Eja, Më Ndiq
30 Mars – 12 Prill. Pashka: “Ai do të Ngrihet … me Shërim në Krahët e Tij”


“30 Mars – 12 Prill. Pashka: ‘Ai do të Ngrihet … me Shërim në Krahët e Tij’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“30 Mars – 12 Prill. Pashka”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020

Krishti i ringjallur me Apostujt e Tij

Krishti dhe Apostujt, nga Del Parson

30 Mars – 12 Prill

Pashka

“Ai do të Ngrihet … me Shërim në Krahët e Tij”

E diela e Pashkës është një mundësi e shkëlqyer për anëtarët e klasës suaj që t’i forcojnë dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin dhe Ringjalljen e Tij – dhe t’i forcojnë dëshmitë e njëri‑tjetrit. Mbajeni këtë në mendje teksa studioni shkrimet e shenjta në përgatitje për këtë mësim. Kërkoni udhërrëfim shpirtëror për atë që do t’i prekë zemrat e individëve në klasën tuaj.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Anëtarët e klasës suaj mund të kenë pasur përvoja domethënëse gjatë dy javëve të shkuara duke lexuar atë që na mëson Libri i Mormonit rreth Ringjalljes dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit. Jepuni disa minuta kohë që të gjejnë një fragment që u la mbresa dhe më pas ftojini të tregojnë atë që gjetën.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

2 Nefi 9:7–15; Alma 11:41–45; 40:21–23

Ringjallja është ribashkimi i përhershëm i trupit dhe shpirtit.

  • Krahasimi mund të jetë një mënyrë e efektshme për t’i dhënë mësim parimet e ungjillit. Ndoshta ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të lexojnë te 2 Nefi 9:7–15 e Alma 11:41–45 dhe të përcaktojnë fjalë e fraza në këto vargje që na mësojnë për ringjalljen. Me çfarë krahasohet vdekja? Si përshkruhet ringjallja? Përse na nevojitet një trup i ringjallur? (Shih edhe DeB 93:33–34.) Anëtarët e klasës mund të diskutojnë se si mund t’i përdorin këto krahasime për t’i dhënë dikujt mësim rreth ringjalljes. Teksa ia tregojnë klasës idetë e tyre, ju mund të diskutoni me ta për arsyen përse i vlerësojnë këto të vërteta rreth Ringjalljes.

  • Merreni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë raste kur u ndien mirënjohës për njohurinë e tyre rreth Ringjalljes. Si mund të ndikojë ajo njohuri në jetën tonë më rregullisht? Ju mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës suaj t’i përgjigjen kësaj pyetjeje duke e ftuar secilin prej tyre që të kërkojë te 2 Nefi 9:7–15, Alma 11:41–45 ose Alma 40:21–23 dhe t’i renditë në tabelë të vërtetat që i gjejnë për Ringjalljen. Më pas ju mund t’i shkruani në tabelë dy fjalitë vijuese dhe t’u kërkoni anëtarëve të klasës të përsiatin për pak minuta përpara se të thonë se si do t’i plotësonin ato: Nëse nuk do t’i dija këto gjëra… dhe Ngaqë i di këto gjëra….

Krishti duke u lutur në Kopshtin e Gjetsemanit

Gjetsemani, nga Michael T. Malm

Mosia 3:5–7; 15:5–9; Alma 7:11–13

Jezu Krishti mori mbi Veten e Tij mëkatet, dhembjet dhe pasiguritë tona.

  • Përsiatja dhe diskutimi rreth vuajtjes së Shpëtimtarit për hirin tonë mund ta ftojnë Shpirtin dhe të frymëzojnë ndjenja dashurie dhe mirënjohjeje kundrejt Shpëtimtarit. Për të nxitur një përsiatje dhe diskutim të tillë, ju mund të vizatoni në dërrasë një tabelë të ngjashme me atë që sugjerohet në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe ftojini anëtarët e klasës ta plotësojnë duke përdorur vargjet te Mosia 3:5–7, 15:5–9 dhe Alma 7:11–13, si edhe vetë përvojat e tyre. Siç ju drejton Shpirti, ju mund t’i ftoni gjithashtu anëtarët e klasës të shprehin ndjenjat e tyre rreth asaj që ka bërë Jezu Krishti për ta.

  • Muzika e shenjtë mund ta ftojë Shpirtin dhe ta përforcojë doktrinën që po e jepni mësim. Ndoshta anëtarët e klasës mund t’i shqyrtojnë vargjet te Mosia 3:5–7, 15:5–9 dhe Alma 7:11–13 dhe të gjejnë e këndojnë himne që e ndiejnë se përshtaten me mesazhin në këto vargje (gjithashtu mund të ftoni dikë të këndojë ose të luajë himne në piano). Treguesi i shkrimeve të shenjta nga fundi i librit të himneve mund të ndihmojë dhe himne të tjera sugjerohen te pjesa “Burime Shtesë”. Nxitini anëtarët e klasës të thonë fraza nga himnet dhe shkrimet e shenjta që i ndihmojnë për ta vlerësuar më thellësisht flijimin e Shpëtimtarit.

