“13–19 Prill. Mosia 1–3: ‘Të Mbushur me Dashuri ndaj Perëndisë dhe ndaj Gjithë Njerëzve’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“13–19 Prill. Mosia 1–3”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
13–19 Prill
Mosia 1–3
“Të Mbushur me Dashuri ndaj Perëndisë dhe ndaj Gjithë Njerëzve”
Ka shumë parime te Mosia 1–3 për të cilat mund të diskutoni me klasën tuaj. Lutuni për udhërrëfim që të dini se cilat parime do të jenë më domethënëset për ata të cilëve u jepni mësim.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’u dhënë anëtarëve të klasës mundësi që të flasin rreth studimit të tyre vetjak ose familjar të kapitujve te Mosia 1–3, ftojini t’i tregojnë një personi tjetër një varg që e gjejnë frymëzues.
Jepeni Mësim Doktrinën
Marrja e fjalës së Perëndisë kërkon përgatitje.
-
Një mënyrë si ta filloni një diskutim rreth përgatitjes për të marrë fjalën e Perëndisë, mund të jetë që të flisni për rrjedhojat e përgatitjes – ose të mospërgatitjes – për gjëra të tjera. Për shembull, anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja rreth mënyrës se si përgatitja e tyre ose mungesa e përgatitjes ndikoi te një përvojë që e patën në shkollë ose në punë apo në ndonjë veprimtari tjetër. Pasi të shprehen, ju mund ta ftoni gjysmën e klasës të lexojë te Mosia 2:1–9, duke kërkuar gjëra që bëri populli i mbretit Beniamin për t’u përgatitur që ta merrte fjalën e Perëndisë. Gjysma tjetër mund të hulumtojë të njëjtat vargje, duke kërkuar gjëra që i bëri mbreti Beniamin, të cilat tregojnë se si u ndje ai rreth fjalës së Perëndisë dhe nevojës për ta përhapur atë. Pastaj kërkojini secilit grup që të thotë idetë e veta. Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje, që mund të na ndihmojë ta marrim fjalën e Perëndisë?
Kur u shërbejmë të tjerëve, ne po i shërbejmë edhe Perëndisë.
-
Mbreti Beniamin ishte një shërbëtor shembullor ndaj Perëndisë dhe njerëzve përreth tij. Çfarë mund të mësojnë anëtarët e klasës suaj nga ai, që do t’i ndihmojë në përpjekjet e tyre për t’u shërbyer të tjerëve? Merreni parasysh ta filloni diskutimin duke u kërkuar anëtarëve të klasës të renditin pengesat që hasin njerëzit kur u japin shërbim të tjerëve – të tilla si arsyet përse nuk shërbejmë ose arsyet përse shërbimi ynë nuk është aq i dobishëm sa mund të ishte. Më pas ata mund të studiojnë vargjet te Mosia 2:10–26 dhe të bëjnë një listë të të vërtetave që dha mësim mbreti Beniamin rreth shërbimit ndaj të tjerëve, të cilat mund t’i ndihmojnë për t’i kapërcyer pengesat që renditën. Çfarë mund të bëjnë individët dhe familjet që të përqendrohen te shërbimi në jetën e tyre të përditshme? Merreni parasysh të tregoni historinë nga Presidenti Tomas S. Monson te pjesa “Burime Shtesë” si një sugjerim.
-
Një himn i tillë si “Një Burr’ të Varfër Plot Pik’llim” (Himne, nr. 20) mund ta përforcojë mesazhin që gjendet te Mosia 2:17 – kur u shërbejmë të tjerëve, ne po i shërbejmë Perëndisë. Si mund t’i përdorni burime të tilla për ta përforcuar mesazhin e mbretit Beniamin? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja që i kanë pasur me shërbimin ndaj të tjerëve ose me marrjen prej dikujt tjetër të shërbimit si të Krishtit. Si pjesë e diskutimit tuaj, merreni parasysh të jepni këtë citim nga Presidenti Henri B. Ajring: “Kur i ofrojmë ndihmë dikujt, Shpëtimtari e sheh atë sikur të ishim duke iu drejtuar Atij për ta ndihmuar” (“Agjërimi që më Pëlqen a Nuk Është Vallë Ky?”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 22). Si mendoni ju, përse po i shërbejmë Perëndisë kur u shërbejmë njerëzve të tjerë?
Lumturia vjen nga zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta “ken[ë] parasysh gjendjen e bekuar dhe të lumtur të atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë”, mund t’ju ndihmojë që ta filloni me një përkufizim të lumturisë. Si do ta përshkruanin anëtarët e klasës lumturinë që vjen nga bindja ndaj Perëndisë? Ndoshta ata mund të përfytyrojnë sikur kanë një mik/e që thotë se ai ose ajo është i/e lumtur pa i zbatuar urdhërimet. Ftojini të lexojnë te Mosia 2:38–41 dhe të diskutojnë se si mund ta ndihmojnë mikun/en e tyre që të kuptojë ndryshimin midis lumturisë si të botës dhe lumturisë së përjetshme. Çfarë përvojash ose shembujsh nga jeta e njerëzve mund të tregojnë anëtarët e klasës që mishërojnë lumturinë e përjetshme?
Shpëtimi vjen vetëm “nëpërmjet emrit të Krishtit, Zotit”.
