2010–2019
Mësime të Veçanta
Prill 2012


Mësime të Veçanta

Është shpresa dhe lutja ime që ne do të vazhdojmë t’i mbajmë fisnikërisht barrat tona dhe do t’i ndihmojmë ata mes nesh që po vuajnë.

Gjatë 20 muajve të kaluar, familja jonë është bekuar me privilegjin për të pasur një foshnjë shumë veçantë.

Pakstoni i vogël, nipi ynë, ka lindur me një çrregullim shumë të rrallë kromozomik, një çrregullim gjenetik që e bën atë të dallueshëm, me plot kuptimin e fjalës, nga qindra miliona njerëz të tjerë. Për vajzën tonë dhe bashkëshortin e saj, nisi një udhëtim i paplanifikuar që u ndryshoi jetën kur lindi Pakstoni. Kjo përvojë është bërë një provë e vështirë për marrjen e mësimeve të veçanta lidhur me të ardhmen e tyre në përjetësi.

I shtrenjti Plaku Rasëll M. Nelson, i cili sapo na foli, dha mësim:

“Për arsye zakonisht të panjohura, disa njerëz lindin me kufizime fizike. Pjesë të caktuara të trupit mund të mos jenë normale. Sistemet biologjike mund të mos funksionojnë siç duhet. Dhe të gjithë trupat tanë mund të sëmuren dhe do të vdesin. Prapëseprapë, dhurata e një trupi fizik është e paçmueshme. …

Nuk është e detyrueshme që të kemi trupa të përsosur që të bëhemi si Perëndia. Në fakt, disa nga shpirtrat më të ëmbël strehohen në trupa të brishtë. …

Përfundimisht do të vijë koha kur çdo ‘shpirt dhe trup do të bashkohe[t] përsëri në formën e … përkryer; dhe si gjymtyrët ashtu dhe nyjet do të rivendosen në të njëjtin trup’ (Alma 11:43). Më pas, falë Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të bëhemi të përsosur në Të.”1

Të gjithë ju që keni sfida, shqetësime, zhgënjime apo hidhërime për një njeri të dashur, dijeni këtë: me dashuri të pafundme dhe mëshirë të përjetshme, Perëndia, Ati ynë Qiellor e do njeriun tuaj që vuan, dhe Ai ju do ju!

Kur përballen me një vuajtje të tillë disa mund të pyesin: “Si mundi ta lejonte Perëndia i Plotfuqishëm që të ndodhte kjo?” Dhe më pas bëjnë atë pyetje që duket e pashmangshme: “Pse më ndodhi kjo mua?” Përse duhet të përjetojmë sëmundje dhe ngjarje që i bëjnë të paaftë ose u shkaktojnë vdekje të parakohshme pjesëtarëve të familjes apo u shkaktojnë atyre vite të tëra vuajtjeje? Pse këto dhembje?

Në këto çaste, mund të kthehemi te plani i madh i lumturisë i hartuar nga Ati ynë Qiellor. Ai plan, kur u paraqit në jetën paratokësore, na bëri të gjithëve të lëshonim britma gëzimi.2 E thënë thjesht, kjo jetë është një përgatitje për ekzaltimin e përjetshëm dhe ky proces nënkupton prova dhe sfida. Gjithmonë ka qenë kështu dhe askush nuk përjashtohet.

Mirëbesimi në vullnetin e Perëndisë është një pjesë thelbësore e jetës sonë në vdekshmëri. Me besim në Të, ne marrim fuqinë e Shlyerjes së Krishtit në ato kohë kur pyetjet janë të shumta dhe përgjigjet janë të pakta.

