Eja, Më Ndiq
20–26 Prill. Mosia 4–6: “Një Ndryshim të Madh”


“20–26 Prill. Mosia 4–6: ‘Një Ndryshim të Madh’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit (2020)

“20–26 Prill. Mosia 4–6”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020

Mbreti Beniamin duke i dhënë mësim popullit të vet

Në Shërbim të Perëndisë Tuaj, nga Walter Rane

20–26 prill

Mosia 4–6

“Një Ndryshim të Madh”

Lexojeni Mosian 4–6 dhe mbajini shënim mbresat tuaja shpirtërore. Ndërsa merrni mbresa, ju mund të pyetni, ashtu siç sugjeroi Plaku Riçard G. Skot: “A ka edhe më shumë që duhet ta di?” (“Të Fitosh Udhëheqje Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 8).

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ju mund të doni ta filloni diskutimin në klasën tuaj duke u kërkuar anëtarëve të klasës që të thonë një prej mësimeve të mbretit Beniamin nga Mosia 4–5, të cilin do të donin ta zbatonin më mirë në jetën e tyre.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Mosia 4:1–12

Nëpërmjet Jezu Krishtit ne mund të marrim e të mbajmë një heqje të mëkateve tona.

  • Disa njerëz kanë idenë e gabuar që pendimi kërkon pak përpjekje; të tjerë besojnë se kërkon shumë përpjekje. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të kuptojnë më mirë atë që kërkohet për të marrë një heqje të mëkateve, ju mund t’i ftoni ata që të shqyrtojnë mësimet e dhëna nga mbreti Beniamin te Mosia 4:1–12, duke kërkuar për kushtet nën të cilat Ati Qiellor e jep një heqje të mëkateve tona. Anëtarët e klasës mund t’i renditin në tabelë ato që gjejnë. Kërkojuni të mendojnë për një analogji që i ndihmon ta shpjegojnë atë që mësuan. Për shembull, ata mund ta krahasojnë heqjen e mëkateve me një borxhli të cilit i “fshihet” ose i falet një borxh. Ose mund ta krahasojnë mbajtjen e një heqjeje të mëkateve tona me kujdesin për diçka që ka nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme, të tillë si një kopsht ose një shtëpi.

  • Merreni parasysh t’i pyetni anëtarët e klasës se çfarë do t’i thoshin dikujt që pyet veten nëse ia vlen të përpiqemi për pendim. Si do ta ndihmonin dikë që është i shkurajuar dhe ndien se është e pamundur të mposhtet mëkati dhe dobësia? Mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës të përgatiten për bashkëbisedime të tilla duke u kërkuar të përdorin disa minuta për të hulumtuar fjalët e mbretit Beniamin te Mosia 4:1–12 për të vërteta që mund ta ndihmojnë dikë në njërën prej këtyre situatave. Më pas anëtarët e klasës mund t’ia thonë dikujt të ulur pranë tyre të vërtetat që i zbuluan.

Mosia 4:11–27

Kur pendohemi, ne vërtet do të mbushemi me dashurinë e Perëndisë.

  • Si e dimë nëse kemi marrë një heqje të mëkateve tona? Mbreti Beniamin përshkroi disa rezultate të pendimit të vërtetë – ftojini anëtarët e klasës suaj t’i gjejnë ato te Mosia 4:13–16. Gjithashtu mund t’i ftoni të përsiatin vetë jetën e tyre dhe të vlerësojnë se sa mirë po i jetojnë mësimet e dhëna në këto vargje. Çfarë shenjash shohin anëtarët e klasës që ata po kthehen në besim? Si ndryshojnë marrëdhëniet tona me të tjerët kur vijmë te Krishti nëpërmjet pendimit? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë se si e kanë parë këtë të ndodhë në jetën e tyre.

  • Mosia 4:11–12 dhe 14–16 mund të zgjojnë një diskutim rreth asaj që e frymëzon qenien prindër të drejtë. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si të bëhemi prindër më të mirë?

  • Nëse ndiheni të frymëzuar që të keni një diskutim rreth mësimeve të dhëna nga mbreti Beniamin mbi kujdesin për të varfrit dhe nevojtarët, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës ta bëjnë me radhë duke lexuar vargje nga Mosia 4:16–27. Pasi lexohet secili varg, personi që e lexoi mund ta përmbledhë me fjalët e veta atë që dha mësim mbreti Beniamin. Mesazhi i Plakut Xhefri R. Holland “A Nuk Jemi Ne të Gjithë Lypësa?” (Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 40–42) mund të përdoret për t’i shtuar vlerë këtij diskutimi. Si mund ta ndjekim këshillën e mbretit Beniamin që të mos “vrapoj[më] më shpejt sesa [kemi] fuqi”? (Mosia 4:26–27.) Si lidhet me heqjen e mëkateve tona urdhërimi që “t’u [japim] nga pasuria [jonë] të varfërve”?

Mosia 4:29–30

Ne duhet të kujdesemi për mendimet, fjalët dhe veprat tona.

