të Mëvonshme për Punën Misionare


Kapitulli 21

Mrekullia e Ditëve të Mëvonshme për Punën Misionare

“Ju ftoj të bëheni një ushtri e madhe me entuziazëm për këtë punë dhe me një dëshirë të madhe gjithëpërfshirëse për t’i ndihmuar misionarët në përgjegjësinë e jashtëzakonshme që kanë.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

Kur ishte i ri, Gordon B. Hinkli ishte një mbajtës besnik i priftërisë, por nuk priste të thirrej për të shërbyer në një mision kohëplotë. “Ishte koha e depresionit më të keq ekonomik në historinë e botës”, shpjegoi ai më vonë. “Papunësia në [Solt-Lejk-Siti] ishte rreth 35 përqind dhe shumica e të papunëve ishin bashkëshortë dhe etër, ngaqë relativisht pak gra bënin pjesë në forcën punonjëse. Shumë pak misionarë po shkonin në fushën e misionit në atë kohë. … E mora diplomën time universitare dhe planifikova që në njëfarë mënyre të vazhdoja shkollën pasuniversitare. Atëherë peshkopi erdhi me atë që m’u duk mua një sugjerim befasues. Ai foli për një mision.”1

Gordoni e pranoi “sugjerimin befasues” të peshkopit të tij dhe në vitin 1933 ai u thirr të shërbente në Angli – njëri prej vetëm 525 misionarëve që u thirrën atë vit.2 Ai u përball me shumë sprova gjatë misionit të tij, por shërbimi i tij krijoi spirancën e besimit të tij:

“Puna në fushën e misionit nuk ishte e lehtë. Ishte e vështirë dhe shkurajuese. Por çfarë përvoje e mrekullueshme ishte ajo. Duke e hedhur vështrimin pas, unë e dalloj që ndoshta isha një djalosh egoist kur mbërrita në Britani. Çfarë bekimi u bë të vija mënjanë vetë interesat e mia egoiste në emër të interesave më të mëdha të punës së Zotit. …

Sa thellësisht mirënjohës jam për përvojën e atij misioni. E preka jetën e pak vetave të cilët, përgjatë viteve, kanë shprehur mirënjohje. Ajo ka qenë e rëndësishme. Por unë nuk kam qenë kurrë shumë i shqetësuar lidhur me numrin e pagëzimeve që pata apo që i patën misionarët e tjerë. Kënaqësia ime ka ardhur nga siguria që bëra atë që Zoti më donte të bëja dhe që isha një mjet në duart e Tij për plotësimin e qëllimeve të Tij. Në udhën e asaj përvoje, atje u bë e ngulitur brenda vetë qenies time një bindje dhe dituri që kjo është realisht vepra e vërtetë dhe e gjallë e Perëndisë, e rivendosur nëpërmjet një profeti për bekimin e të gjithë atyre që do ta pranojnë atë dhe do të jetojnë sipas parimeve të saj.”3

Misioni i Presidentit Hinkli caktoi drejtimin e një jete të tërë të përkushtuar ndaj veprës së Zotit. Gjatë shërbimit të tij si President i Kishës, ai udhëtoi për më shumë se 1,6 milionë kilometra në më shumë se 70 shtete për të dhënë dëshmi për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij të rivendosur.4

Presidenti Hinkli shpesh u drejtoi një thirrje anëtarëve të Kishës që të bashkoheshin me të në shpërndarjen e ungjillit. Më shumë se 400.000 misionarë kohëplotë iu përgjigjën asaj thirrjeje gjatë kohës së tij si President. Të ndihmuar nga shërbimi i tyre dhe puna misionare e anëtarëve, më shumë se 3.500.000 të kthyer në besim u pagëzuan gjatë asaj kohe.5

Gjithmonë optimist, Presidenti Hinkli tregoi për një këndvështrim të gjerë të mënyrës se si puna e Zotit do të vazhdonte të rritej:

