2010–2019
Besoni, Binduni, Duroni
Prill 2012


Besoni, Binduni dhe Duroni

Besoni se të qëndroni të forta dhe besnike ndaj të vërtetave të ungjillit ka rëndësi maksimale. Unë dëshmoj se është kështu!

Të dashura motra të mia të reja, përgjegjësia që t’ju drejtohem juve është përulëse. Unë lutem për ndihmë hyjnore, që të jem në lartësinë e një mundësie të tillë.

Vetëm 20 vite më parë, ju ende nuk e kishit nisur udhëtimin tuaj nëpër vdekshmëri. Ju ishit ende në shtëpinë tuaj qiellore. Atje ju ishit mes atyre që ju donin dhe që shqetësoheshin për mirëqenien tuaj të përjetshme. Përfundimisht, jeta në tokë u bë thelbësore për përparimin tuaj. Pa dyshim që u shprehën lamtumira dhe u dhanë shprehje mirëbesimi. Ju morët trupa dhe u bëtë të vdekshme, të përjashtuara nga prania e Atit tuaj Qiellor.

Megjithatë, një mirëseardhje e gëzueshme ju priste këtu në tokë. Ato vite të para ishin të çmuara e të veçanta. Satani nuk kishte fuqi që t’ju tundonte, sepse ju nuk ishit bërë ende të përgjegjshme. Ju ishit të pafajshme përpara Perëndisë.

Shpejt ju hytë në atë periudhë që disa e kanë etiketuar si “adoleshenca e tmerrshme”. Unë preferoj ta quaj “adoleshenca fantastike”. Çfarë kohe mundësie, një stinë rritjeje, një periudhë zhvillimi – e shënuar nga fitimi i njohurive dhe kërkimi për të vërtetën.

Askush nuk i ka përshkruar vitet e adoleshencës si të lehta. Shpesh ato janë vite pasigurie, të ndjenjave sikur nuk jeni aq të mira sa duhet, i përpjekjes për të gjetur vendin tuaj mes bashkëmoshatarëve, i përpjekjes për t’u përshtatur shoqërisht. Kjo është një kohë kur ju bëheni më të pavarura – dhe ndoshta dëshironi më shumë liri sesa janë të gatshëm t’ju japin prindërit tuaj pikërisht tani. Ato janë gjithashtu vitet më të rëndësishme kur Satani do t’ju tundojë dhe do të bëjë më të mirën që mundet, që t’ju tërheqë nga shtegu i cili do t’ju kthejë në atë shtëpi qiellore nga e cila erdhët, do t’ju kthejë te të dashurit tuaj atje dhe do t’ju kthejë tek Ati juaj Qiellor.

Bota përreth jush, nuk është e pajisur për t’ju siguruar ndihmën e cila ju nevojitet për t’ia dalë mbanë përmes këtij udhëtimi shpesh të pabesë. Kaq shumë njerëz në shoqërinë tonë sot duken sikur janë zgjidhur nga moli i sigurisë dhe janë zhvendosur nga limani i paqes.

Lejimi ndaj mëkatimit, imoraliteti, pornografia, drogat, fuqia e shtytjes së shoqërisë – të gjitha këto dhe të tjera – bëjnë që shumë vetë të lëkunden në një det mëkati dhe të dërrmohen në shkëmbijtë e thepisur nënujorë të mundësive të humbura, bekimeve të çuara dëm dhe ëndrrave të shkatërruara.

A ka një udhë drejt sigurisë? A ka shpëtim prej shkatërrimit kanosës? Përgjigjja është një po kumbuese! Unë ju këshilloj që të shihni te fari i Zotit. Unë e kam thënë këtë më parë; unë do ta them sërish: nuk ka mjegull aq të dendur, natë aq të errët, tufan aq të fortë, marinar aq të humbur, saqë fari i Zotit të mos mund ta shpëtojë. Ai na sinjalizon gjatë stuhive të jetës. Ai na thërret: “Këtej drejt sigurisë. Këtej për në shtëpi.” Ai lëshon sinjale drite që shihen lehtë dhe nuk dështojnë kurrë. Nëse ndiqen, këto sinjale do t’ju udhëheqin për t’u kthyer te shtëpia juaj qiellore.

Dëshiroj t’ju flas sonte për tri sinjale thelbësore nga fari i Zotit që do t’ju ndihmojnë të ktheheni tek ai Atë që pret me padurim kthimin tuaj triumfues në shtëpi. Këto tri sinjale janë: besoni, bindunidhe duroni.

Së pari, po përmend një sinjal që është themelor dhe thelbësor: besoni. Besoni se ju jeni një bijë e Atit Qiellor, se Ai ju do dhe se jeni këtu për një qëllim të lavdishëm – që të fitoni shpëtimin tuaj të përjetshëm. Besoni se të qëndroni të forta dhe besnike ndaj të vërtetave të ungjillit ka rëndësi maksimale. Unë dëshmoj se është kështu!

