Dhiata e Vjetër 2022
27 Qershor–3 Korrik. 1 Mbretërve 17–19: “Në Qoftë se Zoti është Perëndia, Shkoni pas Tij”


“27 Qershor–3 Korrik. 1 Mbretërve 17–19: ‘Në Qoftë se Zoti është Perëndia, Shkoni pas Tij’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“27 Qershor–3 Korrik. 1 Mbretërve 17–19”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Elia duke qëndruar pranë altarit në flakë

Elia Sfidon Priftërinjtë e Baalit, nga Jerry Hartson

27 Qershor–3 Korrik

1 Mbretërve 17–19

“Në Qoftë se Zoti është Perëndia, Shkoni pas Tij”

Kur i lexoni shkrimet e shenjta, ju po ushtroni besim, i cili e përgatit zemrën dhe mendjen tuaj për të dëgjuar zërin e qetë, të vogël të Shpirtit (shih 1 Mbretërve 19:12).

Shënojini Mbresat Tuaja

Shtëpia e Izraelit ishte në rrëmujë. Uniteti dhe begatia e arritur në kohën e Davidit dhe Salomonit kishin kaluar tashmë dhe marrëdhënia besëlidhëse e kombit me Zotin ishte, për shumë njerëz, një kujtim i largët. Mbretëria e Izraelit ishte ndarë, me dhjetë fise që formonin Mbretërinë Veriore të Izraelit dhe dy fise që formonin Mbretërinë Jugore të Judës. Të dy mbretëritë ishin të paqëndrueshme shpirtërisht, të udhëhequra nga mbretër që i shkelën besëlidhjet e tyre me Zotin dhe ndikuan që të tjerët të bënin po kështu (shih 1 Mbretërve 11–16). Por braktisja ishte veçanërisht e madhe në Mbretërinë Veriore, ku mbreti Ashab e nxiti Izraelin të adhuronte perëndinë e rremë, Baalin.

Ishte në këtë rrethanë që profeti Elia u thirr për të predikuar. Rrëfimi i shërbesës së tij e bën të qartë se besimi vetjak te Zoti mund të lulëzojë mes të drejtëve edhe në një mjedis të lig. Nganjëherë Zoti i përgjigjet një besimi të tillë me mrekulli mbresëlënëse, publike, ashtu si zjarri që ra nga qielli. Por Ai gjithashtu bën mrekulli të qeta, private, ashtu si plotësimi i nevojave vetjake të një të veje besnike dhe birit të saj. Dhe më shpesh mrekullitë e Tij janë aq individuale saqë ato njihen vetëm nga ju – për shembull, kur Zoti ua zbulon veten e Tij dhe vullnetin e Tij përmes një zëri të qetë, të vogël (shih 1 Mbretërve 19:12).

Për më shumë rreth Elias, shih “Elija” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

1 Mbretërve 17:1–16

Një ftesë për të sakrifikuar është një mundësi për të ushtruar besimin tim.

Fillimisht mund të duket e vështirë të kuptohet arsyeja pse profeti Elia i kërkoi të vesë në Sareptë që t’i jepte atij ushqim dhe ujë para se të ushqente veten dhe birin e saj të uritur. Por kërkesa e Elias mund të shihej gjithashtu si një bekim për këtë familje të vogël. Ata kishin nevojë për bekimet e Zotit dhe sakrifica shpesh sjell bekime – përfshirë bekimin e një besimi më të fortë.

Ndërsa e lexoni këtë histori, vendoseni veten tuaj në vend të kësaj vejushe të mrekullueshme. Çfarë ju bën përshtypje nga ajo? Merrni në shqyrtim mundësitë që keni për të ushtruar besimin tuaj – përfshirë mundësitë për të sakrifikuar. Si mund të jeni më shumë si kjo e ve?

Shih edhe Mateu 6:25–33; Lluka 4:24–26; Lin G. Robins, “E Dhjeta – Një Urdhërim edhe për të Varfrin”, Liahona, maj 2005, f. 34–36; Konferenca e Përgjithshme, prill 2005, f. 40–43.

1 Mbretërve 18

“Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij.”

Izraelitët mund të kenë menduar se kishin arsye të mira për ta adhuruar Baalin, pavarësisht nga urdhri i Zotit: “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje” (Eksodi 20:3). Baali njihej si perëndia i stuhive dhe shiut, dhe pas tre vitesh thatësirë, ata kishin shumë nevojë për një stuhi. Dhe adhurimi i Baalit u pranua nga ana shoqërore dhe u miratua nga mbreti e mbretëresha. Ndërsa lexoni te 1 Mbretërve 18, merrni parasysh çdo situatë në jetën tuaj që mund të krahasohet me situatën në të cilën ishin izraelitët. A e gjeni ndonjëherë veten të pavendosur për të ndjekur Zotin ngaqë alternativat duken të arsyeshme dhe bindëse? (Shih 1 Mbretërve 18:21.) Te ngjarjet që gjenden në këtë kapitull, çfarë mendoni se Zoti po përpiqej t’u mësonte njerëzve për veten e Tij dhe për Baalin? Cilat përvoja ju kanë mësuar të vërteta të ngjashme?