“Nëse do të shkojmë përpara, duke mos e hequr kurrë vështrimin nga synimi ynë, duke mos folur keq për askënd, duke i jetuar parimet e mëdha që i dimë të jenë të vërteta, kjo kauzë do të përhapet me madhështi e fuqi për ta mbushur tokën. Do të hapen dyer tani të mbyllura ndaj predikimit të ungjillit.”6

“Shpresa jonë lidhur me të ardhmen është e madhërishme dhe besimi ynë është i fortë. Ne e dimë se mezi e kemi prekur veçse sipërfaqen e asaj që do të ndodhë në vitet që shtrihen përpara nesh. … Barra jonë për ecjen përpara është e jashtëzakonshme. Por mundësia jonë është e lavdishme.”7

misionarë duke i dhënë mësim një familjeje

“Le t’i drejtohemi botës në shërbimin tonë misionar, duke u dhënë mësim të gjithë atyre që do të dëgjojnë lidhur me rivendosjen e ungjillit.”

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Ne duhet t’i drejtohemi botës në shërbimin tonë misionar, duke u dhënë mësim të gjithë atyre që do të dëgjojnë.

Ne kemi një urdhër hyjnor për t’ia çuar ungjillin çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli. Ne kemi përgjegjësi të japim mësim e të pagëzojmë në emrin e Zotit Jezu Krisht. Tha Shpëtimtari i ringjallur: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese” [Marku 16:15]. Ne jemi të përfshirë në një kryqëzatë të madhërishme dhe shumë të ngjeshur për të vërtetën dhe mirësinë.8

Përpara se Kisha të organizohej, pati punë misionare. Ka vazhduar që nga ajo kohë, duke iu bërë ballë vështirësive të shumë prej stinëve përmes të cilave kanë kaluar njerëzit tanë. Le ta vendosim në vetvete, secili, që të ngrihemi te një mundësi e re, te një ndjesi e re e përgjegjësisë, te një ndërmarrje e re e detyrimit për ta ndihmuar Atin tonë në Qiell në veprën e Tij të lavdishme të realizimit të pavdekësisë dhe jetës së përjetshme të bijve e bijave të Tij anembanë botës.9

Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme le t’i përfshijmë njerëzit e tjerë jo të besimit tonë. Mos veprofshim kurrë me një shpirt arrogance ose me një sjellje si të jemi më të shenjtë se të tjerët. Përkundrazi, tregofshim dashuri e respekt dhe ndihmueshmëri kundrejt tyre. Ne jemi tepër të keqkuptuar dhe kam frikë se shumë prej saj është shkaktuar nga ne vetë. Mund të jemi më tolerantë, më fqinjësorë, më miqësorë, më shumë një shembull sesa kemi qenë në të shkuarën. Le t’u mësojmë fëmijëve tanë që t’i trajtojnë të tjerët me miqësi, respekt, dashuri e admirim. Ajo do të prodhojë një rezultat shumë më të mirë sesa do të prodhojë një sjellje egoizmi. …

Le t’i drejtohemi botës në shërbimin tonë misionar, duke u dhënë mësim të gjithë atyre që do të dëgjojnë lidhur me rivendosjen e ungjillit, duke folur pa frikë, por edhe pa vetëkënaqësi, për Vegimin e Parë, duke dëshmuar për Librin e Mormonit dhe për rivendosjen e priftërisë. Vëllezërit dhe motrat e mia, le të biem në gjunjë dhe të lutemi për mundësinë për t’i sjellë të tjerët në gëzimin e ungjillit.10

Është diçka e mahnitshme dhe e mrekullueshme që mijëra njerëz preken nga mrekullia e Shpirtit të Shenjtë, që ata besojnë, pranojnë dhe bëhen anëtarë. Ata pagëzohen. Jeta e tyre preket përgjithmonë për mirë. Mrekullitë ndodhin. Një farë e besimit vjen në zemrat e tyre. Ajo zmadhohet teksa mësojnë. Dhe ata pranojnë parim pas parimi, derisa e kanë çdonjërin prej bekimeve të mrekullueshme që u vijnë atyre që ecin me besim në këtë, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.11

2

Ne duhet t’i ndihmojmë misionarët kohëplotë që t’i sjellin të tjerët te një njohuri e së vërtetës.

