Dhiata e Vjetër 2022
Ju Jeni një Mësues për Fëmijët


“Ju Jeni një Mësues për Fëmijët”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“Ju Jeni një Mësues për Fëmijët”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Jezusi duke mbajtur një fëmijë

Ju Jeni një Mësues për Fëmijët

Ju jeni thirrur nga Perëndia për t’u dhënë mësim fëmijëve të Tij sipas mënyrës së Shpëtimtarit. Ju u veçuat në këtë thirrje me anë të autoritetit të priftërisë së Tij të shenjtë. Edhe nëse nuk jeni një mësues me përvojë, kur jetoni me denjësi, luteni çdo ditë dhe i studioni shkrimet e shenjta, Ati Qiellor do t’ju japë ndikimin dhe fuqinë e Frymës së Shenjtë për t’ju ndihmuar që t’ia dilni mbanë (shih 2 Nefi 33:1).

Ata që i janë mirëbesuar përkujdesjes suaj, janë fëmijë të Atit Qiellor dhe Ai e di se për çfarë kanë nevojë dhe se cila është mënyra më e mirë për t’i ndihmuar. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, Perëndia do t’ju udhëzojë kur përgatiteni dhe teksa jepni mësim. Ai do t’ju zbulojë se çfarë duhet të thoni dhe çfarë duhet të bëni (shih 2 Nefi 32:5).

Qëllimi thelbësor i mësimdhënies së ungjillit dhe të mësuarit të tij është që ta thellojë kthimin në besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Synimi juaj si mësues është t’i ndihmoni ata, të cilëve u jepni mësim, të bëjnë gjithçka munden për t’u kthyer më shumë në besim – një përpjekje që shtrihet përtej orës mësimore. Ftojini ata të cilëve u jepni mësim, që të marrin pjesë aktivisht në të mësuarit për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij dhe që të veprojnë sipas asaj që mësojnë. Nxitini që ta bëjnë studimin e tyre individual dhe familjar jashtë klasës burimin parësor të të mësuarit të ungjillit. Teksa veprojnë me besim nëpërmjet studimit si individë e familje, ata do ta ftojnë Shpirtin në jetën e tyre dhe është Shpirti që sjell kthimin e vërtetë në besim. Çdo gjë që bëni si mësues, duhet të drejtohet drejt këtij synimi të shenjtë.

Jepni mësim vetëm doktrinën e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, siç gjendet në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme. Doktrina e pastër – e vërteta e përjetshme, e pandryshueshme, e dhënë mësim nga Perëndia dhe shërbëtorët e Tij – e fton Shpirtin dhe ka fuqinë për ta ndryshuar jetën e njerëzve.

Thirrja për të dhënë mësim është një mirëbesim i shenjtë dhe është normale që të ndiheni të mbingarkuar ndonjëherë. Por mos harroni që ju u thirrët nga Ati juaj Qiellor dhe Ai kurrë nuk do t’ju braktisë. Kjo është vepra e Zotit dhe teksa shërbeni “me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj” (Doktrina e Besëlidhje 4:2), Ai do t’i rritë aftësitë, dhuntitë e talentet tuaja dhe shërbimi juaj do ta bekojë jetën e atyre të cilëve u jepni mësim.