Vetëm mbi Parimet e Drejtësisë
Prindërit e urtë i përgatisin fëmijët e tyre që të përparojnë me ta. Ata u sigurojnë mundësi për rritje, ndërsa fëmijët fitojnë pjekurinë shpirtërore për të ushtruar siç duhet lirinë e tyre të zgjedhjes.
Një muaj apo më shumë pasi ishim martuar, unë dhe bashkëshortja ime ndërmorëm një udhëtim të gjatë me makinë. Ajo po ngiste makinën dhe unë po përpiqesha të çlodhesha. Them po përpiqesha sepse autostrada ku po udhëtonim ishte me “famë” për përdorimin e radarëve dhe bashkëshortja ime mund të ketë pasur një prirje të lehtë për ecjen me shpejtësi në ato kohë. Unë thashë: “Po ecën shumë shpejt. Ngadalësoje.”
Bashkëshortja ime e re mendoi përbrenda: “Epo, e kam ngarë makinën për pothuaj 10 vjet dhe përveç instruktorit tim, askush tjetër nuk më ka thënë ndonjëherë më parë se si t’i jap makinës”. Kështu që ajo u përgjigj: “Çfarë të jep ty të drejtën për të më treguar se si t’i jap makinës?”
Sinqerisht, pyetja e saj më kapi në befasi. Kështu që, duke bërë maksimumin për të marrë përgjegjësitë e mia të reja si burrë i martuar, i thashë: “Nuk e di – sepse jam bashkëshorti yt dhe mbaj priftërinë”.
Vëllezër, thjesht një këshillë të shpejtë: nëse ndonjëherë do të jeni në një situatë të ngjashme, kjo nuk është përgjigjja e duhur. Dhe jam i lumtur t’ju njoftoj se, ajo ishte e vetmja dhe e fundit herë që e bëra atë gabim.
Doktrina e Besëlidhje shpjegon se e drejta për ta përdorur priftërinë, në shtëpi apo kudo, lidhet drejtpërdrejt me drejtësinë në jetën tonë: “Fuqitë e qiellit nuk mund të kontrollohen, as përdoren, vetëm mbi bazën e parimeve të drejtësisë”1. Vargu vazhdon të thotë se ne e humbasim atë fuqi kur “ushtrojmë kontroll apo sundim, apo detyrim mbi shpirtrat e [të tjerëve], në çfarëdo shkallë padrejtësie”2.
Ky shkrim i shenjtë thotë se ne duhet të drejtohemi nëpërmjet “parimeve të drejtësisë”. Parime të tilla zbatohen për të gjithë udhëheqësit në Kishë, përfshirë baballarët dhe nënat në shtëpitë e tyre.3 Ne e humbasim të drejtën tonë për Shpirtin e Zotit dhe për çfarëdo autoriteti që kemi nga Perëndia, kur ushtrojmë kontroll mbi një person tjetër në një mënyrë të padrejtë.4 Ne mund të mendojmë se të tilla metoda janë për të mirën e njeriut që po “kontrollohet”. Por çdoherë që përpiqemi ta detyrojmë dikë drejt drejtësisë, që mund dhe duhet ta ushtrojë vetë lirinë e tij apo të saj të zgjedhjes, ne po veprojmë në mënyrë të padrejtë. Kur vendosja e kufijve të fortë për një person tjetër është siç duhet, ata kufij duhet gjithmonë të administrohen me durim të përzemërt dhe në një mënyrë që u mëson parime të përjetshme.
Ne thjesht nuk mund t’i detyrojmë të tjerët të bëjnë gjënë e duhur. Shkrimet e shenjta e bëjnë të qartë se kjo nuk është rruga e Perëndisë. Detyrimi ngre mërinë. Ai përçon mosbesim dhe i bën njerëzit të ndihen të paaftë. Kur personat kontrollues me krenari pretendojnë se kanë të gjitha përgjigjet e drejta për të tjerët, mundësitë për të mësuar humbasin. Shkrimet e shenjta thonë se “është natyra dhe prirja e pothuajse të gjithë njerëzve” të angazhohen në këtë “sundim të padrejtë”5, kështu që duhet të jemi të kujdesshëm se është një kurth ku bihet lehtë. Gratë gjithashtu mund të ushtrojnë sundim të padrejtë, edhe pse shkrimet e shenjta e vënë në dukje problemin veçanërisht për burrat.