U takova me një grua në Amerikën e Jugut, e cila sapo ishte bashkuar me Kishën. E nxitur fuqimisht nga një dashuri e madhe për atë që kishte gjetur, ajo kishte shkuar përreth duke u treguar të tjerëve plot entuziazëm. Gjatë një periudhe prej vetëm shtatë muajsh që nga pagëzimi i saj, ajo kishte referuar treqind të njohur te misionarët që ata të mund t’ua shpjegonin ungjillin atyre. Deri në njëfarë kohe, gjashtëdhjetë veta ishin bashkuar me Kishën. Ka të ngjarë që më shumë u bashkuan. Në San-Paolo të Brazilit, u takova me misionarin e ri që fillimisht ia kishte mësuar asaj ungjillin. Edhe ai kishte qenë një i kthyer në ungjill, kishte shkuar në mision që të përfaqësonte Kishën duke bërë një sakrificë të madhe financiare. Gruaja për të cilën flas, ishte njëra prej dyzet e tre njerëzve që ai i kishte ndihmuar të bashkoheshin me Kishën deri në atë kohë. Ky i ri nga Brazili e kishte shtrirë vetveten më shumë se njëqind herë – dyzet e tre të kthyer në besim nga ai vetë dhe gjashtëdhjetë nëpërmjet njërës prej njerëzve që ai i kishte kthyer në besim, me më shumë të tjerë nga të kthyerit e tij në të ardhmen.12

Shumë nga ne e konsiderojnë punën misionare thjesht si trokitje nëpër dyer. Të gjithë ata që e njohin këtë punë, e dinë se ka një mënyrë më të mirë. Kjo mënyrë është nëpërmjet anëtarëve të Kishës. Sa herë që një anëtar e prezanton një kërkues, krijohet një sistem mbështetjeje i menjëhershëm. Anëtari jep dëshmi për vërtetësinë e punës. Ai shqetësohet për lumturinë e shokut të tij kërkues. Ai gëzohet kur ai shok bën përparim në të mësuarin e ungjillit.

Misionarët kohëplotë mund ta bëjnë mësimdhënien e mirëfilltë, por anëtari, kudo që është e mundur, do ta përkrahë atë mësimdhënie me ofrimin e shtëpisë së tij për ta vazhduar këtë shërbim misionar. Ai do të japë dëshmi të sinqertë për hyjnueshmërinë e punës. Do të jetë atje për t’iu përgjigjur pyetjeve kur misionarët nuk janë pranë. Ai do të jetë një mik për të kthyerin në besim, i cili po bën një ndryshim të madh dhe shpesh të vështirë.

Ungjilli nuk është diçka për të cilën të kemi turp. Është diçka për të cilën të jemi krenarë. “Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë”, i shkroi Pali Timoteut (2 Timoteut 1:8). Mundësitë për ta shpërndarë ungjillin janë kudo. …

gra duke folur

“Mundësitë për ta shpërndarë ungjillin janë kudo.”

Procesi i sjelljes së njerëzve të rinj në Kishë nuk është përgjegjësia vetëm e misionarëve. Ata ia dalin mbanë më mirë kur anëtarët bëhen burimi nga i cili gjenden kërkuesit e rinj. …

Le të kultivohet një ndërgjegjësim në zemrën e çdo anëtari për vetë potencialin e tij për t’i sjellë të tjerët te një njohuri për të vërtetën. Le të punojë ai për të. Le të lutet rreth saj me një zellshmëri të madhe. …

… Vëllezërit dhe motrat e mia, ne mund t’i lëmë misionarët të përpiqen ta bëjnë atë gjë të vetëm ose ne mund t’i ndihmojmë. Nëse e bëjnë të vetëm, ata do të trokasin nëpër dyer ditë pas dite dhe korrja do të jetë e paktë. Ose si anëtarë ne mund t’i ndihmojmë në gjetjen e kërkuesve dhe mësimdhënien atyre. …

