“1–7 Gusht. Jobit 1–3; 12–14; 19; 21–24; 38–40; 42: ‘Sërish do tʼi Mirëbesoj Atij’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“1–7 Gusht. Jobit 1–3; 12–14; 19; 21–24; 38–40; 42”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
1–7 Gusht
Jobit 1–3; 12–14; 19; 21–24; 38–40; 42
“Sërish do tʼi Mirëbesoj Atij”
Ndërsa e studiuat rrëfimin e Jobit, çfarë mesazhesh gjetët për vetë jetën tuaj? Cilin nga ato mesazhe ndieni se kanë nevojë të dëgjojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Tregojuni fëmijëve një figurë të Jobit (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Pyetini fëmijët se çfarë mendojnë për atë se si mund të jetë ndier burri te figura. Ftojini të tregojnë çdo gjë tjetër që dinë rreth Jobit.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të më ndihmojnë gjatë kohëve të vështira kur kam besim tek Ata.
Jobi i mirëbesoi Perëndisë dhe qe në gjendje të qëndronte besnik edhe kur ai u përball me sprova shumë të vështira. Historia e Jobit mund t’i ndihmojë fëmijët që ta forcojnë besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, kështu që ata do të jenë të përgatitur për të përballuar sprovat e tyre të vështira.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të tregojnë atë që dinë rreth Jobit, dhe ndihmojini të kuptojnë se çfarë ndodhi me të (shih Jobit 1–2; “Jobi” te Histori të Dhjatës së Vjetër). Pyetini fëmijët se si mund të ishin ndier po të ishin Jobi. Kush mund të na ndihmojë kur gjëra të trishtuara ndodhin në jetën tonë? Tregoni një figurë të Jezu Krishtit dhe shpjegoni se besimi i Jobit te Zoti e ndihmoi atë gjatë sprovave të tij (shih Jobit 1:21).
-
Lexojuni fëmijëve fjalët e Jobit te Jobit 13:15: “Kam … shpresë” tek Ai. Për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se ç’do të thotë të mirëbesosh te Perëndia, flisni me ta rreth njerëzve të tjerë që ata i mirëbesojnë. Për shembull, për çfarë u mirëbesojmë prindërve tanë për të bërë? Çfarë u mirëbesojmë mësuesve tanë për të bërë? Çfarë u mirëbesojmë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit për të bërë? Shprehni mirëbesimin tuaj tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyrat se si mund të tregojnë se ata i duan Ata dhe u mirëbesojnë Atyre.
Jezu Krishti është Shëlbuesi im.
Jobi qe në gjendje t’i duronte sprovat dhe vuajtjet për shkak të besimit të tij te Zoti. Si do t’i ndihmoni fëmijët që ta ndërtojnë besimin e tyre te Jezu Krishti, Shëlbuesi ynë?
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni një figurë të Jezusit në kryq ose teksa vihet në varr (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 57, 58). Kërkojuni fëmijëve të shpjegojnë se çfarë po ndodh në figurë. Lexojuni fëmijëve dëshminë e Jobit te Jobit 19:25. Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit të ringjallur (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 59, 60; shih edhe faqen e veprimtarisë së kësaj jave) dhe dëshmoni se Jezu Krishti u ringjall dhe jeton sot. Përse jemi mirënjohës që Jezusi u ringjall?
-
Tregoni një figurë të Jobit dhe shpjegoni se Jobi kishte shumë dhembje për shkak se në lëkurë kishte kudo plagë. Ai kishte humbur shtëpinë e tij dhe fëmijët e tij kishin vdekur. Por Jobi dinte diçka shumë të rëndësishme që i dha atij ngushëllim. Lexoni te Jobit 19:25 dhe pyetini fëmijët se çfarë dinte Jobi. Tregojuni fëmijëve se si e dini që Jezu Krishti jeton dhe ftojini të japin dëshminë e tyre për Të.
-
Kërkojuni fëmijëve të ngjyrosin faqen e veprimtarisë së kësaj jave. Teksa e bëni këtë, luani ose këndoni një këngë rreth Ringjalljes së Jezusit, të tillë si “Jezusi a Jetoi Sërish?” ose “Jezusi u Ngrit” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 45, 44). Kërkojuni atyre të tregojnë se si ndihen rreth Jezusit dhe ndihmojini të kuptojnë se ne mund të kemi ndjenja të mira nga Fryma e Shenjtë për të na ndihmuar që ta dimë se Jezu Krishti është i vërtetë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të më ndihmojnë t’i kapërcej sfidat e mia kur kam besim tek Ata.