Enosi 1:1–19; Mosia 5:1–2; 27:8–28:4; Alma 24:7–19

Shlyerja e Jezu Krishtit na pastron dhe na ndihmon të përsosemi.

  • Një mënyrë e efektshme si të mësojmë rreth fuqisë së Shpëtimtarit për ta ndryshuar jetën tonë është të studiojmë shembuj të mënyrës se si Ai e ka ndryshuar jetën e të tjerëve kur ata u penduan dhe erdhën tek Ai. Libri i Mormonit ka shumë shembuj të tillë. Ndoshta ju mund t’i caktoni çdo anëtari të klasës të lexojë për njërin prej këtyre shembujve, të tillë si Enosi (shih Enosi 1:1–19), populli i mbretit Beniamin (shih Mosia 5:1–2), Alma i Riu (shih Mosia 27:8–28:4) apo anti‑nefi‑lehitët (shih Alma 24:7–19), ose ata mund të mendojnë për shembuj të tjerë nga shkrimet e shenjta. Më pas disa anëtarë të klasës mund t’i përmbledhin përvojat për të cilat lexuan. Ndoshta klasës suaj mund t’i pëlqejë ta bëjë këtë duke dhënë informacion kyç për ta ndihmuar pjesën tjetër të klasës që të marrë me mend se cilin po përshkruajnë. Ata mund të diskutojnë edhe për pyetje si këto: Si ndryshuan njerëzit në këta shembuj? Cili ishte roli i Shpëtimtarit në ndryshimin e tyre? Ndoshta disa anëtarë të klasës mund të flasin rreth mënyrës se si Shpëtimtari ka kryer “një ndryshim të madh … në zemrat [e tyre]” (Mosia 5:2). Për të mësuar më shumë rreth mënyrës se si na ndryshon Shpëtimtari – dhe arsyes përse ai ndryshim është kaq i rëndësishëm – ju mund t’i tregoni klasës analogjinë e dhënë nga Presidenti Dallin H. Ouks te pjesa “Burime Shtesë”.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës që të lexojnë kapitujt te Mosia 1–3, ju mund t’i ftoni të përsiatin për një rast kur patën dëshirë të gëzoheshin pasi lexuan ose dëgjuan një mesazh të ungjillit. Ftojini të kërkojnë të vërteta që i bëjnë të gëzohen kur lexojnë te Mosia 1–3.

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Himne rreth Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Materiale filmike të Tabernacle Choir [Korit të Tabernakullit] te Sheshi i Tempullit duke kënduar disa nga këto himne mund të gjenden te ChurchofJesusChrist.org.

Analogji: Ne duhet të jemi më shumë se të pastër.

Presidenti Dallin H. Ouks tregoi një analogji për të shpjeguar se si na përgatit Shpëtimtari që të kthehemi në praninë e Perëndisë:

“Ne priremi të mendojmë për rezultatet e pendimit sikur thjesht na pastrojnë nga mëkati, por kjo është një pikëpamje e paplotë. … Një njeri që mëkaton, është si një pemë që përkulet lehtësisht nga era. Në një ditë me erë e shi, pema përkulet kaq shumë drejt tokës sa gjethet ndoten me baltë, ashtu si mëkati. Nëse përqendrohemi vetëm te pastrimi i gjetheve, pemës mund t’i mbetet dobësia që e lejoi të përkulej dhe t’i ndoteshin gjethet e saj. Në mënyrë të ngjashme, një njeri i cili thjesht ndihet keq kur ndotet nga mëkati, do të mëkatojë sërish kur të vijë era e fortë. Prirja me lehtësi për përsëritje vazhdon derisa pema të jetë forcuar.

Kur një njeri ka kaluar përmes procesit që sjell si rrjedhojë atë që shkrimet e shenjta e quajnë ‘një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar’, Shpëtimtari bën më shumë se sa e pastron atë njeri nga mëkati. Ai i jep atij ose asaj forcë të re. Ai forcim është thelbësor që ne ta kuptojmë qëllimin e pastrimit, që është të kthehemi tek Ati ynë Qiellor. Që të pranohemi në praninë e Tij, ne duhet të jemi më shumë se të pastër. Gjithashtu ne duhet të ndryshohemi nga një njeri i dobët moralisht, i cili ka mëkatuar, në një njeri të fortë me shtatin shpirtëror për të banuar në praninë e Perëndisë” (“The Atonement and Faith”, Ensign, prill 2010, f. 33–34).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jetoni të denjë për udhërrëfimin e Shpirtit. Kur e jetoni ungjillin, ju jeni i denjë për shoqërimin e Shpirtit, i cili është mësuesi i vërtetë. Teksa kërkoni udhërrëfimin e Tij, Fryma e Shenjtë do t’ju japë mendime dhe mbresa rreth mënyrës se si t’i plotësoni nevojat e atyre të cilëve u jepni mësim. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 5.)