2010–2019
Që të Humburit të Mund të Gjenden
Prill 2012


Që të Humburit të Mund të Gjenden

Ndërsa kërkoni të jetoni ungjillin dhe doktrinën e Krishtit, Fryma e Shenjtë do t’ju udhëheqë ju dhe familjen tuaj.

Sipas shkrimeve të shenjta, Liahona ishte “një sferë [e] rrumbullaktë me mjeshtëri të çuditshme” që kishte dy akrepa, njëri prej të cilëve tregonte rrugën nëpër të cilën familja e atit Lehi duhet të shkonte në vendin e shkretë (1 Nefi 16:10).

Mendoj se e di se përse Lehi u mahnit shumë kur e pa atë për herë të parë, sepse më kujtohet reagimi im herën e parë që pashë e dëshmova një pajisje GPS në veprim. Në mendjen time, ajo ishte një pajisje e kohëve moderne “me mjeshtëri të çuditshme”. Disi, në njëfarë mënyre që unë as nuk mund ta përfytyroj, kjo pajisje e vogël, pikërisht në telefonin tim, mund ta lokalizojë saktësisht vendin ku jam dhe mund të më thotë saktësisht se si të shkoj atje ku dëshiroj të shkoj.

Për të dy ne, bashkëshorten time Barbara dhe mua, GPS-ja është një bekim. Për Barbarën kjo ka kuptimin se nuk i duhet të më thotë që të ndaloj e të kërkoj orientim; dhe për mua ka kuptimin se mund të kem të drejtë kur i them: “Nuk më duhet të pyes ndonjë njeri. E di me saktësi se ku po shkoj.”

Tani, vëllezër e motra, ne kemi në dispozicion një mjet edhe më të mrekullueshëm se GPS-ja më e mirë. Gjithkush e humbet rrugën në ndonjë pikë, në njëfarë mase. Është nëpërmjet nxitjeve të Frymës së Shenjtë që ne mund të kthehemi të sigurt në shtegun e drejtë dhe është sakrifica shlyese e Shpëtimtarit që mund të na kthejë në shtëpi.

Shoqëri të tëra si dhe individë mund të humbasin rrugën. Sot ne jetojmë në një kohë kur shumë prej kësaj bote e ka humbur rrugën, veçanërisht në lidhje me vlerat dhe përparësitë brenda shtëpive tona.

Njëqind vjet më parë, Presidenti Jozef F. Smith e lidhi lumturinë drejtpërsëdrejti me familjen dhe na paralajmëroi që t’i përqendrojmë përpjekjet tona atje. Ai tha: “Nuk mund të ketë lumturi të çiltër të ndarë dhe të veçuar nga shtëpia. … Nuk ka lumturi pa shërbim dhe nuk ka shërbim më të madh se sa ai që e kthen shtëpinë në një institucion hyjnor dhe që nxit e ruan jetën familjare. … Shtëpia është ajo që ka nevojë të reformohet” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith [1998], f. 382, 384).

Janë shtëpitë e familjet tona që kanë nevojë të reformohen në këtë botë gjithnjë e më shumë materialiste e laike. Një shembull shushatës është shkujdesja në rritje për martesën këtu në Shtetet e Bashkuara. Nga fillimi i këtij viti, New York Times raportoi se “pjesa e fëmijëve të lindur nga gra të pamartuara ka kaluar një prag: më shumë se gjysma e lindjeve të fëmijëve prej grave amerikane nën 30 vjeçe ndodhin jashtë martese” (Jason DeParle and Sabrina Tavernise, “Unwed Mothers Now a Majority Before Age of 30”, New York Times, 18 shkurt 2012, A1).

Dimë gjithashtu se, nga çiftet në Shtetet e Bashkuara që martohen, gati gjysma divorcohen. Edhe ata që mbeten të martuar, shpesh e humbasin rrugën duke lënë që gjëra të tjera të ndërhyjnë në marrëdhëniet e tyre familjare.

