“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Leximi i Poezisë në Dhiatën e Vjetër”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Leximi i Poezisë në Dhiatën e Vjetër”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
Mendime për t’i Mbajtur Parasysh
Leximi i Poezisë në Dhiatën e Vjetër
Në librat e Dhiatës së Vjetër që janë përpara librit të Jobit, ne gjejmë kryesisht histori – rrëfime si tregime që i përshkruajnë ngjarjet historike nga një këndvështrim shpirtëror. Noeu ndërtoi një arkë, Moisiu çliroi Izraelin, Ana u lut që të kishte një djalë, e kështu me radhë. Duke filluar me Jobin, ne gjejmë një stil tjetër shkrimi, pasi shkrimtarët e Dhiatës së Vjetër iu drejtuan gjuhës poetike për të shprehur ndjenja të thella ose profeci madhështore në një mënyrë të paharrueshme.
Ne kemi parë tashmë disa shembuj të poezisë të përhapura nga pak në të gjithë librat historikë të Dhiatës së Vjetër. Dhe nga libri i Jobit e tutje, ne do të shohim më shumë prej saj. Librat e Jobit, Psalmeve dhe Fjalët e Urta janë pothuajse tërësisht poezi, ashtu siç janë edhe pjesë të shkrimeve të profetëve si Isaia, Jeremia dhe Amosi. Për shkak se leximi i poezisë është i ndryshëm nga leximi i një tregimi, të kuptuarit e saj shpesh kërkon një metodë të ndryshme studimi. Ja ku janë disa mendime që mund ta bëjnë më kuptimplotë leximin nga ana juaj të poezisë në Dhiatën e Vjetër.
Njohja me Poezinë Hebraike
Së pari, mund t’ju ndihmojë të mbani në mendje se poezia hebraike në Dhiatën e Vjetër nuk bazohet në rimë, ashtu si disa lloje të tjera poezish. Dhe megjithëse ritmi, fjala dhe përsëritja e tingujve janë tipare të zakonshme të poezisë së lashtë hebraike, ato zakonisht humbasin në përkthim. Sidoqoftë, një tipar që do të vini re është përsëritja e mendimeve apo ideve, ndonjëherë e quajtur “paralelizëm”. Ky varg nga Isaia përmban një shembull të thjeshtë:
-
Rivishu me forcën tënde, o Sion;
-
vish rrobat e tua të mrekullueshme, o Jeruzalem (Isaia 52:1).
Psalmi i 29‑të ka shumë rreshta paralelë – ja ku është një shembull:
-
Zëri i Zotit është i fuqishëm,
-
zëri i Zotit është i madhërishëm (Psalmeve 29:4).
Dhe ja ku është një shembull në të cilin dijenia se rreshti i dytë është paralel me të parin, në fakt, e bën fragmentin më të lehtë për t’u kuptuar:
-
Ju kam lënë gojë thatë në të gjitha qytetet tuaja
-
dhe pa bukë në të gjitha banesat tuaja (Amos 4:6).
Në këta shembuj, një ide përsëritet me ndryshime të vogla. Kjo teknikë mund të theksojë idenë e përsëritur, ndërkohë që përdor ndryshimet për ta përshkruar ose zhvilluar më plotësisht atë.
Në raste të tjera, dy frazat paralele përdorin gjuhë të ngjashme për të përçuar ide të kundërta, ashtu si në këtë shembull:
-
Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin,
-
por fjala therëse e nxit zemërimin (Fjalët e Urta 15:1).
Ky paralelizëm nuk ndodhi rastësisht. Shkrimtarët e bënë atë qëllimisht. Kjo i lejoi ata që t’i shprehnin ndjenjat ose të vërtetat shpirtërore në një mënyrë që iu dukej edhe e fuqishme edhe e bukur. Pra, kur vëreni paralelizëm në shkrimet e Dhiatës së Vjetër, pyeteni veten se si ju ndihmon të kuptoni mesazhin e shkrimtarit. Për shembull, çfarë mund të jetë përpjekur të thotë Isaia duke e lidhur “forcën” me “rrobat e … mrekullueshme” dhe “Sion[in]” me “Jeruzalem[in]”? (Isaia 52:1). Çfarë mund të nxjerrim si përfundim rreth frazës “përgjigja e ëmbël” nëse e dimë që “fjala therëse” është e kundërta e saj? (Fjalët e Urta 15:1.)
Poezia Hebraike si një Mikeshë e Re
Mund të jetë e dobishme për ju ta krahasoni leximin e poezisë me takimin me një person të ri. Për shembull, ju mund ta krahasoni leximin e poezisë së Dhiatës së Vjetër me takimin me një njeri nga një vend i largët dhe nga një kulturë e huaj, i cili nuk flet të njëjtën gjuhë që flasim ne – dhe që ndodh të jetë mbi dymijëvjeçar. Ky person ndoshta do të thotë gjëra që nuk i kuptojmë fillimisht, por kjo nuk do të thotë që ai ose ajo nuk ka asgjë të vlefshme për të na thënë. Me pak durim e dhembshuri, i njohuri ynë i ri përfundimisht mund të bëhet një mik i dashur. Thjesht kemi nevojë të kalojmë pak kohë së bashku, duke u përpjekur t’i shohim gjërat nga këndvështrimi i tij ose i saj. Ne madje mund të zbulojmë se në zemrat tona ne në fakt e kuptojmë njëri‑tjetrin mjaft mirë.
Pra, herën e parë që lexoni një pjesë nga Isaia, për shembull, konsiderojeni atë prezantimin tuaj të parë me një të njohur të ri. Pyeteni veten: “Cila është përshtypja ime e përgjithshme?” Si ju bën fragmenti të ndiheni – edhe nëse nuk e kuptoni çdo fjalë? Pastaj lexojeni përsëri, disa herë, nëse është e mundur. Disa njerëz gjejnë edhe më shumë kuptim duke i lexuar pjesët me zë të lartë. Vini re fjalët specifike që zgjodhi Isaia, veçanërisht fjalët që krijojnë një imazh në mendjen tuaj. Si ju bëjnë të ndiheni ato figura? Çfarë sugjeron figura në lidhje me atë se si u ndie Isaia? Sa më shumë që t’i studioni fjalët e këtyre poetëve të Dhiatës së Vjetër, aq më shumë do të zbuloni se ata i zgjodhën fjalët dhe teknikat e tyre qëllimisht, për të shprehur një mesazh të thellë shpirtëror.
Poemat mund të jenë mikesha të mrekullueshme, sepse ato na ndihmojnë të kuptojmë ndjenjat dhe përvojat tona. Poemat e Dhiatës së Vjetër janë veçanërisht të çmuara, sepse ato na ndihmojnë të kuptojmë ndjenjat dhe përvojat tona më të rëndësishme – ato që kanë të bëjnë me marrëdhënien tonë me Perëndinë.
Ndërsa e studioni poezinë në Dhiatën e Vjetër, mos harroni se studimi i shkrimit të shenjtë është më i vlefshëm kur na çon drejt Jezu Krishtit. Kërkoni për simbole, shëmbëlltyra dhe të vërteta që e ndërtojnë besimin tuaj tek Ai. Dëgjojini nxitjet nga Fryma e Shenjtë ndërsa studioni.