“27 Prill – 3 Maj. Mosia 7–10: ‘Në Fuqinë e Zotit’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“27 Prill – 3 Maj. Mosia 7–10”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
27 Prill – 3 Maj
Mosia 7–10
“Në Fuqinë e Zotit”
Ky përvijim mund të jetë një burim i vlefshëm, por duhet ta shtojë, jo ta zëvendësojë, frymëzimin që merrni ndërkohë që studioni kapitujt te Mosia 7–10.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Herë pas here mund të jetë e dobishme të diskutoni si klasë për bekimet që anëtarët e klasës po i marrin ndërkohë që përpiqen fort t’i bëjnë shtëpitë e tyre qendrën e të mësuarit të ungjillit për ta. Cilat vargje nga Mosia 7–10 përsiatën ose diskutuan anëtarët e klasës me familjet e tyre gjatë javës? Si ndikoi kjo në jetën e tyre?
Jepeni Mësim Doktrinën
Nëse kthehemi te Zoti, i mirëbesojmë Atij dhe i shërbejmë Atij, Ai do të na çlirojë.
-
Kur anëtarët e klasës i studiuan vargjet te Mosia 7:14–33, përvojat e popullit të Limhit mund t’i kenë frymëzuar të pendohen dhe të kthehen te Zoti për çlirim. Për të frymëzuar një diskutim ju mund ta ftoni një anëtar/e të klasës të vijë në klasë i/e përgatitur që ta përmbledhë mënyrën se si ra në robëri populli i Limhit. Disa të tjerë mund të tregojnë se çfarë mësuan nga Limhi rreth pasjes së besimit dhe të shpresës te Shpëtimtari. Çfarë mund të mësojmë nga kujtuesit e Limhit për mënyrën se si Perëndia e ka çliruar popullin e Tij? (Shih vargjet 19–20.) Mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të tregojnë rrëfime nga shkrimet e shenjta ose nga përvojat vetjake që i kanë frymëzuar të mirëbesojnë te Perëndia.
-
Anëtarët e klasës suaj kanë mundësi t’i frymëzojnë të tjerët që të kthehen te Perëndia kur janë në robërinë e mëkatit ose duke vuajtur nga hidhërime të tjera. Ndoshta do të jetë e dobishme për ta që të studiojnë mënyrën se si Limhi e frymëzoi popullin e vet. Fillimisht ata mund të lexojnë përshkrimin te Mosia 7:20–25 për robërinë e popullit të Limhit dhe të mendojnë për dikë që e njohin, i cili po përballet me robërinë e mëkatit. Më pas ata mund të përcaktojnë të vërtetat që Limhi dha mësim te Mosia 7:18–20, 33 për ta ndihmuar popullin e tij. Si mund ta ndjekim shembullin e Limhit kur i nxitim njerëzit tanë të dashur që t’i mirëbesojnë Perëndisë?
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta kuptojnë më mirë ndihmën që Perëndia na e jep në vështirësi, ju mund të këndoni së bashku dhe të diskutoni për himnin “Shëlbues i Izraelit” (Himne, nr. 6) ose një këngë tjetër që përshkruan se si na çliron Shpëtimtari. Çfarë shtojnë tek të kuptuarit tonë Mosia 7:17–20, Ethëri 12:27 dhe 2 Korintasve 12:7–10? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja në të cilat ata u çliruan nga Zoti, edhe pse në mënyra të vogla, ngaqë treguan besim tek Ai.
Njeriu është krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë.
-
Në këto vargje Limhi shpjegoi disa prej të vërtetave të dhëna mësim nga Abinadi, të cilat ishin të vështira për t’u pranuar nga njerëzit. Çfarë të vërtetash mund të përcaktojnë anëtarët e klasës në këto vargje? Si ndikojnë këto të vërteta në mënyrën se si e shohim Perëndinë dhe veten tonë?
Zoti jep profetë, shikues dhe zbulues në dobi të njerëzimit.
-
Amoni pati mundësi t’i shpjegonte Limhit rolin e një shikuesi dhe të dëshmonte për rëndësinë e profetëve, shikuesve dhe zbuluesve. Ju mund të doni të sqaroni se në kohën tonë Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve mbështeten si profetë, shikues dhe zbulues. Si mund të flasim ne me guxim, sikurse Amoni, rreth nevojës që kemi për profetë, shikues dhe zbulues? (Shih Mosia 8:13–18.) Ndoshta anëtarët e klasës mund të planifikojnë një publikim në mjetet e komunikimit shoqëror, i cili do t’i ndihmonte të tjerët të kuptonin rolin e një profeti, shikuesi dhe zbuluesi në kohën tonë. Çfarë dëgjuam në konferencën e përgjithshme më të fundit që mund t’ua tregonim miqve, pjesëtarëve të familjes dhe fqinjëve tanë për t’i mësuar rreth nevojës për profetë?
-
Si rrjedhojë e leximit të vargjeve te Mosia 8:12–19, ju apo anëtarë të tjerë të klasës mund të doni të shprehni dëshminë tuaj për profetët, siç bëri Amoni, ose mirënjohjen tuaj për zbulesën që vjen nëpërmjet profetëve, siç bëri Limhi (shih Mosia 8:19).
