Fuqitë e Qiellit
Mbajtësit e priftërisë, të rinj dhe të vjetër kanë nevojë si për autoritetin edhe për fuqinë – autorizimi i duhur dhe aftësia shpirtërore për të përfaqësuar Perëndinë në punën e shpëtimit.
Vëllezërit e mi të dashur, unë jam mirënjohës që ne mund të adhurojmë së bashku si një grup i madh mbajtësish të priftërisë. Ju dua dhe ju çmoj për denjësinë e ndikimin tuaj për mirë në mbarë botën.
Unë e ftoj secilin prej jush të mendojë se si do t’i përgjigjeshit pyetjes vijuese, të parashtruar shumë vite më parë anëtarëve të Kishës nga Presidenti Dejvid O. Mek-Kei: “Nëse në këtë çast secilit prej jush do t’i kërkohej ta shprehte me një fjali ose frazë tiparin më spikatës të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, cila do të ishte përgjigjja juaj?” (“The Mission of the Church and Its Members”, Improvement Era, nëntor 1956, f. 781).
Përgjigjja që Presidenti Mek-Kei i dha vetë pyetjes së tij ishte “autoriteti hyjnor” i priftërisë. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme veçohet nga kishat e tjera që pretendojnë se autoriteti i tyre rrjedh nga autoriteti i dhënë person pas personi përgjatë kohës, shkrimet e shenjta ose trajnimi teologjik. Ne bëjmë deklaratën dalluese se autoriteti i priftërisë i është dhënë Profetit Jozef Smith me anë të vënies së duarve drejtpërdrejt nga lajmëtarë qiellorë.
Mesazhi im përqendrohet mbi këtë priftëri hyjnore dhe mbi fuqitë e qiellit. Unë lutem me zell për ndihmën e Shpirtit të Zotit ndërsa së bashku mësojmë rreth këtyre të vërtetave të rëndësishme.
Autoriteti dhe Fuqia e Priftërisë
Priftëria është autoriteti i Perëndisë deleguar njerëzve mbi tokë, për të vepruar në të gjitha gjërat për shpëtimin e njerëzimit (shih Spencer W. Kimball, “The Example of Abraham”, Ensign, qershor 1975, f. 3). Priftëria është mjeti me anë të së cilit Zoti vepron përmes burrave për të shpëtuar shpirtra. Një nga tiparet përcaktuese të Kishës së Jezu Krishtit, si në lashtësi edhe sot, është autoriteti i Tij. Nuk mund të ketë Kishë të vërtetë pa autoritet hyjnor.
Burrave të zakonshëm u jepet autoriteti i priftërisë. Denjësia dhe gatishmëria – jo përvoja, njohuritë speciale apo arsimimi – janë cilësitë për shugurimin e priftërisë.
Modeli për marrjen e autoritetit të priftërisë përshkruhet në nenin e pestë të besimit: “Ne besojmë se një njeri duhet të thirret nga Perëndia, me anë të profecisë dhe me anë të vënies së duarve prej atyre që janë në autoritet, për të predikuar Ungjillin dhe për të administruar ordinancat e tij”. Si rrjedhojë, një djalë ose një burrë merr autoritetin e priftërisë dhe shugurohet në një detyrë të veçantë nga dikush që tashmë e mban priftërinë dhe është autorizuar nga një udhëheqës me çelësat e nevojshëm të priftërisë.
Një mbajtës i priftërisë pritet ta ushtrojë këtë autoritet të shenjtë në përputhje me mendjen, vullnetin dhe qëllimet e shenjta të Perëndisë. Asgjë rreth priftërisë nuk është e përqendruar te vetja. Priftëria gjithnjë përdoret për t’u shërbyer, për të bekuar dhe për të forcuar njerëzit e tjerë.
Priftëria më e lartë merret nga një besëlidhje solemne që përfshin detyrimin për të vepruar sipas autoritetit (shih DeB 68:8) dhe detyrës (shih DeB 107:99) që është marrë. Si mbajtës të autoritetit të shenjtë të Perëndisë, ne jemi agjentë që veprojmë dhe jo objekte që detyrohemi të veprojnë (shih 2 Nefi 2:26). Priftëria është qenësisht aktive në vend se pasive.
Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim:
“Nuk është e mjaftueshme të marrësh priftërinë dhe më pas të rrish në pasivitet e të presësh derisa dikush të të nxisë në aktivitet. Kur marrim priftërinë, ne kemi detyrimin të përfshihemi aktivisht dhe me zell në përkrahjen e kauzës së drejtësisë në tokë, sepse Zoti thotë:
‘… Ai që nuk bën asgjë derisa të urdhërohet dhe e merr një urdhërim me zemër dyshuese dhe e zbaton atë me ngathtësi, po ai mallkohet’ [DeB 58:29]” (So Shall Ye Reap [1960], f. 21).
Presidenti Spenser W. Kimball gjithashtu theksoi me ton plot nënkuptim natyrën aktive të priftërisë: “Një njeri e thyen besëlidhjen e priftërisë duke shkelur urdhërimet – por gjithashtu duke i lënë të papërfunduara detyrat e tij. Prandaj, për të thyer këtë besëlidhje një njeri duhet vetëm të mos bëjë gjë” (The Miracle of Forgiveness [1969], f. 96).
Kur bëjmë më të mirën tonë për të përmbushur përgjegjësitë tona të priftërisë, ne mund të bekohemi me fuqinë e priftërisë. Fuqia e priftërisë është fuqia e Perëndisë që funksionon nëpërmjet burrave dhe djemve si ne, dhe që kërkon drejtësi vetjake, besnikëri, bindje dhe zell. Një djalë ose një burrë mund ta marrë autoritetin e priftërisë me anë të vënies së duarve, por nuk do të ketë asnjë fuqi priftërie nëse ai është i pabindur, i padenjë ose jo i gatshëm për të shërbyer.
“Të drejtat e priftërisë lidhen në mënyrë të pandashme me fuqitë e qiellit dhe … fuqitë e qiellit nuk mund të kontrollohen, as përdoren, vetëm mbi bazën e parimeve të drejtësisë.
Që ato mund të na dhurohen, është e vërtetë; por, kur përpiqemi t’i mbulojmë mëkatet tona ose të kënaqim krenarinë tonë, ambicien tonë të kotë ose të ushtrojmë kontroll apo sundim, apo detyrim mbi shpirtrat e fëmijëve të njerëzve në çfarëdo shkallë padrejtësie, vini re, qiejt tërhiqen; Shpirti i Zotit hidhërohet; dhe kur ai tërhiqet, Amen priftërisë ose autoritetit të atij njeriu” (DeB 121:36–37; theksimi i shtuar).
Vëllezër, që një djalë apo një burrë të marrë autoritetin e priftërisë por të shpërfillë të bëjë atë çka është e domosdoshme për t’u kualifikuar për fuqinë e priftërisë, është e papranueshme për Zotin. Mbajtësit e priftërisë, të rinj dhe të vjetër kanë nevojë si për autoritetin edhe për fuqinë – autorizimi i duhur dhe aftësia shpirtërore për të përfaqësuar Perëndinë në punën e shpëtimit.
Një Mësim nga Babai Im
Unë u rrita në një shtëpi me një nënë besnike dhe një baba të mrekullueshëm. Nëna ime ishte pasardhëse e pionierëve, të cilët sakrifikuan gjithçka për Kishën dhe mbretërinë e Perëndisë. Babai im nuk ishte anëtar i Kishës sonë dhe, kur kishte qenë djalë i ri, kishte pasur dëshirë të bëhej një prift katolik. Përfundimisht, ai zgjodhi të mos merrte pjesë në seminarin teologjik dhe në vend të kësaj ndoqi një profesion si bërës veglash e formash prej metali.
Për pjesën më të madhe të jetës së tij bashkëshortore, babai im mori pjesë me familjen tonë në mbledhjet e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Në fakt, pjesa më e madhe e njerëzve në lagjen tonë nuk e kishin idenë që babai im nuk ishte anëtar i Kishës. Ai luajti dhe stërviti ekipin e softbollit të lagjes sonë, ndihmoi për aktivitetet e bojskautit dhe përkrahu nënën time në thirrjet e përgjegjësitë e saj të ndryshme. Unë dëshiroj t’ju tregoj juve një nga mësimet e mëdha që mësova nga babai rreth autoritetit dhe fuqisë së priftërisë.
Kur isha djalosh, unë e pyesja babanë shumë herë çdo javë, se kur do të pagëzohej. Ai përgjigjej me përzemërsi por me vendosmëri çdo herë që e ngacmoja: “Dejvid, unë nuk do të bashkohem me Kishën për shkak të nënës tënde, për ty apo për këdo tjetër. Do të bashkohem me Kishën kur ta di se është gjëja e duhur për t’u bërë.”
