Dhiata e Vjetër 2022
15–21 Gusht. Psalmeve 49–51; 61–66; 69–72; 77–78; 85–86: “Unë do t’ju Tregoj Atë që Ai Bëri për Shpirtin Tim”


“15–21 Gusht. Psalmeve 49–51; 61–66; 69–72; 77–78; 85–86: ‘Unë do t’ju Tregoj Atë që Ai Bëri për Shpirtin Tim’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“15–21 Gusht. Psalmeve 49–51; 61–66; 69–72; 77–78; 85–86”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Jezusi duke mbajtur një fener

Duke Shpëtuar Atë që Kishte Humbur, nga Michael T. Malm

15–21 Gusht

Psalmeve 49–51; 61–66; 69–72; 77–78; 85–86

“Unë do t’ju Tregoj Atë që Ai Bëri për Shpirtin Tim”

Shembulli juaj si nxënës i ungjillit mund të ketë një ndikim të fuqishëm tek fëmijët. Tregojuni atyre përvojat tuaja shpirtërore me të mësuarit e ungjillit.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Tregojuni fëmijëve një varg nga një psalm, himn ose këngë të fëmijëve që ju ndihmon ta ndieni dashurinë e Shpëtimtarit. Jepini secilit fëmijë një mundësi për të bërë të njëjtën gjë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Psalmeve 51:10

Kur bëj një zgjedhje të gabuar, Jezu Krishti mund të më ndihmojë që të ndryshoj.

Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se gabimet janë pjesë e jetës në vdekshmëri dhe se ne mund të marrim ndihmë nga Jezu Krishti për t’i kapërcyer ato.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregoni një histori të thjeshtë, nga jeta juaj ose nga revista Miku apo Liahona, rreth një fëmije që bëri një zgjedhje të gabuar, por që mori ndihmë nga Shpëtimtari për të qenë më i/e mirë (për shembull, shih materialin filmik “The Shiny Bicycle” [“Biçikleta që Shkëlqente”] në ChurchofJesusChrist.org). Lexoni te Psalmeve 51:10 dhe shpreheni gëzimin që ndieni kur Shpëtimtari ju ndihmon të keni “një zemër të pastër” dhe “një frymë të patundur”.

  • Tregojuni fëmijëve faqen e veprimtarisë së kësaj jave. Tregoni me gisht te secila figurë dhe kërkojuni fëmijëve që ta përshkruajnë atë që shohin. Lexoni diçiturat për t’i ndihmuar fëmijët të mësojnë rreth pendimit dhe faljes.

Psalmeve 71:8

Unë mund t’u tregoj të tjerëve rreth Jezu Krishtit.

Fjalët e mbushura me besim të një fëmije kanë fuqi të pashoqe për të prekur zemrat. Jepuni fëmijëve vetëbesimin se dëshmia e tyre për Jezu Krishtin mund t’i ndihmojë të tjerët.

dy djem të ulur bashkë në një karrige

Ne mund të flasim me të tjerët rreth asaj që ka bërë Jezusi për ne.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve te Psalmeve 71:8 dhe vizatoni një gojë të madhe në tabelë. Kërkojuni atyre që t’ju ndihmojnë për ta mbushur “plot” gojën me gjëra që mund t’u themi të tjerëve rreth Jezu Krishtit.

  • Kaloni dorë më dorë një figurë të Jezu Krishtit. Kërkojuni fëmijëve që ta marrin në dorë me radhë figurën dhe të thonë një gjë që e dinë rreth Tij. Çfarë ka bërë Ai për ne? (Figurat te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit mund t’ju japin disa ide.)

Psalmeve 86:7

Ati Qiellor i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve të mia.

Shumë nga psalmet janë si lutje ndaj Perëndisë për ndihmë, udhërrëfim ose mbrojtje. Merrni parasysh se si mund t’i ndihmoni fëmijët të ndërtojnë besimin e tyre se Ati Qiellor i dëgjon dhe u përgjigjet atyre kur luten.

Veprimtari të Mundshme

  • Pyetini fëmijët se si flasin me njerëzit që jetojnë larg. Tregojuni atyre gjëra që mund t’i përdorim për të komunikuar, të tillë si një telefon ose një letër. Lexojuni atyre te Psalmeve 86:7. Si e “kërkoj[më]” ne Atin Qiellor? Si na përgjigjet Ai ne?

  • Ftojini fëmijët të interpretojnë me gjeste gjërat që ata bëjnë çdo ditë, si për shembull, kur zgjohen nga gjumi, kur hanë mëngjes, kur shkojnë në shkollë ose kur bien të flenë. Ndihmojini të gjejnë kohë gjatë ditës kur mund t’i luten Atit Qiellor. Dëshmoni se ne mund t’i lutemi Atij kurdoherë dhe se Ai do të na dëgjojë gjithmonë.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth lutjes, të tillë si “Lutja e një Fëmije” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 6–7). Tregoni për një rast kur Perëndia iu përgjigj lutjeve tuaja.

Psalmeve 77:11

“Do t’i kujtoj veprat e Zotit.”

Shkrimet e shenjta mund ta ndërtojnë besimin tonë te Jezu Krishti duke na ndihmuar që t’i kujtojmë “kohë[t e] kaluara”.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve te Psalmeve 77:11 dhe tregojuni atyre se si përpiqeni t’i “kujto[ni] veprat e Zotit”, përfshirë veprat e Tij në jetën tuaj. Ftojini fëmijët të bëjnë vizatime për t’i ndihmuar ata që të kujtojnë gjërat e mëdha që Ai ka bërë.

