“4–10 Maj. Mosia 11–17: ‘Një Dritë … Që Nuk Mund të Errësohet Kurrë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“4–10 Maj. Mosia 11–17”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
4–10 Maj
Mosia 11–17
“Një Dritë … Që Nuk Mund të Errësohet Kurrë”
Merreni parasysh shembullin që dha Abinadi lidhur me mësimdhënien e ungjillit. Çfarë gjeni te Mosia 11–17 që mund t’ju ndihmojë të bëheni mësues më të mirë?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’i lejuar anëtarët e klasës të tregojnë diçka që e mësuan në studimin e tyre vetjak ose familjar të shkrimeve të shenjta, ju mund t’i ftoni të plotësojnë fjalinë vijuese: Nëse do të zgjidhja një varg nga Mosia 11–17 për t’ia treguar një njeriu të dashur, ai varg do të ishte .
Jepeni Mësim Doktrinën
Ne mund ta mbrojmë të vërtetën edhe kur qëndrojmë të vetëm.
-
Ndonëse nuk ka të ngjarë që anëtarët e klasës suaj do të kërcënohen me vdekje për dëshmitë e tyre, ata mund të përballen me kundërshtim për shkak të bindjeve të tyre. Ndoshta ata mund të gjejnë ngjarje ose fragmente te Mosia 11–13 dhe 17 që u japin më shumë kurajë për ta mbrojtur të vërtetën. Çfarë u dha Abinadit dhe Almës kurajë për të qenë të guximshëm? Si mund të jemi më të vendosur dhe më të qëndrueshëm në mbrojtjen e së vërtetës? Citimet te pjesa “Burime Shtesë” mund të japin disa ide.
-
Për ta ndihmuar klasën tuaj të mësojë nga shembuj të tjerë të mbrojtjes me kurajë të së vërtetës, ju mund të shkruani në tabelë Njerëz që e Mbrojtën të Vërtetën. Ju mund të filloni me një diskutim rreth Abinadit, duke i ftuar anëtarët e klasës të tregojnë disa gjëra që u lanë mbresa rreth Abinadit kur lexuan për të këtë javë. Më pas, ata mund të përmendin – nga shkrimet e shenjta, familjet e tyre apo përvojat e tyre vetjake – burra dhe gra të tjera që ata mendojnë se janë shembuj për mbrojtjen e së vërtetës. Çfarë ndihemi të frymëzuar të bëjmë për shkak të këtyre shembujve?
Kur e studiojmë fjalën e Perëndisë, ne kemi nevojë të përdorim zemrat tona që të kuptojmë.
-
Ndërsa e studiuan Mosian 12:19–37 këtë javë, anëtarët e klasës mund të kenë pasur ide lidhur me çfarë do të thotë të përdorim zemrat tona për ta kuptuar fjalën e Perëndisë. Merreni parasysh t’u kërkoni disave prej tyre që t’i tregojnë idetë e tyre. Ose ndofta ju mund të shfrytëzoni disa minuta kohë në orën mësimore për t’i shqyrtuar së bashku këto vargje dhe për të diskutuar atë çfarë sugjerojnë ato për mënyrën se si mund ta bëjmë më kuptimplotë studimin e ungjillit. Për shembull, përse është e rëndësishme që edhe ta kuptojmë ligjin e Perëndisë, edhe ta “zbato[jmë] atë”? (Mosia 12:29.)
-
Çfarë mund të mësojnë anëtarët e klasës suaj nga krahasimi i qëndrimeve dhe zakoneve të priftërinjve të Noeut me mënyrën se si duhet ta bëjmë studimin tonë vetjak të ungjillit? Ftojini që ta lexojnë Mosian 12:19–37, duke kërkuar kritikat që ngriti Abinadi për priftërinjtë e Noeut. Çfarë mund të thoshte Abinadi për studimin e ungjillit prej nesh sot? Kërkojuni anëtarëve të klasës të tregojnë se çfarë bëjnë që i ndihmon ta përdorin zemrën e tyre për të kuptuar dhe për t’i dhënë domethënie më të madhe të mësuarit të ungjillit prej tyre.
Shpëtimi vjen nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij.
