2010–2019
Tani Është Koha për t’u Ngritur e Shkëlqyer!
Prill 2012


Tani Është Koha për t’u Ngritur e Shkëlqyer!

Si bija të Perëndisë, ju jeni lindur për të drejtuar.

Unë kam një pamje mbresëlënëse të Tempullit të Solt-Lejkut nga dritarja ime në zyrën e Të Rejave. Çdo ditë unë shoh engjëllin Moroni që qëndron në majë të tempullit si një simbol i ndritshëm, jo vetëm i besimit të tij, por edhe tonit. Më pëlqen Moroni, sepse në një shoqëri shumë të shthurur, ai qëndroi i pastër dhe i vërtetë. Ai është heroi im. Ai qëndroi i vetëm. Ndonjëherë mendoj se ai qëndron në majë të tempullit sot, duke na e bërë me shenjë që të kemi guxim, të kujtojmë se cilat jemi dhe të jemi të denja për të hyrë në tempullin e shenjtë – për t’u “ngri[tur] e shkëlq[yer]”1, për të qëndruar mbi thirrjen e kësaj bote dhe, ashtu si profetizoi Isaia, për të “[shkuar] … në malin e Zotit”2 - tempullin e shenjtë.

Sot këtu janë mbledhur bijat e zgjedhura të Zotit. Nuk ka asnjë grup me ndikim më të madh, që qëndron për të vërtetën dhe drejtësinë në të gjithë botën, sesa të rejat dhe gratë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. E shoh fisnikërinë tuaj dhe e njoh identitetin dhe fatin tuaj hyjnor. Ju u dalluat në ekzistencën para lindjes. Prejardhja juaj familjare mban me vete besëlidhje dhe premtime. Ju keni trashëguar tiparet shpirtërore të patriarkëve besnikë Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Dikur një profet i Perëndisë iu drejtua secilës prej jush që jeni mbledhur këtu sonte, si “shpresa e ndritshme”3 e së ardhmes. Dhe unë jam dakord! Në një botë shumë sfiduese, drita juaj ndrit me shkëlqim. Në të vërtetë, këto janë “ditë për të mos u harruar kurrë”4. Këto janë ditët tuaja dhe tani është koha për të rejat kudo që të “ngrih[en] e shkëlqe[jnë], që drita [e tyre] të mund të jetë një flamur për kombet”5.

“Një flamur është një rregull i masës përmes së cilës një person përcakton përpikërinë ose përsosmërinë”6. Ne duhet të jemi një flamur i shenjtërisë që e gjithë bota ta shohë! Broshura e re, e ripunuar Për Forcën e Rinisë përmban jo vetëm standardet për të jetuar me përpikëri, por edhe bekimet e premtuara nëse veproni kështu. Fjalët e përfshira në këtë broshurë të rëndësishme janë standarde për botën dhe të jetuarit e këtyre standardeve, do t’ju japë mundësinë të dini se çfarë të bëni për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari dhe për të qenë të lumtura në një botë që po bëhet gjithnjë e më e errët dhe e ligë. Të jetuarit e standardeve në këtë broshurë, do t’ju ndihmojë të kualifikoheni për shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë. Dhe në botën në të cilën po jetoni, ju do të keni nevojë për atë shoqërim për të marrë vendime kritike, që do të përcaktojnë shumicën e suksesit dhe lumturisë suaj të ardhshme. Të jetuarit e këtyre standardeve do ta ndihmojë secilën prej jush të kualifikohet për të hyrë në tempujt e shenjtë të Zotit dhe për të marrë atje bekimet e fuqinë që ju presin ndërsa bëni dhe mbani besëlidhje të shenjta.7

