2010–2019
Në Akordim me Muzikën e Besimit
Prill 2012


Në Akordim me Muzikën e Besimit

Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij. Ai dëshiron që të gjithë ata të kthehen tek Ai. Ai dëshiron që çdokush të jetë i akorduar me muzikën e shenjtë të besimit.

Kur Autoritetet e Përgjithshme të Kishës takohen me anëtarët në mbarë botën, ne [Autoritetet e Përgjithshme] shohim vetë se si shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë një trupë mirësie. Ne ju përgëzojmë për gjithçka që bëni për të bekuar jetën e të gjithë njerëzve.

Ata prej Autoriteteve të Përgjithshme me detyra në çështjet me publikun janë jashtëzakonisht të vetëdijshëm se shumë udhëheqës të opinionit dhe gazetarë në SH.B. e përreth botës e kanë shtuar diskutimin e tyre publik për Kishën dhe anëtarët e saj. Një bashkim i pashembullt faktorësh e ka rritur ndjeshëm ndërgjegjësimin për Kishën.1

Shumë njerëz që shkruajnë rreth Kishës, kanë bërë një përpjekje të sinqertë për t’i kuptuar njerëzit tanë e doktrinën tonë. Ata janë treguar qytetarë dhe janë përpjekur të jenë objektivë, gjë për të cilën u jemi mirënjohës.

Ne e pranojmë gjithashtu, se shumë individë nuk janë në gjendje t’i kuptojnë gjërat e shenjta. Kryerabini Zoti Saks i Anglisë, në fjalimin e tij drejtuar udhëheqësve katolikë romanë dhjetorin e kaluar në Universitetin Peshkopal Gregorian, vuri në dukje se sa jofetare janë bërë disa pjesë të botës. Ai deklaroi se fajtori është “një tonalitet agresiv shkencor i ateizmit, i shurdhët ndaj muzikës së besimit”2.

Vegimi i madh hyrës në Librin e Mormonit është ëndrra profetike e Lehit për pemën e jetës.3 Ky vegim i përshkruan qartë sfidat që ekzistojnë në kohën tonë ndaj besimit dhe ndarjen e madhe mes atyre që e duan, e adhurojnë dhe ndiejnë përgjegjësi ndaj Perëndisë dhe ndaj atyre që nuk ndihen kështu. Lehi shpjegon disa nga sjelljet që e shkatërrojnë besimin. Disa janë krenarë, mendjemëdhenj dhe të pamend. Ata interesohen vetëm për të ashtuquajturën urtësi të botës.4 Të tjerë mund të kenë pak interes për Perëndinë, por humbasin në mjegullat e errësirës dhe mëkatit të botës.5 Disa e kanë shijuar dashurinë e Perëndisë dhe fjalën e Tij, por ndihen të turpëruar për shkak të atyre që i përqeshin dhe bien në “shtigje të ndaluara”6.

Së fundmi, janë edhe ata që janë të akorduar me muzikën e besimit. Ju e dini cilët jeni. Ju e doni Zotin dhe ungjillin e Tij dhe përpiqeni vazhdimisht që ta jetoni e shpërndani mesazhin e Tij, veçanërisht me familjet tuaja.7 Ju jeni në harmoni me nxitjet e Shpirtit, të zgjuar ndaj fuqisë së fjalës së Perëndisë, keni sjellje besimtare në shtëpitë tuaja dhe përpiqeni me zell që të jetoni një jetë si të Krishtit sikurse dishepujt e Tij.

Ne e dimë se sa të ngarkuar jeni. Duke mos pasur një shërbesë profesionale me pagesë, përgjegjësia për administrimin e Kishës bie mbi ju anëtarë të shenjtëruar. Ne e dimë se është e zakonshme për anëtarët e peshkopatave, presidencat e kunjeve e shumë të tjerë që të japin shërbim të përkushtuar me orar të zgjatur. Presidencat e organizatave ndihmëse dhe të kuorumeve janë shembullore në sakrificat e tyre vetmohuese. Ky shërbim e kjo sakrificë zgjat gjatë gjithë anëtarësisë, për ata që mbajnë dokumentet e zyrës, mësuesit e shtëpisë dhe mësueset vizitore besnike dhe ata që japin mësim në orët mësimore. Ne u jemi mirënjohës atyre që shërbejnë guximshëm si drejtues bojskautësh dhe çerdhesh gjithashtu. Ju të gjithë e keni dashurinë dhe vlerësimin tonë për atë që bëni e për atë që jeni!

