Arsyet dhe Qëllimet e Shërbimit të Priftërisë
Të kuptuarit e arsyeve dhe qëllimeve pse e jetojmë ungjillin dhe e arsyeve dhe qëllimeve pse e kemi dhe e përdorim priftërinë do të na ndihmojë ta shohim qëllimin hyjnor të të gjithë kësaj.
Më pëlqen jashtë mase kjo mundësi e mrekullueshme për t’u takuar me vëllezërit e priftërisë dhe për t’u ngazëllyer me ju në mrekullinë dhe bukurinë e ungjillit të Jezu Krishtit. Ju përgëzoj për besimin tuaj, punën tuaj të dobishme dhe drejtësinë tuaj të vazhdueshme.
Ne kemi një lidhje të përbashkët, që të gjithë kemi marrë shugurimin në priftërinë e Perëndisë nga ata anëtarë të besuar me autoritetin dhe fuqinë e shenjtë të priftërisë. Ky është një bekim i mrekullueshëm. Është një përgjegjësi e shenjtë.
Fuqia e Arsyeve dhe Qëllimeve
Kohët e fundit kam menduar për dy thirrje të rëndësishme që mora si mbajtës i priftërisë në Kishë.
E para nga këto thirrje erdhi kur isha dhjak. Unë ndiqja me familjen time degën e Kishës në Frankfurt të Gjermanisë. Ne ishim bekuar të kishim shumë njerëz të mrekullueshëm në degën tonë të vogël. Njëri ishte presidenti ynë i degës, Vëllai Landshulc. E admiroja shumë, edhe pse ai gjithnjë dukej të ishte goxha serioz, shumë zyrtar dhe pjesën më të madhe të kohës i veshur me një kostum të errët. Mbaj mend kur isha i ri që bëja shaka me miqtë e mi se sa i dalë mode dukej presidenti ynë i degës.
Kur mendoj për këtë tani, më vjen të qesh, sepse ka shumë mundësi që rinia e sotme e Kishës të më shohë në mënyrë shumë të ngjashme.
Një të diel, Presidenti Landshulc pyeti nëse mund të flisnim. Mendimi im i parë ishte: “Çfarë gabimi kam bërë?” Mendja ime në mënyrë të rrufeshme mendoi shumë gjëra që mund të kisha bërë, të cilat mund ta kishin frymëzuar këtë bisedë midis një presidenti dege dhe një dhjaku.
Presidenti Landshulc më ftoi në një klasë të vogël – kisha jonë nuk kishte një zyrë për presidentin e degës – dhe atje ai më drejtoi një thirrje për të shërbyer si president i kuorumit të dhjakëve.
“Ky është një pozicion i rëndësishëm”, tha ai, dhe më pas mori kohë dhe e përshkroi arsyen. Ai shpjegoi atë që ai dhe Zoti prisnin prej meje dhe se si mund të merrja ndihmë.
Nuk më kujtohet shumë nga çfarë tha ai, por vërtet, mbaj mend shumë mirë se si u ndieva. Ndërsa ai më foli, ndieva Shpirtin e shenjtë dhe hyjnor. Unë mund të ndieja se kjo ishte Kisha e Shpëtimtarit. Dhe ndieva se thirrja që ai më drejtoi, ishte e frymëzuar nga Fryma e Shenjtë. Më kujtohet që dola nga ajo klasë e vocërr duke u ndier pak fare më i gjatë sesa më parë.
U bënë afro 60 vite që nga ajo ditë, dhe ende i ruaj si thesar këto ndjenja të mirëbesimit dhe dashurisë.
Kur isha duke menduar përsëri mbi këtë përvojë, u përpoqa të kujtoj thjesht se sa dhjakë qenë në degën tonë në atë kohë. Me gjithë ç’mund të kujtoj, besoj se ishin dy. Megjithatë, ky mund të jetë një ekzagjerim i madh.
Por me të vërtetë nuk kishte rëndësi qoftë nëse kishte një dhjak apo dhjetra. Unë u ndieva i nderuar dhe doja të shërbeja me më të mirën e aftësisë time dhe të mos e zhgënjeja as presidentin e degës sime, as Zotin.
Tani e kuptoj se presidenti i degës mund të ma kishte drejtuar thirrjen pa i kushtuar shumë vëmendje, kur më thirri për atë pozicion. Ai thjesht mund të më kishte thënë në korridor ose gjatë mbledhjes sonë të priftërisë se unë isha presidenti i ri i kuorumit të dhjakëve.