Kur vajza jonë, Emi, ishte e vogël, i pëlqente të shikonte çdo lëvizje timen ndërkohë që bëhesha gati për kishë. Pas vëzhgimit të rutinës sime, ajo do të krihte flokët dhe do të vishte fustanin e saj dhe, më pas, do të më kërkonte gjithmonë që t’i vendosja pak “shkëlqim”. “Shkëlqimi” të cilit i referohej ajo, ishte kremi i trashë që e përdorja për të parandaluar rrudhat. Siç më kërkohej, unë do ta vendosja në faqet e buzët e Emit dhe, më pas, ajo do të buzëqeshte e do thoshte: “Tani jemi gati për të shkuar!” Ajo që Emi nuk kuptoi është se ajo tashmë e kishte “shkëlqimin” e saj. Fytyra e saj shkëlqente pasi ishte aq e dëlirë, e pafajshme dhe e mirë. Ajo kishte Shpirtin me vete dhe kjo dukej.

Unë shpresoj se çdo e re e mbledhur këtu sonte do ta dijë dhe do ta kuptojë se bukuria juaj – “shkëlqimi” juaj – nuk qëndron te tualeti, kremi i trashë ose te veshjet më të fundit apo modeli i flokëve. Ajo qëndron te pastërtia juaj vetjake. Kur ju i jetoni standardet dhe kualifikoheni për shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë, ju mund të keni një ndikim të fuqishëm në botë. Shembulli juaj, madje edhe drita në sytë tuaj, do të ndikojë te të tjerët që e shohin “shkëlqimin” tuaj, dhe ata do të dëshirojnë të jenë si ju. Ku e merrni këtë dritë? Zoti është drita “dhe Shpirti ndriçon çdo njeri në botë, që i bindet zërit të Shpirtit”8. Një dritë hyjnore vjen te sytë dhe fytyra juaj kur i afroheni Atit tuaj Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. Ajo është mënyra si ne e marrin atë “shkëlqim”! Dhe për më tepër, sikurse të gjitha ju mund ta shihni, gjithsesi “kremi shkëlqyes” nuk funksionoi vërtet për rrudhat e mia!

Thirrja për t’u “ngritur e për të shkëlqyer” është një thirrje për secilën prej jush, që ta drejtoni botën në kauzën e madhe – për të ngritur flamurin – dhe ta drejtoni këtë brez te virtyti, dëlirësia dhe denjësia për tempull. Nëse dëshironi të bëni një ndryshim në botë, ju duhet të jeni ndryshe nga bota. Unë përsëris fjalët e Presidentit Jozef F. Smith, i cili u tha grave të kësaj kohe: “Ju nuk duhet të drejtoheni nga gratë [e reja] të botës; duhet t’i drejtoni ju … gratë [e reja] të botës, në gjithçka që është … për t’i bërë të dëlirë fëmijët e njerëzve”9. Këto fjalë tingëllojnë të vërteta sot. Si bija të Perëndisë, ju jeni lindur për të drejtuar.

Në botën në të cilën jetojmë, aftësia juaj për të drejtuar do të kërkojë udhëheqjen dhe shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë, që do t’ju tregojë “të gjitha gjërat që duhet të bëni”10 ndërsa i dalloni dhe mbështeteni te udhëheqja dhe nxitjet e Tij. Dhe meqënëse Fryma e Shenjtë nuk banon në tempuj jo të shenjtë, secilës prej nesh do t’i duhet të mendojë për zakonet dhe zemrën e vet. Të gjitha ne do të duhet të ndryshojmë diçka – të pendohemi. Sikurse i ati i mbretit Lamon shpalli te Libri i Mormonit: “Unë do t’i braktis të gjitha mëkatet e mia për të të njohur”11. A jemi ne, unë dhe ju, të gatshme për të bërë të njëjtën gjë?

