2010–2019
Kërkoni të Mësoni: Ju Keni një Punë për të Bërë
Prill 2012


Kërkoni të Mësoni: Ju Keni një Punë për të Bërë

Bekojini fëmijët tuaj dhe familjen e ardhshme duke mësuar sa më shumë që të mundeni tani.

Të rejat e mia të dashura, ne e duam shumë çdonjërën prej jush. Ne ju shohim duke vepruar me guxim e duke qenë shembuj drite në një botë ku mundësitë e mëdha shoqërohen nga sfida të mëdha. Kjo mund t’ju bëjë ta pyesni veten: “Çfarë më pret në të ardhmen?” Unë ju siguroj se, si një bijë e virtytshme e Perëndisë, e ardhmja juaj është e ndritur! Ju jetoni në një kohë kur të vërtetat e ungjillit janë rivendosur dhe këto të vërteta mund të gjenden në shkrimet tuaja të shenjta. Ju morët dhuratën e Frymës së Shenjtë, në kohën e pagëzimit tuaj, dhe Fryma e Shenjtë do t’jua mësojë të vërtetën e do t’ju përgatisë për sfidat e jetës.

Perëndia ju dha lirinë morale të zgjedhjes dhe mundësinë për të mësuar ndërsa jeni në tokë dhe Ai ka një punë për t’u bërë nga ju. Për ta përmbushur këtë punë, ju keni një përgjegjësi individuale për të kërkuar të mësoni. Çelësi i të ardhmes suaj, “feneri i shpresës”1 suaj mund të gjendet te broshura e re Për Forcën e Rinisë nën standardin e arsimit dhe te vlera e dijes së Të Rejave.

“Arsimi … do t’ju ofrojë mundësi.”2 Ndërsa e ndiqni paralajmërimin e Zotit që të “kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit”3, ju fitoni jo vetëm dije nga studimi juaj, por edhe njohuri shtesë ndërsa mësoni me anë të besimit.

Kërkoni të mësoni duke studiuar me zell. Rrallë do të jeni në gjendje të shpenzoni aq shumë kohë kushtuar nxënies sa mundeni tani. Presidenti Gordon B. Hinkli e këshilloi me mençuri rininë e Kishës: “Modeli i studimit që krijoni gjatë shkollimit tuaj zyrtar, do të ndikojë në një masë të madhe te dëshira juaj gjatë gjithë jetës për dije”4. “Ju duhet të merrni të gjithë arsimimin që mundeni. … Sakrifikoni gjithçka nevojitet të sakrifikohet që të kualifikoheni për të bërë punën e [kësaj] bote. … Stërvitni mendjen dhe duart që të bëheni një ndikim për mirë ndërsa përparoni në jetën tuaj.”5

Duke u folur veçanërisht grave, Presidenti Tomas S. Monson tha: “Shpesh e ardhmja është e panjohur; prandaj, është e nevojshme që të përgatitemi për situata që nuk mund t’i parashikojmë. … Unë ju nxis që të vazhdoni të arsimoheni dhe të mësoni aftësitë që kërkohen, në mënyrë që, nëse ndodh një situatë e tillë, ju të jeni të përgatitura për të siguruar të ardhura.”6

Të reja, ndiqni këshillën e këtyre profetëve të urtë e të frymëzuar. Jini nxënëse të mira. Ngrihuni dhe shkëlqeni në shkollat tuaja me punë të palodhur, me ndershmëri dhe integritet moral. Nëse jeni në vështirësi apo të shkurajuara me rezultatet tuaja në shkollë, kërkoni ndihmë nga prindërit, mësuesit dhe anëtarët ndihmues të Kishës. Kurrë mos u dorëzoni!

Bëni një listë të gjërave që dëshironi të mësoni, e pastaj “tregojani qëllimet për arsimin familjes, miqve dhe udhëheqësve tuaj në mënyrë që ata t’ju mbështesin dhe nxisin”7. Ky është modeli i Përparimit Personal.