Pas Ringjalljes së Tij, kur vizitoi kontinentin amerikan, Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, u bëri të gjithë njerëzve këtë ftesë:

“A ka mes jush ndonjë që është i sëmurë? Silleni këtu. A ka ndonjë që është i çalë ose i verbër, ose i gjymtë, ose sakat, ose i lebrosur, ose i deformuar, ose i shurdhër, ose i prekur në ndonjë mënyrë? I sillni këtu dhe unë do t’i shëroj ata, pasi kam dhembshuri për ju; zemra ime është e mbushur me mëshirë. …

Dhe ndodhi që pasi u foli kështu, e gjithë turma, të gjithë së bashku, shkuan para me të sëmurët dhe me fatkeqët, dhe me të çalët, dhe me të verbërit, dhe me memecët, dhe me të gjithë ata që ishin të prekur në ndonjë mënyrë; dhe ai i shëroi, secilin që sollën në prani të tij.”3

Mund të gjendet një forcë e madhe në fjalët “e gjithë turma … shk[oi] para” – e gjithë, vëllezër dhe motra. Ne të gjithë përjetojmë sfida. Dhe më pas fraza: “që ishin të prekur në ndonjë mënyrë”. Të gjithë ne mund ta gjejmë veten këtu, apo jo?

Pak pasi lindi Pakstoni i çmuar, ne e dinim se Ati Qiellor do të na bekonte e do të na jepte mësime të veçanta. Ndërsa i ati dhe unë i vendosëm gishtat në kokën e tij të vockël në bekimin e parë prej shumë të tjerëve, në mendje më erdhën fjalët nga kapitulli i nëntë i Gjonit: “Kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë”4.

Veprat e Perëndisë po dëftohen nëpërmjet Pakstonit.

Ne po mësojmë durimin, besimin dhe mirënjohjen nëpërmjet fuqisë shëruese të shërbimit, orëve të panumërta të emocioneve të thella, lotëve të dhembshurisë dhe lutjeve e shprehjeve të dashurisë për njerëzit tanë të dashur në nevojë, veçanërisht për Pakstonin dhe prindërit e tij.

Presidenti Xhejms E. Faust, presidenti i kunjit në fëmijërinë time, tha: “Kam një mirënjohje të madhe për ata prindër të dashur që qetësisht dhe trimërisht e durojnë dhe e mposhtin ankthin dhe hidhërimin për një fëmijë që ka lindur apo e ka zhvilluar më vonë një kufizim të rëndë mendor ose fizik. Ky ankth, shpesh, vazhdon çdo ditë, pa u lehtësuar, gjatë jetës së prindit ose fëmijës. Jo rrallë, prindërve u kërkohet të japin përkujdesje të jashtëzakonshme edukuese që nuk ndalet kurrë, ditë apo natë. Shumë nëna kanë punuar si fizikisht ashtu edhe emocionalisht për vite me radhë, duke i dhënë ngushëllim dhe duke e lehtësuar vuajtjen e fëmijëve të tyre të veçantë.”5

Siç përshkruhet te Mosia, ne kemi dëshmuar dashurinë e pastër të Shpëtimtarit që i është dhënë familjes së Pakstonit, dashuri e cila u jepet të gjithë njerëzve: “Dhe tani ndodhi që barrat që iu vunë Almës dhe vëllezërve të tij u lehtësuan; po, Zoti i forcoi ata që të mund të duronin barrat e tyre me lehtësi dhe ata iu nënshtruan me gëzim dhe me durim gjithë vullnetit të Zotit”6.

Një natë, pak pasi kishte lindur Pakstoni, ne ishim në njësinë e përkujdesjes intensive për foshnjat e porsalindura në Qendrën Mjekësore të Fëmijëve të Fillores në Solt-Lejk-Siti, në Juta, të mahnitur nga vëmendja e përkushtuar dhe e pandërprerë e dhënë nga doktorët, infermieret dhe kujdestarët. E pyeta vajzën time se si do mundeshim të paguanim për këtë dhe llogarita me hamendje se sa do të kushtonte. Një doktor që po qëndronte aty pranë më tha se “kisha sugjeruar një çmim shumë të ulët” dhe se përkujdesja për Pakstonin e vogël do të kushtonte goxha më tepër seç e kisha llogaritur unë. Ne mësuam se shumë nga shpenzimi për përkujdesjen e dhënë në këtë spital mbulohet nga dhuratat bujare të kohës dhe kontributeve në para të të tjerëve. Fjalët e tij më përulën kur mendova për vlerën që kishte shpirti i këtij vogëlushi, për ata që po kujdeseshin kaq mirë për të.