Ne e dimë se ka shumë anëtarë që janë më pak të interesuar dhe më pak besnikë ndaj disa prej mësimeve të Shpëtimtarit. Dëshira jonë është që këta anëtarë të zgjohen plotësisht në besim dhe ta shtojnë aktivizimin dhe zotimin e tyre. Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij. Ai dëshiron që të gjithë ata të kthehen tek Ai. Ai dëshiron që çdokush të jetë i akorduar me muzikën e shenjtë të besimit. Shlyerja e Shpëtimtarit është një dhuratë për çdokënd.

Duhet dhënë mësim dhe duhet kuptuar se ne i duam e i respektojmë të gjithë njerëzit që Lehi përshkroi.8 Kujtoni, nuk na takon neve të gjykojmë. Gjykimi i takon Zotit.9 Presidenti Tomas S. Monson na ka kërkuar në mënyrë të posaçme që të kemi “kurajën për t’u përmbajtur nga gjykimi i të tjerëve”10. Ai i ka kërkuar gjithashtu, çdo anëtari besnik që t’i shpëtojë ata që e kanë shijuar frutin e ungjillit dhe më pas janë larguar gjithashtu edhe ata që nuk e kanë gjetur ende shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar. Ne lutemi që ata do të mbahen te shufra dhe do të marrin nga dashuria e Perëndisë, që ua mbush “shpirtin … me një gëzim jashtëzakonisht të madh”11.

Ndërsa vegimi i Lehit i përfshin të gjithë njerëzit, koncepti kulmor i doktrinës është rëndësia e përjetshme e familjes. “Familja shugurohet nga Perëndia. Ajo është njësia më e rëndësishme në kohë dhe në përjetësi.”12 Kur Lehi hëngri frutin e pemës së jetës (dashuria e Perëndisë), ai dëshiroi që “familja [e tij] të hante nga ai gjithashtu”13.

Dëshira jonë e madhe është që t’i rrisim fëmijët tanë në të vërtetën e drejtësinë. Një parim që do të na ndihmojë ta arrijmë këtë, është që të shmangim të qenit tej mase gjykues rreth sjelljes që është e pamend ose e pamatur, por jo mëkatuese. Shumë vite më parë, kur gruaja ime dhe unë i kishim fëmijët në shtëpi, Plaku Dallin H. Ouks dha mësim se qe e rëndësishme të bëje dallimin mes gabimeve rinore që duhen ndrequr, dhe mëkateve që kërkojnë ndëshkim dhe pendim.14 Atje ku ka mungesë urtësie, fëmijëve tanë u duhet udhëzim. Atje ku ka mëkat, pendimi është thelbësor.15 Në familjen tonë, ne kemi zbuluar se kjo të vjen në ndihmë.

Respektimi i fesë në shtëpi i bekon familjet tona. Shembulli është veçanërisht i rëndësishëm. Ajo çka jemi shprehet me zë aq të lartë, sa fëmijët tanë mund të mos e dëgjojnë atë që themi. Kur qeshë pothuajse pesë vjeç, nënës sime i erdhën fjalë se vëllai i saj më i vogël qe vrarë kur luftanija në të cilën ai po shërbente u bombardua në brigjet e Japonisë pranë fundit të Luftës II Botërore.16 Ky lajm qe tronditës për të. Ajo qe shumë e prekur dhe shkoi në dhomën e gjumit. Pas pak, unë shkova “fshehurazi” në dhomë për të parë nëse ajo ishte mirë. Ajo qe gjunjëzuar pranë shtratit në lutje. Një paqe e madhe më kaploi pasi ajo më kishte mësuar të lutesha e ta doja Shpëtimtarin. Ky qe shembulli tipik që ajo më dha gjithmonë. Nënat e baballarët që luten me fëmijët, mund të jenë më të rëndësishëm se çdo shembull tjetër.