-
Profeti Jozef Smith është shikuesi që qëndron në krye të kësaj periudhe ungjillore (shih DeB 21:1). Ju mund të doni t’u kërkoni anëtarëve të klasës të tregojnë atë që mësojnë nga përshkrimi i Amonit për një shikues (shih Mosia 8:13–18). Më pas ju mund të diskutoni mbi mënyrat se si Jozef Smithi ishte një shikues. (DeB 135:3 dhe Moisiu 6:36C 135:3 and Moses 6:36 mund të jenë të dobishme në këtë diskutim.)
Ne mund të përballemi me sfidat tona “në fuqinë e Zotit”.
-
Fraza “në fuqinë e Zotit” shfaqet dy herë në analin e Zenifit për popullin e tij dhe betejat e tyre me lamanitët – te Mosia 9:14–19 dhe 10:6–10. Ndoshta anëtarët e klasës mund t’i shqyrtojnë këto vargje dhe të tregojnë atë që mendojnë se do të thotë kjo frazë. Si e marrim ne “fuqinë e Zotit”? Nxitini anëtarët e klasës të tregojnë përvoja në të cilat në fuqinë e Zotit ata u përballën me sukses me sfidat.
Zgjedhjet tona mund të ndikojnë në shumë breza.
-
Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të lexojnë në heshtje te Mosia 10:11–17 dhe të kërkojnë mënyrat se si u ndikuan lamanitët nga zgjedhjet dhe bindjet e paraardhësve të tyre. Çfarë sugjeron kjo rreth ndikimeve që mund të kenë zgjedhjet tona mbi të tjerët? Si do të donim që të përshkruheshin vetja jonë dhe familjet tona pas një ose dy brezash? Ndoshta anëtarët e klasës mund t’i shkruajnë disa prej gjërave që do të donin të përfshiheshin në një përshkrim të tillë.
-
Një mësim i thjeshtë me sende – i tillë si një rresht me domino – mund të ndihmojë që të ilustrohen ndikimet që mund të kenë zgjedhjet e njerëzve mbi pasardhësit e tyre. Më pas mund t’i ftoni anëtarët e klasës të lexojnë te Mosia 10:11–17 dhe të diskutojnë për mënyrën se si bindjet dhe sjelljet e lamanitëve u ndikuan thellësisht nga zgjedhjet e paraardhësve të tyre të bëra shekuj më parë. Historia e Plakut Donald L. Hallstrom, që gjendet te pjesa “Burime Shtesë”, është një shembull tjetër që mund ta tregoni. Ndoshta anëtarët e klasës mund të mendojnë për ngjarje nga jeta e tyre ose historia e tyre familjare që tregojnë rreth një njeriu të drejtë që ndikoi te brezat për mirë.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Këtë javë anëtarët e klasës mësuan rreth ndikimit negativ që patën zgjedhjet e lamanitëve mbi fëmijët e tyre. Vërini në dijeni anëtarët e klasës se te Mosia 11–17 ata do të lexojnë rreth një individi drejtësia e të cilit e ndryshoi jetën e shumë njerëzve.
Burime Shtesë
Vendimet tona mund të ndikojnë në shumë breza.
Plaku Donald L. Hallstrom tregoi se si besnikëria e gjyshërve të tij i bekoi brezat e ardhshëm:
“Gjyshërit e mi nga babai kishin dy fëmijë, një djalë (babai im) dhe një vajzë. … [Bija e tyre] u martua në 1946 dhe katër vjet më vonë po priste një fëmijë. Ka diçka shumë të veçantë për prindërit të presin që vajza (në këtë rast një vajzë e vetme) të lindë për herë të parë. Askush nuk e dinte se ajo kishte binjakë. Mjerisht, ajo dhe binjakët, të gjithë vdiqën gjatë lindjes.
Gjyshërve të mi iu dërrmua zemra. Pikëllimi i tyre, sidoqoftë, menjëherë i ktheu ata drejt Zotit dhe Shlyerjes së Tij. Pa qëndruar në atë se si mundi të ndodhte kjo dhe kush mund të fajësohej, ata u përqendruan në të jetuarit e një jete të drejtë. Gjyshërit e mi kurrë nuk patën pasuri; ata kurrë nuk qenë midis elitës shoqërore; ata kurrë nuk patën pozitë të lartë në Kishë – ata ishin thjesht shenjtorë të devotshëm të ditëve të mëvonshme. …
Besnikëria e gjyshit Art dhe e gjyshes Lu, veçanërisht kur përballeshin me vështirësi, ka ndikuar tani katër breza që kanë pasuar. Drejtpërdrejt dhe thellësisht, ajo ndikoi birin e tyre (babanë tim) dhe nënën time kur vajza e vetë prindërve të mi, fëmija e tyre më e vogël, vdiq për shkak të ndërlikimeve që ndodhën gjatë lindjes. Në moshën 34‑vjeçare, ajo vdiq dhjetë ditë pas lindjes së fëmijës, duke lënë 4 fëmijë, me moshë nga 10 ditësh deri në 8 vjeç. Me shembullin që kishin parë në brezin e mëparshëm, prindërit e mi – pa ngurrim – u drejtuan nga Zoti për lehtësim” (“Kthehu te Zoti”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 78–79).