  • Nganjëherë duket sikur do të ishte më e lehtë në qoftë se Zoti na jepte një listë të hollësishme për çdo mëkat të mundshëm. Përkundrazi Ai na thotë: “Shikoni veten tuaj … vazhdoni në besim për çfarë ju keni dëgjuar në lidhje me ardhjen e Zotit tonë” (Mosia 4:30). Për ta ndihmuar klasën tuaj që ta diskutojë këtë parim, ju mund të bëni pyetje si këto: Si ndikojnë mendimet, fjalët dhe veprat tona te ne vetë dhe tek të tjerët? Çfarë do të thotë “vazhdoni në besim”? Çfarë këshille mund t’i japim njëri‑tjetrit që të na ndihmojë të “shiko[jmë]” veten tonë?

Mosia 5:1–7

Shpirti i Zotit mund të shkaktojë ndryshim të madh në zemrat tona.

  • Që të filloni një diskutim rreth ndryshimit të pakrahasueshëm që ungjilli i Jezu Krishtit mund të sjellë në jetën tonë, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që të tregojnë disa arsye përse shpesh është e vështirë të bëjmë ndryshime të përhershme në jetën tonë. Më pas ftojini të lexojnë Mosian 5:1–5, duke kërkuar “ndryshim[in e] madh” që përjetuan njerëzit e mbretit Beniamin. Çfarë të vërtetash rreth një ndryshimi të zemrës mësojmë nga përvoja e tyre? Merreni parasysh t’u kërkoni disa anëtarëve të klasës që të tregojnë se si i ka ndihmuar Fryma e Shenjtë që t’i ndryshojnë zemrat e tyre. Ju gjithashtu mund të shihni njërin prej materialeve filmike të sugjeruara te pjesa “Burime Shtesë”.

    Krishti duke shëruar një grua të sëmurë

    Shpëtimtari mund ta ndryshojë zemrën tonë dhe jetën tonë. Duar Shëruese, nga Adam Abram

  • Pas diskutimit të të vërtetave te Mosia 5:1–7 disa anëtarët të klasës mund të pyesin veten përse ndryshimi i tyre i zemrës nuk duket aq i madh ose i menjëhershëm si përvoja e popullit të mbretit Beniamin. Thënia nga Plaku D. Tod Kristoferson te pjesa “Burime Shtesë” i jep përgjigje kësaj pyetjeje. Çfarë mund të mësojmë nga Plaku Kristoferson për kthimin në besim?

Mosia 5:5–15

Perëndia më fton të bëj besëlidhje me Të.

  • Mosia 5:5–15 mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës të kuptojnë bekimet që marrin kur bëjnë dhe mbajnë besëlidhje me Perëndinë. Ju mund t’i ftoni ata që t’i shqyrtojnë këto vargje duke pasur në mendje besëlidhjet e pagëzimit dhe ordinancën e sakramentit dhe të tregojnë se çfarë mësojnë. (Shih edhe DeB 20:77, 79.)

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Shumë anëtarë të klasës suaj mund të jenë duke përjetuar ose mund të kenë përjetuar kohët e fundit një vështirësi ose sprovë vetjake. Thuajuni se te Mosia 7–10 ata do të lexojnë për një grup njerëzish që mësuan se si t’i mirëbesonit Zotit gjatë kohës së tyre të sprovës.

Ndryshimi është shpesh një proces.

Plaku D. Tod Kristoferson foli për ndryshimin e madh të zemrës të përshkruar në shkrimet e shenjta:

“Ju mund të pyesni: ‘Përse ky ndryshim i madh nuk ndodh më shpejt tek unë?’ Ju duhet të kujtoni se shembujt mbresëlënës të popullit të mbretit Beniamin, të Almës dhe të disa të tjerëve në shkrimin e shenjtë, janë pikërisht të tillë – mbresëlënës dhe jo tipikë. Për shumicën prej nesh, ndryshimet janë më graduale dhe ndodhin me kalimin e kohës. Të lindurit rishtas, ndryshe nga lindja jonë fizike, është më shumë një proces sesa një ngjarje. Dhe përfshirja në atë proces është qëllimi kryesor i vdekshmërisë.

Në të njëjtën kohë, le të mos e shfajësojmë veten me një përpjekje rastësore. Le të mos kënaqemi duke ruajtur disa prirje për të bërë keq. Le ta marrim sakramentin me denjësi çdo javë dhe le të vazhdojmë të mbështetemi te Shpirti i Shenjtë që t’i çrrënjosë mbetjet e fundit të papastërtisë brenda nesh. Unë dëshmoj se, ndërsa vazhdoni në shtegun e rilindjes shpirtërore, hiri shlyes i Jezu Krishtit do t’i largojë mëkatet tuaja dhe njollën e atyre mëkateve nga ju, tundimet do ta humbasin tërheqjen e tyre dhe nëpërmjet Krishtit, ju do të bëheni të shenjtë, sikurse Ai dhe Ati ynë janë të shenjtë” (“I Lindur Përsëri”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 78).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Kërkoni shembuj të mirë në shkrimet e shenjta. Teksa e lexoni fjalimin e mbretit Beniamin drejtuar popullit të vet, kërkoni mësime në shembullin e tij që mund t’ju ndihmojnë të bëheni një mësues më i mirë. Për shembull, çfarë bëri mbreti Beniamin për të ditur nëse populli i tij e kuptoi atë që ai po jepte mësim?