Mikeshat e mia të reja, besoni në fjalët që thoni çdo javë ndërsa recitoni temën e Të Rejave. Mendoni për kuptimin e atyre fjalëve. Ka të vërtetë atje. Përpiquni fort që t’i jetoni gjithmonë vlerat që përmenden. Besoni që, ashtu siç deklaron tema juaj, nëse i pranoni dhe veproni sipas atyre vlerave, ju do të jeni të përgatitura të forconi shtëpinë dhe familjen, të bëni dhe të mbani besëlidhjet e shenjta, të merrni ordinancat e tempullit dhe, së fundi, të gëzoni bekimet e ekzaltimit. Këto janë të vërteta të bukura të ungjillit dhe, duke i ndjekur ato, ju do të jeni më të lumtura gjatë gjithë jetës suaj këtu dhe më pas, sesa do të ishit po t’i shpërfillni ato.

Shumicës prej jush ju janë dhënë mësim të vërtetat e ungjillit që nga koha kur keni qenë vogëlushe. Juve ju është dhënë mësim nga prindër të dashur dhe mësues dashamirës. Të vërtetat që ju dhanë ata, ju ndihmuan të fitonit një dëshmi; ju besuat atë që ju është dhënë mësim. Edhe pse ajo dëshmi mund të vazhdojë të ushqehet shpirtërisht dhe të rritet ndërsa studioni, ndërsa luteni për udhëheqje dhe ndërsa merrni pjesë çdo javë në mbledhjet tuaja në Kishë, varet prej jush që ta mbani gjallë atë dëshmi. Satani do të përpiqet me gjithë çka mundet që ta shkatërrojë atë. Gjatë gjithë jetës suaj juve do t’ju duhet ta ushqeni atë. Ashtu si flaka e një zjarri ndriçues që digjet, dëshmia juaj – nëse nuk ushqehet vazhdimisht – do të venitet deri në thëngjij flakërues dhe pastaj do të ftohet plotësisht. Ju nuk duhet ta lejoni që të ndodhë kjo.

Përveç që të ndiqni mbledhjet tuaja të së dielës dhe aktivitetet mbrëmjeve gjatë javës, kur të keni shansin që të përfshiheni në seminar, qoftë herët në mëngjes ose gjatë orëve të lira mësimore, shfrytëzojeni atë mundësi. Shumë prej jush po e frekuentojnë tani seminarin. Ashtu si me çdo gjë në jetë, shumë prej asaj që do të merrni nga përvoja juaj në seminar, varet nga qëndrimi juaj dhe gatishmëria për të marrë mësim. Qoftë qëndrimi juaj një qëndrim përulësie dhe dëshire për të mësuar. Sa mirënjohës jam për mundësinë që pata kur isha adoleshent për të frekuentuar seminarin herët në mëngjes, sepse ai luajti një rol jetik në zhvillimin tim dhe në zhvillimin e dëshmisë sime. Seminari mund të ndryshojë jetën.

Shumë vite më parë, isha në një bord drejtuesish me një burrë të shkëlqyer që kishte qenë jashtëzakonisht i suksesshëm në jetë. Më la mbresë integriteti i tij moral dhe besnikëria ndaj Kishës. Mësova se ai kishte fituar një dëshmi dhe ishte bashkuar me Kishën për shkak të seminarit. Kur ishte martuar, bashkëshortja e tij kishte qenë në Kishë që kur kishte lindur. Ai nuk i përkiste asnjë kishe. Gjatë viteve dhe me gjithë përpjekjet e saj, ai nuk shfaqi interes për të marrë pjesë në kishë me bashkëshorten dhe fëmijët e tij. Dhe më pas ai filloi t’i çonte me makinë dy nga bijat e tij në seminar herët në mëngjes. Ai do të qëndronte në makinë ndërkohë që ato zhvillonin orën e tyre mësimore dhe pastaj do t’i çonte në shkollë me makinë. Një ditë po binte shi dhe një prej të bijave i tha: “Hyr, Babi. Mund të qëndrosh në korridor.” Ai e pranoi ftesën. Dera e klasës ishte e hapur dhe ai filloi të dëgjonte. Zemra e tij u prek. Gjatë pjesës tjetër të atij viti shkollor, ai mori pjesë në seminar me bijat e tij, gjë që çoi përfundimisht në anëtarësinë e tij dhe një aktivitet në Kishë gjatë të gjithë jetës. Le të ndihmojë seminari për të ndërtuar dhe forcuar dëshminë tuaj.