Mesazhi, shërbesa dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë, është programi thelbësor mësimor që duhet dhënë mësim në familje. Asnjë shkrim i shenjtë nuk e ka përshkruar më mirë besimin se 2 Nefi 25:26: “Dhe, ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre”.

Një nga parimet themelore të vegimit të Lehit, është se anëtarët besnikë duhet të mbahen fort te shufra e hekurt që të qëndrojnë në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar që të çon te pema e jetës. Është thelbësore që anëtarët t’i lexojnë, të meditojnë e t’i studiojnë shkrimet e shenjta.17

Libri i Mormonit ka një rëndësi madhore.18 Do të ketë, me siguri, gjithnjë nga ata që do ta nënvlerësojnë rëndësinë ose madje që do ta kritikojnë këtë libër të shenjtë. Disa kanë përdorur humorin. Përpara se të shërbeja në një mision, një profesor i universitetit citoi deklarimin e Mark Tuejnit që, nëse do të hiqje frazën “Dhe ndodhi” nga Libri i Mormonit, ai “do të kishte qenë thjesht një pamflet i shkurtër”19.

Disa muaj më vonë, ndërsa po shërbeja në një mision në Londër të Anglisë, një profesor i shquar, i arsimuar në Universitetin e Oksfordit në Londër, një ekspert egjiptian në gjuhët semite, e lexoi Librin e Mormonit, i shkroi letra Presidentit Dejvid O. Mek-Kei dhe u takua me misionarët. Ai i vuri ata në dijeni se qe i bindur se Libri i Mormonit ishte me të vërtetë një përkthim i “mësimeve të hebrenjve dhe gjuhës së egjiptianëve” prej periudhave kohore të përshkruara në Librin e Mormonit.20 Një shembull mes shumë prej atyre që ai përdorte, qe fraza lidhëse “Dhe ndodhi” e cila, sipas tij, pasqyronte mënyrën se si ai do ta përkthente frazeologjinë e përdorur në shkrimet e lashta semite.21 Profesori ishte në dijeni se ndërkohë që njohuria e tij intelektuale e bazuar në profesionin e tij e kishte ndihmuar, qe ende thelbësore që të kishte një dëshmi shpirtërore. Nëpërmjet studimit dhe lutjes ai fitoi një dëshmi shpirtërore dhe u pagëzua. Kështu që, atë që një humorist i famshëm e pa si një objekt përqeshjeje, një akademik e njohu si një tregues të thellë të vërtetësisë së Librit të Mormonit, e cila iu pohua atij përmes Shpirtit.

Doktrina thelbësore e lirisë së zgjedhjes kërkon që një dëshmi e ungjillit të rivendosur duhet të bazohet te besimi në vend që të bazohet në një provë të jashtme ose shkencore. Përqendrimi ngulmues mbi gjëra ende të pazbuluara plotësisht, për shembull te mënyra se si mund të ketë ndodhur lindja ndërsa Maria qe e virgjër apo Ringjallja e Shpëtimtarit ose te mënyra se si i përktheu me saktësi Jozef Smithi shkrimet tona të shenjta, nuk do të jenë të efektshme as nuk do të sjellin përparim shpirtëror. Këto janë çështje besimi. Përfundimisht, përgjigjja është këshilla e Moronit për të lexuar e medituar dhe më pas për të pyetur Perëndinë me gjithë sinqeritetin e zemrës, me një qëllim të vërtetë për t’i vërtetuar të vërtetat e shkrimeve të shenjta nëpërmjet dëshmisë së Shpirtit.22 Përveç kësaj, kur e rrënjosim në jetën tonë rëndësinë e shkrimeve të shenjta dhe e jetojmë ungjillin, ne bekohemi nga Shpirti dhe e ndiejmë mirësinë e Tij me ndjenja gëzimi, lumturie dhe sidomos paqeje.23