Le të zhvillohet në çdo kunj një ndërgjegjësim për mundësinë për t’i gjetur ata që do ta dëgjojnë mesazhin e ungjillit. Në këtë proces nuk na duhet të jemi fyes. Nuk duhet të jemi arrogantë. Fletëpalosja më e efektshme që do të mbajmë, do të jetë mirësia e vetë jetës dhe shembullit tonë. Dhe kur përfshihemi në këtë shërbim, jeta jonë do të përmirësohet, sepse ne do të jemi të vëmendshëm të kujdesemi që nuk bëjmë ose themi asgjë që mund ta pengojë përparimin e atyre që po përpiqemi t’i udhëheqim drejt së vërtetës. …

Është e nevojshme të ketë një rritje të entuziazmit në çdo nivel në Kishë. Le të përdoret kjo temë [e punës misionare] herë pas here në mbledhjen e sakramentit. Le të diskutohet nga priftëria dhe Shoqata e Ndihmës në mbledhjet e tyre javore. Le të flasin e të planifikojnë Të Rinjtë dhe Të Rejat për mënyrat se si të ndihmojnë në këtë ndërmarrje shumë të rëndësishme. Le të mendojnë edhe fëmijët e Fillores për mënyra se si të ndihmojnë. Shumë prindër kanë ardhur në Kishë për shkak të një fëmije që u ftua në Fillore. …

Vëllezër e motra, ju të gjithë në lagjet e kunjet dhe në distriktet e degët, ju ftoj të bëheni një ushtri e madhe me entuziazëm për këtë punë dhe me një dëshirë të madhe gjithëpërfshirëse për t’i ndihmuar misionarët në përgjegjësinë e jashtëzakonshme që kanë për t’ia çuar ungjillin çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli. “Fusha është e bardhë [dhe] gati për t’u korrur” (DeB 4:4). Zoti e ka shpallur në mënyrë të përsëritur këtë. A nuk duhet t’ia vëmë veshin fjalës së Tij?13

Në emër të misionarëve … unë dua t’u përgjërohem shenjtorëve që të bëjnë gjithçka që munden, për të siguruar referime [të njerëzve], të cilëve mund t’u japin mësim. Do të jeni të lumtur nëse e bëni këtë. Çdo njeri që e shihni të vijë në Kishë për shkak të përpjekjes suaj, do të sjellë lumturi në jetën tuaj. Ua bëj atë si premtim secilit prej jush.14

3

Puna kohëplotë misionare u sjell lumturi afatgjatë atyre, të cilët shërbejnë.

Ne duhet ta ngremë standardin e denjësisë dhe të kualifikimeve për ata që shkojnë në botë si ambasadorë të Zotit Jezu Krisht.15

Bota sot ka nevojë për fuqinë e dëshmisë së pastër. Ka nevojë për ungjillin e Jezu Krishtit dhe, nëse bota do ta dëgjojë atë ungjill, duhet të ketë lajmëtarë për ta dhënë mësim atë.

Ne kërkojmë që prindërit ta fillojnë herët trajnimin e fëmijëve të tyre [për shërbimin misionar]. Atje ku ka lutje familjare, atje ku ka mbrëmje familjare të shtëpisë, atje ku ka lexim të shkrimeve të shenjta, atje ku babai dhe nëna janë aktivë në Kishë dhe flasin me entuziazëm lidhur me Kishën dhe ungjillin, fëmijët në shtëpi të tilla bëhen të mbushur në një mënyrë të natyrshme me një dëshirë për t’ua dhënë mësim ungjillin të tjerëve. Ka zakonisht një traditë të punës misionare në shtëpi të tilla. Llogari kursimesh krijohen ndërkohë që fëmijët janë të vegjël. Djemtë rriten me një pritshmëri të natyrshme që do të thirren për të shërbyer si misionarë për Kishën. Një mision bëhet po aq shumë pjesë e programit të një djali për jetën sa është arsimimi.16