Me teknologjinë, ju po bëheni dëshmitare të një shpërthimi njohurish. Ju ngarkoheni gjatë gjithë kohës me tinguj, video dhe komunikim në internet. Jini përzgjedhëse dhe mos e lejoni këtë pushtim njohurish t’ju hutojë apo t’ua ngadalësojë përparimin tuaj. Të Reja, merrni masa! Ju i përcaktoni qëllimet tuaja. Ju vendosni se çfarë hyn në mendjen e zemrën tuaj.

Një pjesë e nxënies suaj më të rëndësishme do të jetë jashtë klase. Rrethojeni veten me gra shembullore, që mund t’ju mësojnë aftësi për amvisërinë, artin, muzikën, historinë e familjes, sportet, të shkruarin apo të folurin. Njihuni me to dhe kërkojuni t’ju këshillojnë. Kur të keni mësuar diçka të re, jepeni atë mësim tek Aktivitetet e Të Rejave ose bëhuni një këshilluese për të reja të tjera si pjesë e kërkesave për medaljonin e Të Rejave “Bleta e Nderit”.

Përveç nënës sime të mrekullueshme, unë kam pasur shumë këshilluese në jetë. Për herë të parë u njoha me procesin e këshillimit kur isha vetëm nëntë vjeçe. Mësuesja ime e Fillores më mësoi të qëndisja me kryq “Unë Do të Sjell Dritën e Ungjillit në Shtëpinë Time”, një figurë që e vara në dhomën time gjatë viteve të mia të adoleshencës. Mësuesja ime më drejtoi, më korrigjoi dhe gjithmonë më nxiti përgjatë rrugës. Këshilluese të tjera vijuan. Dy rrobaqepëse të shkëlqyera në lagjen time më mësuan të qepja. Me drejtimin, durimin dhe inkurajimin e tyre, kur isha 14 vjeçe, unë futa një fustan në një konkurs qepjeje dhe në të vërtetë fitova një çmim! Procesi e shtoi dëshirën time për dije e përsosmëri edhe në fusha të tjera.

Marrja e dijes tani do të jetë shumë me vlerë kur të bëheni nënë. “Niveli arsimor i një nëne ka një ndikim të thellë te zgjedhjet arsimore të fëmijëve të [saj].”8 Arsimimi i një nëne mund të jetë “çelësi për të dalë nga varfëria”9. Gratë e arsimuara “priren për të: lindur fëmijë më të shëndetshëm, për të pasur fëmijë që janë më të shëndetshëm, për të pasur më shumë besim te vetja, për t’u përshtatur më shpejt dhe për të pasur arsyetim e gjykim më të mirë”10.

Ne mësojmë te “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës” se “nënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre”11. Sigurimi i arsimimit për fëmijët tuaj është pjesë e atij edukimi dhe është përgjegjësia juaj e shenjtë. Njësoj si për djemtë luftëtarë që “nënat [i] kishin mësuar”12, ju do të jeni mësuesja më e rëndësishme që do të kenë ndonjëherë fëmijët tuaj, kështu që zgjidheni të mësuarin tuaj me maturi. Bekojini fëmijët tuaj dhe familjen e ardhshme duke mësuar sa më shumë që të mundeni tani.

Kërkoni të mësoni me anë të besimit. Ne mësojmë me anë të besimit ndërsa fitojmë me zell dije shpirtërore përmes lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta dhe bindjes, dhe ndërsa kërkojmë drejtimin e Frymës së Shenjtë, që dëshmon për të gjitha të vërtetat. Nëse bëni pjesën tuaj për të fituar dije, Fryma e Shenjtë mund t’ua ndriçojë mendjen. Ndërsa përpiqeni ta mbani veten të denjë, Fryma e Shenjtë do t’ju japë drejtim e do ta rrisë nxënien tuaj.