Sundimi i padrejtë shpesh shoqërohet nga kritika e vazhdueshme dhe mos dhënia e miratimit apo dashurisë. Ata mbi të cilët bie ky veprim, ndiejnë se asnjëherë nuk mund t’i kënaqin udhëheqësit apo prindërit e tillë dhe se gjithmonë dështojnë. Prindërit e urtë duhet ta vlerësojnë kohën kur fëmijët janë gati të fillojnë ta ushtrojnë lirinë e tyre të zgjedhjes në një sferë të veçantë të jetës së tyre. Por nëse prindërit kapen te e gjithë fuqia vendimmarrëse dhe e shohin atë si të “drejtën” e tyre, ata kufizojnë rëndë rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve të tyre.
Fëmijët tanë janë në shtëpitë tona për një kohë të kufizuar. Nëse presim derisa ata të mos jetojnë më me ne për t’u dhënë atyre frerët e lirisë së zgjedhjes për veten, ne kemi pritur tepër gjatë. Nëse nuk kanë qenë kurrë të lirë për të marrë ndonjë vendim të rëndësishëm ndërsa kanë qenë në shtëpitë tona, ata nuk do ta zhvillojnë papritur aftësinë për të marrë vendime të urta. Fëmijë të tillë shpesh ose rebelohen kundër këtij detyrimi ose kufizohen nga paaftësia për të marrë çfarëdo vendimi personalisht.
Prindërit e urtë i përgatisin fëmijët e tyre që të përparojnë me ta. Ata u sigurojnë mundësi për rritje, ndërsa fëmijët fitojnë pjekurinë shpirtërore për të ushtruar siç duhet lirinë e tyre të zgjedhjes. Dhe po, kjo do të thotë se fëmijët ndonjëherë do të bëjnë gabime dhe do të mësojnë prej tyre.
Familja jonë pati një përvojë që na dha mësim rreth të ndihmuarit të fëmijëve që të zhvillojnë aftësinë e tyre për të bërë zgjedhje. Vajza jonë Meri, ndërsa rritej, ishte një lojtare e famshme futbolli. Një vit ekipi i saj doli në finale dhe, siç pritej, ajo lojë do të zhvillohej në një të diel. Si adoleshente, Meri kishte vite që mësonte se Shabati ishte një ditë pushimi dhe përtëritjeje shpirtërore, jo argëtimi. Por ajo ende ndjeu presionin për të luajtur prej trajnerëve dhe shoqeve të saj të ekipit, si dhe një dëshirë për të mos e lënë në baltë ekipin e saj.
Ajo na pyeti se çfarë duhet të bënte. Gruaja ime dhe unë fare lehtë mund ta kishim marrë këtë vendim për të. Megjithatë, pas shqyrtimit me lutje, vendosëm se në këtë situatë bija jonë ishte gati të merrte përgjegjësi shpirtërore për vendimin e saj personal. Ne lexuam disa shkrime të shenjta me të dhe e nxitëm Merin të lutej dhe të mendonte rreth kësaj.
Pas disa ditësh, na bëri të ditur vendimin e saj. Ajo do të luante të dielën. Tani, çfarë duhej të bënim ne? Pas diskutimit të mëtejshëm dhe marrjes së ripohimit nga Shpirti, vepruam siç kishim premtuar dhe e lejuam atë të vazhdonte me zgjedhjen e saj për të luajtur. Pasi ndeshja përfundoi, Meri me ngadalë eci drejt së ëmës që po e priste. “Oh, Mama”, tha jo, “ndihem kaq keq. Unë nuk dua kurrë të ndihem kështu përsëri. Unë kurrë nuk do të luaj lojë tjetër ditën e Shabatit.” Dhe ajo kurrë nuk luajti.
Meri tashmë e kuptoi personalisht parimin e mbajtjes së shenjtë të ditës së Shabatit. Nëse do ta kishim detyruar që të mos luante, ne do t’i kishim privuar asaj një përvojë të çmuar dhe të fuqishme mësimi me Shpirtin.