-
Mesazhi i mbretit Beniamin përfshin profeci të fuqishme dhe përshkruese për lindjen, shërbesën dhe flijimin shlyes të Jezu Krishtit. Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të tregojnë vargje nga Mosia 3:1–20, të cilat u bëjnë veçanërisht përshtypje dhe i ndihmojnë ta kuptojnë Shpëtimtarin dhe misionin e Tij. Kërkojuni atyre të tregojnë se përse këto vargje iu bëjnë përshtypje.
-
Parathënia për Librin e Mormonit na mëson se në libër “theksohet në vija të përgjithshme plani i shpëtimit”. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të kuptojnë se si predikimi i mbretit Beniamin ndihmon që të përmbushet ky qëllim i Librit të Mormonit, ju mund të shkruani në tabelë Jezu Krishti e Bën të Mundur Shpëtimin. Anëtarët e klasës mund të shqyrtojnë vargjet te Mosia 3:1–20 dhe më pas ju ose ata mund të renditin në tabelë të vërtetat që i mësojnë rreth planit të shpëtimit. Pyetini anëtarët e klasës se çfarë mësojnë rreth mënyrës se si Jezu Krishti e bën të mundur planin e shpëtimit. Më pas jepuni anëtarëve të klasës kohë që të shqyrtojnë vargjet te Mosia 3:18–19 e të tregojnë se çfarë duhet të bëjmë që të bëhemi shenjtorë dhe të marrim shpëtimin. Si na ndihmon Shlyerja e Jezu Krishtit që ta përmbushim këtë gjë? Kërkojuni anëtarëve të klasës të shprehin ndjenjat e tyre rreth rolit të Shpëtimtarit në planin e shpëtimit.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
A kanë pasur ndonjëherë anëtarët e klasës suaj një përvojë kur një doktrinë e dhënë mësim në një bisedë, mësim apo shkrim të shenjtë i ndryshoi ata? U thoni se te Mosia 4–6 ata do të lexojnë rreth ndikimit të fuqishëm që patën mbi popullin e mbretit Beniamin të vërtetat e dhëna mësim nga ai.
Burime Shtesë
Shërbimi ndaj të tjerëve.
Presidenti Tomas S. Monson tha:
“Disa vite më parë lexova një artikull të shkruar nga Xhek Mek‑Konëlli, doktor në mjekësi. Ai u rrit në kodrat e Virxhinias jugperëndimore në Shtetet e Bashkuara si një nga shtatë fëmijët e një shërbestari metodist dhe të një nëne shtëpiake. Rrethanat e tyre qenë shumë të përulura. Ai rrëfeu se gjatë fëmijërisë së tij, çdo ditë kur familja qëndronte rreth tavolinës së ngrënies, babai i tij do të pyeste secilin me radhë: ‘Dhe çfarë ke bërë për dikë sot?’ Fëmijët qenë të vendosur që të bënin një veprim të mirë shërbimi çdo ditë, që të mund t’i raportonin babait të tyre se e kishin ndihmuar dikë. Doktor Mek‑Konëlli e quan këtë ushtrim trashëgiminë më të vlefshme nga babai i tij, sepse ajo pritshmëri dhe ato fjalë i frymëzuan atë dhe motrat e vëllezërit e tij që t’i ndihmonin të tjerët gjatë gjithë jetës së tyre. Ndërsa u rritën dhe u bënë më të pjekur, shkaku i tyre për të dhënë shërbim u shndërrua në një dëshirë të brendshme për t’i ndihmuar të tjerët.
Përveç karrierës së shquar mjekësore të doktor Mek‑Konëllit, … ai krijoi një organizatë që e quan Vullnetarët në Mjekësi, që i jep personelit mjekësor në pension një shans për të punuar vullnetarisht në klinika pa pagesë duke u shërbyer punëtorëve pa sigurim shëndetësor. Doktor Mek‑Konëlli tha se koha e tij e lirë, që kur kishte dalë në pension, kishte ‘avulluar në 60 orë në javë pune të papaguar, por niveli [i tij] i energjisë ishte rritur dhe ka një përmbushje në jetën [e tij] që nuk ka qenë më parë’. [Jack McConnell, “And What Did You Do for Someone Today?” Newsweek, 18 qershor 2001, f. 13.] …
Sigurisht, nuk mund të jemi të gjithë doktorë mek‑konëlla, që hapim klinika mjekësore për të ndihmuar të varfrit; megjithatë, nevojat e të tjerëve janë të kudogjendura dhe secili prej nesh mund të bëjë diçka për të ndihmuar dikë. …
Vëllezërit e motrat e mia, ne jemi të rrethuar nga ata që kanë nevojë për vëmendjen tonë, nxitjen tonë, mbështetjen tonë, ngushëllimin tonë, mirësinë tonë – qofshin ata pjesëtarë të familjes, miq, të njohur apo të huaj. Ne jemi duart e Zotit këtu në tokë, me autorizimin për t’u shërbyer dhe për t’i ngritur moralisht fëmijët e Tij. Ai varet nga secili prej nesh. … Le t’ia bëjmë vetes pyetjen që i përshëndeste doktor Xhek Mek‑Konëllin dhe vëllezërit e motrat e tij çdo mbrëmje në kohën e ngrënies: ‘Çfarë kam bërë për dikë sot?’” (“Çfarë Kam Bërë për Dikë Sot?”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 84–87).