Puna misionare është kryesisht një përgjegjësi e priftërisë. Si e tillë, djemtë tanë të rinj duhet të mbartin barrën kryesore. Kjo është përgjegjësia e tyre dhe detyrimi i tyre.17

Të rinj, shpresoj që ju të gjithë po planifikoni dhe po përgatiteni në drejtim të shërbimit misionar. Nuk mund t’ju premtoj hare. Nuk mund t’ju premtoj lehtësi dhe rehati. Nuk mund t’ju premtoj çlirim prej shkurajimit, prej frikës, prej mjerimit tërësor në disa raste. Por mund t’ju premtoj se ju do të rriteni në një mënyrë siç nuk jeni rritur kurrë brenda një periudhe të ngjashme gjatë gjithë jetës suaj. Mund t’ju premtoj një lumturi që do të jetë e pashoqe, e mrekullueshme dhe afatgjatë. Mund t’ju premtoj se ju do ta rivlerësoni jetën tuaj, se do të krijoni përparësi të reja, se do të jetoni më pranë Zotit, se lutja do të bëhet një përvojë e vërtetë dhe e mrekullueshme, se ju do të ecni me besim në rrjedhojën e gjërave të mira që bëni.18

Na nevojiten disa të reja [për të shërbyer në misione]. Ato kryejnë një punë mbresëlënëse. Ato mund të hyjnë në shtëpitë ku pleqtë [eldrat] nuk mund të hyjnë. …

[Megjithatë] … të rejat nuk duhet të ndiejnë se kanë një detyrë të krahasueshme me atë të të rinjve. Disa prej tyre do të dëshirojnë shumë që të shkojnë. Nëse është kështu, ato duhet të këshillohen me peshkopin e tyre si edhe me prindërit e tyre. … Motrave u them se ju do të jeni po aq shumë të respektuara, do të konsideroheni të jeni po aq në krye të detyrës, përpjekjet tuaja do të jenë po aq të pranuara nga Zoti dhe nga Kisha qoftë nëse shkoni në mision apo nuk shkoni në mision.19

Së bashku me nevojën për misionarë e misionare të reja, ka një nevojë në rritje në fushën e misionit për çiftet. Çiftet e moshuara, të martuara po bëjnë një punë të mrekullueshme në misionet. Edhe më shumë nevojiten. Veçanërisht na nevojiten ata me aftësi në gjuhë të huaja. Ata mund të shërbejnë në shumë përgjegjësi nën drejtimin e presidentëve të ndjeshëm dhe të vëmendshëm të misioneve.

Me një numër gjithnjë e në rritje të njerëzve që dalin në pension ndërkohë që ende zotërojnë shëndet dhe gjallëri, ka shumë që mund ta plotësojnë një nevojë të jashtëzakonshme në punën e Zotit.20

Ne [kemi] burra e gra pensioniste duke shërbyer në një detyrë domethënëse misionare për këtë Kishë anembanë botës. Numri po rritet. Ata shkojnë atje ku thirren. Ata shërbejnë atje ku nevojiten. Miqësitë krijohen; aftësitë ndahen; mundësitë hapen për ata, të cilët nuk do të harrojnë kurrë burrat e gratë që kanë ardhur mes tyre me një shpirt vetëmohimi të plotë për të dhënë mësim dhe për të bërë mirë. Ata nuk marrin pagesë. Ata shkojnë me shpenzimet e veta. Përmasa e përkushtimit të tyre është e pakufizuar. Frytet e përpjekjeve të tyre janë përtej llogaritjes.21

motrat misionare në një grup njerëzish

“Bota sot … ka nevojë për ungjillin e Jezu Krishtit dhe, nëse bota do ta dëgjojë atë ungjill, duhet të ketë lajmëtarë për ta dhënë mësim atë.”

4

Kur ua paraqitim të tjerëve ungjillin, Shpirti i Zotit ndihmon që të kapërcehen ndryshimet midis nesh.