Kur isha e re, mora hua një komplet skish që ishte tepër i gjatë, çizme që ishin shumë të mëdha, dhe një shoqe më mësoi të bëja ski! Ne shkuam në një ditë të bukur pranvere plot me diell të shndritshëm, borë të përsosur dhe qiell blu pa re. Ankthi për shpatet e pjerrëta u kthye në kënaqësi. Dhe megjithëse u rrëzova goxha herë me atë komplet të gjatë skish, u ngrita dhe vazhdova të përpiqesha. Arrita ta doja atë sport!

Sidoqoftë, shpejt e zbulova se jo të gjitha ditët e skive dhe kushtet e motit qenë aq ideale. Në ditë me qiej të vranët, ne bënim ski në një gjendje të quajtur “dritë e sheshtë”. Drita e sheshtë ndodh kur drita e diellit shpërhapet nga retë. Duke parë drejt dëborës së bardhë, perceptimi i thellësisë zhduket dhe është e vështirë të gjykosh pjerrësinë e shpatit apo të shohësh kodrat e vogla dhe xhungat mbi kodër.

Të reja, ju mund të jeni duke parë drejt të ardhmes suaj në të njëjtën mënyrë siç e pashë unë atë shpat të pjerrët të skive. Ndonjëherë, mund të ndieni se ju jeni në dritë të sheshtë, pa mundur të shihni atë çka ju pret. Mësimi me anë të besimit do t’ju japë siguri dhe do t’ju ndihmojë ta përshkoni rrugën tuaj gjatë periudhave të pasigurta.

Në kapitullin e 25–të të Mateut, shëmbëlltyra e dhjetë virgjëreshave na mëson se përgatitja shpirtërore është thelbësore dhe duhet të arrihet individualisht. Do t’ju kujtohet se të dhjeta virgjëreshat u ftuan për ta shoqëruar dhëndrin në gostinë e dasmës, por vetëm pesë virgjëreshat e mençura qenë përgatitur me vaj në llambat e tyre.

“Dhe budallaçkat u thanë të mençurave: ‘Na jepni nga vaji juaj, sepse llampat tona po na fiken’.

Por të mençurat duke u përgjigjur thanë: ‘Jo, sepse nuk do të mjaftonte as për ne e as për ju; më mirë shkoni te tregtarët dhe e blini’.

Tani kur ato shkuan ta blejnë, erdhi dhëndri; virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë; dhe dera u mbyll.”13

Ju mund të mendoni se pesë virgjëreshat u treguan egoiste që nuk e ndanë vajin, por ajo ishte e pamundur. Përgatitja shpirtërore duhet fituar individualisht, pak e nga pak dhe nuk mund të ndahet.

Tani është koha që veten t’ia kushtoni me zell rritjes së dijes tuaj shpirtërore, pak e nga pak, nëpërmjet lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta dhe bindjes. Tani është koha për të vazhduar arsimimin tuaj, – pak e nga pak. Çdo mendim dhe gjithashtu çdo veprim i virtytshëm u shton vaj llambave tuaja, duke ju kualifikuar për drejtimin e Frymës së Shenjtë, mësuesit tonë hyjnor.

Fryma e Shenjtë do t’ju drejtojë në udhëtimin tuaj në këtë jetë edhe kur ndieni se jeni në një dritë të sheshtë, të pasigurta për atë që ju pret. Nuk keni pse të frikësoheni. Teksa qëndroni në shtegun që ju çon drejt jetës së përjetshme, Fryma e Shenjtë do t’ju drejtojë në vendimet dhe të mësuarin tuaj.

Unë dëshmoj nga përvoja vetjake se, nëse do të kërkoni të mësoni jo vetëm me anë të studimit, por edhe me anë të besimit, ju do të drejtoheni tek ajo që “Zoti … do të ketë nevojë që ju të bëni dhe ajo që do t’ju duhet të dini”14.