Do të ketë kohë kur do të përballeni me sfida që mund ta rrezikojnë dëshminë tuaj, ose ju mund ta shpërfillni ndërsa ndiqni interesa të tjera. Unë ju përgjërohem që ta mbani të fortë. Është përgjegjësia juaj dhe vetëm juaja, që ta mbani flakën e saj të digjet me shkëlqim. Kërkohen përpjekje, por janë përpjekje për të cilat kurrë ndonjëherë nuk do t’ju vijë keq. Më kujtohen fjalët e një kënge të shkruar nga Xhuli de Azevedo Hanks. Duke iu referuar dëshmisë së saj, ajo shkroi:

Nëpër erërat e ndryshimit

Rrethuar nga retë e dhembjes

Unë e ruaj atë me jetën time

Kam nevojë për ngrohtësi – kam nevojë për dritë

Edhe pse stuhia do të tërbohet

Unë qëndroj kundrejt shiut me rrebesh

Unë mbetem

Një mbajtëse e flakës.1

Besofshi dhe pastaj e mbajtshi flakën e dëshmisë suaj që të digjet plot shkëlqim, pavarësisht çfarë mund të ndodhë.

Tjetra, të reja, qofshi të bindura. Bindjuni prindërve tuaj. Bindjuni ligjeve të Perëndisë. Ato na janë dhënë nga një Atë i dashur Qiellor. Nëse u bindemi, jeta jonë do të jetë më përmbushëse, më pak e ngatërruar. Sfidat dhe problemet tona do të jenë më të lehta për t’u duruar. Ne do të marrim bekimet e premtuara prej Zotit. Ai ka thënë: “Zoti kërkon zemrën dhe një mendje të gatshme; dhe të gatshmit dhe të bindurit do të hanë të mirat e tokës së Sionit në këto ditë të fundit”2.

Ju keni vetëm një jetë për të jetuar. Mbajeni sa më të lirë të mundeni nga telashet. Ju do të tundoheni, nganjëherë nga njerëz që keni menduar se i kishit miq.

Disa vite më parë fola me një këshilluese të grupit Mia Meid, e cila më tregoi një përvojë që kishte pasur me një nga të rejat në klasën e saj. Kjo e re ishte tunduar kohë pas kohe që ta linte shtegun e së vërtetës dhe të ndiqte rrugën e tërthortë të mëkatit. Nëpërmjet këmbënguljes së vazhdueshme të disa prej shoqeve të saj në shkollë, së fundi ajo kishte rënë dakord që të ndiqte një rrugë të tillë tërthore. Ishte bërë plani: ajo do t’u thoshte prindërve se do të shkonte në mbrëmjen e saj të aktiviteteve për Të Rejat. Megjithatë, ajo planifikoi të ishte aty vetëm për aq kohë sa të vinin e ta merrnin shoqet e saj dhe ata me të cilët ato po takoheshin. Ata pastaj do të shkonin në një mbrëmje ku do të përdoreshin pije alkoolike dhe ku sjellja do të ishte në shkelje të plotë të atyre gjërave që kjo e re e dinte se ishin të drejta.

Mësuesja ishte lutur për frymëzim që t’i ndihmonte të gjitha vajzat e saj, por veçanërisht për këtë të re, që dukej kaq e pasigurt për zotimin e saj ndaj ungjillit. Mësuesja kishte marrë frymëzim atë natë që ta linte atë që kishte planifikuar paraprakisht dhe t’u fliste vajzave për të qëndruar të pastra moralisht. Kur ajo filloi të tregonte mendimet e ndjenjat e saj, e reja në fjalë e kontrollonte shpesh orën që të sigurohej se nuk po humbiste takimin me shoqet e saj. Megjithatë, ndërsa diskutimi vazhdoi, zemra e saj u prek, ndërgjegjja e saj u zgjua dhe vendosmëria e saj u përtëri. Kur tingulli i përsëritur i borisë së automjetit e thirri, ajo e shpërfilli atë. Ajo mbeti gjatë të gjithë mbrëmjes në klasë me mësuesen e saj dhe vajzat e tjera. Tundimi për të devijuar nga udha e miratuar e Perëndisë, ishte shmangur. Satani ishte zmbrapsur. E reja qëndroi pasi të tjerat ishin larguar me qëllim që ta falënderonte mësuesen e saj për mësimin dhe t’i tregonte se si e kishte ndihmuar që të shmangte atë që mund të kishte pasur një rezultat tragjik. Lutja e një mësueseje kishte marrë përgjigje.

Mësova më tej se, për shkak se kishte marrë vendim që të mos shkonte me shoqërinë e saj atë natë – disa nga vajzat e djemtë më të pëlqyer në shkollë – ata e kishin shmangur të renë dhe, për shumë muaj, ajo nuk kishte miq në shkollë. Ata nuk mund ta pranonin se ajo nuk ishte e gatshme të bënte gjërat që ata bënë. Qe një periudhë jashtëzakonisht e vështirë dhe e vetmuar për të, por ajo mbeti e palëkundur dhe, përfundimisht, fitoi shoqëri që kishte standardet e saj. Tani, disa vite më vonë, ajo ka bërë një martesë në tempull dhe katër fëmijë të mrekullueshëm. Sa e ndryshme mund të kishte qenë jeta e saj. Vendimet tona përcaktojnë fatin tonë.