Besoj se isha në vitet e hershme të adoleshencës kur ndodhi bashkëbisedimi i mëposhtëm me babanë tim. Ne sapo ishim kthyer në shtëpi nga marrja pjesë së bashku në mbledhjet e së dielës dhe e pyeta babanë tim se kur do të pagëzohej. Ai buzëqeshi dhe tha: “Je i vetmi njeri që më pyet gjithmonë rreth pagëzimit. Sot kam unë një pyetje për ty.” Unë me ngut dhe me entuziazëm arrita në përfundimin se tani po përparojmë!
Babai im vazhdoi: “Dejvid, kisha juaj jep mësim se priftëria u mor nga toka në lashtësi dhe iu rivendos nga lajmëtarë qiellorë Profetit Jozef Smith, apo jo?” Unë u përgjigja se deklarata e tij ishte e saktë. Më pas, ai tha: “Ja dhe pyetja ime. Çdo javë në mbledhjen e priftërisë unë dëgjoj peshkopin dhe udhëheqës të tjerë të priftërisë t’u kujtojnë, luten dhe përgjërohen burrave të bëjnë mësimet e tyre të shtëpisë dhe të kryejnë detyrat e tyre të priftërisë. Nëse kisha juaj vërtet ka priftërinë e rivendosur të Perëndisë, përse shumë burra në kishën tuaj nuk ndryshojnë në kryerjen e detyrës së tyre fetare nga burrat në kishën time?” Mendja ime djaloshare menjëherë u turbullua plotësisht. Nuk kisha asnjë përgjigje të përshtatshme për babanë tim.
Besoj se babai im e kishte gabim që gjykonte vlefshmërinë e deklarimit të Kishës sonë për autoritetin hyjnor nga cenet e burrave me të cilët ai shoqërohej në lagjen tonë. Por i ngulitur në pyetjen e tij për mua ishte një supozim i saktë se burrat që mbajnë priftërinë e shenjtë të Perëndisë duhet të jenë ndryshe nga burrat e tjerë. Burrat që mbajnë priftërinë nuk janë qenësisht më të mirë se burrat e tjerë, por ata duhet të veprojnë ndryshe. Burrat që mbajnë priftërinë, jo vetëm që duhet të marrin autoritetin e priftërisë por gjithashtu të bëhen mjete të denjë e besnikë të fuqisë së Perëndisë. “Jini të pastër që të mbani enët e Zotit” (DeB 38:42).
Unë kurrë nuk i kam harruar mësimet rreth autoritetit dhe fuqisë së priftërisë që mësova nga babai im, një burrë i mirë jo i besimit tonë, që priste më shumë nga burrat që pretendonin se mbanin prifërinë e Perëndisë. Ai bashkëbisedim i së dielës pasdite me babanë tim shumë vite më parë, krijoi te unë një dëshirë për të qenë një “djalë i mirë”. Unë nuk doja të isha një shembull i ngratë dhe një pengesë për përparimin e babait tim në mësimin rreth ungjillit të rivendosur. Unë thjesht dëshiroja të isha një djalë i mirë. Zoti ka nevojë që të gjithë ne si mbajtës të autoritetit të Tij të jemi të ndershëm, të virtytshëm dhe djem të mirë në të gjitha kohët dhe në të gjithë vendet.
Ju mund të jeni të interesuar të dini se disa vite më vonë, babai im u pagëzua. Dhe në kohët e përshtatshme, unë pata mundësinë t’i jap atij Priftërinë Aarone dhe Melkizedeke. Një nga përvojat më të mrekullueshme të jetës sime ishte të shihja babanë tim të merrte autoritetin dhe, së fundi, fuqinë e priftërisë.
E ndaj me ju këtë mësim të spikatur që mësova nga babai, për të theksuar një të vërtetë të thjeshtë. Marrja e autoritetit të priftërisë me anë të vënies së duarve është një fillim i rëndësishëm, por nuk është e mjaftueshme. Shugurimi jep autoritetin, por kërkohet drejtësi për të vepruar me fuqi ndërsa luftojmë për të ngritur shpirtra, për të dhënë mësim e për të dëshmuar, për të bekuar e për të këshilluar dhe për të çuar përpara punën e shpëtimit.