  • Tregoni figura nga ky libër ose nga manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, që t’u kujtoni fëmijëve historitë që kanë mësuar në Dhiatën e Vjetër, për gjërat e mëdha që ka bërë Zoti për popullin e Tij. Pyetini ata se cilat nga këto histori u pëlqejnë më shumë dhe përse.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Psalmeve 51

Pendimi është një ndryshim i zemrës.

Te Psalmeve 51 përmbahen disa të vërteta rreth pendimit. Si do t’i ndihmoni fëmijët që t’i zbulojnë këto të vërteta?

Veprimtari të Mundshme

  • Caktojini secilit fëmijë për të lexuar një nga referencat e shkrimit të shenjtë që gjendet në faqen e veprimtarisë së kësaj jave. Kërkojuni që të gjejnë fjalë të cilat u mësojnë atyre diçka rreth pendimit. Lërini t’i shkruajnë fjalët në tabelë. Pasi secili t’i ketë treguar fjalët, pyetini fëmijët se si do t’i përgjigjeshin një miku/eje i cili apo e cila pyet: “Çfarë do të thotë të pendohesh?”

  • Vizatoni në tabelë një zemër. Kërkojuni fëmijëve të përmendin disa mëkate që Satani na tundon të kryejmë. Shkruajini ato mëkate brenda te zemra. Kërkojuni fëmijëve të gjejnë fjalën zemër te Psalmeve 51:10, 17. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth pendimit? (Shih edhe vargun 6.) Ndihmojini fëmijët të kuptojnë që edhe nëse ne ndalojmë së kryeri mëkate, zemrat tona kanë nevojë të ndryshojnë me qëllim që ne të pendohemi. Kërkojuni fëmijëve t’i fshijnë mëkatet te zemra në tabelë dhe të shkruajnë fjalë të reja që përshkruajnë ndryshimin në zemrat tona kur pendohemi. Jepni dëshminë tuaj se Perëndia mund të “krijo[jë] tek [ne] një zemër të pastër” kur pendohemi (vargu 10).

Psalmeve 66:16; 77:11; 78:7

“Do t’i kujtoj veprat e Zotit.”

Izraelitët u mësuan fëmijëve të tyre rreth mrekullive që kishte bërë Perëndia për ta, kështu që fëmijët të mund “t[a] vendos[nin] te Perëndia besimin e tyre” (Psalmeve 78:7).

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë disa nga historitë e tyre të parapëlqyera nga shkrimet e shenjta (figurat nga Libri i Figurave Artistike të Ungjillit mund t’i ndihmojnë ata të mendojnë për historitë). Përse i pëlqejnë ata këto histori? Çfarë na mësojnë këto histori rreth Zotit? Lexoni së bashku te Psalmeve 77:11; 78:7. Përse është e rëndësishme që t’i “kujtoj[më] veprat e Zotit”?

  • Kërkojuni fëmijëve të lexojnë te Psalmeve 66:16 dhe të mendojnë ose të shkruajnë përgjigje për pyetjen: “Çfarë ka bërë Zoti për shpirtin tim?” Pastaj lërini të japin përgjigjet e tyre, nëse do të dëshironin. Çfarë mund të bëjmë ne që “gjithmonë ta kujtoj[m]ë” (Moroni 4:3; 5:2) atë që ka bërë Zoti për ne?

Psalmeve 86:5, 13, 15

Zoti dëshiron që të falë.

Kur mëkatojmë, Satani do që ne të mendojmë se Zoti nuk do të na falë kurrë. Ndihmojini fëmijët të ndërtojnë besimin e tyre se Zoti është “i gatshëm të falë… dhe tregon mirësi të madhe” (Psalmeve 86:5).

Veprimtari të Mundshme

  • Tregoni një figurë të Shpëtimtarit (si ajo tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet) dhe pyetini fëmijët se çfarë fjalësh do të përdornin ata për ta përshkruar Atë. Ftojini që të gjejnë fjalë që e përshkruajnë Atë te Psalmeve 86:5, 13, 15. Nëse nevojitet, ndihmojini ata që t’i përkufizojnë këto fjalë. Çfarë mund t’i thoshim një miku/eje që mendon se Perëndia është i zemëruar me të kur mëkaton?

  • Këndoni me fëmijët një himn që ju mendoni se do t’i ndihmojë ata të kuptojnë natyrën që fal të Shpëtimtarit, të tillë si “Qëndroj Plot Habi” (Himne nr. 113). Jepni dëshminë tuaj se Jezu Krishti dëshiron që të na falë.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojeni secilin fëmijë që të përmendë një arsye se përse e duan Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Nxitini që t’ia tregojnë atë arsye dikujt në shtëpi. Dëshmoni se fjalët e tyre do ta bekojnë atë person.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Shprehni mirëbesim tek ata. “Nëse [fëmijët] e ndie[jnë] që ju keni mirëbesim tek ata, vetëbesimi i tyre në potencialin e tyre hyjnor do të rritet. … Ua komunikoni me dashuri që ju e dini se ata mund të jenë përgjegjës për vetë të mësuarin e tyre” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 28).