“25–31 Korrik. Esteri: Është Pikërisht për një Kohë të Tillë që Ti Ke Arritur’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“25–31 Korrik. Ester”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
25–31 Korrik
Esteri
“Është Pikërisht për një Kohë të Tillë që Ti Ke Arritur”
Ndërsa lexoni tek Esteri, kërkoni nga Shpirti frymëzim që është i përshtatur për ju dhe shënojini mbresat që merrni.
Shënojini Mbresat Tuaja
Shumë ngjarje në librin e Esterit mund të duken si fat ose rastësi. Si e shpjegoni që një vajzë judease jetime u bë mbretëresha e Persisë në kohën e duhur për të shpëtuar popullin e saj nga masakra? Cilat janë mundësitë që kushëriri i Esterit, Mardokeu, thjesht ndodhi të dëgjonte për një komplot për të vrarë mbretin? A ishin këto rastësi apo ishin pjesë e një plani hyjnor? Plaku Ronald A. Rasband vuri në dukje: “Ajo që mund të duket se është një rastësi, në fakt po mbikëqyret nga një Atë i dashur në Qiell. … Zoti është në hollësitë e vogla të jetës sonë” (“Sipas Qëllimit Hyjnor”, Liahona, nëntor 2017, f. 56). Ne mund të mos e njohim gjithmonë ndikimin e Zotit në këto “hollësi [të] vogla”. Por nga përvoja e Esterit ne mësojmë se Ai mund ta drejtojë shtegun tonë dhe të na përgatitë “për një kohë të tillë” (Esterit 4:14), kohë kur ne mund të jemi mjete në duart e Tij për të përmbushur qëllimet e Tij.
Për një vështrim të përgjithshëm të librit të Esterit, shih “Ester” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Zoti mund të më bëjë një mjet për të bekuar të tjerët.
Motra An C. Pingri dha mësim: “Të bëhesh një mjet në duart e Perëndisë është një privilegj i madh dhe përgjegjësi e shenjtë. Kudo që të jetojmë, pavarësisht nga rrethanat tona, pavarësisht nga gjendja jonë martesore apo mosha, Zoti ka nevojë që secil[i] prej nesh të përmbushë pjesën [e tij] të veçantë në ndërtimin e mbretërisë së Tij në këtë periudhë të fundit” (“Të Njohësh Vullnetin që Zoti Ka për Ju”, Liahona, nëntor 2005, f. 112; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 153).
Ndërsa lexoni historinë e Esterit, mendoni se si zbatohet ky pohim për të. Kërkoni mënyrat se si Zoti bëri të mundur që ajo t’i shpëtonte judenjtë (shih, për shembull, Esterit 2:21–23; 3:10–14; 4:14–16). Më pas përsiatni për mënyrën se si Ai e ka udhëhequr jetën tuaj në mënyra që ju lejojnë t’i bekoni të tjerët. Cilat janë disa rrethana ose marrëdhënie për të cilat ndieni se Ai ju ka udhëhequr “për një kohë të tillë”? (Esterit 4:14). Nëse keni një bekim patriarkal, merreni parasysh ta lexoni atë për të mësuar më shumë rreth punës që Zoti ka për ju që ta bëni.
Krenaria dhe zemërimi mund të çojnë në rënie.
Në librin e Esterit ne mësojmë nga besnikëria e Esterit dhe Mardokeut, si edhe nga krenaria dhe zemërimi i Hamanit. Ndërsa lexoni vargjet tek Esterit 3; 5:9–14, merrni parasysh të shënoni ndjenjat, fjalët dhe veprimet e Hamanit. Çfarë zbulojnë ato për të dhe shtysat e tij? Me çfarë pasojash u përball ai? (Shih Esterit 7.) Leximi rreth Hamanit mund t’ju nxitë të vlerësoni se çfarë i motivon ndjenjat dhe veprimet tuaja. A jeni të frymëzuar të bëni ndonjë ndryshim? Si mund të ktheheni tek Ati Qiellor për ndihmë?
Shih edhe Fjalët e Urta 16:32; Alma 5:28.
Agjërimi tregon varësinë time nga Zoti.
