“8–14 Gusht. Psalmeve 1–2; 8; 19–33; 40; 46: ‘Zoti Është Bariu Im’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“8–14 Gusht. Psalmeve 1–2; 8; 19–33; 40; 46”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
8–14 Gusht
Psalmeve 1–2; 8; 19–33; 40; 46
“Zoti është Bariu Im”
Mos u ndieni të kufizuar në përzgjedhjen e Psalmeve ose parimeve të sugjeruara në këtë përvijim. Lëreni Shpirtin t’ju udhëheqë drejt të vërtetave që ju ndihmojnë të ndiheni më pranë Zotit.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ne nuk e dimë me siguri se kush e shkroi librin e Psalmeve. Disa njerëz e kanë lidhur autorësinë me mbretin David, por për shumicën e tyre, shkrimtarët mbeten anonimë. Megjithatë, pasi e kemi lexuar librin e Psalmeve, ne mund të ndihemi sikur i njohim zemrat e psalmistëve, edhe nëse nuk i dimë emrat e tyre. Ajo që dimë është se psalmet ishin një pjesë e rëndësishme e adhurimit mes izraelitëve dhe ne e dimë se Shpëtimtari i citonte ato shpesh. Te libri i Psalmeve, ne kemi një dritare për të parë shpirtin e popullit të lashtë të Perëndisë. Ne shohim se si ndiheshin ata rreth Perëndisë, për çfarë shqetësoheshin dhe si gjetën paqe. Si besimtarë sot, në të gjithë botën, ne ende i përdorim këto fjalë në adhurimin tonë ndaj Perëndisë. Shkrimtarët e librit të Psalmeve duket se kanë pasur një dritare për të parë shpirtrat tanë dhe duket se kanë gjetur një mënyrë për të shprehur se si ndihemi për Perëndinë, për çfarë shqetësohemi dhe se si gjejmë paqe.
Për një vështrim të përgjithshëm të librit të Psalmeve, shihni “Psalm” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Psalmeve 1; 23; 26–28; 46
Psalmet na mësojnë t’i mirëbesojmë Zotit.
Ju mund të vini re ndërsa lexoni Psalmet se sa shpesh shkrimtarët shprehin frikë, pikëllim ose ankth. Ndjenja të tilla janë normale, madje edhe për njerëzit me besim. Por ajo që i bën Psalmet frymëzuese janë zgjidhjet që ato japin, përfshirë mirëbesim të plotë te Zoti. Merrini parasysh këto mesazhe frymëzuese ndërsa lexoni te Psalmeve 1; 23; 26–28; 46. Shikoni sa vijon dhe shkruani atë që zbuloni:
-
Ftesa për t’i mirëbesuar Zotit:
-
Fjalë që përshkruajnë Zotin:
-
Fjalë që përshkruajnë paqen, forcën dhe bekime të tjera që ofron Ai:
-
Fjalë të cilat përshkruajnë ata që i mirëbesojnë Atij:
Psalmet e drejtojnë mendjen tonë te jeta dhe shërbesa e Jezu Krishtit.
Disa nga Psalmet tregojnë për jetën e Jezu Krishtit në vdekshmëri. Të krishterët në kohët e Dhiatës së Re i panë këto lidhje gjithashtu – për shembull, ata dalluan te Psalmeve 2 një referencë për sprovat e Jezusit përpara mbretit Herod dhe Ponc Pilatit (shih Veprat e Apostujve 4:24–30). Merrni parasysh të lexoni te Psalmeve 2 dhe 22 së bashku me vargjet te Mateu 27:35–46; Lluka 23:34–35 dhe Gjoni 19:23–24. Kërkoni për lidhje midis fjalëve në këto psalme dhe jetës së Shpëtimtarit, dhe vazhdoni të kërkoni lidhje të ngjashme ndërsa studioni librin e Psalmeve gjatë disa javëve në vijim.
Përfytyroni sikur të ishit një jude në kohën e Jezusit, që i njihnit Psalmet dhe e shihnit lidhjen me jetën e Shpëtimtarit. Si mund të ketë qenë kjo njohuri një bekim për ju?
Shih edhe Psalmeve 31:5; 34:20; 41:9; Lluka 24:44; Hebrenjve 2:9–12.