Përkundrazi, ai kaloi kohë me mua dhe më ndihmoi të kuptoj jo vetëm se cila ishte detyra dhe përgjegjësia ime e re, por, më e rëndësishmja, arsyen dhe qëllimin e detyrës.
Ajo është diçka që nuk do ta harroj kurrë.
Kuptimi i kësaj historie nuk është që thjesht të përshkruaj se si duhen dhënë thirrjet në Kishë (edhe pse ky ishte një mësim i mrekullueshëm i mënyrës së duhur për ta bërë atë). Ky për mua është një shembull lidhur me fuqinë nxitëse të udhëheqjes së priftërisë që e zgjon shpirtërisht një njeri dhe frymëzon veprim.
Ne kemi nevojë t’i sjellim vazhdimisht ndër mend arsyet e përjetshme që qëndrojnë pas gjërave që urdhërohemi të bëjmë. Parimet themelore të ungjillit duhet të harmonizohen në jetën tonë, edhe nëse do të thotë t’i mësosh ato pa pushim. Ajo nuk do të thotë se ky proces duhet të jetë rutinë apo i mërzitshëm. Përkundrazi, kur ne i japim mësim parimet themelore në shtëpitë tona ose në kishë, entuziazmi për të jetuar ungjillin dhe një dëshmi e fuqishme le t’u sigurojnë njohuri, paqe dhe lumturi shpirtrave të njerëzve që u japim mësim.
Nga dhjaku më i ri i shuguruar deri te prifti i lartë më i vjetër, ne të gjithë kemi lista të gjërave të kërkuara që mund të bëjmë dhe duhet të bëjmë në përgjegjësitë tona të priftërisë. Gjëja e kërkuar është e rëndësishme në punën tonë dhe ne duhet të merremi me të. Por është te arsyeja dhe qëllimi i shërbimit të priftërisë që ne gjejmë zjarrin, pasionin dhe fuqinë e priftërisë.
Gjëja e kërkuar e shërbimit të priftërisë na mëson se çfarë të bëjmë. Arsyeja dhe qëllimi frymëzojnë shpirtin tonë.
Gjëja e kërkuar informon, por arsyeja dhe qëllimi shndërron.
Një Bollëk i Gjërave “Të Mira” Për t’u Bërë
Një tjetër thirrje e priftërisë për të cilën kam menduar, m’u dha shumë vite më vonë, kur kisha vetë familjen time. Ne ishim kthyer në Frankfurt të Gjermanisë dhe unë sapo kisha marrë një ngritje në detyrë, që do të kërkonte një pjesë të madhe të kohës dhe vëmendjes sime. Gjatë kësaj periudhe të ngarkuar të jetës sime, Plaku Jozef B. Uirthlin më drejtoi një thirrje për të shërbyer si president kunji.
Gjatë intervistës me të, shumë mendime më kaluan me shpejtësi në mendje, nga të cilët jo më pak i rëndësishmi qe shqetësimi turbullues që mund të mos kisha kohën që kjo thirrje do të kërkonte. Edhe pse u ndieva i përulur dhe i nderuar nga thirrja, për një kohë të shkurtër vrava mendjen nëse mund ta pranoja. Por ishte veçse një mendim i shkurtër, sepse e dija që Plaku Uirthlin ishte thirrur nga Perëndia dhe që po bënte punën e Zotit. Çfarë mund të bëja përveçse ta pranoja?
Ka çaste kur ne duhet të veprojmë me besim ndonëse nuk e dimë se ku do na shpien veprimet tona, me besim në vete se Perëndia do të na sigurojë përgjigjet dhe drejtimin për të cilin kemi nevojë sapo veprojmë me besim. Dhe kështu që e pranova me gëzim, duke e ditur se Perëndia do të ma siguronte kohën.
Në fillim të kësaj detyre, ne qemë të privilegjuar si kunj që të merrnim trajnim nga disa prej mësuesve dhe udhëheqësve më të shkëlqyer në Kishë – burra si Plaku Rasëll M. Nelson dhe Presidenti Tomas S. Monson erdhën në zonën tonë. Mësimdhënia e tyre qe si një bekim nga qielli dhe një frymëzim për ne. Unë ende i kam shënimet që mora gjatë këtyre sesioneve të trajnimit. Këta Vëllezër na dhanë kuptimin e asaj që do të thotë të ndërtosh mbretërinë e Perëndisë, duke ndërtuar dëshmitë vetjake dhe duke forcuar familjet. Ata na ndihmuan të shihnim se si t’i zbatonim të vërtetën dhe parimet e ungjillit në rrethanat tona të veçanta dhe për kohën tonë të posaçme. Për ta marrë në një aspekt tjetër, udhëheqësit e frymëzuar na ndihmuan të shihnim arsyet dhe qëllimet e ungjillit dhe neve na u desh të përvishnim mëngët dhe të shkonim të punonim.
