“4–10 Korrik. 2 Mbretërve 2–7: ‘Ka një Profet në Izrael’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“4–10 Korrik. 2 Mbretërve 2–7”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
4–10 Korrik
2 Mbretërve 2–7
“Ka një Profet në Izrael”
Veprimtaritë në këtë përvijim kanë për qëllim të ndezin idetë tuaja krijuese. Nëpërmjet studimit plot lutje, ju mund të merrni frymëzim për të plotësuar nevojat e fëmijëve, të cilëve u jepni mësim.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’i nxitur fëmijët të tregojnë atë që dinë rreth profetit Elise, ftojini të bëjnë një vizatim të diçkaje që bëri ai.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Perëndia mund të bëjë mrekulli në jetën time.
Nëpërmjet profetit Elise, Zoti bekoi shumë njerëz në mënyra të mrekullueshme. Ndihmojini fëmijët t’i dallojnë mrekullitë e Zotit në jetën e tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni një ose më shumë nga mrekullitë e shënuara te 2 Mbretërve 4–5 (shih “Profeti Eliseu: Tre Mrekullitë” te Histori të Dhjatës së Vjetër). Lërini fëmijët të tregojnë atë që u pëlqen nga këto histori. Ftojini që t’ia ritregojnë historitë njëri-tjetrit.
-
Dëshmoni se Zoti mund të përdorë fuqinë e Tij për të bërë gjëra të mëdha për të na ndihmuar ne. Ne i quajmë këto gjëra mrekulli. Tregoni se si Zoti e ka treguar dashurinë e Tij për ju në mënyra që janë të mëdha apo të vogla. Këndoni së bashku një këngë rreth dashurisë së Perëndisë, të tillë si “Ati Im Qiellor më Do” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 16–17). Kërkojuni fëmijëve të tregojnë se si e dinë që Ati Qiellor i do ata.
Unë mund të zgjedh të bëj atë që urdhëron Perëndia nëpërmjet profetit të Tij.
Naamani e pati të vështirë të bindej kur profeti Elise i tha atij se si të shërohej nga lebra. Përsiatni se si mund t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë bekimet që vijnë nga të qenit i bindur.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojeni historinë e Naamanit (shih 2 Mbretërve 5:9–14; “Profeti Eliseu: Tre Mrekullitë” te Histori të Dhjatës së Vjetër; shih edhe figurën e Naamanit në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Theksoni se në fillim Naamani nuk donte të lahej në lumin Jordan, edhe pse Eliseu i tha se kjo do t’ia shëronte sëmundjen. Tregoni për një rast kur nuk ishit i/e sigurt se donit të bënit gjënë e duhur dhe ndihmojini fëmijët të mendojnë për vetë shembullin e tyre. Pastaj tregoni se si u bekua Naamani kur bëri zgjedhjen e duhur.
-
Lexojuni fëmijëve te 2 Mbretërve 5:13 dhe shpjegoni se shërbëtorët e Naamanit e ndihmuan atë të vendoste që t’i bindej profetit Elise. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyrat se si mund t’i ndihmojnë miqtë e tyre ose pjesëtarët e familjes që ta dëgjojnë dhe t’i binden profetit.
Zoti po kujdeset për mua.
Kur shërbëtori i Eliseut pa që ushtria siriane i rrethoi ata, ai pati shumë frikë. Megjithatë, Eliseu i tha atij të “mos ki[shte] frikë” sepse Zoti ishte me ta (2 Mbretërve 6:16).
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve te 2 Mbretërve 6:15 ose parafrazojeni atë që ata të mund ta kuptojnë. Ftojini fëmijët të përfytyrojnë sikur janë të rrethuar nga një ushtri e madhe me kuaj dhe qerre, siç ishte shërbëtori i Eliseut. Si do të ndiheshin ata? Çfarë do të bënin ata? Kërkojuni të mbyllin sytë ndërkohë që u lexoni atyre te 2 Mbretërve 6:16–17. Kur të arrini te fjalët “hap sytë e tij” kërkojuni fëmijëve të hapin sytë. Përshkruajuni atyre atë që pa shërbëtori, që e mbronte atë dhe Eliseun. Tregoni se si e dini që Zoti po kujdeset për ne.
-
Këndoni së bashku një këngë rreth kujdesit të Perëndisë për ne, të tillë si strofën e parë të himnit “F’mij’ të Dashur, Pran’ Ësht’ Zoti” (Himne, nr. 49). Zëvendësojini fjalët te kënga me emrat e fëmijëve për të theksuar se Perëndia po kujdeset për ta.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Perëndia mund të bëjë mrekulli në jetën time.