Siç mund ta shihni, të ndihmuarit e fëmijëve të ushtrojnë lirinë e tyre të zgjedhjes siç duhet, kërkon t’u mësojmë atyre se si të luten dhe të marrin përgjigje për lutjet e tyre. Gjithashtu duhet t’u jepet mësim rreth vlerës dhe qëllimit të bindjes, si edhe rreth të gjitha parimeve të tjera thelbësore të ungjillit.6
Gjatë rritjes së fëmijëve tanë, vendosëm se qëllimi ynë më i rëndësishëm do të ishte t’i ndihmonim fëmijët të krijonin vetë lidhjen e tyre me qiellin. Ne e dinim se përfundimisht ata duhej të vareshin te Zoti, jo te ne. Brigam Jangu tha: “Sikur të bëja një dallim ndërmjet të gjitha detyrave që kërkohen nga fëmijët e njerëzve, … unë do të vendosja të parën dhe si më kryesoren detyrën e kërkimit të Zotit, Perëndisë sonë derisa të hapim rrugën e komunikimit nga qielli në tokë – nga Perëndia te vetë shpirtrat tanë”7.
Meri kishte marrë përgjigje për lutjet e saj në situata të tjera të mëparshme dhe kështu që ne patëm besim se bija jonë po e zhvillonte këtë rrugë komunikimi me qiellin në jetën e saj. Si rrjedhojë, ajo mësoi diçka pozitive nga përvoja e saj dhe u përgatit për të bërë zgjedhje më të mira në të ardhmen. Pa një lidhje me Shpirtin, fëmijë e prindër njëlloj do të mund t’i justifikonin të gjitha llojet e vendimeve të dobëta në emër të ushtrimit të lirisë së tyre të zgjedhjes. Premtimi i shkrimit të shenjtë është se “ata që janë të urtë … dhe kanë marrë Shpirtin e Shenjtë si udhëzuesin e tyre … nuk janë mashtruar”8.
Një pasojë tjetër dhe tragjike e sundimit të padrejtë mund të jetë humbja e besimit te dashuria e Perëndisë. Kam njohur disa njerëz që iu ishin nënshtruar udhëheqësve apo prindërve sundues e kontrollues dhe e kanë pasur të vështirë të ndiejnë pikërisht dashurinë nga Ati i tyre Qiellor, që do t’i mbështeste dhe nxiste ata përgjatë rrugës së drejtësisë.
Nëse do t’i ndihmojmë ata që janë në kujdestarinë tonë që të krijojnë lidhjen shumë të rëndësishme me qiellin, duhet të jemi ai lloj prindi dhe udhëheqësi i përshkruar te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 121. Ne duhet të veprojmë “veçse nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur”9. Presidenti Henri B. Ajring ka thënë: “Nga e gjithë ndihma që mund t’i japim … rini[së], më e madhja do të jetë që [t’i] lëmë të ndiej[në] besimin tonë se [ata janë] në shtegun për në shtëpi te Perëndia dhe [ata] mund t’ia dal[in]”10.
Ndërsa mendojmë mbi parimet që duhet të na udhëheqin në Kishë dhe shtëpi, më lejoni që ta mbyll me një shembull nga biografia e Presidentit Tomas S. Monson. En Dib, bija e Monsonave, tha se edhe sot e kësaj dite, kur ajo shkon në derën kryesore të shtëpisë ku u rrit, i ati do të thotë: “Oh, shiko kush është këtu. A nuk jemi të lumtur dhe a nuk është e bukur ajo?” Ajo vijon të thotë: “Prindërit e mi gjithmonë më bëjnë ndonjë kompliment; nuk ka rëndësi se si dukem ose se çfarë kam bërë. … Kur shkoj dhe takoj prindërit e mi, unë e di se më duan, më bëjnë komplimente, më mirëpresin dhe jam në shtëpi.”11
Vëllezër dhe motra, kjo është udha e Zotit. Edhe nëse jeni nëpërkëmbur në të kaluarën, unë e di se Zoti dëshiron të vini tek Ai.12 Të gjithëve na do. Të gjithëve na mirëpret. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.