“12–18 Tetor. 3 Nefi 20–26: ‘Ju Jeni Fëmijët e Besëlidhjes’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“12–18 Tetor. 3 Nefi 20–26”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
12–18 Tetor
3 Nefi 20–26
“Ju Jeni Fëmijët e Besëlidhjes”
Lëreni Shpirtin që ta udhërrëfejë studimin tuaj të 3 Nefit 20–26. Ai do t’ju ndihmojë të përcaktoni parimet që mund të jenë veçanërisht domethënëse për njerëzit të cilëve u jepni mësim.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Pasi t’i lexoni së bashku fjalët e Shpëtimtarit tek 3 Nefi 23:1, ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës atë për të cilën kërkuan kur lexuan shkrimet e shenjta këtë javë. Çfarë gjetën?
Jepeni Mësim Doktrinën
3 Nefi 20:25–41; 21:9–11, 22–29
Në ditët e mëvonshme Perëndia do të kryejë një vepër madhështore dhe të mrekullueshme.
-
Shpëtimtari foli për “një vepër madhështore dhe [të] mrekullueshme” (3 Nefi 21:9) që Ati i Tij do të bënte në ditët e fundit. Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë atë që mësuan për atë vepër kur i studiuan këta kapituj në shtëpi. Pyetje si këto mund të frymëzojnë një diskutim: Çfarë tha Shpëtimtari se do të ndodhte në një kohë të ardhshme? (Shih veçanërisht 3 Nefi 20:30–32, 39–41; 21:22–29.) Pse do t’i quante Ai këto gjëra “madhështore” dhe “[të] mrekullueshme”? Çfarë provash shohim se kjo vepër po ndodh? Si marrim pjesë në të?
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të shohin se si ndihmoi Profeti Jozef Smith në përmbushjen e veprës së madhe dhe të mrekullueshme të Zotit, ju mund të paraqitni një figurë të Profetit dhe ta ftoni klasën të lexojë tek 3 Nefi 21:9–11, duke kërkuar fjalë dhe fraza që u sjellin ndërmend jetën dhe shërbesën e Jozef Smithit. Për shembull, si i “[dha] atij fuqi [Zoti] që t[ë] nxjerrë në dritë [ungjillin] te Johebrenjtë”? (Vargu 11.) Pse është e rëndësishme të dimë që shërbesa e Jozef Smithit qe parathënë nga Shpëtimtari? (Shih edhe 2 Nefin 3.)
-
Ju gjithashtu mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që ta shohin veten në veprën e madhe të parathënë në këta kapituj, duke lexuar së bashku tek 3 Nefi 20:25–27. Nëse është e nevojshme, ju mund të theksoni se kur bëjmë besëlidhje me Zotin, ne bëhemi fara e Abrahamit. Si mundemi ne, si pasardhës të Abrahamit, t’i bekojmë “të gjitha fiset e tokës”? (Vargu 25.) Anëtarët e klasës mund ta përsiatin këtë pyetje teksa lexojnë thënien e Presidentit Rasëll M. Nelson te “Burimet Shtesë” dhe të shprehin mendimet e tyre.
Shpëtimtari dëshiron që ne t’i shqyrtojmë shkrimet e shenjta.
-
Çfarë zbulojnë ndërveprimet e Shpëtimtarit me nefitët për mënyrën se si ndihet Ai rreth shkrimeve të shenjta? Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta gjejnë këtë, ju mund t’i kërkoni gjysmës së tyre të lexojë tek 3 Nefi 23 dhe gjysmës tjetër të lexojë tek 3 Nefi 26:1–12; më pas ata mund t’i tregojnë njëri‑tjetrit atë që gjetën. Ata gjithashtu mund të shprehin idetë që kanë për mënyrën se si t’i tregojmë Zotit se shkrimet e shenjta janë të rëndësishme për ne. Për shembull, cili është dallimi mes kërkimit të shkrimeve të shenjta dhe thjesht leximit të tyre? (Shih 3 Nefi 23:1.)
Zoti është si zjarri i rafinuesit.
-
Mjetet ndihmëse pamore mund ta përmirësojnë diskutimin tuaj mbi 3 Nefin 24:1–6. Për shembull, ju mund të tregoni një monedhë argjendi ose pak sodë ndërkohë që anëtarët e klasës lexojnë vargjet për të gjetur se si lidhen këto gjëra me Shpëtimtarin dhe misionin e Tij. Ju gjithashtu mund t’i tregoni klasës shpjegimin e rafinimit të argjendit dhe sodës së larësve te “Burimet Shtesë”. Në ç’mënyrë është Zoti “sikurse zjarri i një rafinuesi dhe soda e larësve”? (vargu 2). Çfarë na mësojnë këta shembuj rreth mënyrës se si na pastron Shpëtimtari?
Perëndia është i mëshirshëm ndaj atyre që kthehen tek Ai.