Gjatë shërbesës së Tij, Eliseu shëroi dhe bekoi shumë njerëz. Si mund t’i ndihmojnë fëmijët mrekullitë te 2 Mbretërve 4–5 që ta dallojnë dorën e Atit Qiellor në jetën e tyre?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të shkruajnë në tabelë sa më shumë mrekulli që mund të kujtojnë nga shkrimet e shenjta. Pastaj jepuni kohë të shqyrtojnë kapitujt te 2 Mbretërve 4–5 dhe ta shtojnë në listën e tyre (shih 2 Mbretërve 4:1–7, 14–17, 32–35, 38–41, 42–44; 5:10–14). Çfarë na mësojnë këto mrekulli rreth mënyrës se si ndihet për ne Ati Qiellor?
-
Kërkojuni fëmijëve të flasin për atë se çfarë është një mrekulli. Nëse kanë nevojë për ndihmë, ata mund të shqyrtojnë termin “Mrekulli” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Ftojini ata të tregojnë disa mrekulli që kreu Jezusi. Flisni rreth asaj se si e keni parë fuqinë e Perëndisë në jetën tuaj. Ju mund të përfshini mrekullitë e përditshme të tilla si ndjenjat paqësore, dhuratën e jetës së përditshme ose ndihmën për detyrat e përditshme. Ftojini fëmijët të flasin rreth mrekullive në jetën e tyre, si të mëdha edhe të vogla.
Unë mund të zgjedh të jem besnik, i bindur dhe i përulur.
Naamani donte të shërohej nga lebra, por ai nuk e priste udhëzimin e thjeshtë që i dha Eliseu: “Shko të lahesh shtatë herë në Jordan” (2 Mbretërve 5:10). Merrni parasysh se si mund ta përdorni këtë histori për t’u mësuar fëmijëve rreth besimit në Jezu Krisht, bindjes dhe përulësisë.
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruani në tabelë besim, bindje dhe përulësi dhe pyetini fëmijët se çfarë kuptimi kanë këto fjalë (shih Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 20–22, 22–23, 121). Ftojini fëmijët të lexojnë te 2 Mbretërve 5:9–14. Ju mund të tregoni gjithashtu pjesë nga materiali filmik “Naaman and Elisha” [“Naamani dhe Eliseu”] (ChurchofJesusChrist.org). Si tregoi Naamani besim te Zoti, bindje dhe përulësi? Përse është e rëndësishme që ne t’i kemi këto cilësi?
-
Kërkojuni fëmijëve të tregojnë për një rast kur një mik/e i ndihmoi ata të zgjidhnin të drejtën. Tregoni gjithashtu një përvojë tuajën. Lexoni së bashku te 2 Mbretërve 5:10–13 për të mësuar se si shërbëtorët e Naamanit e ndihmuan atë të zgjidhte që t’i bindej profetit. Çfarë mund të bëjmë për ta ndihmuar njëri-tjetrin që ta ndjekim profetin tonë sot?
-
Ftojini fëmijët ta plotësojnë faqen e veprimtarisë dhe t’i tregojnë një pjesëtari të familjes ose një miku/eje diçka që mësuan nga historia e Naamanit te 2 Mbretërve 5:1–15.
Unë nuk jam vetëm.
Fëmijët të cilëve u jepni mësim, nganjëherë mund të ndihen si shërbëtori i Eliseut – të pasigurt për mënyrën se si t’i përballojnë sfidat përpara tyre. Ju mund ta përdorni rrëfimin te 2 Mbretërve 6:8–17 për t’u mësuar atyre që të “mos k[enë] frikë” sepse Zoti nuk i ka lënë të vetëm.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni së bashku te 2 Mbretërve 6:15–17. Ftojeni njërin prej fëmijëve të bëjë sikur është shërbëtori i Eliseut ndërkohë që fëmijë të tjerë të bëjnë pyetje rreth përvojës së tij, për shembull, si u ndie ai kur ushtria siriane e rrethoi qytetin apo se si ishte të shihje ushtrinë e Perëndisë. Flitni me fëmijët rreth rasteve kur ndihen vetëm në përpjekje për ta jetuar ungjillin. Si na ndihmon Zoti që të dimë se nuk jemi vetëm?
-
Këndoni një himn rreth mbështetjes te Zoti, të tillë si “Kur Besimi Duron” (Himne, nr. 66). Çfarë na mëson kjo këngë rreth mirëbesimit te Zoti?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’iu tregojnë familjeve të tyre përvojat e rasteve kur e kanë dalluar dorën e Perëndisë në jetën e tyre. Nxitini ata që t’u kërkojnë pjesëtarëve të familjes së tyre që të tregojnë përvoja të ngjashme.