Ngaqë të gjithë kemi ardhur prej të njëjtëve prindër [si fëmijë të Perëndisë], ne i përgjigjemi të njëjtës së vërtetë. Fakti që lëkura e dikujt mund të jetë e një ngjyre paksa të ndryshme, që sytë e dikujt mund të kenë një formë paksa të ndryshme, që dikush mund të veshë një lloj të ndryshëm rrobash, në asnjë kuptim nuk e bën atë një lloj të ndryshëm individi. Burra e gra anembanë botës i përgjigjen të njëjtit nxitës në thelb sipas së njëjtës mënyrë. Ata kërkojnë ngrohtësi kur kanë ftohtë; ata njohin të njëjtat lloje të dhembjes; ata përjetojnë trishtim dhe njohin gëzim. …

Kur ndryshimet – qoftë me fqinjët tanë ose brenda kulturave të tjera – duken se qëndrojnë si pengesa teksa kërkojmë ta ndajmë ungjillin, mirësjellja e qetë zakonisht i largon këto pengesa. Kur e zbatojmë urdhërimin e Zotit për t’ua paraqitur të tjerëve ungjillin, unë dëshmoj se Shpirti i Zotit ndihmon për t’i kapërcyer ndryshimet midis atij që po jep mësim dhe atij që po mësohet. Zoti e bëri të qartë procesin kur tha: “Si rrjedhim, ai që predikon [me anë të Shpirtit] dhe ai që pranon [me anë të Shpirtit], e kuptojnë njëri-tjetrin dhe që të dy lartësohen e gëzohen së bashku”. (DeB 50:22.)

Jam i kënaqur që mjeti më i efektshëm që ka secili prej nesh në thirrjen tonë për ta ndarë ungjillin, është Shpirti i Zotit. Ne të gjithë e kemi parë atë tek të tjerët. Ndërkohë që bëjmë punën e Zotit, ne gjithashtu e kemi ndier brenda vetes sonë. Në raste të tilla, ndryshimet sipërfaqësore midis nesh dhe atyre, të cilëve u japim mësim, duket se bien si luspa nga sytë tanë. (Shih 2 Nefi 30:6.) Zhvillohet një ngrohtësi e afërsisë dhe kuptueshmërisë, e cila është e mrekullueshme të shihet. Në mënyrë të mirëfilltë ne e kuptojmë njëri-tjetrin dhe në mënyrë të mirëfilltë lartësohemi e gëzohemi së bashku.22

5

Teksa shkojmë përpara me besim, Zoti do t’i bekojë përpjekjet tona për t’ua paraqitur të tjerëve ungjillin.

Me të vërtetë ne përfshihemi në një punë të mrekullueshme dhe një çudi. … Perëndia i qiellit ka bërë të ndodhë kjo mrekulli e ditëve të mëvonshme dhe ajo që kemi parë, nuk është veçse një shijim paraprak i gjërave më të mëdha që ende do të vijnë. Puna do të kryhet nga burra e gra, të rinj e të moshuar, të përulur.23

Puna do të dalë me sukses, sepse është Zoti i cili ka premtuar:

“Dhe kushdo që ju pranon ju, atje do të jem unë gjithashtu, sepse unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart.” (DeB 84:88.)

Me përgjegjësinë tonë të dhënë në mënyrë hyjnore, me bekime të premtuara në mënyrë hyjnore, shkofshim përpara me besim. Teksa e bëjmë këtë, Zoti do t’i bekojë përpjekjet tona. Bëfshim pjesën tonë në ndarjen e ungjillit me njerëzit përreth nesh, fillimisht nëpërmjet shembullit dhe më pas nëpërmjet parimit të frymëzuar.

Guri i shkëputur nga mali pa duar do të vazhdojë të përhapet derisa ta ketë mbushur tërë tokën. (Shih Daniel 2.) Ju jap dëshminë time për këtë të vërtetë dhe për të vërtetën që secili prej nesh mund të ndihmojë në mënyra që janë të përshtatshme për rrethanat tona, në qoftë se e kërkojmë udhërrëfimin dhe frymëzimin e Atit tonë në Qiell. Kjo që bëjmë, është puna e Perëndisë dhe me bekimin e Tij ne nuk do të dështojmë.24

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Përse nganjëherë kemi frikë ta shpërndajmë ungjillin? Cilat janë disa mënyra se si mund ta mposhtim atë frikë dhe t’i përfshijmë të tjerët? (Shih pjesën 1.) Cilat janë disa mrekulli të punës misionare që i keni dëshmuar?