Çdo njeri ka ditë të vështira dhe disa njerëz kanë sprova që zgjatin për një kohë të gjatë. Besimi i Jobit në Perëndi e mbështeti atë gjatë sprovave të tij. Merreni parasysh se si historia e tij mund t’i ndihmojë fëmijët që ta ndërtojnë besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, kështu që ata do të jenë në gjendje t’i përballojnë sprovat e tyre tani dhe në të ardhmen.
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që dinë rreth historisë së Jobit. Çfarë njeriu ishte ai? Çfarë i ndodhi atij? Si u përgjigj ai ndaj sfidave të tij? Drejtojini ata te vargjet që gjenden te Jobit 1–2, për t’i ndihmuar që të tregojnë historinë (shih Jobit 1:1, 13–22; 2:7–10; shih edhe “Jobi” te Histori të Dhjatës së Vjetër). Ftojini fëmijët të tregojnë se cili mendojnë se është mesazhi kryesor i historisë së Jobit.
-
Paraqitni disa figura të Jezu Krishtit duke bashkëvepruar me të tjerë dhe pyetini fëmijët se çfarë mendojnë se na mësojnë këto figura rreth asaj se kush është Jezu Krishti dhe se si është Ai. Çfarë dimë tjetër rreth Tij? Ftojini fëmijët të lexojnë disa nga vargjet vijuese për të zbuluar disa gjëra që Jobi i dinte rreth Zotit: Jobit 12:10, 13, 16; 19:25–27. Përse është me vlerë t’i dini këto gjëra rreth Shpëtimtarit?
-
Ftojini fëmijët të lexojnë te Jobit 19:14–19 dhe pyetini se çfarë thonë këto vargje rreth mënyrës se si njerëzit e tjerë po e trajtonin Jobin. Si mund të ishim ndier nëse kjo do të na ndodhte neve? Ftojini fëmijët të lexojnë te Jobit 19:23–27 për të kuptuar se si gjeti ngushëllim Jobi në këtë situatë. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth Shpëtimtarit? Përse është e rëndësishme që të dimë se Ai jeton dhe na do? (Shih Gjoni 17:3.)
-
Këndoni së bashku një himn që dëshmon për Jezu Krishtin, të tillë si “E Di, Jeton Shëlbuesi Im” (Himne, nr. 74). Çfarë sugjeron himni rreth arsyes se përse është e rëndësishme të kemi një dëshmi se Jezu Krishti jeton? Tregojuni fëmijëve se si e dini ju se Shpëtimtari jeton dhe përse jeni mirënjohës për atë njohuri. Nxitini ata të shprehin ndjenjat dhe dëshmitë e tyre po ashtu.
Miqtë e mirë e ngrenë moralisht dhe e inkurajojnë njëri-tjetrin.
Kur Jobi kishte vështirësi, miqtë e tij i thanë se Perëndia po e ndëshkonte ngaqë ai kishte mëkatuar. Kjo histori mund t’ju ndihmojë që t’u mësoni fëmijëve një mënyrë më të mirë për t’u përgjigjur kur një mik/e ka sfida (shih Jobit 16:1–5).
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të shqyrtojnë gjërat e shumta të vështira që i ndodhën Jobit (shih Jobit 1:13–19; 2:7). Lexoni së bashku te Jobit 19:14, 19, duke kërkuar se si reaguan miqtë e Jobit ndaj sprovave të tij (shih edhe Jobit 22:1–5). Ftojini fëmijët të përfytyrojnë sikur janë miqtë e Jobit – si do të përpiqeshin ata për ta ndihmuar? Nxitini të mendojnë për një mik/e që mund të jetë duke kaluar një kohë të vështirë dhe planifikoni diçka që ata mund të bëjnë për të shprehur dashurinë dhe përkrahjen ndaj mikut/es të/së tyre.
-
Kërkojuni fëmijëve të renditin disa cilësi të një miku/eje të mirë dhe të thonë emrin e një miku/eje që i ka këto cilësi. Tregoni një figurë të Jezu Krishtit. Në ç’mënyra është Jezusi një mik i mirë për secilin prej nesh? Si mund ta ndjekim shembullin e Tij?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’i tregojnë një pjesëtari të familjes ose një miku/eje një mënyrë se si mund t’i ndihmojë ata Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kur janë duke kaluar një kohë të vështirë.