Në këtë kohë shumë të rëndësishme të historisë së tokës, unë dhe ju si mbajtës të priftërisë duhet të jemi burra të drejtë dhe mjete të dobishme në duart e Perëndisë. Ne duhet të shkëlqejmë si burra të Perëndisë. Unë dhe ju do të bënim mirë të mësonim dhe ta mbanim parasysh shembullin e Nefit, nipit të Helamanit dhe të parit nga dymbëdhjetë dishepujt e thirrur nga Shpëtimtari në fillim të shërbesës së Tij midis nefitëve. “Dhe [Nefi] u mësoi atyre shumë gjëra. … Dhe Nefi i mësoi me fuqi dhe me autoritet të madh” (3 Nefi 7:17).
“Ju lutem, Ndihmojeni Bashkëshortin Tim të Kuptojë”
Në mbyllje të intervistave për rekomandim tempulli që drejtoja si peshkop dhe president kunji, unë shpesh do t’i pyesja motrat e martuara se si mund t’u shërbeja më mirë atyre dhe familjeve të tyre. Përputhshmëria e përgjigjeve që mora nga ato gra besnike, ishte si udhëzuese edhe alarmuese. Motrat rrallë herë u ankuan apo kritikuan, por ato shpesh u përgjigjën si më poshtë: “Ju lutem, ndihmojeni bashkëshortin tim të kuptojë përgjegjësinë e tij si udhëheqës i priftërisë në shtëpinë tonë. Jam e lumtur që kryesoj në studimin e shkrimeve të shenjta, lutjen familjare dhe mbrëmjen familjare në shtëpi dhe do vazhdoj të veproj kështu. Por shpresoj që bashkëshorti im do të jetë një partner i barabartë dhe do të ofrojë udhëheqjen e fortë të priftërisë që vetëm ai mund ta japë. Ju lutem, ndihmojeni bashkëshortin tim të mësojë se si të bëhet një patriark dhe një udhëheqës i priftërisë në shtëpinë tonë, ku kryeson dhe mbron.”
Unë shpesh mendoj mbi sinqeritetin e atyre motrave dhe për kërkesën e tyre. Udhëheqësit e priftërisë dëgjojnë shqetësime të ngjashme sot. Shumë bashkëshorte po luten për bashkëshortë që nuk kanë vetëm autoritetin e priftërisë, por edhe fuqinë e priftërisë. Ato digjen nga dëshira të jenë në një zgjedhë bashkë me një bashkëshort besnik dhe shoqërues të priftërisë në punën e krijimit të një shtëpie me Krishtin në qendër dhe të përqendruar te ungjilli.
Vëllezër, unë ju premtoj se, në qoftë se unë dhe ju do t’i meditojmë me lutje kërkesat e këtyre motrave, Fryma e Shenjtë do të na ndihmojë të shohim vetveten siç jemi në të vërtetë (shih DeB 93:24) dhe do të na ndihmojë të njohim gjërat që duhet të ndryshojmë dhe përmirësojmë. Dhe koha për të vepruar është tani!
Jini Shembuj Drejtësie
Sonte përsëris mësimet e Presidentit Tomas S. Monson, që na ka ftuar ne si mbajtës të priftërisë të jemi “shembuj drejtësie”. Ai vazhdimisht na ka kujtuar se jemi në detyrën e Zotit dhe na është dhënë e drejta të kemi ndihmën e Tij, që varet nga denjësia jonë (shih “Shembuj Drejtësie”, Liahona, maj 2008, f. 65–68). Unë dhe ju mbajmë autoritetin e priftërisë që është kthyer në tokë në këtë periudhë ungjillore nga lajmëtarë qiellorë, madje Gjon Pagëzori, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni. Dhe si rrjedhojë, çdo burrë që merr Priftërinë Melkizedeke mund të gjurmojë hierarkinë e autoritetit të tij personal drejtpërdrejt te Zoti Jezu Krisht. Unë shpresoj se ne jemi mirënjohës për këtë bekim të mrekullueshëm. Unë lutem që do të jemi të pastër dhe të denjë për të përfaqësuar Zotin ndërkohë që ushtrojmë autoritetin e Tij të shenjtë. U kualifikoftë secili prej nesh për fuqinë e priftërisë.
Unë dëshmoj se priftëria e shenjtë është rivendosur me të vërtetë në tokë në këto ditë të mëvonshme dhe gjendet në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Dëshmoj edhe se Presidenti Tomas S. Monson është prifti i lartë kryesues mbi priftërinë e lartë të Kishës (shih DeB 107:9, 22, 65–66, 91–92) dhe i vetmi person mbi tokë që mban dhe gjithashtu është i autorizuar të ushtrojë të gjithë çelësat e priftërisë. Për këto gjëra unë dëshmoj solemnisht në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.