  • Përse misionarët “ia dalin mbanë më mirë kur anëtarët bëhen burimi nga i cili gjenden kërkuesit e rinj”? (Shih pjesën 2.) Cilat janë disa mënyra të tjera se si anëtarët mund t’i ndihmojnë misionarët kohëplotë?

  • Përse janë misionet kohëplota kaq ndikuese në jetën e atyre, të cilët shërbejnë? Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre që të përgatiten për të shërbyer misione kohëplota? (Shih pjesën 3.) Si mund t’i ndihmojnë familjet çiftet e moshuara që të përgatiten për të shërbyer?

  • Rishikoni pjesën 4. Cilat janë disa nga tiparet e përbashkëta të të gjithë njerëzve? Si mund t’i kapërcejmë ndryshimet që duket të jenë pengesa në ndarjen e ungjillit? Si e keni parë Shpirtin e Zotit t’i ndihmojë njerëzit që t’i kapërcejnë ndryshimet?

  • Presidenti Hinkli theksoi se Zoti do t’i bekojë përpjekjet tona për ta ndarë ungjillin nëse ne “shkojmë përpara me besim” (pjesa 5). Si mund ta shtoni dëshirën dhe besimin tuaj për ta ndarë ungjillin?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Isaia 52:7; Mateu 28:19–20; Alma 26:1–5; DeB 1:20–23; 4; 18:15–16; 38:40–41

Ndihmë për Mësimdhënien

“Mos u trembni nga heshtja. Njerëzve shpesh u nevojitet kohë të mendojnë dhe t’u përgjigjen pyetjeve apo të shprehin atë që ndiejnë. Ju mund të ndaloni pasi ta keni bërë një pyetje, pasi është treguar një përvojë shpirtërore apo kur një person ka vështirësi për ta shprehur veten” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 67).

Shënime

  1. “The Question of a Mission”, Ensign, maj 1986, f. 40.

  2. Shih Sheri L. Dew, Go Forward with Faith: The Biography of Gordon B. Hinckley (1996), f. 58.

  3. “The Question of a Mission”, f. 40.

  4. Shih “Opening Remarks”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 5.

  5. Shih “I Am Clean”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 60.

  6. “Look to the Future”, Ensign, nëntor 1997, f. 68.

  7. “Opening Remarks”, f. 6.

  8. “True to the Faith”, Ensign, maj 1997, f. 67.

  9. “Find the Lambs, Feed the Sheep”, Ensign, maj 1999, f. 110.

  10. “A Time of New Beginnings”, Ensign, maj 2000, f. 87.

  11. “The Miracle of Faith”, Ensign, maj 2001, f. 68.

  12. “Be Not Afraid, Only Believe”, Ensign, shkurt 1996, f. 5.

  13. “Find the Lambs, Feed the Sheep”, f. 105–107, 110.

  14. Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), f. 374.

  15. “To Men of the Priesthood”, Ensign ose Liahona, nëntor 2002, f. 57.

  16. “There Must Be Messengers”, Ensign, tetor 1987, f. 2.

  17. “Some Thoughts on Temples, Retention of Converts, and Missionary Service”, Ensign, nëntor 1997, f. 52.

  18. “To the Boys and to the Men”, Ensign, nëntor 1998, f. 52.

  19. “Some Thoughts on Temples, Retention of Converts, and Missionary Service”, f. 52.

  20. “There Must Be Messengers”, f. 4.

  21. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 2: 2000–2004 (2005), f. 517–518.

  22. “We Have a Work to Do”, Ensign, shkurt 1988, f. 5–6.

  23. “We Have a Work to Do”, f. 6.

  24. “We Have a Work to Do”, f. 6.