“1–7 Gusht. Jobit 1–3; 12–14; 19; 21–24; 38–40; 42: ‘Ende do të Mirëbesoj tek Ai’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“1–7 Gusht. Jobit 1–3; 12–14; 19; 21–24; 38–40; 42”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
1–7 Gusht
Jobit 1–3; 12–14; 19; 21–24; 38–40; 42
Ende do të Mirëbesoj tek Ai
Ndërsa lexoni për Jobin, Shpirti do t’ju udhërrëfejë të zbuloni të vërteta të rëndësishme që lidhen me ju. Shkruani atë që zbuloni dhe përsiatni se si zbatohen këto të vërteta për ju.
Shënojini Mbresat Tuaja
Është e natyrshme ta pyetni veten pse njerëzve të mirë u ndodhin gjëra të këqija – ose në fakt, pse gjëra të mira u ndodhin njerëzve të këqij. Pse Perëndia, i cili është i drejtë, do ta lejonte atë? Pyetje si këto janë hulumtuar nëpërmjet përvojës së Jobit, njërit prej atyre njerëzve të mirë të cilit i ndodhën gjëra të këqija. Për shkak të sprovave të Jobit, miqtë e tij pyetën veten nëse në fund të fundit ai ishte me të vërtetë i mirë. Jobi e pohoi drejtësinë e tij dhe pyeste veten nëse pas së gjithash Perëndia është me të vërtetë i drejtë. Por, pavarësisht nga vuajtja dhe të pyeturit e vetes, Jobi e ruajti integritetin moral dhe besimin e tij te Jezu Krishti. Në librin e Jobit, besimi vihet në dyshim dhe sprovohet, por kurrë nuk braktiset plotësisht. Kjo nuk do të thotë që të gjitha pyetjet marrin përgjigje. Por libri i Jobit na mëson se derisa të marrin përgjigje, pyetjet dhe besimi mund të bashkëjetojnë, dhe pavarësisht nga ajo që ndodh ndërkohë, ne mund të themi për Zotin tonë: “Ende do të mirëbesoj tek Ai” (shih Jobit 13:15–16).
Për një vështrim të përgjithshëm të librit të Jobit, shihni “Job” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Mirëbesimi im tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të më ndihmojë të qëndroj besnik/e në të gjitha rrethanat.
Kapitujt e parë të Jobit kanë për qëllim të theksojnë rolin e Satanit si kundërshtari ose akuzuesi ynë, jo për të përshkruar se si bashkëveprojnë vërtet Perëndia dhe Satani. Ndërsa lexoni pretendimet e Satanit rreth Jobit (shih Jobit 1:9–11; 2:4–5), ju mund të përsiatni nëse mund të thuhet për ju e njëjta gjë. Ju mund ta pyetni veten tuaj: Cilat janë arsyet e mia që të mbetem besnik ndaj Perëndisë? Përsiatni mbi sprovën që iu dha Jobit dhe se si u përgjigj ai (shih Jobit 1:20–22; 2:9–10). Çfarë mësoni nga ai, gjë e cila mund t’ju ndihmojë t’i përgjigjeni sfidave tuaja?
Edhe pse Jobi po përpiqej të qëndronte besnik, sprovat dhe vuajtjet e tij vazhduan (vini re pikëllimet e tij në kapitullin 3). Në fakt, vuajtja e tij dukej se shtohej dhe miqtë e tij sugjeruan se Perëndia po e ndëshkonte (shih Jobit 4–5; 8; 11). Ndërsa lexoni një pjesë të përgjigjes së Jobit te kapitujt 12–13, merrni parasysh atë që dinte Jobi për Perëndinë, gjë e cila bëri të mundur që ai të besonte, pavarësisht nga vuajtjet dhe pyetjet e tij pa përgjigje. Çfarë dini për Perëndinë, gjë e cila ju ndihmon të përballeni me sfida? Si keni arritur t’i dini këto të vërteta dhe si e kanë forcuar ato besimin tuaj?
Jezu Krishti është Shëlbuesi im.
Ndonjëherë të vërtetat më të rëndësishme na zbulohen në mes të anktheve tona më të thella. Përsiatni sprovat që përshkroi Jobi te Jobit 19:1–22 dhe të vërtetat që ai shpalli te Jobit 19:23–27. Pastaj përsiatni se si e dini që Shëlbuesi juaj jeton. Çfarë ndryshimi sjell kjo njohuri kur ju përjetoni sprova të vështira?
Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 121:1–12; 122.
“Sikur të më provonte, do të dilja si ari.”
