Fuqia e Çlirimit
Ne mund të çlirohemi nga mënyrat mëkatare dhe ligësia duke u kthyer te mësimet e shkrimeve të shenjta.
Kam një mik shumë të mirë, i cili më dërgon nga një kravatë të re për ta vënë gjatë sesionit që flas në çdo konferencë të përgjithshme. Ka shije perfekte, a jeni dakord?
Miku im i ri ka disa sfida të vështira. Në disa mënyra ato e kufizojnë atë, por në mënyra të tjera ai është i jashtëzakonshëm. Për shembull, guximi i tij si misionar mund të krahasohet me atë të bijve të Mosias. Thjeshtësia e besimit që ka, i bën bindjet e tij tepër të forta dhe të qëndrueshme. Besoj se në mendjen e Skotit është e paimagjinueshme që jo çdokush është anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe që jo çdokush e ka lexuar Librin e Mormonit dhe ka një dëshmi të vërtetësisë së tij.
Më lejoni t’ju tregoj një ngjarje nga jeta e Skotit, kur ai po bënte udhëtimin e tij të parë vetëm me avion për të vizituar të vëllanë. Një fqinj, që ishte ulur pranë, dëgjoi padashur bisedën e Skotit me një person të ulur të krah të tij:
“Përshëndetje, emri im është Skot. Po ju, si quheni?”
Personi i ulur për krah i tha emrin e tij.
“Me çfarë merreni?”
“Jam inxhinier.”
“Bukur. Ku banoni?”
“Në Las Vegas.”
“Ne kemi një tempull atje. A e dini se ku ndodhet tempulli mormon?”
“Po. Është një ndërtesë e bukur.”
“A jeni mormon?”
“Jo.”
“Epo, duhet të jeni. Është një fe e mrekullueshme. A e keni lexuar Librin e Mormonit?”
“Jo.”
“Epo, duhet ta lexoni. Është një libër i mrekullueshëm.”
Unë jam dakord përzemërsisht me Skotin – Libri i Mormonit është një libër i mrekullueshëm. Fjalët e Profetit Jozef Smith, të cituara në faqen e hyrjes së Librit të Mormonit, gjithnjë kanë qenë të veçanta për mua: “Unë u thashë vëllezërve se Libri i Mormonit ishte më i sakti nga ndonjë libër mbi tokë dhe gurthemeli i besimit tonë, dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër”.
Këtë vit në orët mësimore të Shkollës të së Dielës ne jemi duke studiuar Librin e Mormonit. Ndërsa përgatitemi dhe marrim pjesë, qofshim të nxitur për të ndjekur shembullin e guximshëm të Skotit për të ndarë dashurinë tonë për këtë shkrim të shenjtë të veçantë me të tjerë, jo të besimit tonë.
Një temë kryesore e Librit të Mormonit pasqyrohet në vargun e fundit të kapitullit të parë të 1 Nefit. Nefi shkroi: “Por, vini re, unë, Nefi, do t’ju tregoj se mëshirat e dhembshura të Zotit janë mbi të gjithë ata që ai ka zgjedhur, për shkak të besimit të tyre, për t’i bërë ata të pushtetshëm, madje, deri në fuqinë e çlirimit” (1 Nefi 1:20).
Dëshiroj të flas rreth mënyrës se si Libri i Mormonit, që është thellësia e mëshirës së Zotit e ruajtur për këto ditë të mëvonshme, na çliron duke na dhënë mësim në një mënyrë të pastër dhe “më [të saktë]” doktrinën e Krishtit.
Shumë nga historitë e Librit të Mormonit janë histori çlirimi. Nisja e Lehit në vendin e shkretë me familjen e tij ishte rreth çlirimit nga shkatërrimi i Jerusalemit. Historia e jareditëve është një histori çlirimi, sikurse është historia e mulekitëve. Alma i Riu u çlirua nga mëkati. Luftëtarët çunakë të Helamanit u çliruan në betejë. Nefi dhe Lehi u çliruan nga burgu. Tema e çlirimit është e dukshme gjatë gjithë Librit të Mormonit.
Ka dy histori në Librin e Mormonit që janë shumë të ngjashme dhe të mësojnë një mësim të rëndësishëm. E para është nga libri i Mosias, duke filluar me kapitullin 19. Këtu mësojmë për mbretin Limhi që jetonte në tokën e Nefit. Lamanitët kishin bërë luftë kundër popullit të Limhit. Përfundimi i luftës qe se lamanitët do ta lejonin mbretin Limhi të qeveriste vetë popullin e tij, por do të ishin në robëri ndaj lamanitëve. Ishte një paqe shumë e parehatshme. (Shih Mosia 19–20.)
