2010–2019
Male për t’i Ngjitur
Prill 2012


Male për t’i Ngjitur

Nëse kemi besim te Jezu Krishti, kohët më të vështira ashtu si edhe kohët më të lehta në jetë, mund të jenë një bekim.

E dëgjova Presidentin Spenser W. Kimball të kërkonte në një sesion konference që Perëndia t’i jepte atij male sfidash për t’i ngjitur. Ai tha: “Ka sfida të mëdha para nesh, mundësi gjigante që duhen përballur. E mirëpres atë këndvështrim emocionues dhe e ndiej që t’i them Zotit, përulësisht: ‘Ma jep këtë mal’, m’i jep këto sfida.”1

Zemra ime u frymëzua, duke i ditur, siç i dija unë, disa nga sfidat dhe kundërshtimet që ai kishte përballuar tashmë. Ndieva një dëshirë për të qenë më shumë si ai, një shërbëtor trim i Perëndisë. Kështu që një natë, u luta për një provë që të vërtetonte guximin tim. Unë mund ta kujtoj atë shumë qartë. Në mbrëmje u gjunjëzova në dhomën time të gjumit me një besim që dukej se po e mbushte zemrën time deri në shpërthim.

Brenda një apo dy ditësh, lutja ime mori përgjigje. Sprova më e vështirë e jetës sime më befasoi dhe më përuli. Ajo më siguroi një mësim dy-pjesësh. Së pari, unë pata një provë të qartë se Perëndia e dëgjoi dhe iu përgjigj lutjes sime të besimit. Por së dyti, unë nisa një kurs mësimor që vazhdon ende, për të mësuar rreth arsyes përse ndieva aq mirëbesim atë natë, se një bekim i madh mund të vinte nga sprova që do të ishte më shumë se shpërblyese për çdo çmim.

Sprova që përjetova në atë ditë të hershme, tani më duket e vockël krahasuar me ato që më kanë ndodhur – mua dhe njerëzve që dua, që pas asaj. Shumë prej jush jeni duke kaluar tani sprova fizike, mendore dhe emocionale që mund t’ju bëjnë të thërrisni fort ashtu siç bëri një shërbëtor i madh e besnik i Perëndisë që unë e njihja mirë. Infermierja e tij e dëgjoi atë të thërriste nga shtrati i tij i dhembjes: “Kur gjatë gjithë jetës sime jam përpjekur të jem i mirë, pse më ndodhi kjo mua?”

Ju e dini se si iu përgjigj Zoti asaj pyetjeje të Profetit Jozef Smith në qelinë e tij të burgut:

“Në qoftë se ti do të hidhesh në gropë apo në duart e vrasësve dhe vendimi me vdekje jepet mbi ty, në qoftë se do të hidhesh në thellësi, në qoftë se dallgët e trazuara komplotojnë kundër teje, në qoftë se erërat e forta bëhen armiku yt, në qoftë se qiejt mbledhin errësirë dhe gjithë elementet ndërthuren për të penguar rrugën; dhe, mbi të gjitha, në qoftë se edhe grykat e ferrit do ta shqyejnë gojën për ty, dije, biri im, se gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde.

Biri i Njeriut ka zbritur nën këto të gjitha. A je ti më i madh se ai?

Si rrjedhim, qëndro në udhën tënde dhe priftëria do të mbetet me ty; sepse kufijtë e tyre janë caktuar, ata s’mund të kalojnë. Ditët e tua njihen dhe vitet e tua s’do të numërohen më pak; si rrjedhim, mos ki frikë se ç’mund të bëjë njeriu, sepse Perëndia do të jetë me ty përherë e përgjithmonë.”2

Më ngjan se nuk ka përgjigje më të mirë për pyetjen se përse vijnë sprovat dhe se çfarë duhet të bëjmë, përveç fjalëve të Vetë Zotit, i cili kaloi për ne përmes sprovave që ishin më të tmerrshme sesa mund të përfytyrojmë.

Ju i mbani mend fjalët e Tij kur na këshilloi se prej besimit që kemi në Të, ne duhet të pendohemi:

“Prandaj unë të urdhëroj të pendohesh–pendohu, përndryshe unë të godas me shufrën e gojës sime dhe me zemërimin tim, dhe me indinjatën time, dhe vuajtjet e tua do të jenë të ashpra–sa të ashpra ti s’e di, sa therëse ti s’e di, po, sa të vështira për t’u duruar ti s’e di.

Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen;

Por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë;

Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt–dhe të dëshiroj që të mos e pi kupën e hidhur e të mpakem–

Megjithatë, lavdi i qoftë Atit dhe unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve.”3

Ju dhe unë kemi besimin se mënyra për t’u ngritur gjatë dhe mbi sprovat është që të besojmë se ka një “balsam në Galaad”4 dhe se Zoti ka premtuar: “Nuk do të të braktis”5. Kjo është ajo që na ka mësuar Presidenti Tomas S. Monson që të na ndihmojë ne dhe ata të cilëve u shërbejmë gjatë atyre që mund të duket se janë sprova të vetmuara dhe tronditëse.6

Por Presidenti Monson na ka mësuar gjithashtu me urtësi se një themel besimi i vërtetësisë së atyre premtimeve do kohë që të ndërtohet. Ju mund ta keni parë nevojën për atë themel siç e kam parë unë, anës shtratit të dikujt që është gati për të hequr dorë nga lufta për të duruar deri në fund. Nëse themeli i besimit nuk është bërë pjesë e zemrave tona, fuqia për të duruar do të shkërmoqet.

Qëllimi im sot është të përshkruaj atë që di rreth mënyrës se si mund ta ngremë atë themel të patundur. E bëj këtë me përulësi të madhe për dy arsye. Së pari, ajo që unë them mund t’i shkurajojë disa që po luftojnë në mes të një fatkeqësie të madhe dhe mund të ndiejnë se themeli i tyre i besimit po shkërmoqet. Dhe së dyti, unë e di se prova akoma më të mëdha më presin përpara se jeta të mbarojë. Prandaj, receta që ju jap, është ende për t’u vërtetuar në vetë jetën time nëpërmjet durimit deri në fund.

Kur isha i ri, punova me një firmë kontraktuese që ndërtonte themele dhe zgjerimet në fund të themeleve për shtëpitë e reja. Në të nxehtin e verës qe punë e vështirë të përgatisje dheun për kallëpin në të cilin ne hidhnim çimenton për zgjerimet në fund të themelit. Nuk kishte makineri. Ne përdornim një kazmë dhe një lopatë. Ndërtimi i themeleve të qëndrueshme për ndërtesat qe punë e vështirë në ato kohë.

Ajo gjithashtu kërkonte durim. Pasi hidhnim materialin për zgjerimet e themelit, ne prisnim derisa të thahej. Megjithëse dëshironim shumë që puna të vazhdonte, ne prisnim edhe pasi hidhnim materialin për themelin përpara se të hiqnim kallëpet.

Dhe madje më shumë mbresëlënëse për një ndërtues fillestar ishte ai që dukej një proces i lodhshëm dhe që të hante kohë, vendosja e shufrave metalike me kujdes brenda kallëpeve për t’i dhënë forcë themelit të përfunduar.

Në mënyrë të ngjashme, dheu duhet të përgatitet me kujdes për themelin tonë të besimit që t’u rezistojë stuhive që do t’i vijnë çdo jete. Ky bazament i fortë për themelin e besimit është integriteti moral vetjak.

Zgjedhja e së drejtës vazhdimisht, kurdoherë që ne vihemi para një zgjedhjeje, krijon dheun e fortë nën besimin tonë. Kjo mund të fillojë në fëmijëri duke qenë se çdo shpirt lind me dhuratën e Shpirtit të Krishtit të dhënë falas. Me atë Shpirt, ne mund ta dimë kur kemi bërë atë që është e drejtë përpara Perëndisë dhe kur kemi bërë padrejtësi në sytë e Tij.

Ato zgjedhje, që ndodhin me qindra herë në pjesën më të madhe të ditëve, e përgatisin dheun e fortë mbi të cilin ngrihet ndërtesa jonë e besimit. Armatura metalike rreth së cilës derdhet substanca e besimit tonë, është ungjilli i Jezu Krishtit, me të gjitha besëlidhjet, ordinancat dhe parimet e tij.

Një prej çelësave për një besim të qëndrueshëm është ta gjykosh me saktësi kohën që duhet ta lëmë atë të forcohet. Kjo është arsyeja pse unë u tregova i pamatur duke u lutur kaq herët në jetën time për male për t’i ngjitur dhe prova më të mëdha.

Forcimi nuk vjen automatikisht me kalimin e kohës, por vërtet kërkon kohë. Kjo nuk bëhet thjesht me rritjen në moshë. Është shërbimi ndaj Perëndisë dhe të tjerëve vazhdimisht me gjithë zemër e shpirt, që e shndërron dëshminë për të vërtetën në forcë të pamposhtur shpirtërore.

