“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Jezus’ Izraelin në Sh’pi do Ftoj’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: ‘Jezus’ Izraelin në Sh’pi do Ftoj’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
Mendime për t’i Mbajtur Parasysh
“Jezus’ Izraelin në Sh’pi do Ftoj’”
Në vendin e shkretë të Sinait, Moisiu i mblodhi fëmijët e Izraelit në rrëzë të një mali. Atje Zoti shpalli se Ai dëshironte ta shndërronte këtë grup skllevërish të çliruar kohët e fundit në një popull të fuqishëm. “Do të jeni për mua”, tha Ai,“një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë” (Eksodi 19:6). Ai premtoi se ata do të lulëzonin dhe do të përparonin, edhe kur të ishin të rrethuar nga armiq shumë më të mëdhenj dhe më të fuqishëm (shih Ligji i Përtërirë 28:1–14).
E gjithë kjo do të ndodhte jo sepse izraelitët ishin të shumtë ose të fortë apo të aftë. Do të ndodhte, shpjegoi Zoti, “në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time” (Eksodi 19:5). Ishte fuqia e Perëndisë, jo e tyrja, ajo që do t’i bënte të fuqishëm.
Megjithatë, izraelitët nuk iu bindën gjithmonë zërit të Tij dhe me kalimin e kohës ata nuk e mbajtën më besëlidhjen e Tij. Shumë njerëz filluan të adhuronin perëndi të tjera dhe të përvetësonin praktikat e kulturave përreth tyre. Ata refuzuan pikërisht atë gjë që i bëri ata një komb, të dallueshëm nga të gjithë të tjerët – marrëdhënien e tyre besëlidhëse me Zotin. Pa fuqinë e Perëndisë që i mbronte ata (shih 2 Mbretërve 17:6–7), nuk kishte asgjë që t’i ndalonte armiqtë e tyre (shih 2 Kronikave 36:12–20).
Shpërndarja
Disa herë midis viteve 735 dhe 720 pr.K., asirianët e pushtuan Mbretërinë Veriore të Izraelit, vendbanimi i dhjetë prej dymbëdhjetë fiseve, dhe i çuan mijëra izraelitë larg në robëri në pjesë të ndryshme të Perandorisë Asiriane (shih 2 Mbretërve 17:1–7).1 Këta izraelitë u bënë të njohur si “fiset e humbura”, pjesërisht sepse u hoqën nga atdheu i tyre dhe u shpërndanë midis kombeve të tjerë. Por ata ishin gjithashtu të humbur në një kuptim më të thellë: me kalimin e kohës ata e humbën ndjesinë e tyre të identitetit si populli i besëlidhjes me Perëndinë.
Për shkak se Mbretëria Jugore e Judës nganjëherë ishte më e drejtë se Mbretëria e Veriore, ajo zgjati më shumë.2 Por përfundimisht edhe njerëzit atje u larguan nga Zoti. Asirianët e sulmuan dhe e pushtuan pjesën më të madhe të Mbretërisë Jugore; vetëm Jerusalemi u ruajt në mënyrë mrekullibërëse (shih 2 Mbretërve 19; Isaia 10:12–13). Më vonë, midis viteve 597 dhe 580 pr.K., babilonasit e shkatërruan Jerusalemin, përfshirë tempullin, dhe morën robër shumë nga banorët e qytetit (shih 2 Mbretërve 24–25; 2 Kronikave 36; Jeremia 39; 52). Rreth 70 vjet më vonë, një pjesë e mbetur e Judës u lejua të kthehej në Jerusalem dhe ta rindërtonte tempullin. Sidoqoftë, shumë njerëz qëndruan në Babiloni.3
Ndërsa brezat kalonin, izraelitë nga të gjitha fiset u “shpërnda[në] me shakullimë midis gjithë kombeve që ata nuk i njihnin” (Zakaria 7:14; shih edhe Amos 9:8–9). Disa ishin udhëhequr nga Zoti në toka të tjera (shih 2 Nefi 1:1–5; Omni 1:15–16). Të tjerët ishin larguar nga Izraeli për t’i shpëtuar robërisë (shih 2 Mbretërve 25:22–26; Jeremia 42:13–19; 43:1–7) ose për arsye politike apo ekonomike.4
Ne i quajmë këto ngjarje shpërndarja e Izraelit. Dhe është e rëndësishme të dini rreth shpërndarjes për disa arsye. Njëra prej tyre, është që shpërndarja është një temë kryesore e Dhiatës së Vjetër. Shumë profetë të Dhiatës së Vjetër ishin dëshmitarë të spirales shpirtërore në rënie që çoi në shpërndarjen e Izraelit. Ata e parashikuan atë shpërndarje dhe paralajmëruan rreth saj, dhe madje disa prej tyre jetuan përmes saj.5 Është e dobishme ta kujtoni këtë kur lexoni librat e Isaias, Jeremias, Amosit dhe shumë prej librave të tjerë në pjesën e mëvonshme të Dhiatës së Vjetër. Me këtë kontekst në mendje, kur të lexoni profecitë e tyre rreth Asirisë dhe Babilonisë, idhujtarisë dhe robërisë, shkretimit dhe rivendosjes përfundimtare, do ta dini se për çfarë e kanë fjalën.