Qartazi, ndryshimi mes atyre që e dëgjojnë muzikën e besimit dhe atyre që nuk e kuptojnë dot ndryshimin mes notave muzikore apo nuk janë të akorduar me të, është studimi aktiv i shkrimeve të shenjta. Unë u preka thellësisht vite më parë që një profet i dashur, Spenser W. Kimballi, theksoi nevojën për t’i lexuar e studiuar vazhdimisht shkrimet e shenjta. Ai tha: “Unë shoh se, kur bëhem rastësor në marrëdhëniet e mia me hyjninë dhe kur duket se asnjë vesh hyjnor nuk po dëgjon e asnjë zë hyjnor nuk po flet, jam larg, shumë larg. Nëse zhytem në shkrimet e shenjta, largësia shkurtohet dhe shpirtshmëria kthehet.”24

Shpresoj se ne po e lexojmë rregullisht Librin e Mormonit me fëmijët tanë. Unë kam diskutuar për këtë me vetë fëmijët e mi. Ata më kanë treguar dy gjëra që kanë vënë re. Së pari, këmbëngulja në leximin e shkrimeve të shenjta përditë si familje është çelësi. Vajza ime i përshkruan në një mënyrë gazmore përpjekjet e saj çdo mëngjes me më së shumti fëmijë adoleshentë, që t’i lexojnë vazhdimisht shkrimet e shenjta. Ajo dhe bashkëshorti i saj zgjohen herët në mëngjes dhe lëvizin përgjumësh për t’u kapur pas parmakut të hekurt përgjatë shkallëve për te një dhomë ku familja e tyre mblidhet për të lexuar fjalën e Perëndisë. Këmbëngulja është përgjigjja dhe një sens humori vjen në ndihmë. Kjo kërkon përpjekje të madhe nga çdo pjesëtar i familjes çdo ditë, por përpjekja ia vlen. Frenimet e përkohshme mposhten nga këmbëngulja.

E dyta është mënyra se si djali ynë më i vogël dhe gruaja e tij janë duke i lexuar shkrimet e shenjta me familjen e tyre të re. Dy prej katër fëmijëve të tyre nuk janë aq të rritur sa të lexojnë. Për pesëvjeçarin ata kanë pesë shenja me gishta ndaj të cilave ai reagon në mënyrë që të marrë pjesë plotësisht në leximin e shkrimeve të shenjta si familje. Kur jepet shenja për gishtin 1, ai duhet të përsërisë: “Dhe ndodhi” kurdoherë që shfaqet në Librin e Mormonit. Më duhet ta pranoj se më pëlqen shumë fakti që kjo frazë shfaqet kaq shpesh. Rastësisht, për interesin e familjeve të reja, shenja për gishtin 2 është “Dhe kështu ne shikojmë”; gishtërinjtë 3, 4 dhe 5 zgjidhen nga prindërit bazuar te fjalët që përmban kapitulli që ata po lexojnë.

Ne e dimë se studimi i shkrimeve të shenjta si familje dhe mbrëmjet familjare në shtëpi nuk janë përherë të përsosura. Pavarësisht sfidave që hasni, mos u shkurajoni.

Ju lutemi, kuptojeni se besimi në Zotin Jezu Krisht dhe zbatimi i urdhërimeve të Tij është dhe do të jetë gjithnjë prova përcaktuese e vdekshmërisë. Mbi gjithçka tjetër, çdonjëri prej nesh duhet ta kuptojë se, kur dikush nuk e dallon dot ndryshimin mes notave muzikore të besimit, ai apo ajo nuk është në harmoni me Shpirtin. Ashtu siç dha mësim profeti Nefi: “Ju keni dëgjuar zërin e tij herë pas here … ; dhe ai ju ka folur me një zë të qetë, të ulët, por ju kishit humbur ndjesinë, që ju nuk mund të ndjenit fjalët e tij”25.

Doktrina jonë është e qartë; ne duhet të jemi optimistë dhe të marrim zemër. Ne përforcojmë besimin tonë, jo frikën tonë. Ne gëzohemi në sigurimin e Zotit se Ai do të qëndrojë pranë nesh dhe do të na japë udhëzim e drejtim.26 Fryma e Shenjtë u dëshmon zemrave tona se ne kemi një Atë të dashur në Qiell, plani mëshirplotë i të cilit për shëlbimin tonë do të përmbushet në çdo aspekt për shkak të sakrificës shlyese të Jezu Krishtit.

Ashtu siç shkroi Naomi W. Rendëll, autorja e himnit “Fëmi i Per’ndis’ Jam”: “Shpirti i tij udhëzon; dashuria e tij siguron largimin e frikës kur besimi bën durim”27.

