Eja, Më Ndiq
11–17 Maj. Mosia 18–24: “Ne Kemi Hyrë në një Besëlidhje me Të”


“11–17 Maj. Mosia 18–24: ‘Ne Kemi Hyrë në një Besëlidhje me Të’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“11–17 Maj. Mosia 18–24”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020

populli i Limhit duke u arratisur

Minerva K. Teichert (1888–1976), Arratisja e Mbretit Limhi dhe Popullit të Tij, 1949–1951, vaj në dru të presuar, 91 x 121 cm. Muzeu i Arteve i Universitetit “Brigam Jang”, 1969

11–17 Maj

Mosia 18–24

Ne Kemi Hyrë në një Besëlidhje me Të

Ndërsa lexoni kapitujt te Mosia 18–24, mendoni rreth individëve të cilëve u jepni mësim. Çfarë dini për ta? Fryma e Shenjtë mund t’i frymëzojë mendimet tuaja dhe t’ju ndihmojë të përcaktoni të vërteta të ungjillit që do të jenë më domethënëset për ta.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini anëtarët e klasës të sugjerojnë disa parime ose thënie të së vërtetës që i gjetën gjatë studimit të kapitujve te Mosia 18–24 prej tyre. (Disa parime renditen në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.) Nxitini të tregojnë vargje nga Mosia 18–24 që na i mësojnë këto parime. Çfarë përvojash kanë pasur ata me këto të vërteta?

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Mosia 18:1–16

Pagëzimi përfshin një besëlidhje për t’i shërbyer Perëndisë dhe për të qëndruar si dëshmitar i Tij.

  • Kur të lexoni te Mosia 18 dhe të përgatiteni që të jepni mësim, ju mund të ndiheni të frymëzuar t’i ndihmoni anëtarët e klasës suaj ta shqyrtojnë besëlidhjen e tyre të pagëzimit dhe të përsiatin për të. Ja një mënyrë se si mund ta bëni këtë: Ftojini anëtarët e klasës të punojnë së bashku për të renditur në tabelë sa më shumë fraza që mund të kujtojnë në lidhje me përshkrimin nga Alma të besëlidhjes së pagëzimit. Kur të kenë mbaruar, anëtarët e klasës mund të lexojnë te Mosia 18:8–10 dhe t’u shtojnë listave çfarëdo që mund të mungojë. (Ata gjithashtu mund të shtojnë fraza nga DeB 20:37, 77 dhe 79.) Mund të jetë e dobishme t’i pyetni për kuptimin që ka secila frazë dhe për atë që mund të bëjnë për ta mbajtur atë pjesë të besëlidhjes së pagëzimit. Si na bekon Zoti kur përpiqemi fort ta mbajmë pjesën tonë të besëlidhjes?

  • Kur pasuesit e Almës po përgatiteshin që të pagëzoheshin, Alma u mësoi se hyrja “në grigjën e Perëndisë” kërkonte bërjen e një besëlidhjeje për ta ndjekur Perëndinë dhe për t’u kujdesur për fëmijët e Tij (shih Mosia 18:8–9). Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja kur ata vetë ose dikush që e njohin, u forcuan prej një personi tjetër që e përmbushi besëlidhjen e pagëzimit të përshkruar te Mosia 18:8–10. Për shembull, kur i ka ngushëlluar apo ndihmuar dikush ata që t’i durojnë barrët e tyre? Si na kanë frymëzuar këto përvoja që ta mbajmë besëlidhjen tonë? Ju mund t’u kujtoni gjithashtu anëtarëve të klasës për mënyrën se si Abinadi qëndroi “si dëshmitar [i] Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (vargu 9). Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i tij ndërsa përpiqemi ta përmbushim këtë pjesë të besëlidhjes sonë të pagëzimit?

pagëzim në oqean

Kur pagëzohemi, ne bëjmë besëlidhje për t’u shërbyer Perëndisë dhe të tjerëve.

Mosia 18:17–31

Populli i Perëndisë është i bashkuar.

  • Mosia 18:17–31 përshkruan urdhërimet që Alma i dha popullit të vet për t’i ndihmuar që të arrinin të ishin të bashkuar si anëtarë të Kishës së Krishtit. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të mendojnë se si këto urdhërime zbatohen për ta, ju mund t’u kërkoni që t’i shqyrtojnë këto vargje në grupe të vogla dhe të bëjnë një listë të urdhërimeve që gjejnë. Si mund t’i ndihmojë zbatimi i këtyre urdhërimeve anëtarët e lagjes që të ndihen më të bashkuar? A ka ndonjë synim që mund ta caktojnë anëtarët e klasës suaj individualisht ose si grup për ta ndjekur shembullin e popullit të Almës?

  • Disa njerëz e pyetin veten se përse kemi nevojë për një kishë? Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të vizatoni në tabelë një skicë të një ndërtese të Kishës dhe ta shkruani këtë pyetje nën të. Anëtarët e klasës më pas mund të shqyrtojnë vargjet te Mosia 18:17–31 dhe të shkruajnë në tabelë përgjigje të mundshme që gjejnë në këto vargje. Ata gjithashtu mund të gjejnë përgjigje në fragmentin nga biseda e Plakut Kristoferson te pjesa “Burime Shtesë”. Ndoshta ju mund t’i lini disa anëtarë të klasës të interpretojnë me role mënyrën se si do t’i përgjigjeshin një miku që nuk beson se një kishë e organizuar është e nevojshme. Përse jemi ne mirënjohës që i përkasim Kishës?