Kur populli i Limhit ishte i lodhur nga abuzimet e lamanitëve, ata e bindën mbretin të kthehej në luftë kundër lamanitëve. Tri herë populli i Limhit u godit. Barra të rënda u vunë mbi ta. Përfundimisht ata e përulën veten dhe qanë fuqishëm ndaj Zotit që Ai t’i çlironte. (Shih Mosia 21:1–14.) Vargu 15 i kapitullit 21 na tregon përgjigjen e Zotit: “Dhe tani, Zoti qe i ngadalshëm të dëgjonte lutjen e tyre, për shkak të paudhësive të tyre; megjithatë Zoti i dëgjoi lutjet e tyre dhe filloi t’ua zbuste zemrat Lamanitëve, që ata të fillonin të lehtësonin barrat e tyre; prapëseprapë, Zoti nuk e pa të udhës që t’i çlironte nga robëria”.
Pak kohë pasi mbërritën Amoni dhe një grup i vogël burrash nga Zarahemla, dhe me Gideonin – një nga drejtuesit e popullit të Limhit – ata organizuan një plan që qe i suksesshëm, dhe ata shpëtuan nga abuzimet lamanite. Zoti qe i ngadalshëm të dëgjonte lutjet e tyre. Përse? Për shkak të paudhësive të tyre.
Historia e dytë është e ngjashme në shumë mënyra, por gjithashtu e ndryshme. Rrëfimi është shënuar te Mosia 24.
Alma dhe populli e tij ishin vendosur në tokën e Helamit, kur një ushtri e lamanitëve erdhi në kufijtë e tokës. Ata u takuan dhe gjetën një zgjidhje paqësore. (Shih Mosia 23:25–29.) Shpejt drejtuesit e lamanitëve filluan ta impononin vullnetin e tyre mbi popullin e Almës dhe i vunë barra të rënda për t’i mbajtur (shih Mosia 24:8). Te vargu 13 lexojmë: “Dhe ndodhi që zëri i Zotit u erdhi në pikëllimet e tyre, duke thënë: Ngrini kokat tuaja dhe ngushëllohuni, pasi unë e di besëlidhjen që ju keni bërë me mua; dhe unë do të bëj besëlidhje me popullin tim dhe do ta çliroj nga robëria”.
Populli i Almës u çlirua nga duart e lamanitëve dhe u kthye i sigurt për t’u bashkuar me popullin e Zarahemlës.
Cili ishte ndryshimi midis popullit të Almës dhe popullit të mbretit Limhi? Siç duket, kishte shumë ndryshime: populli i Almës ishte i qetë dhe shumë i drejtë; ata tashmë ishin pagëzuar dhe kishin hyrë në besëlidhje me Zotin; ata e përulën veten para Zotit madje përpara se mundimet e tyre të fillonin. Të gjithë këto ndryshime bën të përshtatshme dhe të drejtë që Zoti t’i çlironte shpejt, në një mënyrë çudibërëse, nga ata që i mbajtën në robëri. Këto shkrime të shenjta na japin mësim për fuqinë çliruese të Zotit.
Profecitë e parashikuara për jetën dhe misionin e Jezu Krishtit na premtojnë çlirimin që Ai do të sigurojë. Nëse pendohemi, Shlyerja dhe Ringjallja e Tij na sigurojnë të gjithëve ne arratisjen nga vdekja fizike, arratisjen nga vdekja shpirtërore, duke sjellë me të bekimet e jetës së përjetshme. Premtimet e Shlyerjes dhe të Ringjalljes, premtimet e çlirimit nga vdekja fizike dhe shpirtërore, iu shpallën Moisiut nga Perëndia kur tha: “Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime–të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).
Në kundërshtim me besimet e përcaktuara bukur për ne në shkrimet e shenjta, ne gjejmë forcat e kundërta të laicizmit që kundërshtojnë besimet e lashta në shkrimet e shenjta – shkrime që na kanë dhënë drejtim gjatë këtyre shekujve të shumtë, në mbrojtje të vlerave dhe standardeve të përjetshme për sjelljen tonë përgjatë jetës. Ato shpallin se mësimet në Bibël janë false dhe mësimet e Mësuesit janë të dala mode. Ato pretendojnë se çdo njeri mund të ketë lirinë të vendosë standardet e tij apo të saj personale; ato orvaten të shndërrojnë të drejtat e besimtarëve, në kundërshtim me atë që jepet mësim në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve.