Mund të jetë interesante të shënohen gjërat që tha dhe bëri Elia në këtë kapitull, të cilat tregojnë besimin e tij te Zoti. Çfarë mësoni nga Elia rreth besimit?

Shih edhe Jozueut 24:15; 2 Nefi 2:26–28; D. Tod Kristoferson, “Zgjedhje dhe Zotim” (takimi shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 12 janar 2020), ChurchofJesusChrist.org.

Elia duke qëndruar mbi shkëmb

Një përshkrim simbolik i 1 Mbretërve 19:11–12. Profeti, © Robert Booth Charles/Bridgeman Images

1 Mbretërve 19:1–18

Zoti shpesh flet në mënyra të qeta, të thjeshta.

Kur mbretëresha Jezebel dëgjoi për atë që u kishte ndodhur priftërinjve të saj në malin Karmel, ajo nuk u kthye në besim – ajo u tërbua. I frikësuar për jetën e vet, Elia iku në vendin e shkretë dhe kërkoi strehim në një shpellë. Atje, duke luftuar me vetminë dhe shkurajimin, ai pati një përvojë me Zotin që ishte shumë e ndryshme nga ajo që kishte ndodhur në malin Karmel. Çfarë ju mëson përvoja e Elias te 1 Mbretërve 19:1–18 për mënyrën se si Zoti komunikon me ju në kohë nevoje? Përsiatni rastet në jetën tuaj kur ju e keni përjetuar zërin e Tij. Çfarë keni nevojë të bëni që të merrni udhërrëfimin e Tij më shpesh?

Përsiatini fjalët dhe frazat e përdorura në vargjet vijuese për të përshkruar mënyrën se si komunikon Zoti me ne: Helamani 5:30; 3 Nefi 11:3–7; Doktrina e Besëlidhje 6:22–23; 8:2–3; 9:8–9; 11:12–14; 36:2.

Shih edhe Psalmeve 46:10; 1 Nefi 17:45; Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 88–92.

1 Mbretërve 19:19–21

Shërbimi ndaj Zotit merr përparësi mbi shqetësimet e botës.

Fakti që Eliseu zotëronte 12 pendë qesh tregon se ai ishte ndoshta një njeri i pasur. Çfarë ju bën përshtypje rreth veprimeve të tij të shënuara te 1 Mbretërve 19:19–21? Si mund ta ndiqni shembullin e Eliseut?

Shih edhe Mateu 4:18–22.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

1 Mbretërve 17:1–16.Materiali filmik “Elijah and the Widow of Zarephath” [“Elia dhe e Veja nga Sarepta”] (ChurchofJesusChrist.org) dhe figura në këtë përvijim, mund ta ndihmojnë familjen tuaj të përfytyrojë rrëfimin te 1 Mbretërve 17:1–16. Pasi t’i lexojë vargjet dhe t’i shikojë këto burime, secili pjesëtar i familjes mund të renditë cilësitë frymëzuese që kishte e veja. Çfarë po na kërkon Zoti të bëjmë për ta treguar besimin tonë?

1 Mbretërve 18.“Elia dhe Priftërinjë e Baalit” (te Histori nga Dhjata e Vjetër) mund ta ndihmojë familjen tuaj të mësojë historinë te 1 Mbretërve 18. A ka gjëra që po na pengojnë që të jemi të përkushtuar plotësisht ndaj Zotit? Si mund ta tregojmë gatishmërinë tonë për ta zgjedhur Atë? (Shih vargun 21.)

1 Mbretërve 19:11–12.Çfarë do ta ndihmonte familjen tuaj të kuptonte rëndësinë e dëgjimit të zërit të qetë, të vogël? Ju mund të lexoni së bashku te 1 Mbretërve 19:11–12 me zë të butë ose të këndoni qetë një këngë rreth Shpirtit, të tillë si “Fryma e Shenjtë” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 56). Ju mund të shtoni disa zhurma shpërqëndruese për të ilustruar se si përpiqet Satani që të na mbajë nga dëgjimi i zërit të qetë, të vogël. Pjesëtarë të familjes mund të tregojnë se çfarë bëjnë që të jenë të ndjeshëm ndaj nxitjeve të Shpirtit.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Fryma e Shenjtë”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 56.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Shënojini mbresat tuaja. Kur e kuptoni se Shpirti po ju flet, merreni parasysh të shkruani atë që ndieni se Ai po ju thotë juve. Procesi i të menduarit që kërkohet për t’i kthyer këto përshtypje në fjalë mund t’ju ndihmojë të përsiatni dhe t’i ruani ato si thesar.

gruaja dhe fëmija

E Veja nga Sarepta, nga Rose Datoc Dall