“11–17 Korrik. 2 Mbretërve 17–25: ‘Ai Pati Besim tek Zoti, Perëndia i Izraelit’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“11–17 Korrik. 2 Mbretërve 17–25”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
11–17 Korrik
2 Mbretërve 17–25
“Ai Pati Besim tek Zoti, Perëndia i Izraelit”
Teksa planifikoni veprimtari mësimore për fëmijët, kujtoni se veprimtaritë për fëmijët më të vegjël në këtë përvijim mund të përshtaten për fëmijët më të mëdhenj dhe anasjelltas.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Shkruajeni emrin e secilit fëmijë në një copë letër dhe vendosini letrat në një enë. Në fillim të orës mësimore, lërini fëmijët të përzgjedhin me radhë një emër. Kur të jetë tërhequr emri i një fëmije, ftojeni atë fëmijë të tregojë diçka që ai ose ajo mësoi rreth ungjillit ose rreth Jezu Krishtit kohët e fundit. Vazhdoni derisa çdo fëmijë të ketë pasur një mundësi për të treguar.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Unë mund t’i mirëbesoj Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.
Shembulli i Ezekias te 2 Mbretërve 18:3, 5 mund t’i ndihmojë fëmijët, të cilëve u jepni mësim, që ta vendosin mirëbesimin e tyre te Perëndia.
Veprimtari të Mundshme
-
Përmendni disa gjëra që mund të bëjë një mbret i mirë dhe disa gjëra që mund të bëjë një mbret i keq. Kërkojuni fëmijëve të ngrihen në këmbë dhe të brohorasin për gjërat e mira dhe të ulen në karrige për gjërat e këqija. Shpjegojuni fëmijëve se Izraeli kishte shumë mbretër, disa ishin të drejtë e disa jo të drejtë. Ftojini fëmijët të mbajnë vesh për ato gjëra që e bënin Ezekian një mbret të mirë teksa ju lexoni te 2 Mbretërve 18:3, 5. Ndihmojini të mendojnë për mënyrat se si mund të tregojmë se ne i mirëbesojmë Zotit, ashtu siç bëri Ezekia.
-
Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se ç’do të thotë t’i mirëbesosh dikujt. Flisni rreth njerëzve të cilëve u mirëbesoni dhe lërini edhe fëmijët të flasin. Tregoni një figurë të Jezu Krishtit. Përse mund t’i mirëbesojmë Jezu Krishtit? Shprehni mirëbesimin tuaj se Jezu Krishti na do dhe do të na ndihmojë të kthehemi sërish për të jetuar përgjithmonë me Atin Qiellor.
Shkrimet e shenjta janë një bekim.
Edhe pse fëmijët më të vegjël mund të mos jenë në gjendje të lexojnë ose të kuptojnë gjithçka në shkrimet e shenjta, ata mund të bekohen nga fuqia e shkrimeve te shenjta. Çfarë mund të bëni që t’i ndihmoni ata të kenë një dëshirë për të qenë të bekuar nga fjala e Perëndisë?
Veprimtari të Mundshme
-
Fshihni një kopje të shkrimeve të shenjta diku në dhomë dhe ftojini fëmijët ta gjejnë atë. Shpjegoni se në ditët e mbretit Josia, shumë nga njerëzit nuk po mësonin nga shkrimet e shenjta derisa një prift i gjeti ato në tempull (shih 2 Mbretërve 22:8–11). Çfarë janë shkrimet e shenjta? Përse kemi nevojë për shkrimet e shenjta? Tregojuni fëmijëve se përse jeni i/e gëzuar që i kemi sot shkrimet e shenjta, dhe lërini të shprehin ndjenjat e tyre rreth shkrimeve të shenjta.
-
Lexojuni fëmijëve te 2 Mbretërve 23:2 dhe kërkojuni të mbajnë vesh për atë që bëri mbreti me shkrimet e shenjta. Përse ishte e rëndësishme për gjithsecilin që të dëgjonte atë që ishte shkruar në shkrimet e shenjta? Këndoni një këngë rreth shkrimeve të shenjta, të tillë si “Kërko, Përsiat dhe Lutu” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 66) dhe kërkojuni fëmijëve të flasin se si ndihen kur dëgjojnë mësime dhe histori nga shkrimet e shenjta.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë mund të mirëbesoj tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.
Kur asirianët e kërcënuan Jerusalemin, mbreti i drejtë Ezekia u drejtua te Zoti me besim. Shembulli i Ezekias mund t’ju ndihmojë ju dhe fëmijët të flisni rreth mënyrës se si mund ta tregojmë besimin tonë te Zoti, edhe kur ai besim sfidohet.