Tani, dëshiroj t’i inkurajoj ata që po përjetojnë sprova të vështira, që ndiejnë se besimi i tyre mund të jetë duke u zbehur nën stresin e vazhdueshëm të problemeve. Vetë problemi mund të jetë një mënyrë për t’u forcuar e për të fituar më në fund një besim të patundur. Moroni, biri i Mormonit në Librin e Mormonit, na tha se si mund të ndodhte ky bekim. Ai na mëson realitetin e thjeshtë e të ëmbël se të vepruarit, madje me një filiz besimi, i lejon Perëndisë që ta ndihmojë atë të rritet:

“Dhe tani, unë, Moroni, dua të flas pak në lidhje me këto gjëra; unë do t’i tregoj botës se besimi qëndron në gjërat që shpresohen dhe nuk shihen; prandaj, mos dyshoni, sepse nuk shihni, pasi ju nuk do të merrni asnjë dëshmi, deri pas provës së besimit tuaj.

Pasi, qe në sajë të besimit që Krishti iu shfaq etërve tanë, pasi u ngrit së vdekuri; dhe ai nuk iu shfaq atyre, deri pasi ata patën besim në të, prandaj qe e nevojshme që disa të kishin besim në të, pasi ai nuk iu shfaq botës.

Por për shkak të besimit të njerëzve, ai iu shfaq botës dhe lartësoi emrin e Atit dhe përgatiti një udhë që edhe të tjerët të mund të ishin pjesëtarë të dhuratës hyjnore, që ata të mund të shpresonin në ato gjëra që nuk i kishin parë.

Prandaj, ju gjithashtu mund të keni shpresë dhe të jeni pjesëtarë të dhuratës, në qoftë se do të keni vetëm besim.”7

Pjesëza më e çmuar e besimit dhe të cilën ju duhet ta mbroni dhe ta përdorni në cilëndo mënyrë që mundeni, është besimi në Zotin Jezu Krisht. Moroni dha mësim për fuqinë e atij besimi në këtë mënyrë: “Dhe asnjëherë në ndonjë kohë ndonjë njeri nuk ka bërë mrekulli vetëm pas besimit të tij; prandaj ata në fillim besuan në Birin e Perëndisë”8.

Kam vizituar një grua që pati një mrekulli forcimi të mjaftueshëm për të duruar humbje të papërfytyrueshme me vetëm aftësinë e thjeshtë për të përsëritur pafundësisht fjalët: “E di se rron Shëlbuesi im”9. Ai besim dhe ato fjalë dëshmie qenë ende atje ndërsa kujtimet e fëmijërisë së saj u zbehën, por nuk u zhdukën kurrë plotësisht.

Mbeta i shtangur kur mësova se një grua tjetër e kishte falur dikë që i kishte bërë asaj padrejtësi prej vitesh. U habita dhe e pyeta pse kishte zgjedhur të falte e t’i harronte kaq shumë vite të një abuzimi të pamëshirshëm.

Ajo tha qetësisht: “Qe gjëja më e vështirë që kam bërë ndonjëherë, por thjesht e dija se duhet ta bëja. Kështu që e bëra.” Besimi i saj se Shpëtimtari do ta falte nëse ajo i falte të tjerët, e përgatiti atë me një ndjenjë paqeje dhe shprese ndërsa u përball me vdekjen pak muaj pasi e kishte falur kundërshtarin e saj të papenduar.

Ajo më pyeti: “Si do të jetë në qiell, kur unë të shkoj atje?”

Dhe i thashë: “E di, thjesht nga ajo që kam parë nga aftësia jote për të ushtruar besim dhe për të falur, që do të jetë një kthim i mrekullueshëm në shtëpi për ty”.

Kam një inkurajim tjetër për ata që tani pyesin veten nëse besimi i tyre në Jezu Krisht do të jetë i mjaftueshëm që ata të durojnë plotësisht deri në fund. Unë kam qenë i bekuar që disa prej jush që po dëgjoni tani, ju kam njohur kur ishit më të rinj, energjikë dhe më të talentuar se shumica e atyre që ju rrethonin, e prapëseprapë ju zgjodhët të bënit atë që do të kishte bërë Shpëtimtari. Në bollëkun e bekimeve tuaja ju gjetët mënyra për t’i ndihmuar e për t’u kujdesur për ata që mund t’i kishit shpërfillur apo përbuzur nga pozicioni juaj në jetë.