Një grup të rinjsh në Kuin-Krik të Arizonës vendosën të “ngriheshin e të shkëlqenin” dhe t’i drejtonin të rinjtë në komunitetin e tyre për të jetuar standardet në broshurën Për Forcën e Rinisë. Çdonjëri shkroi në ditarin e tij/saj diçka që mendonte se e pengonte të përparonte ose diçka që dëshironte të ndryshonte në jetën e tij/saj, dhe ata vërtet hapën një gropë. Ata u bashkuan, e grisën faqen e ditarit dhe e hodhën brenda gropës në tokë, pikërisht siç vepruan njerëzit e Amonit me armët e tyre të luftës në Librin e Mormonit.12 Më pas ata i varrosën ato faqe dhe atë ditë secili bëri një zotim për të ndryshuar. Ata u penduan. Ata vendosën të ngriheshin!

A keni ndonjë gjë në jetën tuaj që duhet ta ndryshoni? Ju mund ta bëni këtë. Ju mund të pendoheni falë sakrificës së pafundme shlyese të Shpëtimtarit. Ai e bëri të mundur për ju dhe mua që të ndryshojmë, të bëhemi të dëlira e të pastra përsëri dhe të bëhemi si Ai. Dhe Ai ka premtuar se, kur ta bëjmë këtë, Ai nuk do t’i kujtojë më mëkatet dhe gabimet tona.13

Ndonjëherë mund të duket thuajse e pamundur që të vazhdosh të shkëlqesh. Ju hasni kaq shumë sfida që mund të errësojnë burimin e gjithë dritës, që është Shpëtimtari. Ndonjëherë udha është e vështirë dhe madje mund të duket nganjëherë se një mjegull e dendur e errëson dritën. I tillë qe rasti me një të re të quajtur Florenca Çaduik. Në moshën 10–vjeçare, Florenca zbuloi se ishte një notare e talentuar. Ajo notoi përmes Kanalit Anglez në kohën rekord prej 13 orësh e 20 minutash. Florenca e pëlqente sfidën dhe më vonë ajo u orvat për të notuar midis vijës së bregdetit të Kalifornisë dhe ishullit Katalina – rreth 34 kilometra. Në këtë notim, ajo u lodh pasi kishte notuar për 15 orë. Ra një mjegull e dendur që e errësoi pamjen e vijës së bregdetit. Nëna e saj po lundronte pranë saj në një barkë dhe Florenca i tha së ëmës se nuk mendonte se mund ta përfundonte. Nëna dhe trajnieri i saj e nxitën të vazhdonte, por gjithçka që ajo mund të shihte ishte mjegulla. Ajo u dorëzua por, sapo hipi në varkë, zbuloi se kishte hequr dorë nga jo më larg se 1.6 km nga vija e bregdetit. Më vonë, kur e intervistuan dhe e pyetën përse hoqi dorë, ajo rrëfeu se nuk qe për shkak të ujit të ftohtë dhe as për shkak të distancës. Ajo tha: “U mposhta nga mjegulla”14.

Më vonë, ajo tentoi të notonte përsëri dhe sërish ra një mjegull e dendur. Por këtë herë, ajo vazhdoi të notonte derisa arriti me sukses në vijën e bregdetit. Këtë herë kur e pyetën se çfarë ndryshoi kësaj radhe, ajo tha se mbajti një pamje të vijës së bregdetit në mendje përmes mjegullës së dendur dhe gjatë gjithë kohëzgjatjes së notimit.15

Për Florenca Çaduikun, vija e bregdetit ishte qëllimi i saj. Për secilën prej nesh, tempulli është qëllimi ynë. Të reja, qëndroni të përqendruara. Mos i humbisni nga sytë qëllimet tuaja. Mos e lejoni mjegullën e dendur të ndotjes morale dhe zërat shkurajues të botës t’ju pengojnë të arrini qëllimet tuaja, të jetoni standardet, të gëzoni shoqërimin e Frymës së Shenjtë dhe të jeni të denja për të hyrë në tempujt e shenjtë. Ruajeni pamjen e tempullit – të shtëpisë së shenjtë të Shpëtimtarit – përherë në zemrat e mendjet tuaja.