Çfarë bekimi është të kemi rrëfimin e misionit të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë të shpallur te Libri i Mormonit për të shtuar një dëshmi tjetër për doktrinën e shpallur në Bibël. Përse është e rëndësishme për botën që të ketë si Biblën edhe Librin e Mormonit? Besoj se përgjigjja gjendet në kapitullin 13 të 1 Nefit. Nefi regjistron: “Dhe atëherë engjëlli foli, duke thënë: Këto anale të fundit, që ti ke parë mes Johebrenjve [Librin e Mormonit], do të vendosin të vërtetën e të parit [Biblës], që janë nga dymbëdhjetë apostujt e Qengjit dhe ato do të bëjnë të ditur gjërat e qarta dhe të çmueshme që janë hequr prej tyre; dhe do t’u bëjnë të njohur të gjitha racave, gjuhëve dhe njerëzve, se Qengji i Perëndisë është Biri i Atit të Amshuar dhe Shpëtimtari i botës; dhe se të gjithë njerëzit duhet të vijnë tek ai ose ata nuk mund të shpëtohen” (vargu 40).
As Bibla as Libri i Mormonit të veçuara nuk janë të mjaftueshme. Të dyja janë të nevojshme për ne për të na dhënë mësim dhe për të na mësuar doktrinën e gjerë dhe të plotë të Krishtit. Nevoja për tjetrën nuk zvogëlon asnjërën prej tyre. Si Bibla edhe Libri i Mormonit janë të nevojshme për shpëtimin dhe ekzaltimin tonë. Sikurse Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim kaq fuqishëm: “Kur përdoren së bashku, Bibla dhe Libri i Mormonit shkatërrojnë doktrinat e rreme” (“A New Witness for Christ”, Ensign, nëntor 1984, f. 8).
Dëshiroj ta mbyll duke përmendur dy histori – njërën nga Dhiata e Vjetër, tjetrën nga Libri i Mormonit – për të treguar se si librat funksionojnë në harmoni së bashku.
Historia e Abrahamit fillon me çlirimin e tij nga kaldeasit që adhuronin idhuj (shih Zanafilla 11:27–31; Abraham 2:1–4). Ai dhe bashkëshortja e tij, Sara, më vonë u çliruan nga dhimbja e tyre dhe iu premtua se, nëpërmjet pasardhësit të tyre, të tërë kombet e tokës do të bekoheshin (shih Zanafilla 18:18).
Dhiata e Vjetër përmban rrëfimin e Abrahamit që merr me vete jashtë Egjiptit Lotin, nipin e tij. Duke i dhënë zgjedhjen e parë për tokë, Loti zgjodhi liset e Jordanit dhe e ngriti çadrën e tij drejt Sodomës, qytetit të ligësisë së madhe. (Shih Zanafilla 13:1–12.) Pjesa më e madhe e problemeve që Loti ndeshi më vonë në jetë, dhe ato ishin të shumta, mund të gjurmohen deri te vendimi i tij i hershëm për ta vendosur derën e çadrës së tij në drejtim të Sodomës.
Abrahami, babai i besnikërisë, e përjetoi jetën ndryshe. Sigurisht, kishte shumë sfida, por do të ishte një jetë e bekuar. Ne nuk e dimë se në cilin krah ishte e drejtuar dera e çadrës së Abrahamit, por ka një të dhënë të rëndësishme në vargun e fundit të kapitullit 13 të Zanafillës. Aty thuhet: “Atëherë Abrami [ose Abrahami] i ngriti çadrat e tij dhe vajti të banojë në liset e Mamres, që ndodhen në Hebron; dhe aty ndërtoi një altar kushtuar Zotit” (Zanafilla 13:18).
Megjithëse nuk e di, personalisht besoj se dera e çadrës së Abrahamit ishte përballë altarit që ai ndërtoi për nder të Zotit. Si mund ta nxjerr këtë përfundim? Është për shkak se di historinë e Librit të Mormonit rreth udhëzimeve të mbretit Beniamin drejtuar popullit të tij kur ata u mblodhën për të dëgjuar fjalimin e tij të fundit. Mbreti Beniamin i udhëzoi ata t’i drejtonin dyert e çadrave të tyre në drejtim të tempullit (shih Mosia 2:1–6).
Ne mund të çlirohemi nga mënyrat mëkatare dhe ligësia duke u kthyer te mësimet e shkrimeve të shenjta. Shpëtimtari është Çliruesi i Madh, sepse Ai na çliron nga vdekja dhe nga mëkati (shih Romakëve 11:26; 2 Nefi 9:12).
Unë shpall se Jezusi është Krishti dhe se ne mund t’i afrohemi Atij duke lexuar Librin e Mormonit. Libri i Mormonit është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit. Dhiatat e para të Shpëtimtarit tonë janë Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re – ose Bibla.
Sërish, le të kujtojmë përshkrimin e mikut tim Skot për Librin e Mormonit: “Është një libër i mrekullueshëm”. Unë ju dëshmoj se shumica e madhështisë së Librit të Mormonit vjen nga harmonia e tij me Biblën e Shenjtë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.