Eja, Më Ndiq
18–24 Maj. Mosia 25–28: “Ata u Quajtën Populli i Perëndisë”


“18–24 Maj. Mosia 25–28: ‘Ata u Quajtën Populli i Perëndisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“18–24 Maj. Mosia 25–28”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020

engjëlli i shfaqet Almës dhe bijve të Mosias

Kthimi në Besim i Alma të Riut, nga Gary L. Kapp

18–24 Maj

Mosia 25–28

“Ata u Quajtën Populli i Perëndisë”

Mënyra më e mirë për t’u përgatitur që të jepni mësim rreth Mosias 25–28 është që t’i lexoni këta kapituj dhe të jetoni sipas parimeve që na mësojnë. Kur e bëni atë, Shpirti mund t’ju frymëzojë të jepni mësim atë që do të jetë më e rëndësishme për anëtarët e klasës suaj.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Disa anëtarë të klasës mund të kenë vështirësi që të bëjnë studim të vazhdueshëm vetjak dhe familjar të shkrimeve të shenjta. A do të ndihmonin përvojat e anëtarëve të tjerë të klasës? Ndoshta ju mund ta filloni orën tuaj mësimore duke i ftuar anëtarët e klasës të tregojnë diçka që bënë në studimin e tyre vetjak apo familjar që shkoi mirë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Mosia 26:15–31; 27:23–37

Perëndia i fal bujarisht ata që pendohen.

  • Pendimi dhe falja janë tema që përsëriten në këta kapituj. Ju mund t’i shqyrtoni këto tema duke shkruar në tabelë Pendim e Falje dhe duke u kërkuar anëtarëve të klasës të renditin nën ata tituj atë që u vjen në mendje kur mendojnë për këto fjalë. Më pas ata mund të kërkojnë te Mosia 26:22–24, 29–31 dhe 27:23–37 fjalë dhe fraza që u mësojnë rreth pendimit dhe faljes. Anëtarët e klasës mund t’ia shtojnë këto fjalë dhe fraza listave në tabelë. Si ndihet Perëndia për ata që pendohen dhe kërkojnë falje?

  • Disa njerëz mund të pyesin veten nëse pendimi i tyre ka qenë i mjaftueshëm që Perëndia t’i falë ata. Për ta ndihmuar ndonjë [person] në klasën tuaj që mund të ndihet në atë mënyrë, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që të përfytyrojnë sikur janë Alma Plaku dhe se një anëtar/e i/e Kishës në Zarahemla i ka pyetur për mënyrën se si të marrë falje për mëkatet e tij apo të saj (ndofta ju mund ta interpretoni me role këtë skenar). Çfarë mësoi Alma nga Zoti te Mosia 26:15–31 që mund ta ndihmojë këtë anëtar/e të Kishës? (Shih edhe Moroni 6:8; DeB 58:42–43.) Kjo thënie nga Presidenti Henri B. Ajring mund të ndihmojë gjithashtu: “Nëse e keni ndier ndikimin e Frymës së Shenjtë sot, ju mund ta merrni atë si provë që Shlyerja po vepron në jetën tuaj” (“Gifts of the Spirit for Hard Times”, Ensign, qershor 2007, f. 23).

Mosia 27:8–24

Perëndia i dëgjon lutjet tona dhe do t’u përgjigjet atyre sipas vullnetit të Tij.

  • Shumë prej nesh mund t’i mirëkuptojnë ndjenjat e Alma Plakut, biri i të cilit “ngrin[te] krye kundër Perëndisë” (Mosia 27:11). Ndoshta anëtarët e klasës mund të diskutojnë për mënyrën se si mund ta përdorin rrëfimin te Mosia 27:8–24 për t’i dhënë shpresë dikujt që ka një anëtar familjeje që është larguar nga ungjilli. Duke e kuptuar se ne nuk mund të kërkojmë një mrekulli apo ta shkelim lirinë e zgjedhjes së një personi, për çfarë mund të lutemi në mënyrë të përshtatshme kur një njeri i dashur shkon në udhë të gabuar? (Shih edhe Alma 6:6.)

Mosia 27:8–28:4

Të gjithë burrat dhe gratë duhet të lindin rishtas.

  • Ja disa pyetje që mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës të mësojnë për lindjen rishtas: Çfarë do të thotë të rilindësh shpirtërisht? (Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Kthim, Kthyer (I)”.) Si përpiqemi të sillemi me të tjerët kur ne rilindim shpirtërisht? Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës t’u përgjigjen këtyre pyetjeve, ju mund t’i ftoni të kërkojnë te Mosia 27:22–28:4 tregues që Alma dhe bijtë e Mosias kishin rilindur shpirtërisht.

  • Çdo njeri ka një histori të kthimit në besim, sepse siç tha Alma: “I gjithë njerëzimi … duhet të lind[ë] rishtas” (Mosia 27:25; theksimi i shtuar). Ndofta disa anëtarë të klasës mund të tregojnë për mënyrën se si u kthyen në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit – qoftë nëpërmjet ngjarjeve të fuqishme shpirtërore në jetën e tyre apo nëpërmjet një procesi të shkallëzuar, ndonjëherë të pandjeshëm, që mund të dallohet vetëm pasi ka ndodhur. Ju gjithashtu mund t’u jepni kohë anëtarëve të klasës në orën mësimore që t’i shënojnë përvojat e tyre. (Nëse nuk ka kohë për ta bërë këtë në orën mësimore, ju mund të sugjeroni që ata ta bëjnë atë në shtëpi.) Për të theksuar që kthimi ynë në besim duhet të jetë një proces i vazhdueshëm, ju mund të sugjeroni që anëtarët e klasës ta shqyrtojnë herë pas here atë që shkruan, dhe të shtojnë përvoja të reja.