Kur vijnë sprova të vështira, besimi për t’i duruar ato siç duhet do të jetë atje, i ndërtuar pa u vënë re prej jush, në kohët kur vepruat sipas dashurisë së pastër të Krishtit, duke u shërbyer të tjerëve e duke falur siç do të kishte bërë Shpëtimtari. Ju ndërtuat një themel besimi duke dashur siç deshte Shpëtimtari dhe duke i shërbyer Atij. Besimi juaj tek Ai ju çoi në vepra të dashurisë hyjnore që sërish do t’ju sjellin shpresë.

Nuk është kurrë vonë për të forcuar një themel besimi. Ka gjithmonë kohë. Me besim te Shpëtimtari, ju mund të pendoheni dhe të luteni për të marrë falje. Gjendet dikush që ju mund ta falni. Gjendet dikush që ju mund ta falënderoni. Gjendet dikush që ju mund t’i shërbeni e ta ngrini moralisht. Ju mund ta bëni atë kudo që të jeni dhe sado të vetmuar dhe të shkretë që të mund të ndiheni.

Nuk mund t’ju premtoj një mbarim të sprovave tuaja në këtë jetë. Nuk mund t’ju siguroj se sprovat tuaja do t’ju duken se zgjasin vetëm për pak. Një nga tiparet e sprovave në jetë, është se ato e bëjnë kohën të duket se ecën ngadalë dhe më tutje pothuajse të ndalet.

Ka arsye pse ndodh kjo. Njohja e atyre arsyeve mund të mos japë shumë ngushëllim, por mund t’ju japë një ndjesi durimi. Ato arsye vijnë nga ky fakt i vetëm: në dashurinë e Tyre të përsosur për ju, Ati Qiellor dhe Shpëtimtari dëshirojnë që ju të bëheni të përshtatshëm për të jetuar me Ta në familje të përjetshme. Vetëm ata që janë pastruar përsosmërisht nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, mund të jenë atje.

Nëna ime luftoi me kancerin për afro 10 vjet. Trajtimet dhe ndërhyrjet kirurgjikale dhe së fundi të qenit e detyruar të rrinte në shtrat, qenë disa nga sprovat e saj.

Më kujtohet babai im që tha, ndërsa e pa atë të merrte frymën e saj të fundit: “Një vogëlushe shkoi të çlodhet në shtëpi”.

Një nga folësit në varrimin e saj qe Presidenti Spenser W. Kimball. Midis nderimeve që ai bëri, më kujtohet njëri që qe diçka e tillë si kjo: “Disa prej jush mund të kenë menduar se Mildredi vuajti kaq gjatë dhe kaq shumë për shkak të diçkaje që kishte bërë gabim për të cilën duheshin sprovat”. Më pas, tha: “Jo, Perëndia thjesht dëshironte që ajo të lëmohej pak më shumë”. Më kujtohet që në atë kohë po mendoja: “Nëse një grua aq e mirë kishte nevojë për aq shumë lëmim, po mua çfarë më pret?”

Nëse kemi besim te Jezu Krishti, kohët më të vështira ashtu si edhe kohët më të lehta në jetë, mund të jenë një bekim. Në të gjitha rrethanat, mund të zgjedhim të drejtën me drejtimin e Shpirtit. Ne kemi ungjillin e Jezu Krishtit për t’i dhënë formë e për ta drejtuar jetën tonë, nëse e zgjedhim atë. Dhe me profetët që na zbulojnë vendin tonë në planin e shpëtimit, ne mund të jetojmë me shpresë të përsosur dhe një ndjenjë paqeje. Kurrë nuk na duhet të ndiejmë se jemi vetëm apo që nuk na duan, në shërbimin e Zotit, sepse nuk jemi kurrë. Ne mund ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë. Shpëtimtari na ka premtuar engjëj në të majtën e në të djathtën tonë, për të na ngritur lart.10 Ai e mban gjithmonë fjalën e Tij.

Unë dëshmoj se Perëndia, Ati, jeton dhe se Biri i Tij i Dashur është Shëlbuesi ynë. Fryma e Shenjtë e ka pohuar të vërtetën që është dhënë mësim në këtë konferencë dhe do ta bëjë sërish ndërsa e kërkoni atë kur i dëgjoni dhe më pas i studioni mesazhet e shërbëtorëve të autorizuar të Zotit që janë këtu. Presidenti Tomas S. Monson është profeti i Zotit për të gjithë botën sot. Zoti kujdeset për ju. Perëndia, Ati, jeton. Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, është Shëlbuesi ynë. Dashuria e Tij është e pandryshueshme. Unë dëshmoj kështu në emrin e Jezu Krishtit, amen.