Disa javë më parë, qëndrova në dhomën çelestiale të Tempullit të Renos në Nevada. Drita që përshkonte atë dhomë, ishte e shndritshme dhe u bë akoma më e shndritshme prej llambadarit të kristaltë, që pasqyronte kudo dritën në faqet e tij të shumta e të gdhendura në ylbere ndriçues. U drithërova kur kuptova se Shpëtimtari është “drita dhe jeta e botës”16, që është në dritën e Tij që ne duhet të mbështetemi e të reflektojmë. Ne jemi kristalet e vogla që pasqyrojmë dritën e Tij dhe, për ta bërë atë, duhet të jemi të pastra dhe të çliruara nga pluhuri i botës. Teksa qëndrova në tempull atë ditë, unë dëgjova përsëri në mendjen time thirrjen e Moronit ndaj nesh – bijave të Sionit: “Zgjohu[ni] dhe ngrihu[ni] nga pluhuri”17. “Të mos prekni dhuratën e ligë, as gjënë e papastër”18. “Zgjohu[ni] dhe ngrihu[ni] … , dhe vish[ni] rrobat e bukura, O bij[a] [të] Sionit … , që besëlidhjet e Atit të Amshuar që bëri me [ju], O shtëpi e Izraelit, të mund të plotësohen”19.

Bekimet e premtuara të tempullit nuk jepen vetëm për ju por për të gjithë brezat. Ndërsa e bëni tempullin qëllimin tuaj, ndikimi juaj për mirë do të tejkalojë kohën e vendin dhe puna që ju bëni për ata që janë larguar nga kjo jetë, do të jetë përmbushja e profecisë!

Në konferencën e kaluar të përgjithshme, u ngazëlleva kur dëgjova Plakun Dejvid A. Bednar të ftonte secilën prej jush që të përfshihet me zell në bërjen e historisë së familjes dhe punës së saj vetjake në tempull për ata që kanë ndërruar jetë përpara pa bekimet e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit.20 Kur ai ua bëri këtë ftesë, zemra ime rrahu fort. Te Doktrina e Besëlidhje ne lexojmë për “të tjerë shpirtra të zgjedhur të cilët u ruajtën që të vinin në plotësinë e kohëve për të marrë pjesë në ngritjen e themeleve të veprës së madhe të ditëve të mëvonshme, duke përfshirë ndërtimin e tempujve dhe kryerjen e ordinancave në ta për shëlbimin e të vdekurve”21. Kjo është koha juaj dhe puna juaj ka nisur! Tani është koha për të qenë të denja dhe për të marrë një rekomandim tempulli. Ndërsa bëni këtë punë, ju do të bëheni çlirimtare në malin e Sionit.22

Plaku Rasëll M. Nelson tha për ju: “Ndikimi i të rejave të Kishës, si një gjigant i fjetur, do t’i zgjojë, do t’i ngrejë dhe do t’i frymëzojë banorët e tokës si një forcë e fuqishme për drejtësi”23. Të reja, ngrihuni e zini vendet tuaja në ngjarjet e lavdishme që do t’i japin formë të ardhmes suaj dhe të ardhmes së botës. Tani është koha!

“Maj’ malit atje lart’ një flamur po valon. Ju kombe ngrini syt’; gjith’ botën ngjatjeton!”24 Të reja, ju jeni flamuri! Jini të virtytshme dhe të dëlira, kërkoni shoqërimin e Frymës së Shenjtë, groposini mëkatet e shkeljet tuaja, jini të përqendruara dhe mos e lejoni mjegullën e ndotjes morale të errësojë qëllimet tuaja. Jini të denja për të hyrë në tempull tani. Vendoseni në fytyrë “shkëlqimin” tuaj! Unë dëshmoj me gjithë zemrën time se Perëndia jeton dhe Ai do ta ndriçojë jetën tonë ndërsa afrohemi pranë Birit të Tij të Dashur – Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Dhe unë lutem që, sikurse Moroni, ne do të “ngrih[emi] e shkëlqe[jmë], që drita [jonë] të mund të jetë një flamur për kombet!”25 Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.