  • Alma dhe të tjerë gjatë gjithë shkrimeve të shenjta e kanë përdorur metaforën e të lindurit rishtas për të përshkruar ndryshimin që sjell ungjilli i Jezu Krishtit në jetën tonë. Plaku Dejvid A. Bednar e krahasoi këtë ndryshim me kthimin e trangullit në turshi (shih “Burime Shtesë”). Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të përsiatin atë që na mësojnë këto krahasime për kthimin në besim, ju mund të sillni një trangull dhe një turshi në klasë. Ose ju mund ta ftoni dikë të sjellë një foshnjë dhe të diskutojë për arsyet përse lindja është një analogji e mirë për atë që u ndodhi Almës dhe bijve të Mosias. (Shih Mosia 27:23–28:7.)

Alma i Riu duke u mbartur për te shtëpia e atit të tij

Ati i Tij u Gëzua, nga Walter Rane

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës ta lexojnë Mosian 29–Alma 4 javën e ardhshme, ju mund t’u përmendni atyre se në këta kapituj, popullit të Nefit iu dha një zë në qeverisjen e tyre. Çfarë mund të mësojmë nga përvojat e tyre ndërsa përpiqemi të ndikojmë për mirë në komunitetet tona?

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Një proces që zgjat gjithë jetën.

Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim: “Të lindurit rishtas, ndryshe nga lindja jonë fizike, është më shumë një proces sesa një ngjarje. Dhe angazhimi në këtë proces është qëllimi kryesor i jetës në vdekshmëri” (“I Lindur Përsëri”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 78).

Kthimi në besim dhe turshitë.

Plaku Dejvid A. Bednar dha analogjinë në vijim duke e krahasuar rilindjen shpirtërore me kthimin e trangujve në turshi:

“Një turshi është një trangull që është shndërruar sipas një recete dhe një sërë hapash të caktuara. Hapat e parë të procesit të ndryshimit të trangujve në turshi, janë përgatitja dhe pastrimi. …

Hapat vijues në këtë proces ndryshimi janë zhytja dhe ngopja në shëllirë të kripur e trangujve për një periudhë të gjerë kohore. … Trangujt bëhen turshi vetëm nëse janë tërësisht dhe krejtësisht të zhytur në shëllirë për periudhën kohore që këshillohet. Procesi ruajtës dalëngadalë e tjetërson përbërjen e trangullit dhe krijon pamjen e tejdukshme dhe shijen karakteristike të turshisë. Spërkatja ose njomja hera-herës në shëllirë, nuk sjell shndërrimin që nevojitet. Më tepër se kaq, kërkohet zhytje afatgjatë, e qëndrueshme dhe e plotë, që të ndodhë ndryshimi i dëshiruar.

Hapi përfundimtar i procesit kërkon vulosjen e turshive për ruajtje nëpër kavanoza që janë sterilizuar e pastruar mirë. Turshitë ambalazhohen në kavanoza konservimi, përplot me shëllirë përvëluese dhe këto përpunohen brenda një kazani me ujë vlues. Duhen hequr të gjitha papastërtitë, edhe prej turshive, edhe prej shisheve, që prodhimi përfundimtar të jetë i mbrojtur dhe të ruhet. …

Ashtu siç duhet përgatitur e pastruar një trangull para se të kthehet në turshi, po ashtu unë dhe ju mund të përgatitemi me ‘fjalët e besimit dhe të mësimit të mirë’ (1 Timoteut 4:6) dhe të pastrohemi fillimisht përmes ordinancave e besëlidhjeve që administrohen nga autoriteti i Priftërisë Aarone. …

Ashtu siç shndërrohet një trangull në turshi kur zhytet dhe ngopet me shëllirë, ashtu unë dhe ju lindim sërish kur përthithemi nga ungjilli i Jezu Krishtit dhe në brendësinë e tij. … Kjo fazë e procesit të shndërrimit kërkon kohë, ngulmim dhe durim. …

… Përpunimi me banjë uji të vluar lejon që trangujt edhe të mbrohen, edhe të ruhen për një kohë të gjatë. Në ngjashmëri me këtë, ne pastrohemi dhe shenjtërohemi gjithnjë e më mirë atëherë kur ju dhe unë lahemi në gjakun e Qengjit, kur lindim sërish dhe kur marrim ordinancat e i nderojmë besëlidhjet që administrohen nga autoriteti i Priftërisë Melkizedeke” (“Duhet të Lindni Sërish”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 19–21; [Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 19–22]).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përgatituni duke pasur njerëz në mendje. “Kur përgatiteni, le t’i udhërrëfejë planet tuaja kuptueshmëria juaj për njerëzit, të cilëve u jepni mësim. … Mësuesit si Krishti nuk zotohen ndaj një stili apo metode të caktuar; ata zotohen që t’i ndihmojnë njerëzit për të ndërtuar besim në Jezu Krishtin dhe për t’u bërë më shumë si Ai” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 7).