Po aq shqetësues është hendeku në thellim mes të pasurve e të varfërve dhe mes atyre që përpiqen fort të ruajnë vlerat e zotimet familjare dhe atyre që kanë hequr dorë prej kësaj. Statistikisht, ata që kanë më pak arsimim dhe, për pasojë, të ardhura më të ulta, kanë më pak gjasa që të martohen e të shkojnë në kishë dhe më shumë gjasa që të përfshihen në krim e të kenë fëmijë jashtë martese. Dhe këto prirje janë gjithashtu shqetësuese në shumicën e pjesës tjetër të botës. (Shih W. Bradford Wilcox and others, “No Money, No Honey, No Church: The Deinstitutionalization of Religious Life among the White Working Class”, e disponueshme në www.virginia.edu/marriageproject/pdfs/Religion_WorkingPaper.pdf.)

Në kundërshtim me atë çfarë kanë menduar shumë njerëz, begatia dhe arsimi duket të jenë të lidhur me një gjasë më të lartë të të pasurit të familjeve dhe vlerave tradicionale.

Pyetja e vërtetë, sigurisht, është për shkakun dhe pasojën. A kanë vlera e familje më të forta, disa pjesë të shoqërisë, sepse janë më të arsimuara e më të begata, apo janë më të arsimuara e më të begata për shkak të vlerave dhe familjeve të forta të tyre? Në këtë Kishë mbarëbotërore, ne e dimë se është kjo e fundit. Kur njerëzit bëjnë zotime familjare e fetare ndaj parimeve të ungjillit, ata fillojnë të kenë rezultate më të mira shpirtërore dhe shpesh edhe materiale.

Dhe sigurisht, shoqëritë në përgjithësi, forcohen kur forcohen familjet. Zotimi ndaj familjes dhe vlerave janë shkaku themelor. Thuajse gjithçka tjetër është pasojë. Kur çiftet martohen dhe i bëjnë zotime njëri-tjetrit, ata i rritin shumë shanset e tyre për mirëqenie ekonomike. Kur fëmijët linden në martesë dhe kanë edhe nënë edhe baba, mundësitë e tyre dhe gjasat për sukses profesional rriten deri në qiell. Dhe kur familjet punojnë e luajnë së bashku, mëhallat dhe komunitetet lulëzojnë, ekonomitë përmirësohen dhe kërkohen ndihma shoqërore më të pakta e të ulëta prej qeverisë.

Kështu, lajmi i keq është se dobësimi i familjes po shkakton një mori problemesh shoqërore dhe ekonomike. Por lajmi i mirë është se, ashtu si për çdo lidhje shkak-pasojë, këto probleme mund të prapësohen nëse ndryshohet ajo çfarë po i shkakton. Padrejtësitë zgjidhen duke jetuar parimet dhe vlerat e sakta. Vëllezër e motra, kauza më e rëndësishme e jetës sonë janë familjet tona. Nëse do t’i kushtohemi kësaj kauze, do ta përmirësojmë çdo aspekt tjetër të jetës sonë dhe do të bëhemi, si popull dhe si kishë, një shembull e një fanar për të gjithë popujt e botës.

Por kjo nuk është e lehtë në një botë ku zemrat janë kthyer në shumë drejtime dhe ku i gjithë planeti duket të lëvizë e të ndryshojë vazhdimisht me një ritëm që nuk ishte përfytyruar kurrë më parë. Asgjë nuk mbetet e njëjta për shumë kohë. Stilet, prirjet, idetë aktuale, korrektësia politike dhe madje edhe perceptimet e së drejtës e të gabuarës, ndërrojnë e lëvizin. Siç e parashikoi profeti Isaia, e keqja portretizohet si e mirë dhe e mira si e keqe (shih Isaia 5:20).

Ndarja shpirtërore bëhet gjithnjë e më e gjerë ndërsa e liga bëhet gjithnjë e më mashtruese e më e mprehtë dhe i tërheq njerëzit si një magnet i errët – madje ashtu si ungjilli i së vërtetës dhe dritës i tërheq të ndershmit në zemër dhe të ndershmit e tokës, që kërkojnë atë që është e moralshme dhe e mirë.