Veprimtari të Mundshme
-
Duke përdorur hartën 3 të Biblës në Kombinimin Tresh “Ndarja e 12 Fiseve”, shpjegojuni fëmijëve shkurtimisht se mbretëria veriore e Izraelit ishte pushtuar nga njerëz që quheshin asirianë. Shpjegoni se asirianët më vonë u përpoqën të pushtonin mbretërinë jugore të Judës. Ftojini fëmijët të përfytyrojnë se si do të ndiheshin nëse do të jetonin në Judë dhe do ta dinin se asirianët po vinin për të shkatërruar qytetin. Kërkojuni fëmijëve të lexojnë te 2 Mbretërve 18:3, 5–6 për të zbuluar se përse Ezekia, mbreti i Judës, mundi të ishte trim kur erdhën asirianët.
-
Ftojini fëmijët të lexojnë te 2 Mbretërve 19:14–19 duke kërkuar atë që bëri Ezekia kur asirianët e kërcënuan mbretërinë e tij. Në ç’mënyrë bërja e këtyre gjërave tregon se ai i mirëbesoi Zotit? Çfarë mund të bëjmë për ta treguar mirëbesimin tonë te Zoti kur kemi nevojë për ndihmë?
Shkrimet e shenjta më mësojnë se si ta ndjek Jezu Krishtin.
Pas vitesh errësire shpirtërore, judenjtë e përtërinë zotimin e tyre ndaj Zotit. Kjo ndodhi për shkak se mbreti Josia e gjeti përsëri librin e ligjit dhe ua lexoi atë njerëzve. Ky rrëfim mund t’i ndihmojë fëmijët të kuptojnë se përse shkrimet e shenjta janë me kaq vlerë.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve se mbreti Josia i tha popullit të tij që të riparonte tempullin dhe teksa po e riparonin, ata gjetën diçka me shumë vlerë. Ftojini fëmijët të lexojnë te 2 Mbretërve 22:8–11 për të zbuluar se çfarë ishte. Shpjegoni se libri që gjetën, përmbante besëlidhje dhe urdhërime, për të cilat bijtë e Izraelit nuk dinin gjë. Çfarë mund të na ndodhte neve nëse nuk do t’i kishim shkrimet e shenjta? Pyetini fëmijët se përse janë mirënjohës që i kanë shkrimet e shenjta. Përse do të ishte e vështirë ta ndiqnim Shpëtimtarin nëse nuk do t’i kishim shkrimet e shenjta?
-
Jepini secilit fëmijë një copë letër dhe kërkojini që ta grisë. Shpjegoni se në kohën e mbretit Josia, njerëzit nganjëherë i shqyenin ose i “gris[nin]” rrobat e tyre kur ishin të mërzitur. Kërkojuni fëmijëve të kërkojnë fjalën “gris” te 2 Mbretërve 22:11. Përse mund të jetë mërzitur Josia? Ndihmojini fëmijët të gjejnë një përgjigje te vargu 13. Pse është e rëndësishme që ne t’i lexojmë rregullisht shkrimet e shenjta?
-
Lexoni së bashku te 2 Mbretërve 23:2–3 dhe vërini fëmijët të kërkojnë mënyrën se si shkrimet e shenjta e ndihmuan Josian dhe popullin e tij. Tregojuni fëmijëve një shkrim të shenjtë i cili ju ka frymëzuar që të “zot[oheni] të ndiq[ni] Zotin” (vargu 3) dhe ftojini fëmijët të tregojnë shkrime të shenjta që i kanë ndihmuar ata. Këndoni së bashku “Do të Eci me Krishtin” (ChurchofJesusChrist.org).
Unë do t’i mbaj besëlidhjet e mia me Perëndinë.
Kur Josia dhe populli i tij i mësuan urdhërimet e Perëndisë, ata bënë një besëlidhje për t’i jetuar ato. Ju mund t’i ndihmoni fëmijët, të cilëve u jepni mësim, që të duan të qëndrojnë besnikë ndaj besëlidhjeve që bënë në pagëzim.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të lexojnë te 2 Mbretërve 23:3 dhe të gjejnë fjalë ose fraza që tregojnë se si u ndie populli rreth urdhërimeve të Zotit. Ftojini të ngrihen në këmbë e të flasin rreth asaj se ç’do të thotë t’i “[qëndrosh] besëlidhje[s]”. Ftojini të ecin në vend‑numëro dhe të flasin rreth asaj se ç’mund të nënkuptojë fraza, “të nd[jekësh] Zotin”. Ftojini ta vendosin dorën e tyre në zemër dhe të sugjerojnë mënyra se si mund t’i zbatojmë urdhërimet “me gjithë zemër”.
-
Ndihmojini fëmijët të bëjnë një listë premtimesh që i bënë në pagëzim (shih Mosia 18:10; Doktrina e Besëlidhje 20:37, 77, 79). Çfarë na premton Perëndia nëse i mbajmë besëlidhjet tona? Çfarë mësojmë nga 2 Mbretërve 23:3 rreth asaj se si duhet t’i mbajmë besëlidhjet tona?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’i tregojnë një pjesëtari të familjes një varg të shkrimit të shenjtë ose një histori nga shkrimet e shenjta që i ka bekuar ata.