Nuk zgjati shumë përpara se të kuptonim se kishte shumë gjëra që një presidencë kunji mund të bëjë – kaq shumë në fakt saqë, nëse nuk do të vendosnim përparësi të frymëzuara, mund të harronim të bënim ato të rëndësishmet. Përparësi konkurruese filluan të dilnin, duke e shmangur përqendrimin tonë nga përfytyrimi i treguar nga Vëllezërit. Kishte shumë gjëra “të mira” për t’u bërë, por jo të gjitha prej tyre kishin rëndësi më tepër.
Ne mësuam një mësim të rëndësishëm: fakti se diçka është e mirë, nuk është gjithmonë arsye e mjaftueshme që të kërkojë kohën dhe burimet tona. Aktivitetet, iniciativat dhe planet tona duhet të jenë të frymëzuara dhe të bazuara mbi arsyen dhe qëllimin e shërbimit tonë të priftërisë dhe jo nga çdo prirje e çastit apo interes i momentit. Përndryshe, ato mund t’i shpërqendrojnë përpjekjet tona, t’i dobësojnë energjitë tona dhe të na mbajnë të përqendruar tërësisht mbi vetë interesat tona, shpirtërore ose tokësore, që nuk janë në qendër të dishepullimit.
Vëllezër, ne të gjithë e dimë se kërkohet vetëdisiplinë për të mbetur i përqendruar mbi çështjet që kanë fuqinë më të madhe për të rritur dashurinë tonë për Perëndinë dhe bashkëqeniet, për të frymëzuar martesat, forcuar familjet dhe ndërtuar mbretërinë e Perëndisë në tokë. Ashtu si një pemë frutore me një bollëk degësh dhe gjethesh, ne duhet të “krasitemi” herë pas here që të sigurohemi se po e përdorim energjinë dhe kohën tonë për të përmbushur qëllimin tonë të vërtetë – “të jap[im] fryte të mira!”1
Ju Nuk Jeni Vetëm
Pra, si ta dimë se çfarë të zgjedhim? Ne të gjithë kemi përgjegjësinë ta përcaktojmë këtë për vetveten. Megjithatë, ne urdhërohemi t’i studiojmë me zell shkrimet e shenjta, t’ua vëmë veshin fjalëve të profetëve dhe ta bëjmë atë një çështje lutjeje të mbushur me besim, të rëndësishme dhe të dedikuar.
Vëllezër, Perëndia është besnik. Nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, Ai do t’u flasë mendjeve dhe zemrave tona përsa i përket shtegut që duhet të ndjekim gjatë çdo pjese të jetës sonë.
Nëse zemra jonë është e kulluar – nëse nuk kërkojmë vetë lavdinë tonë, por lavdinë e Perëndisë së Plotfuqishëm, nëse kërkojmë të bëjmë vullnetin e Tij, nëse dëshirojmë të bekojmë jetën e familjes dhe bashkëqenieve tona – ne nuk do të lihemi të ecim të vetëm. Sikurse na ka kujtuar shpesh Presidenti Monson: “Kur jemi në punën e Zotit, na është dhënë e drejta të kemi ndihmën e Zotit”2.
Ati juaj Qiellor “do të shkoj[ë] përpara fytyrës suaj. [Ai] do të [jetë] në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti [i Tij] do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e [Tij] përreth jush, për t’ju ngritur lart.”3
Fuqia e Të Bërit
Vëllezërit e mi të dashur, bekimet hyjnore për shërbimin e priftërisë vihen në veprim nga përpjekjet tona të zellshme, gatishmëria jonë për të sakrifikuar dhe dëshira jonë për të bërë atë që është e drejtë. Le të jemi ata që veprojmë dhe të mos detyrohemi të veprojmë. Predikimi është i mirë, por predikimet që nuk të çojnë në veprim, janë si zjarret pa nxehtësi ose uji që nuk mund ta shuajë etjen.
Kur ne e zbatojmë doktrinën, fuqia shenjtëruese e ungjillit ka një ndikim më të madh dhe fuqia e priftërisë na mbush me entuziazëm.
Tomas Edisoni, njeriu që shpiku dritën elektrike, tha se “një ide është e vlefshme vetëm kur përdoret”4. Në një mënyrë të ngjashme, doktrina e ungjillit bëhet më e çmuar kur vihet në zbatim.