Ndërsa lexoni më shumë nga debati midis Jobit dhe miqve të tij në lidhje me arsyet e vuajtjes së Jobit, ju mund të përsiatni se si do t’i përgjigjeshit pyetjes në thelb të debatit të tyre: Pse të drejtët ndonjëherë vuajnë dhe të ligjtë ndonjëherë mbeten të pandëshkuar? Mendoni për këtë ndërsa lexoni kapitujt te Jobit 21–24. Çfarë dini për Atin Qiellor dhe planin e Tij që mund të ndihmojë në marrjen e përgjigjeve? Shih, për shembull, 2 Nefi 2:11–13; Mosia 23:21–23; 24:10–16; Abraham 3:22–26; Dallin H. Ouks, “Kundërshtim në të Gjitha Gjërat”, Liahona, maj 2016, f. 114–117.
Shih edhe L. Tod Baxh, “Mirëbesimi i Qëndrueshëm dhe i Paepur”, Liahona, nëntor 2019, f. 47–49.
Këndvështrimi i Perëndisë është më i madh se i imi.
I acaruar me akuzat e miqve të tij (shih Jobit 16:1–5; 19:1–3), Jobi vazhdimisht i bëri thirrje Perëndisë duke kërkuar një shpjegim për vuajtjen e tij (shih Jobit 19:6–7; 23:1–9; 31). Plaku Nil A. Maksuell vërejti se “kur jemi tepër të paduruar për kohën e një Perëndie të gjithëdijshëm”, siç dukej se ishte Jobi, “ne me të vërtetë po sugjerojmë se e dimë çfarë është më e mira. E çuditshme, apo jo – ne që mbajmë orë dore kërkojmë të këshillojmë Atë që mbikëqyr orët dhe kalendarët kozmikë” (“Hope through the Atonement of Jesus Christ”, Ensign, nëntor 1998, f. 63). Përsiatini këto fjalë ndërsa lexoni përgjigjen e Perëndisë ndaj Jobit te kapitujt 38 dhe 40. Çfarë të vërtetash po i mësonte Ai Jobit? Pse janë këto të vërteta të rëndësishme që ne t’i dimë ndërsa mundohemi nga fatkeqësia dhe pyetjet këtu në vdekshmëri? Çfarë ju bën përshtypje nga përgjigjja e Jobit te Jobit 42:1–6?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Jobit 1:20–22.Për të kuptuar se si mund të jetë ndier Jobi, siç përshkruhet në këto vargje, familja juaj mund të lexojë “Jobi” te Histori të Dhjatës së Vjetër ose të interpretojë me role vargjet te Jobit 1:13–22. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Jobit?
-
Jobit 14:14.Si do t’i përgjigjeshim pyetjes së Jobit në këtë varg? Si mund të na ndihmojë Alma 11:42–44? (Shih edhe materialin filmik “He Lives – Celebrate Easter Because Jesus Christ Lives” [“Ai Jeton – Kremtojeni Pashkën, Sepse Jezu Krishti Jeton”], ChurchofJesusChrist.org.)
2:25 -
Jobit 16:1–5.A jemi ndonjëherë si miqtë e Jobit, të cilët e gjykuan dhe kritikuan Jobin kur ai kishte nevojë për ngushëllim? (Shih Jobit 16:1–4; shih edhe Gjoni 7:24.) Si mund t’i forcojnë fjalët tona të tjerët në pikëllimin e tyre? (Shih Jobit 16:5.)
-
Jobit 19:23–27.Pas leximit të këtyre vargjeve, pjesëtarë të familjes mund të tregojnë se si kanë arritur ta dinë se Shëlbuesi ynë jeton. Ju mund të punoni së bashku për t’i vendosur fjalët tuaja të dëshmisë (ose vizatimet e fëmijëve për Shpëtimtarin) në një libër, të tillë si një ditar familjar (shih vargu 23). Ju mund të këndoni gjithashtu një këngë që dëshmon për Shpëtimtarin, të tillë si “E Di Se Rron Shëlbuesi Im” (Himne, nr. 169) dhe të tregoni frazat që e forcojnë besimin tuaj në Të.
-
Jobit 23:8–11.Çfarë do të thotë të “d[alim]” nga sprovat tona “si ari”? (Shih edhe materialin filmik “The Refiner’s Fire” [“Zjarri i Rafinuesit”] ChurchofJesusChrist.org.) Nga e dimë ne se kush e ka bërë këtë? Fëmijët mund të kënaqen duke bërë diçka me fjalët nga vargu 10 që janë shkruar mbi të. Ju gjithashtu mund të diskutoni se si i kapërceu Jezu Krishti sprovat e Tij (shih Lluka 22:41–44; Doktrina e Besëlidhje 19:16–19).
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Rron Shëlbuesi Im”, Himne, nr. 73.