-
Për ta bindur një publik dyshues për ardhjen e Mesias, Abinadi citoi një profeci emocionuese nga Isaia (shih Mosia 14). Ka disa mënyra se si anëtarët e klasës mund ta shqyrtojnë këtë kapitull. Ata mund të lexojnë nga disa vargje njëherësh dhe të diskutojnë për to, ose ju mund ta ndani klasën në grupe të vogla diskutimi që të flasin për vargjet domethënëse, përfshirë poshtëshënimet, për të zbuluar ide shtesë. Nxitini të tregojnë atë që mësojnë rreth Shpëtimtarit nga ky kapitull.
-
A e kuptojnë anëtarët e klasës suaj se çfarë do të thotë që Jezu Krishti i “plotës[oi] kërkesat e drejtësisë”? (Mosia 15:9.) Për t’i ndihmuar që të arrijnë një kuptueshmëri më të mirë, ju mund të filloni duke lexuar së bashku “Drejtësi” dhe “Mëshirshëm (I), Mëshirë” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Ndoshta dikush mund të dalë vullnetar për të shkruar në tabelë një përkufizim të shkurtër për secilin term. Pastaj ju mund ta lexoni së bashku Mosian 15:1–9. Si i plotësoi Jezu Krishti kërkesat e drejtësisë? Si na e ofron Ai mëshirën e Tij? Ftojini anëtarët e klasës që të mendojnë për analogji që e ilustrojnë mënyrën se si Jezu Krishti i plotësoi kërkesat e drejtësisë.
Urdhërimet duhet të jenë të shkruara në zemrat tona.
-
Ju mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës ta kuptojnë se sa me rëndësi është që t’i kemi urdhërimet të “shkruar[a] në zemrat t[ona]”, duke i pyetur se çfarë mendojnë se do të thotë kjo frazë. Më pas, ftojini t’i krahasojnë urdhërimet që dha mësim Abinadi te Mosia 12:33–37 dhe 13:11–26 me mëkatet që po kryenin mbreti Noe dhe populli i tij (shih Mosia 11:1–7, 14–15). Si ndryshon të pasurit e urdhërimeve të “shkruar[a] në zemrat t[ona]” nga thjesht të njohurit e tyre? (Mosia 13:11.) Si e marrim vesh nëse urdhërimet janë të shkruara në zemrat tona? Çfarë shembujsh mund të tregojmë?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
A janë ndier ndonjëherë anëtarët e klasës sikurse mund të ishte ndier Abinadi – që përpjekjet e tyre për të folur për ungjillin ishin pa dobi? Tregojuni se te Mosia 18–26 ata do të lexojnë për frytin e begatë të përpjekjeve të Abinadit.
Burime Shtesë
Mësime profetike për mbrojtjen e së vërtetës.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit janë të gatshëm të ngulmojnë, ta ngrenë zërin dhe të jenë të ndryshëm nga njerëzit e botës. … Nuk ka asgjë të lehtë ose të vetvetishme në të bërit dishepuj të tillë të fuqishëm. Përqendrimi ynë duhet të ngulitet te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij. Kërkon një përpjekje të madhe mendore që të shohësh tek Ai në çdo mendim. Por kur ne e bëjmë këtë, dyshimet tona dhe frika jonë largohen” (“Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 40–41).
Presidenti Tomas S. Monson tha: “Qofshim ne gjithmonë të guximshëm dhe të përgatitur që të qëndrojmë për atë që besojmë, dhe nëse do të na duhet të qëndrojmë vetëm në këtë proces, e bëfshim këtë me guxim, të forcuar nga njohuria se në të vërtetë ne nuk jemi kurrë vetëm kur ne qëndrojmë për Atin tonë në Qiell” (“Kini Guxim të Qëndroni Vetëm”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 67).
Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim: “Pali i shkroi Timoteut: ‘… Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie. Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë’ (2 Tim. 1:7–8). Dëshiroj që çdo anëtar i kësaj kishe do t’i vendoste ato fjalë atje ku mund t’i shohë çdo mëngjes kur e fillon ditën e vet. Ato do të na japin kurajën për të folur, do të na japin besimin që të përpiqemi, do ta forcojnë bindjen tonë ndaj Zotit Jezu Krisht” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Gordon B. Hinkli [2016], f. 348–349).