“25–31 Korrik. Esterit: ‘Është Pikërisht për një Kohë të Tillë që Ti Ke Arritur’” Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“25–31 Korrik. Esterit”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
25–31 Korrik
Esterit
“Është Pikërisht për një Kohë të Tillë që Ti Ke Arritur”
Të gjitha shkrimet e shenjta dëshmojnë për Jezu Krishtin. Përsiatni se si do t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë ndikimin e Shpëtimtarit në historinë e Esterit.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Kalojeni dorë më dorë një figurë të Esterit (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Teksa fëmijët e mbajnë në dorë figurën, ftojini ata të tregojnë diçka që e dinë nga historia e Esterit.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Unë mund t’i shërbej familjes sime.
Kur prindërit e Esterit vdiqën, kushëriri i saj Mardokeu u kujdes për të. Ju mund ta përdorni përvojën e tyre si një mundësi për të folur rreth shërbimit ndaj pjesëtarëve të familjeve tona.
Veprimtari të Mundshme
-
Në tabelë, bëni vizatime që përfaqësojnë Esterin, prindërit e saj dhe kushëririn e saj, Mardokeun. Shpjegoni se prindërit e Esterit vdiqën, kështu që Esteri kishte nevojë për dikë që të kujdesej për të. Lexojuni fëmijëve tek Esterit 2:7 dhe kërkojuni fëmijëve të mbajnë vesh për atë që bëri Mardokeu. Nidhmojini fëmijët të mendojnë për nevojat që mund të kenë pjesëtarët e familjeve të tyre, për të cilat fëmijët mund të ndihmojnë.
-
Ftojini disa nga fëmijët të interpretojnë me gjeste diçka dashamirëse që mund të bëjnë për t’i shërbyer dikujt në familjet e tyre, dhe kërkojuni fëmijëve të tjerë të hamendësojnë se çfarë po bëjnë ata. Ftojini që të flasin rreth gjërave që bëjnë për t’i bekuar familjet e tyre, dhe tregoni për disa nga gjërat që bëni ju.
-
Këndoni një këngë rreth ndihmës ndaj familjeve tona, të tillë si “Kur Ndihmojm’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 108). Jepni dëshminë tuaj se ndihma ndaj familjeve tona na bën të lumtur.
Unë mund të jem guximtar/e.
Fëmijët, të cilëve u jepni mësim, do të përballen me situata kur do të kenë nevojë për ndihmën e Zotit për të qenë guximtarë. Si do t’i ndihmoni ata të mësojnë nga shembulli i kurajës së Esterit?
Veprimtari të Mundshme
-
A e dinë fëmijët të cilëve u jepni mësim, se çfarë do të thotë të jesh guximtar/e? Jepuni një përkufizim të thjeshtë, të tillë si: “Të jesh guximtar/e do të thotë të bësh atë që është e drejtë edhe kur ke frikë”. Tregoni historinë e Esterit (shih “Esteri” te Histori të Dhjatës së Vjetër) dhe ndihmojini fëmijët të kuptojnë se në ç’mënyrë Esteri ishte guximtare. Lërini fëmijët të përdorin figurat në faqen e veprimtarisë së kësaj jave për ta ritreguar historinë.
-
Tregoni një figurë të Esterit (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Këndoni me fëmijët një këngë rreth të qenit guximtar/e, të tillë si “Do të Jem Guximtar” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 85). Theksoni fjalë dhe fraza në këngë që përshkruajnë Esterin, dhe dëshmoni se Shpëtimtari mund t’i ndihmojë fëmijët të jenë guximtarë.
-
Tregojuni fëmijëve për raste kur Jezu Krishti ishte guximtar; për shembull, kur Ai vuajti për mëkatet tona, si në Gjetseman ashtu edhe në kryq (shih Mateu 26:36–39; 27: 33–35). Kërkojuni fëmijëve të tregojnë për një rast kur qenë guximtarë (merrni parasysh të viheni në kontakt paraprakisht me familjet e tyre për t’u kërkuar atyre disa shembuj). Çfarë i ndihmoi ata të ishin guximtarë? Tregojuni fëmijëve se si ju ka ndihmuar Zoti që të jeni guximtar/e kur kishit frikë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë mund të jem një mjet në duart e Perëndisë.
Kur Esteri ishte e frikësuar, Mardokeu i dha asaj kurajë duke e mësuar që ndoshta Zoti e kishte bërë atë mbretëreshë “për një kohë të tillë” (Esterit 4:14). Përsiatni se si po i përgatit Zoti fëmijët të cilëve u jepni mësim, për mundësitë e tyre për të bekuar të tjerët.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojeni dikë të luajë një këngë për fëmijët me një instrument muzikor ose paraqitni një figurë të dikujt duke i rënë një instrumenti. Flisni rreth asaj se ç’do të thotë të jesh një mjet në duart e Perëndisë. Rishikoni me fëmijët historinë e Esterit (shih “Esteri” te Histori të Dhjatës së Vjetër) dhe ftojini të flasin rreth mënyrës se si Esteri ishte një mjet që Zoti të përmbushte qëllimet e Tij. Si mund të jemi mjete për Zotin?