Të reja të çmuara, bëni që çdo vendim që mendoni, të kalojë këtë testim: “Çfarë më bën kjo mua? Çfarë bën kjo për mua?” Dhe mos lejoni që kodi juaj i sjelljes të theksojë “Çfarë do të mendojnë të tjerët?” por përkundrazi “Çfarë do të mendoj unë për veten?” Ndikohuni nga ai zë i qetë dhe i ulët. Kujtoni se dikush me autoritet iu vuri duart mbi kokë në kohën e konfirmimit tuaj dhe tha: “Merre Frymën e Shenjtë”. Hapini zemrat, madje vetë shpirtrat tuaj, ndaj tingullit të atij zëri të veçantë që dëshmon për të vërtetën. Ashtu si premtoi profeti Isaia: “Veshët e tu do të dëgjojnë … një fjalë që do të thotë: ‘Kjo është rruga, ecni në të!’”3

Qëndrimi i zakonshëm i kohës sonë është lejueshmëria ndaj mëkatimit. Revistat dhe shfaqjet televizive portretizojnë yje të ekranit të filmave, heronj të fushës atletike – ata të cilët shumë të rinj janë të etur t’i kenë shembull – të cilët shpërfillin ligjet e Perëndisë dhe përfshihen haptas në praktika mëkatare, pa ndonjë pasojë në dukje. Mos e besoni këtë! Ka një kohë kur bëhen llogaritë – madje një bilanc të librit të llogarive. Çdo Hirushe ka mesnatën e saj – nëse jo në këtë jetë, atëherë në tjetrën. Dita e Gjykimit do të vijë për të gjithë. A jeni të përgatitura? A jeni të kënaqura me rezultatin tuaj?

Nëse ndokush është penguar në udhëtimin e saj, ju premtoj se ka një mënyrë kthimi pas. Procesi quhet pendim. Shpëtimtari ynë vdiq që të na siguronte juve dhe mua atë dhuratë të bekuar. Edhe pse shtegu është i vështirë, premtimi është i vërtetë. Tha Zoti: “Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora”4. “Dhe nuk do [t’i] kujtoj më [ato].”5

Motrat e mia të reja e të dashura, ju keni dhuratën e çmuar të lirisë së zgjedhjes. Unë ju përgjërohem që të zgjidhni të bindeni.

Së fundi, qofshi të duruara. Çfarë do të thotë të durosh? Më pëlqen shumë ky përkufizim: të rezistosh me kurajë. Kuraja mund të jetë e nevojshme që ju të besoni; nganjëherë do të jetë e nevojshme ndërsa ju bindeni. Me sigurinë më të madhe do të kërkohet ndërsa ju duroni deri në atë ditë kur ta lini këtë ekzistencë në vdekshmëri.

Kam folur gjatë viteve me shumë njerëz që më kanë thënë: “Kam kaq shumë probleme, shqetësime kaq të rënda. Jam i trullosur nga sfidat e jetës. Çfarë mund të bëj?” U kam ofruar atyre dhe tani ju ofroj juve, këtë sugjerim të veçantë: kërkoni udhëheqje qiellore çdo ditë një e nga një. Të jetosh duke u shqetësuar për të ardhmen është e vështirë, por të jetosh duke u kujdesur për çastin është e lehtë. Secili prej nesh mund të jetë i vërtetë për vetëm një ditë – dhe pastaj një tjetër dhe pastaj një tjetër pas asaj – derisa të kemi jetuar një jetë të udhëhequr nga Shpirti, një jetë pranë Zotit, një jetë me vepra të mira dhe drejtësi. Shpëtimtari premtoi: “Shikoni tek unë dhe duroni deri në fund, dhe do të jetoni; pasi atij që duron deri në fund, unë do t’i jap jetën e përjetshme”6.

Për këtë qëllim keni ardhur ju në vdekshmëri, miket e mia të reja. Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa synimi që po përpiqeni fort të arrini – madje jeta e përjetshme në mbretërinë e Atit tuaj.

Ju jeni bija tepër të çmuara të Atit tonë Qiellor të dërguara në tokë në këtë ditë dhe kohë për një qëllim. Ju jeni rezervuar pikërisht deri në këtë orë. Gjëra të mrekullueshme e të lavdishme ju presin vetëm nëse besoni, bindeni dhe duroni. Qoftë ky bekimi juaj, unë lutem në emrin e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë, amen.