Ne mund të jemi relativisht të pakët në numër por, si anëtarë të kësaj Kishe, mund të zgjatemi mbi këto hendeqe në zgjerim. Ne e njohim fuqinë e shërbimit të përqendruar te Krishti që i bashkon bijtë e Perëndisë pavarësisht gjendjes së tyre shpirtërore ose ekonomike. Një vit më parë, Presidenca e Parë na ftoi të merrnim pjesë në një ditë shërbimi në kremtim të 75 viteve të programit të mirëqenies, që i ndihmon njerëzit të bëhen më të mbështetur te vetja. Miliona orë u dhanë si kontribut nga anëtarët tanë në mbarë botën.

Kisha është një mol në këtë det të stuhishëm, një spirancë në ujërat e trazuara të ndryshimit e ndarjes dhe një far për ata që e vlerësojnë dhe e kërkojnë drejtësinë. Zoti e përdor këtë Kishë si një mjet për t’i tërhequr fëmijët e Tij në mbarë botën, drejt mbrojtjes së ungjillit të Tij.

Shpirti i Elias, që nuk ka kufij, është gjithashtu një fuqi e madhe në qëllimet e Zotit për fatin e përjetshëm të fëmijëve të Tij. Me fjalët e Malakias, Shpirti i Frymës së Shenjtë bën “që zemra e etërve t’u kthehet bijve dhe zemra e bijve etërve” (Malakia 4:6).

Kisha qëndron si një shembull i kthimit të zemrave dhe si një katalizator për mirë në botë. Mes anëtarëve të Kishës, që janë të martuar në tempull dhe që marrin pjesë rregullisht në mbledhjet e së dielës, shkalla e divorcit është shumë më e ulët se ajo në botë dhe familjet mbeten më të afërta e janë në komunikim më të shpeshtë. Shëndeti në familjet tona është më i mirë dhe ne jetojmë disa vite më shumë sesa mesatarja e popullsisë. Ne japim kontribut me më shumë burime financiare dhe më shumë shërbim për frymë ndaj atyre në nevojë dhe ka më shumë gjasa që të kërkojmë arsim më të lartë. I vë në dukje këto gjëra jo që të krenohem, por për të dëshmuar se jeta është më e mirë (dhe shumë më e lumtur) kur zemrat kthehen ndaj familjes dhe kur familjet jetojnë në dritën e ungjillit të Krishtit.

Kështu që, çfarë mund të bëjmë që të shmangim humbjen e rrugës? Së pari, më lejoni të sugjeroj që të vëmë përparësi. Vendoseni gjithçka bëni jashtë shtëpisë në varësi dhe në mbështetje të asaj që ndodh brenda shtëpisë suaj. Kujtoni këshillën e Presidentit Harold B. Li që “puna më e rëndësishme … që do të bëni ndonjëherë, do të jetë brenda mureve të shtëpisë suaj” (Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee [2000], f. 134) dhe këshillën për çdo kohë të Presidentit Dejvid O. Mek-Kei që “asnjë sukses tjetër nuk mund ta kompensojë dështimin në shtëpi” (cituar nga J. E. McCulloch, Home: The Savior of Civilization [1924], f. 42; në Conference Report, prill 1935, f. 116).

Organizojeni jetën tuaj që të siguroni kohë për lutjet dhe shkrimet e shenjta, dhe aktivitet familjar. Jepuni fëmijëve tuaj përgjegjësi në shtëpi që do t’ju mësojnë atyre se si të punojnë. Mësojuni atyre se të jetuarit e ungjillit do t’i largojë nga ndyrësia, shthurja seksuale dhe dhuna e internetit, mediave dhe video lojërave. Ata nuk do të humbasin dhe do të përgatiten për të trajtuar përgjegjësinë kur të pllakosë mbi ta.

Së dyti, na duhet t’i bëjmë gjërat sipas radhës së saktë! Martesa së pari dhe pastaj familja. Jashtëzakonisht shumë njerëz në botë e kanë harruar këtë radhë të natyrshme të gjërave dhe mendojnë se mund ta ndryshojnë ose madje ta kthejnë mbrapsht atë. Hiqeni cilëndo prej frikave tuaja me besim. Mirëbesojini fuqisë së Perëndisë që t’ju udhëheqë.