Ne nuk duhet t’i lejojmë doktrinat e priftërisë të mbeten të plogështa në zemrat tona dhe të pazbatuara në jetën tonë. Nëse ka ndonjë martesë ose familje në nevojë për shpëtim – ndoshta edhe vetë martesa ose familja jonë – le të mos presim dhe të shohim. Përkundrazi, le ta falënderojmë Perëndinë për planin e lumturisë që përfshin besimin, pendimin, faljen dhe fillimet e reja. Zbatimi i doktrinës së priftërisë do të na kualifikojë si bashkëshortë, baballarë dhe bij që e kuptojnë arsyen dhe qëllimin e priftërisë dhe fuqinë e saj për të rikrijuar dhe ruajtur bukurinë e shenjtërinë e familjeve të përjetshme.
Konferenca e përgjithshme është gjithmonë koha e duhur edhe për të dëgjuar edhe për të vepruar. Si rrjedhojë, le të “bëh[emi] bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues”5. Vëllezër, unë ju ftoj t’i mendoni fjalët e thëna nga shërbëtorët e Perëndisë këtë fundjavë. Më pas gjunjëzohuni. Kërkojini Perëndisë, Atit tonë Qiellor, t’ju ndriçojë mendjen dhe t’ju prekë zemrën. Lutjuni Perëndisë për drejtim në jetën e përditshme, në përgjegjësitë tuaja në Kishë dhe në sfidat tuaja të veçanta në këtë kohë. Ndiqini nxitjet e Shpirtit – mos u vononi. Nëse i bëni të gjitha këto, unë ju premtoj se Zoti nuk do t’ju lërë të punoni vetëm.
Vazhdoni me Durim
Ne e dimë se pavarësisht qëllimeve tona më të mira, gjërat jo gjithmonë shkojnë sipas planit. Ne bëjmë gabime në jetë dhe në shërbimin tonë të priftërisë. Me raste ne pengohemi dhe privohemi.
Kur Zoti na këshillon të “vazhdo[jmë] me durim derisa të përsose[mi]”6, Ai është i vetëdijshëm se kjo kërkon kohë dhe këmbëngulje. Të kuptuarit e arsyeve dhe qëllimeve pse e jetojmë ungjillin dhe e arsyeve dhe qëllimeve pse e kemi dhe e përdorim priftërinë do të na ndihmojë ta shohim qëllimin hyjnor të të gjithë kësaj. Kjo do të na japë shtysë dhe forcë për të bërë gjërat e duhura, madje edhe kur ato janë të vështira. Të qenit të përqendruar mbi parimet themelore të të jetuarit të ungjillit do të na bekojë me qartësi, urtësi dhe drejtim.
“A nuk do të vazhdojmë në një kauzë kaq të madhe?”7 Po, vëllezër, do të vazhdojmë!
Të drejtuar nga Shpirti i Shenjtë, ne do të mësojmë nga gabimet tona. Nëse pengohemi, do të ngrihemi. Nëse lëkundemi, ne do të vazhdojmë përpara. Ne kurrë nuk do të ngurrojmë; kurrë nuk do të heqim dorë.
Si një vëllazëri e fuqishme e priftërisë së përjetshme të Perëndisë, ne do të qëndrojmë së bashku, krah për krah, të përqendruar mbi parimet e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit dhe duke u shërbyer me mirënjohje Perëndisë dhe bashkëqenieve tona me përkushtim e dashuri.
Perëndia Jeton!
Vëllezërit e mi të dashur, unë ju dëshmoj këtë ditë se Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, jetojnë. Ata janë të vërtetë! Ata janë atje!
Ju nuk jeni vetëm. Ati juaj në Qiell kujdeset për ju dhe dëshiron t’ju bekojë dhe t’ju përkrahë në drejtësi.
Jini të sigurt se Perëndia i flet njerëzimit në kohën tonë. Ai do t’ju flasë juve!
Profeti Jozef Smith pa atë që tha se pa. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u rivendos në tokë me anë të fuqisë dhe autoritetit të Perëndisë së Plotfuqishëm.
Lutja ime është që, si mbajtës të priftërisë së Tij, ne të punojmë gjithnjë në harmoni me arsyen dhe qëllimin e shërbimit të priftërisë, si dhe t’i përdorim parimet e ungjillit të rivendosur për të ndryshuar jetën tonë dhe jetën e atyre të cilëve u shërbejmë.
Ndërsa bëjmë kështu, fuqia e pamasë e Shlyerjes do t’i pastrojë, lëmojë dhe do t’i gdhendë shpirtrat dhe karakteret tona derisa të bëhemi burrat që jemi paracaktuar të bëhemi. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.