Të kuptuarit e shpërndarjes së Izraelit do t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë edhe Librin e Mormonit, sepse Libri i Mormonit është një anal i një dege të Izraelit të shpërndarë (shih 1 Nefi 15:12). Ky anal fillon me familjen e Lehit që ikën nga Jerusalemi rreth vitit 600 pr.K., pak përpara se të sulmonin babilonasit. Lehi ishte një nga ata profetë që profetizuan për shpërndarjen e Izraelit.6 Dhe familja e tij ndihmoi në përmbushjen e asaj profecie, duke e marrë degën e tyre të shtëpisë së Izraelit dhe duke e mbjellë në anën tjetër të botës, në kontinentin amerikan.
Mbledhja
Sidoqoftë, shpërndarja e Izraelit është vetëm gjysma e historisë. Zoti nuk e harron popullin e Tij dhe as nuk e braktis plotësisht, edhe kur ata e kanë braktisur Atë. Profecitë e shumta që Izraeli do të shpërndahej u shoqëruan me shumë premtime se Perëndia një ditë do t’i mblidhte ata.7
Ajo ditë është sot – koha jonë. Mbledhja ka filluar tashmë. Në vitin 1836, mijëra vjet pasi Moisiu i mblodhi fëmijët e Izraelit në rrëzë të malit Sinai, Moisiu u shfaq në Tempullin e Kirtlandit për t’i dhënë Jozef Smithit “çelësat e mbledhjes së Izraelit nga të katër cepat e tokës” (Doktrina e Besëlidhje 110:11). Tani, nën drejtimin e atyre që i mbajnë këto çelësa, fiset e Izraelit po mblidhen nga çdo komb ku shërbëtorët e Zotit janë në gjendje të shkojnë.
Presidenti Rasëll M. Nelson e ka quajtur këtë mbledhje “gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot. Asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga rëndësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhështia. Dhe nëse e zgjidhni, nëse e dëshironi, ju mund të jeni një pjesë e madhe e saj”8.
Si e bëni atë? Çfarë do të thotë ta mbledhësh Izraelin? A do të thotë t’i riktheni të dymbëdhjetë fiset përsëri në tokën ku banuan dikur? Në të vërtetë, kjo nënkupton diçka shumë më të madhe, shumë më të përjetshme. Siç shpjegoi Presidenti Nelson:
“Kur flasim për mbledhjen, po themi thjesht këtë të vërtetë themelore: çdonjëri nga fëmijët e Atit tonë Qiellor, në të dyja anët e velit e meriton ta dëgjojë mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. …
Në çfarëdo kohe që bëni çfarëdo gjëje që e ndihmon cilindo – në çdonjërën prej anëve të velit – të hedhë një hap drejt bërjes së besëlidhjeve jetike me Perëndinë dhe marrjes së ordinancave të veta thelbësore të pagëzimit dhe tempullit, ju po ndihmoni që Izraeli të mblidhet. Kaq e thjeshtë është.”9
Kjo ndodh, siç tha Isaia, “një nga një” (Isaia 27:12) ose, ashtu siç parashikoi Jeremia, “një në çdo qytet dhe dy nga çdo familje” (Jeremia 3:14).
Të mblidhni Izraelin do të thotë t’i ktheni fëmijët e Perëndisë tek Ai. Do të thotë t’i riktheni ata në marrëdhënien e tyre besëlidhëse me Të. Do të thotë të rivendosni “komb[in e] shenjtë” të cilin Ai propozoi ta themelonte shumë kohë më parë (Eksodi 19:6).
Ejani në Shtëpi
Si një mbajtës i besëlidhjes, ju jeni pjesë e shtëpisë së Izraelit.10 Ju jeni mbledhur dhe ju jeni një mbledhës. Historia epike shekullore që filloi me një besëlidhje midis Perëndisë dhe Abrahamit, po arrin kulmin e saj dhe ju jeni një lojtar kryesor. Tani është koha kur “Jezus’ Izraelin në sh’pi do ftoj’”11.
Ky është mesazhi i mbledhësve: Ejani në shtëpi në besëlidhje. Ejani në shtëpi në Sion. Ejani në shtëpi te Jezu Krishti, i Shenjti i Izraelit dhe Ai do t’ju sjellë në shtëpi te Perëndia, Ati juaj.