  • Ndërkohë që neve do të na pëlqente të mendonim se çdo njeri ndihet i mirëpritur në kishë, fatkeqësisht, jo çdokush ndihet i mirëpritur. Çfarë mësojmë nga populli i Almës te Mosia 18:17–31 që mund të na ndihmojë të krijojmë një vend ku të gjithë ta ndiejnë se ata përkasin aty?

Mosia 21–24

Zoti mund t’i lehtësojë barrët tona.

  • Barrët që mbartin anëtarët e klasës suaj, janë të ndryshme nga ato që duruan populli i Limhit apo populli i Almës ndërkohë që ishin në robëri. Por mesazhet e këtyre rrëfimeve zbatohen për këdo që ndihet i rraskapitur nga fatkeqësia apo rrethanat e vështira. Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë atë që mësojnë nga Mosia 21–24 rreth mënyrës se si Perëndia mund të na ndihmojë mes sprovave tona. (Për një përmbledhje të shkurtër të këtyre rrëfimeve, shih L. Tom Peri, “Fuqia e Çlirimit”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 94–97.) Anëtarët e klasës mund të tregojnë gjithashtu raste kur ata, ashtu si populli i Almës, përjetuan përmbushjen e premtimit të Perëndisë që Ai do t’i lehtësonte barrët e tyre dhe do t’i vizitonte ata në pikëllimet e tyre (shih Mosia 24:14).

  • Mund të jetë kuptimplote për anëtarët e klasës të kalojnë disa minuta kohë duke shkruar sfidat vetjake me të cilat janë përballur dhe të përsiatin mënyrat se si Zoti i ndihmon që t’i mbajnë barrët e tyre. A ka fragmente nga Mosia 21–24 që i frymëzojnë të kthehen te Zoti gjatë fatkeqësisë? Si lidhet premtimi i Zotit ndaj popullit të Almës te Mosia 24:14 me besëlidhjen që bëjmë ne me Zotin në pagëzim? (Shih Mosia 18:8–10.)

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës të lexojnë te Mosia 25–28, kërkojuni të mendojnë për dikë që e njohin, i cili është larguar nga udha e ungjillit. U thoni se ndërsa i lexojnë këta kapituj, ata mund të gjejnë ide për mënyrën se si ta ndihmojnë atë person të rikthehet.

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Përse kemi nevojë për Kishën?

Plaku D. Tod Kristoferson tha: “E kuptoj se ka nga ata njerëz të cilët e konsiderojnë veten fetarë ose shpirtërorë e megjithatë nuk e pranojnë pjesëmarrjen në një kishë ose edhe nevojën për një institucion të tillë. Për ta, praktika fetare është krejtësisht vetjake. Prapëseprapë, Kisha është krijimi i Atij në të cilin përqendrohet shpirtshmëria jonë – Jezu Krishtit. Ia vlen të ndalemi për të marrë parasysh arsyen përse Ai zgjedh që të përdorë një kishë, Kishën e Tij, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, për të kryer veprën e Tij dhe veprën e Atit të Tij.”

Plaku Kristoferson më pas foli për arsyet përse Zoti e ka organizuar Kishën (shih “Përse Kisha”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 108–111):

  • “Që … të predikohet lajmi i mirë i ungjillit të Jezu Krishtit dhe të administrohen ordinancat e shpëtimit – me fjalë të tjera, të sillen njerëzit te Krishti.”

  • “Që të krijojë një komunitet shenjtorësh që do ta mbështetin njëri‑tjetrin në ‘shteg[un] e ngushtë dhe të ngushtuar që të çon në jetën e përjetshme’ [2 Nefi 31:18]. … Të bashkuar në besim, ne japim mësim dhe e ngremë njëri‑tjetrin moralisht dhe përpiqemi të arrijmë masën e plotë të dishepullimit.”

  • Që të “ofroj[ë] një mbledhje çlodhjeje dhe ripërtëritjeje çdo javë, një kohë dhe vend për ta lënë botën pas – Shabatin”.

  • “Që të arrijë gjërat e nevojshme që nuk mund të plotësohen nga individë ose grupe më të vogla [përfshirë] përballimi[n e] varfërisë, … çuar[jen e] ungjilli[t] në të gjithë botën, … ndërt[imin] dhe vë[nien] në funksionim [të] tempuj[ve], shtëpi[ve të] Zotit, ku ordinancat dhe besëlidhjet jetike të mund të administrohen.”

  • Që të vërë në dispozicion çelësat e priftërisë, me të cilat “drejtuesit e priftërisë të Kishës ruajnë pastërtinë e doktrinës së Shpëtimtarit dhe paprekshmërinë e ordinancave të Tij shpëtuese, … ndihmojnë të përgatiten njerëzit që dëshirojnë t’i marrin ato, gjykojnë kualifikimin dhe denjësinë e atyre që i përdorin, dhe më pas i kryejnë ato … [dhe] përcaktojnë si të vërtetën edhe pavërtetësinë”.