Vini re kushtet që i bënë Esterin dhe pjesën tjetër të judenjve të agjëronin (shih Esterit 3:13; 4:1–3, 10–17). Si ishte agjërimi një bekim për ta? (Shih Esterit 5:2–3; 8:11–12.) Pse Zoti na kërkon të agjërojmë? (Shih Gospel Topics, “Fasting and Fast Offerings”, topics.ChurchofJesusChrist.org). Merrni parasysh se çfarë mund të bëni për ta bërë agjërimin një bekim më të madh në jetën tuaj.
Shih edhe Isaia 58:6–12; Mateu 4:1–4; 17:14–21; “Fasting: Young Single Adult Ward, Amanda” [“Agjërimi: Lagje për të Rinjtë në Moshë Madhore Beqarë, Amanda”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.
Esterit 3:1–11; 4:10–17; 5:1–4
Bërja e asaj që është e drejtë shpesh kërkon guxim të madh.
Kur Mardokeu dhe Esteri i mbrojtën bindjet e tyre, ata vunë në rrezik jetën e tyre. Zgjedhjet tona kanë pasoja që mund të jenë më pak të rënda, por bërja e asaj që është e drejtë mund të kërkojë ende guxim. Çfarë mësoni prej Esterit 3:1–4; 4:10–17 rreth pasjes së kurajës për të bërë atë që është e drejtë? Vini re pasojat e ndryshme që përjetuan Mardokeu dhe Esteri pasi treguan guxim (shih Esterit 3:5–11; 5:1–4). Çfarë do të nevojitej të dinte një person për Perëndinë, në mënyrë që të bënte zgjedhjet që bënë Esteri dhe Mardokeu – për të bërë atë që është e drejtë, pavarësisht nga pasojat?
Herën tjetër që merrni parasysh pasojat e bërjes së asaj që është e drejtë, ju mund t’i vini në zbatim fjalët e guximshme të Esterit tek Esterit 4:16 në vetë situatën tuaj. Për shembull, ju mund t’i thoni vetes suaj: “Kur zgjedh të drejtën, nëse [i humbas miqtë], [i humbas miqtë].”
Shih edhe Tomas S. Monson, “Paçi Kurajë”, Liahona, maj 2009, f. 123–127.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Esterit 1–10.Pasi të shqyrtoni historinë e Esterit (shih “[Mbretëresha] Ester” në Histori të Dhjatës së Vjetër ose materialin filmik “For Such a Time as This” [“Pikërisht për një Kohë të Tillë”] ChurchofJesusChrist.org), familja juaj mund të kënaqet duke bërë kukulla të thjeshta të disa prej personazheve (shih faqen e veprimtarisë së kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren). Ata më pas mund t’i përdorin ato për të ritreguar historinë. Ju gjithashtu mund të këndoni një këngë për të qenë trima dhe të vërtetë, të tillë si “Guxo, Ji i Drejt’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 80) ose “Bëj Ç’Ësht’ e Drejt’” (Himne, nr. 149). Cilat fjalë në këngë na e kujtojnë Esterin?
-
Esterit 2:5–7.Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Mordekait për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes në kohë sprove? Cili në familjen tonë ka nevojë për përkrahjen tonë? Bëni një plan për t’i ndihmuar ata.
-
Esterit 4:15–17.Trimëria e Esterit mund ta frymëzojë familjen tuaj të diskutojë se si të zhvillojnë guximin për ta mbrojtur të vërtetën në situatat me të cilat përballen. Çfarë nënkuptoi Esteri kur tha: “Në qoftë se duhet të vdes, do të vdes”? Si gjejnë zbatim për ne fjalët e saj kur kemi nevojë të jemi të guximshëm? Materiali filmik “Courage” [“Guxim”] (ChurchofJesusChrist.org) jep disa shembuj.
-
Esterit 9:26–32.Festa judease e Purimit u caktua për të kujtuar historinë e Esterit. Gjatë vakteve këtë javë, merrni parasysh të tregoni histori kur pjesëtarë të familjes suaj, përfshirë paraardhësit, i bekuan të tjerët duke e mbrojtur të drejtën ashtu siç bëri Esteri.
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Guxo, Ji i Drejt’”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 80.