Prandaj, kudo qofshim në shtegun e dishepullimit të vegimit të Lehit, vendosshim të zgjojmë brenda vetes e familjeve tona një dëshirë më të madhe për të kërkuar dhuratën e papërfytyrueshme të Shpëtimtarit, jetën e përjetshme. Unë lutem që ju do të jeni të akorduar me muzikën e besimit. Unë dëshmoj për hyjnueshmërinë e Jezu Krishtit dhe vërtetësinë e Shlyerjes së Tij, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Doktrina e Besëlidhje 1:30.

  2. Jonathan Sacks, “Has Europe Lost Its Soul?” (fjalim i dhënë më 12 dhjetor 2011, në Universitetin Peshkopal Gregorian), chiefrabbi.org/ReadArtical.aspx?id=1843.

  3. Shih 1 Nefi 8.

  4. Shih 1 Nefi 8:27; 11:35.

  5. Shih 1 Nefi 8:23; 12:17.

  6. 1 Nefi 8:28.

  7. Shih 1 Nefi 8:12.

  8. Udhëzimet e Shpëtimtarit janë që të kërkohen delet e humbura; shih Mateu 18:12–14.

  9. Shih Gjoni 5:22; shih edhe Mateu 7:1–2.

  10. Tomas S. Monson, “Paçi Kurajë”, Liahona, maj 2009, f. 126.

  11. 1 Nefi 8:12.

  12. Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 1.1.1.

  13. 1 Nefi 8:12.

  14. Shih Dallin H. Oaks, “Sins and Mistakes”, Ensign, tetor 1996, f. 62. Plaku Ouks e dha mësim këtë ide kur ai qe president i Universitetit “Brigam Jang” rreth vitit 1980.

  15. Shih Doktrina e Besëlidhje 1:25–27.

  16. Shih Marva Jeanne Kimball Pedersen, Vaughn Roberts Kimball: A Memorial (1995). Vaughn luajti futboll amerikan për Universitetin “Brigam Jang” në vjeshtën e vitit 1941. Ditën pas betejës në Përl Harbor, më 8 dhjetor 1941, ai u regjistrua në Marinën e SH.B. Ai u vra më 11 maj 1945, nga bombardimi armik kundër USS Bunker Hill dhe u varros në det.

  17. Shih Gjoni 5:39.

  18. Shih Ezra Taft Benson, “The Book of Mormon—Keystone of Our Religion”, Ensign, nëntor 1986, f. 4; ose Liahona, tetor 2011, f. 52.

  19. Mark Twain, Roughing It (1901), f. 127–128. Çdo brez i ri njihet me komentet e Tuejnit si të ishin një zbulim i ri i rëndësishëm. Zakonisht nuk përmendet shumë fakti se Mark Tuejni ishte po aq indiferent ndaj krishtërimit por edhe fesë në përgjithësi.

  20. 1 Nefi 1:2.

  21. E takova Dr. Ebeid Sarofimin në Londër kur misionarët po i jepnin mësim. Shih edhe N. Eldon Tanner, në Conference Report, prill 1962, f. 53. Shumë akademikë të shkrimeve semite dhe egjiptiane e kanë vënë re përdorimin e përsëritur të frazës “Dhe ndodhi” në fillim të fjalive; shih Hugh Nibley, Since Cumorah, botimi i 2–të. (1988), f. 150.

  22. Shih Moroni 10:3–4; shumë pak kritikë e kanë vënë sinqerisht në provë këtë me qëllim të vërtetë.

  23. Shih Doktrina e Besëlidhje 59:23.

  24. Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball (2006), f. 67.

  25. 1 Nefi 17:45; shih edhe Ezra Taft Benson, “Seek the Spirit of the Lord”, Tambuli, shtator 1988, f. 5. “Më shpesh ne i dëgjojmë fjalët e Zotit nëpërmjet një ndjesie. Nëse jemi të përulur dhe të ndjeshëm, Zoti do të na nxisë nëpërmjet ndjenjave tona.”

  26. Shih Doktrina e Besëlidhje 68:6.

  27. “When Faith Endures”, Hymns, nr. 128.