-
Mund të vini në dukje se mësimet rreth së dhjetës tek 3 Nefi 24:8–12 janë në përgjigje të pyetjes te vargu 7: “Si duhet të kthehemi [te Zoti]”? Cila është marrëdhënia midis “kth[imit te Zoti]” dhe pagimit të së dhjetës? Anëtarët e klasës mund të tregojnë se si i kanë marrë bekimet e renditura në vargjet 10–12 kur e kanë paguar të dhjetën. Si mund të jenë këto të vërteta të dobishme për dikë që po has vështirësi për ta paguar të dhjetën?
-
Cili qëndrim i përshkruar tek 3 Nefi 24:13–15 haset shpesh në botën e sotme? Nxitini anëtarët e klasës të tregojnë atë çka do t’i thoshin dikujt që mendon se jeta është më e lehtë ose më e mirë për ata që nuk i zbatojnë urdhërimet. Sipas 3 Nefit 24, si i bekon Zoti ata që i shërbejnë Atij? Ju gjithashtu mund t’i nxitni ata që të gjejnë shembuj tek 3 Nefi 22. (Shih edhe Mosia 2:41; Alma 41:10.)
Zemrat tona duhet t’u drejtohen paraardhësve tanë.
-
Për të ilustruar konceptin e kthimit të zemrave tona te paraardhësit tanë, ju mund ta ftoni një anëtar të klasës që të largohet nga klasa dhe t’i përshkruajë anëtarët e klasës nga kujtesa (ku janë ulur, çfarë kanë veshur e kështu me radhë). Pastaj ai ose ajo mund të kthehet me fytyrë nga klasa dhe të përpiqet përsëri. Çfarë mund të na mësojë ky shembull rreth kthimit të zemrave tona te paraardhësit tanë nëpërmjet punës në tempull dhe të historisë familjare? Pas leximit të 3 Nefit 25:5–6, ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë se si janë kthyer zemrat e tyre drejt paraardhësve të tyre. Ju gjithashtu mund ta ftoni këshilluesin e lagjes për tempullin dhe historinë familjare që t’i njohë ata me disa mjete të historisë familjare. Si lidhet kjo punë me mbledhjen e Izraelit të përshkruar nga Presidenti Rasëll M. Nelson te “Burimet Shtesë”?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Tek 3 Nefi 27 – 4 Nefi ne lexojmë rreth “popull[it] më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë” (4 Nefi 1:16). Sugjerojini klasës se leximi i këtyre kapitujve mund të na ndihmojë të mësojmë se si të gjejmë lumturi për veten tonë dhe familjet tona.
Burimet Shtesë
Ju mund të jeni pjesë e diçkaje të madhe.
Presidenti Rasëll M. Nelson shpalli:
“Këto me siguri janë ditët e mëvonshme dhe Zoti po e përshpejton punën e Tij që Izraeli të mblidhet. Ajo mbledhje është gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot. Asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga rëndësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhështia. Dhe nëse e zgjidhni, nëse e dëshironi, ju mund të jeni një pjesë e madhe e saj. Mund të jeni një pjesë e madhe e diçkaje të madhe, diçkaje të madhërishme, diçkaje madhështore!
Kur flasim për mbledhjen, po themi thjesht këtë të vërtetë themelore: çdonjëri nga fëmijët e Atit tonë Qiellor, në të dyja anët e velit, e meriton ta dëgjojë mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. …
… Mendoni për këtë! Nga të gjithë njerëzit që kanë jetuar ndonjëherë në planetin tokë, ne jemi ata që na u dha mundësia të marrim pjesë në këtë ngjarje të fundit, në këtë mbledhje të madhe. Sa emocionuese është kjo! …
Kjo mbledhje duhet të jetë gjithçka për ju. Ky është misioni për të cilin u dërguat në tokë” (“Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë, 3 qershor 2018], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org).
Rafinimi dhe pastrimi.
Argjendi gjendet i përzier me minerale të tjera në depozitat e xeherorëve. Në kohët e lashta, një rafinues argjendi e nxirrte argjendin duke e vendosur xeherorin në një furrë të nxehtë me temperatura ekstreme. Kjo bënte që zgjyra (papastërtitë ose mineralet e padëshiruara) të dilnin në sipërfaqen e xeherorit të shkrirë. Rafinuesi e hiqte zgjyrën, duke lënë argjend të pastër, i cili mund të dallohej nga shkëlqimi i tij i veçantë.
Një larës ishte dikush që pastronte dhe zbardhte rrobat. Pëlhura zhytej në ujë të përzier me “sod[ën] e larësve”, e cila kishte për qëllim të hiqte vajin dhe pisllëkun. Ndërkohë që pëlhura po thithte ujin, larësi e godiste dhe e shtypte për të hequr papastërtitë. (Shih “Refiner’s Fire and Fuller’s Soap”, New Era, qershor 2016, f. 6–7.)