-
Pasi ta rishikoni historinë e Esterit, ngjitjani pas kurrizit secilit fëmijë një kartë me emrin e njërit prej personazheve nga historia. Ftojini fëmijët që të përpiqen të gjejnë se çfarë emri kanë pas kurrizit duke u bërë fëmijëve të tjerë pyetje të këtilla: “A ishte i drejtë ky person?” ose “A ishte ky person një grua?” Pastaj diskutoni se si Mardokeu dhe Esteri ishin mjete për Zotin që të shpëtonin judenjtë.
Ati Qiellor më ndihmon të kem kurajë kur kam frikë.
Kur i keni parë fëmijët, të cilëve u jepni mësim, që të kenë kurajë? Çfarë përvojash mund të tregoni kur ju nevojitej ndihma e Zotit për të qenë guximtar/e?
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruani në tabelë Mardokeu tregoi kurajë duke … dhe Esteri tregoi kurajë duke …. Ftojini disa nga fëmijët që të lexojnë tek Esterit 3:1–11 dhe të tjerë që të lexojnë tek Esterit 4:10–17. Kërkojuni atyre të përdorin atë që lexojnë, për t’i plotësuar fjalitë në tabelë. Më pas shkruani Unë do të tregoj kurajë duke … dhe ftojini fëmijët të renditin gjëra që Ati Qiellor dëshiron që ata të bëjnë, por që kërkojnë kurajë. Si mund të jemi si Mardokeu dhe Esteri?
-
Ftojini fëmijët të mendojnë për situatat me të cilat përballen, në të cilat mund të jetë e vështirë të bëhet gjëja e duhur. Shkruani në tabelë fjalët e guximshme të Esterit: “Do të hyj te mbreti, … dhe në qoftë se duhet të vdes, do të vdes” (Esterit 4:16). Ndihmojini fëmijët të vënë në zbatim fjalët e Esterit për veten e tyre duke e zëvendësuar frazën “do të hyj te mbreti” me një zgjedhje të drejtë, por të vështirë që mund t’u duhet të bëjnë. Më pas ftojini ta zëvendësojnë fjalën “vdes” me diçka jo të këndshme që mund të vijë nga bërja e asaj që është e drejtë. Përse është më mirë të bësh gjënë e duhur, madje edhe nëse ka pasoja të vështira?
-
Paraqitni materialin filmik “Choose the Harder Right” [“Zgjidhni të Drejtën më të Vështirë”] (ChurchofJesusChrist.org) dhe ftojini fëmijët të vendosin për “të drejtën më të vështirë” që do të zgjedhin në jetën e tyre. Diskutoni se si Jezu Krishti është një shembull i këtij parimi.
Agjërimi mund të më ndihmojë mua dhe t’i bekojë të tjerët.
Gjatë një kohe nevoje, Esteri dhe judenjtë agjëruan. Si mund t’i ndihmoni fëmijët, të cilëve u jepni mësim, që t’i kuptojnë bekimet shpirtërore të agjërimit?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të bëjnë një listë të gjërave për të cilat mund të agjërojnë (nëse nevojitet, ata mund të kërkojnë te tema “Agjërim dhe Oferta Agjërimi” tek Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 10–13). Pastaj kërkojuni të lexojnë tek Eserit 4:1–3, 10–17 për të zbuluar se përse agjëruan judenjtë dhe Esteri. Nxitini fëmijët të mendojnë për një arsye se përse mund të kenë nevojë për ndihmë të veçantë nga Zoti, dhe sugjeroni që ta bëjnë atë arsye pjesë të agjërimit të tyre gjatë të dielës vijuese të agjërimit.
-
Ftojini fëmijët të bëjnë sikur po ia shpjegojnë një miku/eje se përse agjërojnë. Çfarë do të thoshin ata? Drejtojini ata tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Agjëroj, Agjërim” (scriptures.ChurchofJesusChrist.org) nëse kanë nevojë për ndihmë. Tregoni një përvojë kur ju agjëruat për të marrë ndihmën e Zotit. Ftojini fëmijët të tregojnë përvoja që kanë pasur me agjërimin.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Këndoni së bashku një këngë për një parim që mësuat sot në klasë (shih treguesin tematik te Libri i Këngëve të Fëmijëve për ide). Ftojini fëmijët ta këndojnë këngën me familjet e tyre.