Psalmeve 8; 19; 33
“Toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit.”
Leximi te Psalmeve 8; 19 dhe 33, mund t’ju frymëzojë të merrni parasysh shumë krijime të mrekullueshme të Zotit. Kushtojuni vëmendje mendimeve dhe ndjenjave tuaja ndërsa e bëni këtë. Në ç’mënyrë krijimet e Zotit ju “tregojnë lavdinë e Perëndisë”? (Psalmeve 19:1.)
Fjala e Zotit është e fuqishme, “e gëzo[n] zemrën”.
Te libri i Psalmeve, fjalë të tilla si dëshmi, porositë, urdhërimet dhe gjykimet mund t’i referohen fjalës së Zotit. Mbajeni këtë në mendje kur lexoni te Psalmeve 19:7–11. Çfarë ju sugjerojnë këto vargje rreth fjalës së Zotit? Çfarë ju mëson Psalmi 29 rreth zërit të Tij? Nga përvoja juaj, si përputhet fjala ose zëri i Zotit me këto përshkrime?
Hyrja në praninë e Zotit kërkon pastërti.
Për shkak se tempulli në Jerusalem ishte ndërtuar në një mal, fraza “mali [i] Zotit” (Psalmeve 24:3) mund t’i referohet tempullit ose pranisë së Perëndisë. Çfarë i shton kjo kuptimit tuaj për kapitullin te Psalmeve 24? Çfarë do të thotë për ju të keni “duar [të pafajshme] dhe [zemra të] past[ra]”? (Psalmeve 24:4.)
Çfarë ju mësojnë kapitujt te Psalmeve 26 dhe 27 për shtëpinë e Zotit?
Shih edhe Psalmeve 15; Dejvid A. Bednar, “Duar të Pafajshme dhe Zemër e Pastër”, Liahona, nëntor 2007, f. 80–83.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Psalmeve 22.Ndërkohë që një pjesëtar i familjes e lexon këtë psalm, të tjerët mund të kërkojnë ngjashmëritë te Mateu 27:35–46. Më pas ata mund të tregojnë ndjenjat e tyre rreth Jezu Krishtit dhe flijimit të Tij për ne.
-
Psalmeve 23.Psalmeve 23 ishte frymëzim për disa himne, të tillë si “Zoti Ësht’ Bariu Im” (Himne, nr. 56). Ndoshta familja juaj do të donte të këndonte një nga këto himne dhe të përcaktonte fjalë te psalmi që mund t’i ketë frymëzuar tekstet. Ose ata mund të kënaqen duke vizatuar figura të diçkaje që gjejnë te psalmi ose himni dhe t’i lënë pjesëtarët e familjes të gjejnë vargjet ose tekstet që shkojnë me figurat. Në ç’mënyrë është Shpëtimtari si një bari për ne?
-
Psalmeve 24:3–5.Për të theksuar rëndësinë e të pasurit duar të pafajshme dhe zemër të pastër, mund të lexoni te Psalmeve 24:3–5 ndërkohë që pjesëtarët e familjes lajnë duart e tyre. Çfarë mund të përfaqësojnë duart në këtë psalm? Çfarë mund të simbolizojë zemra? Çfarë mund të bëjmë për t’i pasur duart tona të pafajshme dhe zemrat tona të pastra nga ana shpirtërore?
-
Psalmeve 30:5, 11.Psalmeve 30:5 përmban premtimin se “të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi”. Si e ka kthyer Zoti trishtimin tonë në gëzim? Disa pjesëtarë të familjes mund të kënaqen duke interpretuar atë që përshkruan vargu 11.
-
Psalmeve 33.Vini re se sa herë përdoret fjala tërë në këtë psalm. Çfarë mësojmë rreth Zotit nga përdorimi i përsëritur i kësaj fjale, veçanërisht te vargjet 13–15?
-
Psalmeve 46:10.Ju mund të bëni diçka së bashku që u kërkon pjesëtarëve të familjes të “ndal[en]”. Në ç’mënyrë të ndalurit na ndihmon që të arrijmë ta pranojmë Perëndinë? Çfarë mundësish kemi që të ndalemi dhe të arrijmë ta pranojmë Perëndinë?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Zoti Ësht’ Bariu Im”, Himne, nr. 56.