M’u kujtua një shkrim i shenjtë i njohur për misionarët që mori një kuptim të ri: “Kujtoni që vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë”7.

Unë qava ndërsa mendova për dashurinë e pakufijshme që Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, kanë për secilin prej nesh, ndërsa mësova në një mënyrë të fuqishme se cila është vlera e një shpirti, si fizikisht, ashtu edhe shpirtërisht, për Perëndinë.

Familja e Pakstonit ka mësuar se është e rrethuar nga engjëj të panumërt shërbestarë qiellorë e tokësorë. Disa kanë ardhur për të ndihmuar qetësisht kur ka qenë nevoja dhe janë larguar pa u ndier. Të tjerë kanë ardhur në derë duke sjellë ushqim, duke larë rrobat, duke i shoqëruar vëllezërit e motrat e Pakstonit, duke telefonuar për të dhënë inkurajim dhe veçanërisht duke u lutur për Pakstonin. Në këtë mënyrë nxirret një mësim tjetër i veçantë: Nëse do të gjenit dikë që është duke u mbytur, do ta pyesnit nëse ka nevojë për ndihmë – apo do të ishte më mirë që thjesht të hidheshit dhe ta shpëtonit nga ujërat e thella kërcënuese? Megjithëse ka një qëllim të mirë dhe bëhet shpesh, oferta: “Më thuaj nëse mund të të ndihmoj” në të vërtetë nuk është fare ndihmë.

Ne vazhdojmë të mësojmë vlerën e rëndësishme të të qenit në dijeni dhe të interesuar për jetën e atyre që na rrethojnë, duke mësuar jo vetëm rëndësinë e dhënies së ndihmës, por edhe gëzimin e madh që vjen nga ndihma që u japim të tjerëve.

I shtrenjti Presidenti Tomas S. Monson, i cili është një shembull kaq i shkëlqyer i lehtësimit të të shtypurve, tha: “Perëndia i bekoftë të gjithë ata që mundohen të jenë rojtarët e vëllezërve të tyre, që dhurojnë për të lehtësuar vuajtjen, që përpiqen me gjithçka të mirë që kanë brenda vetes për ta bërë botën më të mirë. A e keni vënë re se këta njerëz kanë një buzëqeshje më të shndritshme? Hapat e tyre janë më të sigurt. Ata duket se janë më të lumtur e më të kënaqur … sepse dikush nuk mund të përfshihet në dhënien e ndihmës ndaj të tjerëve pa u bekuar bollshëm edhe vetë.”8

Megjithëse do të përballemi me sprova, fatkeqësi, paaftësi, hidhërime dhe të gjitha llojet e vuajtjeve, Shpëtimtari ynë i përkujdesur e i dashur, do të jetë gjithmonë aty për ne. Ai ka premtuar:

“Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju. …

Po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.”9

Sa mirënjohës jemi ne ndaj Atit tonë në Qiell për kampionin tonë Pakstonin. Nëpërmjet tij, Zoti ka dëftuar veprat e Tij dhe vazhdon të na i japë këto mësime të vlefshme, të shenjta e të veçanta.

Do të dëshiroja ta mbyllja me fjalët e një himni të dashur:

Ne jemi të gjithë të rekrutuar derisa përleshja të mbarojë,

Të lumtur jemi! Të lumtur jemi!

Ushtarë në ushtri, një shpërblim i madh na pret;

Përleshjen dhe shpërblimin do ta fitojmë.10

Vëllezër e motra, është shpresa dhe lutja ime që ne do të vazhdojmë t’i mbajmë fisnikërisht barrat tona dhe do t’i ndihmojmë ata mes nesh që po vuajnë dhe kanë nevojë të lartësohen e të inkurajohen. E falënderofshim të gjithë Perëndinë për bekimet e Tij dhe e përtëritshim zotimin tonë ndaj Atit tonë në Qiell për të kryer shërbim të përulur ndaj fëmijëve të Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.