Për ju që nuk jeni martuar ende, kushtojini vëmendje me kujdes gjetjes së shokut/shoqes tuaj të përjetshëm. Të rinj, kujtoni edhe diçka tjetër që tha Presidenti Jozef F. Smith: “Beqaria … [i përçon] mendjes sipërfaqësore idenë se [është] e dëshirueshme sepse [sjell] me [vete] minimumin e përgjegjësisë. … Gabimi i vërtetë qëndron tek të rinjtë. Mungesa e kufizimit të moshës i largon nga shtigjet e detyrës dhe përgjegjësisë. … Motrat e tyre [në besim] janë viktimat … [dhe] do të martoheshin nëse do të mundnin, dhe do të pranonin me gëzim përgjegjësitë e jetës familjare” (Gospel Doctrine, bot 5–të [1939], f. 281).

Dhe për ju të reja, do të shtoja që edhe ju gjithashtu duhet të mos e harroni këtë përgjegjësi. Asnjë karrierë nuk mund t’ju sjellë aq përmbushje sa ngritja e një familjeje. Dhe kur të jeni në moshën time, do ta kuptoni këtë edhe më shumë.

Së treti, bashkëshortë e bashkëshorte, ju duhet të jeni partnerë të barabartë në martesën tuaj. Lexojeni shpesh dhe kuptojeni proklamatën mbi familjen, dhe ndiqeni atë. Shmangeni sundimin e padrejtë në çfarëdolloj forme. Askush nuk e zotëron bashkëshorten/in ose fëmijët; Perëndia është Ati i të gjithëve ne dhe na ka shtrirë privilegjin për të pasur vetë familjen tonë, që më parë ishte vetëm e Tija, për të na ndihmuar që të bëhemi më shumë si Ai. Si fëmijët e Tij, duhet të mësojmë në shtëpi që ta duam Perëndinë dhe ta dimë se mund t’i kërkojmë Atij ndihmën që na duhet. Gjithkush, të martuar a beqarë, mund të jenë të lumtur e mbështetës brenda cilësdo familje që mund të kenë.

Dhe së fundi, përdorini burimet e Kishës për familjen. Në rritjen e fëmijëve, familjet mund të kërkojnë ndihmën e lagjes. Mbështetini dhe punoni së bashku me udhëheqësit e priftërisë dhe të shoqatave ndihmëse dhe përfitoni plotësisht nga programet e Kishës për rininë dhe familjen. Kujtoni një tjetër nga frazat kuptimplote të Presidentit Li – që Kisha është struktura mbështetëse me të cilën ndërtojmë familje të përjetshme (shih Teachings: Harold B. Lee [2000], f. 148).

Tani, nëse për çfarëdolloj arsyeje ju veçmas ose si familje e keni humbur rrugën, atëherë ju duhet vetëm që të zbatoni mësimet e Shpëtimtarit nga Lluka, kapitulli 15, që ta korrigjoni kursin tuaj. Këtu Shpëtimtari tregon për përpjekjen e një bariu që kërkon delen e humbur, të një gruaje që kërkon një monedhë të humbur dhe për mirëseardhjen që mori biri plangprishës kur u kthye në shtëpi. Përse Jezusi i dha mësim këto shëmbëlltyra? Ai dëshironte që ne të dinim se askush prej nesh nuk do të humbasë aq shumë sa të mos mundet ta gjejë rrugën e vet sërish nëpërmjet Shlyerjes së Tij dhe mësimeve të Tij.

Ndërsa kërkoni të jetoni ungjillin dhe doktrinën e Krishtit, Fryma e Shenjtë do t’ju udhëheqë ju dhe familjen tuaj. Ju do të keni një pajisje GPS shpirtërore që t’ju tregojë gjithmonë se ku jeni dhe ku po shkoni. Unë jap dëshmi se Shëlbuesi i ringjallur i njerëzimit na do të gjithëve ne dhe Ai ka premtuar, nëse do ta ndjekim, se Ai do të na udhëheqë të sigurt sërish në praninë e Atit tonë Qiellor, për të cilin dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.