Unë e mora bekimin patriarkal kur isha e re dhe u këshillova ta përgatisja veten me një arsimim të mirë dhe t’i mësoja herët në jetë ato virtyte që kërkon amvisëria dhe përkujdesja për një familje. Unë i dëshiroja vërtet bekimet e një familjeje; megjithatë, ai bekim nuk u përmbush derisa qeshë 37 vjeçe, kur së fundi u martova. Bashkëshorti kishte mbetur i ve kështu që, ditën kur u vulosëm në tempull, papritur unë u bekova jo vetëm me një bashkëshort por edhe me një familje prej katër fëmijësh.

Kohë përpara kësaj, kishte shumë ditë kur ndihesha sikur po bëja ski në një dritë të sheshtë duke bërë pyetjen: “Çfarë më pret në të ardhmen?” U përpoqa të ndiqja këshillat në bekimin tim patriarkal. Studiova me zell për t’u bërë një mësuese shkolle dhe e vazhdova arsimimin tim për t’u bërë drejtoreshë në shkollë fillore. Iu luta Atit tim Qiellor dhe kërkova drejtimin e Frymës së Shenjtë. Unë u besoja me zjarr premtimeve të profetëve që më siguruan se po të “qëndroja e vërtetë dhe besnike, të mbaja besëlidhjet e [mia], t’i shërbeja Perëndisë dhe t’i doja Atin [tim] në Qiell dhe Zotin Jezu Krisht, nuk do të më mohohej asnjë prej bekimeve të përjetshme që Ati ynë Qiellor ka për fëmijët e tij besnikë”15.

Tani e di se arsimimi im, më përgatiti për një jetë që nuk është fare ashtu siç e kisha përfytyruar kur isha e re. Mendova se po studioja mësuesi për t’u dhënë mësim fëmijëve të shkollave dhe fëmijëve të mi të ardhshëm, por nuk e dija se Zoti po më përgatiste edhe për të dhënë mësim gjuhën angleze në Mongoli, në një mision me bashkëshortin tim dhe për t’u dhënë mësim të rejave në Kishë anembanë botës ose për t’u mësuar nipërve e mbesave të mia vlerën e dijes – të gjitha bekime të jashtëzakonshme që nuk mund t’i kisha përfytyruar kurrë.

Unë dëshmoj se Ati ynë në Qiell ju njeh dhe ju do. Ai ka vënë mirëbesim të madh te ju dhe ka një punë që vetëm ju mund ta bëni. Dëshiroj t’ju siguroj se ju do të jeni të përgatitura për atë punë të madhe nëse kërkoni të mësoni me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Gordon B. Hinckley, “Reaching Down to Lift Another”, Liahona, janar 2002, f. 67.

  2. Për Forcën e Rinisë (broshurë, 2011), f. 9.

  3. Doktrina e Besëlidhje 88:118.

  4. Gordon B. Hinckley, Way to Be! Nine Ways to Be Happy and Make Something of Your Life (2002), f. 28.

  5. Gordon B. Hinckley, “Seek Learning”, New Era, shtator 2007, f. 2, 4.

  6. Thomas S. Monson, “If Ye Are Prepared Ye Shall Not Fear”, Liahona, nëntor 2004, f. 116.

  7. Për Forcën e Rinisë, f. 9.

  8. Cheryl Hanewicz and Susan R. Cheryl Hanewicz dhe Susan R. Madsen, “The Influence of a Mother on a Daughter’s College Decision”, Utah Women and Education Project, Research Snapshots, nr. 3 (janar 2011): 1.

  9. Marjorie Cortez, “Mom’s Education Key to Halt Poverty Cycle”, Deseret News, 23 shtator 2011, A1.

  10. Olene Walker, “More Utah Women Need to Finish College”, Salt Lake Tribune, 30 tetor 2011, O4.

  11. “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  12. Alma 56:47.

  13. Mateu 25:8–10.

  14. Henry B. Eyring, “Education for Real Life”, Ensign, tetor 2002, f. 18.

  15. M.Russell Ballard, “Preparing for the Future”, Ensign, shtator 2011, f. 27.